E premte, 29.03.2024, 06:35 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Lambsdorff: Vetëvendosja po bën një politikë opozitare fundamentale

E diele, 05.02.2012, 05:06 PM


http://www.dw-world.de/dw/article/0,,15706239,00.html


Lambsdorff: Vetëvendosja po bën një politikë opozitare fundamentale

 

Vetëvendosja ka të drejtë të protestojë, por bllokimi i kufirit nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës. Përkundrazi vetëm e dëmton atë, thotë sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Nikolaus Graf Lambsdorff.

 

DW: Zoti Lambsdorff, ju sot u takuat në Berlin kryetarin e partisë "Vetëvendosja",  Albin Kurti. Cili ishte qëllimi i këtij takimi me politikanin, i cili kohët e fundit ka rënë në sy me aksionet e tij për bllokimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Zoti Kurti është një prej politikanëve udhëheqës opozitarë në Kosovë. Partia e tij është e përfaqësuar në parlament dhe unë dëshiroja të informohem për qëndrimet e tij politike ndaj Republikës së Kosovës, për qëndrimet e tij lidhur me raportet me Serbinë dhe me Bashkimin Evropian. Kjo është një gjë normale,  mua më intereson të dëgjoj edhe prej politikanëve të tjerë. Kurti është natyrisht një rast i posaçëm sepse partia e tij dhe ai vetë bëjnë opozitë jo vetëm në parlament por edhe jashtë tij.

DW: "Vetëvendosja" dhe Albin Kurti kanë bërë përpjekje dy herë kohët e fundit që të bllokojnë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Si i vlerësoni Ju këto aksione?

Lambsdorff: Siç e kemi thënë edhe më parë ne nuk i vlerësojmë këto aksione. Ne mendojmë se këto aksione, për shkaqe të ndryshme, nuk janë të mira. Këtë e ka bërë të qartë ambasadori ynë në Prishtinë disa herë, e këtë e kam thënë edhe unë. Një parti, e cila ka përfaqësuesit e vet në parlament, ka dhe përgjegjësi të caktuara. Unë kam biseduar me zotin Kurti për këtë çështje dhe i kam thënë se nga aksionet të tilla ndoshta mund të ketë përfitime afatshkurtëra në skenën e brendshme politike, por kjo nuk e ndihmon Republikën e Kosovës. Përkundrazi e dëmton atë.

DW: Ka ndonjë recetë Berlini zyrtar për zgjidhjen e problemeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë?

Lambsdorff: Një recetë ndoshta nuk ekziston, por ekziston dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Kjo është tani për tani mundësia më e mirë që kemi. Prandaj duam që ky dialog të vazhdojë. Nuk e di nëse kjo do të ketë sukses në të gjitha fushat, por të dyja palët duhet të tregojnë vullnet të mirë për të arritur zgjidhje. Për zotin Kurti dhe njerëzit e tij, kjo nuk është e pranueshme. Ata më shumë po bëjnë një politikë opozitare fundamentale dhe kritikojnë të gjitha marrëveshjet që qeveria në Prishtinë po përpiqet të arrijë me qeverinë në Beograd. Një parti opozitare ka të drejtën ta bëjë këtë, por bllokimi i kufirit nuk i ndihmon askujt.

DW: Mes Kosovës dhe Serbisë edhe më tej kanë mbetur shumë probleme të pazgjidhura. Ndërkohë që as dialogu nuk po zhvillohet siç është planifikuar. Ka Serbia shanse që në fund të shkurtit ta marrë dritën jeshile për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE?

Lambsdorff: Një shans me siguri që ekziston. Por kjo vërtetë varet nga përparimet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Ende nuk janë arritur qëllimet e caktuara, por kanë mbetur edhe disa javë kohë. Ecuria e dialogut nuk mund të planifikohet. BE-ja po përpiqet që dialogu të vazhdojë, që të arrihen rezultatet dhe - ajo që është shumë e rëndësishme - që marrëveshjet të zbatohen dhe jo vetëm të nënshkruhen. Nëse këto rezultate do të mjaftojnë, që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, nuk mund ta them. Por duhet të shihet se çfarë do të ndodhë brenda këtyre javëve që kanë mbetur.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora