E premte, 19.04.2024, 02:15 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Epoka që verbon poetët

E diele, 05.02.2012, 06:56 PM


Epoka që verbon poetët.

 

Përsiatje  mbi një cikël poetik të Sabit Idrizit.

 

Nga Timo Mërkuri

 

Ftesës sime, për të ardhur si mik i Artit Jonian, poeti Sabit Idrizi, që nga Mitrovica ju përgjegje me një cikël poetik, leximi i të cilit, varg pas vargu e poezi pas poezie më tronditi dhe m’i aratisi fjalët. Ashtu në heshtje,  ja nisa me email ciklin poetit Agim Mato me një shënim të  shkurtër:-Lexoje vetë dhe nise për publikim.Menjëherë!

Poeti Agim Mato, të nesërmen, pas publikimit të ciklit te blogu Arti Jonain, më mer e më thotë në  telefon, me një zë të tjetërsuar,:

-Ende jam i tronditur nga cikli i Sabitit, jam tepër i prekur nga fati i tij. Po pse vallë, poetët do ti heqin gjithë hallet e brengat e kësaj bote. I bëra një koment të vogël, se më tejë nuk shkruaja dot.

Ndjenjat që ja trandën shpirtin nga ky lexim, e dëshmonte më së miri komenti i tij me fjalët:- Dhimbja nuk komentohet, vetëm ndjehet, o vëlla i largët e i afërt, dhe e ndjeva boll për të qenë vëlla dhimbjesh.  A.Mato

Këtu Agimi ishte më se i sinqertë kur thoshte se e ndjeu dhimbjen.E kush më mirë se një poet do ta ndjente dhimbjen e një poeti? E kush më shumë se një  sivëlla poet do ti bëhej edhe vëlla dhimbjesh një poeti tjetër? Unë do t’ju ftoja dhe juve ta lexonit këtë cikël te blogu Arti Jonian i portalit Fjala e Lirë, ndërtuar e drejtuar nga miku ynë Fatmir Terziu, si vend ku lirshëm mund dhe duhet të shkëmbejmë fjalë zemre. E fjalët e zemrës, më së pari burojnë nga zemrat e  plagosura, si zemra e mikut tim  nga Mitrovica, Sabit Idrizi.

A thua nuk mjaftuan për Sabit Idrizin dhimbja e Kosovës së martirizuar e sakatuar, që ti shtohej edhe një tjetër, e cila tentoi tja shkurtonte rrugën e jetës e ta  rrëzonte për tokë.

Se rruga e jetës  bëhet me bashkëudhëtaren që e ke zgjedhur e të ka zgjedhur.

Vetmia të vret.

A nuk mjaftoi për Sabit Idrizin dhimbja e plagës së pambyllur të Mitrovicës, që vazhdon ende e rrjedh qelb, e jo ujë, te ura e Ibrit. E pse i duhej zotit dhe një plagë e tij, që ti kullonte prej zemrës së çarë katër coprash, gjak e lot e vargje?

Pash zotin Sabit Idrizi, me gjak a me lot i ke shkruar ato poezi, që ka dy ditë e s’po më lenë të flej gjumë?

E kujt ja the ato fjalë “dorzimi”, si një klithmë dëshpërimi, si një amanet?

 

Ndonjëherë kur të kesh kohë me bollëk

Ktheji sytë edhe kah fëmijët e mi

E shihi si vdesin nga dash (uria)

 

Të lutem shumë atdhe

M’u hëngër mëlçia

Nuk jam më Promethe...

 

E po unë të them se këtu gabohesh miku im, gabohesh rëndë! Ndaj mos e folë atë fjalë! Ti, dhe gjithë poetët si ti, që “ju hëngër mëlçia” e zemra bashkë , janë më shumë se një Promethe  i gozhduar në shkëmb. Sepse,  shqiponjat e zotave dhe të “palo zotave”, që na coptuan shpirtin, nuk na e vranë dot vargun dhe shpresën që ai mbart mbi shpinë. Shpresën për sot e për nesër. Për ne e për fëmijët tanë.

Zeuzi “vdiq” e si dihet as vari, por Eskili që  shkroi për Prometheun,  mësohet fjalë për fjalë. Dhe sa për atdheun, eh miku im, ne këmi një atdhe që gjithmon kërkon nga ne, se nuk e lënë hallet dhe dertet të na japë gjë tjetër, pos krenarisë. Por gjithsesi ne e duam, kështu të dobët e të pakët nga shtati. E duam të jemi me të në jetë dhe në vdekje të jemi në të. Të jemi pjesë e tij. Ti Sabit,  kurrë më ske për tu larguar nga Mitrovica, sido që të vijë puna. Se dhe të duash të ikiësh, do të të pengojë dora e Hajries që zgjatet që përtejë asajbote e të  ndal hapin. Dhe fëmijët e tu, do venë e do vijnë ku ti kërkojë jeta, e do mblidhen ti sjellin lule nënës së tyre te vednprehja e saj. Jeta juaj, do endet si aniet nëpër oqeane, por Mitrovica do jetë limani juaj i shumëkërkuar.

Po përsa i përket vargjeve të tua, nuk e di si e mendove ti, kur mi nise. Ndoshta mendove se po i  mer  përdore si fëmijët, për ti çuar në përvjetor te vendprehja  e nënës së tyre, për të vënë një  tufë lulesh.Por mua më duket  se të marin ato përkrahu, siç mbajnë fëmijët e burrëruar atin e tyre të drobitur nga mosha e brengat,  që të mos rrëzohesh në rrugë. Që të mos i falesh dhimbjes. Se janë ritur vargjet e tua, Sabit dhe fëmijët po   të riten çdo ditë. E ti kanë zili bota, dhe vargjet, edhe fëmijët. Krenohu me ta, miku im. E mos e lerë dhimbjen të të  mbuloje siç mbulon ujët anien e porsambytur.

E mos rri në heshtjen shurdhuese të vetmisë e të mënjanimit. Dhe po je rrëzuar në humnerën e trishtimit, ndërto një shkallë me vargje e ngjitu gjer tek ne. Shkallë me vargje të tilla brilante. Më të forta se litarët. Më të forta se kavot e çelikta detare.

E përsa i përket asaj anies me ëndra, që thua se  qetësisht po fundosej, unë po të them që, pash më pash ti biesh detit të dhimjes e të dalësh në breg ku të prêt e nesërmja.

Eh, miku im..  Më ler ti citoj dhe njëherë fjalët, që i the Hajries tek ajo bisedë e fundit, se e di që ty s’të lënë lotët dhe ngashërimet ti përsëritësh.

 

Kësmet

Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)

Do t’ia nisim shtëpisë

 

Po (ia ktheva) do ta ndërtojmë një shtëpi të re

 

Ndoshta deri atëherë (vazhdoi ajo me gjysmë zëri)

Do të punësohet bile njëri djalë

 

Po (ia ktheva, i bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri

 

Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)

Do t’i marrim dy nuse të mira

 

Po (ia ktheva) do t’i martojmë të dytë përnjëherë: Ramadanin dhe Liridonin

 

Do të na mbushet shtëpia plot me nipa e mbesa (u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)

Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës...

 

Po (ia ktheva) do të... (dhe dola jashtë e ia plasa vajit)

 

 

Kur u ktheva sërish në dhomë

....

Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra...

 

Ti, miku im i largët, me siguri që  do ta ndërtosh shtëpinë që i premtove, do ti punësosh fëmijët e dasmat do tua bësh të bukura. Dhe mos mendo se ato ditë dasme, Hajria nuk do jetë aty. Ajo do jetë, me siguri që do të jetë aty. Pranë teje, e shndruar në një këngë të bukur dasme, do vërtitet si flutur në vallet e çikave. Unë të siguroj se buzëqeshja që do kenë fëmijët e tu atë ditë, do jetë dhuratë dasme, nga nëna e tyre.

...dhe, ske pse del jashtë për tja plasur të qarit.

Lotët e dhimbjes së shpirtit nuk janë turp, ato janë fisnikëri.

E dhimbja jote është më e madhe se e njerëzve të zakonshëm, sepse është dhimbje poeti. Dhe poetët, vuajnë shumë në vendin tonë, për njerëzit dhe për vendin tonë.

Pakkush e kupton shpirtin e poetit me atë oqean ëndrash e shpresash të trazuara brenda tij. Ndoshta, ndoshta se poetët janë  si profetët. Njerzit e vegjël preferojnë “Barabanë” hajdut e vrasës në vend të Krishtit profet. Prandaj e kryqëzuan në Golgotha. Më pas e besuan dhe e kërkuan, por gjëma qe bërë. Kam ca kohë që mendoj, se edhe Homerin, me siguri, ndonjë mbret do ta ketë verbuar. Nga zilia për artin e tij,se ndonjë qese floriri për tja vjedhur, mos  mendo se ka patur bardi i verbër. Ashtu si Sokratin e lashtë, që e dënuan të vetëhelmohëj, vetëm se qe më i dituri i Athinës.

Por cili fat i zi ta verboi dhe ty gëzimin, duke të bërë shok fati me të pavdekëshmit?

 

Ashtu siç e thua ti, te poezia Kusht:

 

Po ma gjetët një epokë që s’u përpoq t’i verbojë poetët

Do t’jua jap sytë e tyre që të shihni në përtejkohë

 

Po ma gjetët një të tillë që s’u mundua t’i vrasë ata

Do t’jua jap jetët e tyre të gurëzuara nëpër kështjella metaforash

Që edhe ju ta merrni guximin

E t’ia tregoni bërrylin vdekjes

 

Është e vërtetë miku im, që çdo epokë ziliqare përpiqet të verbojë poetët, që ata të mos e shohin zezonën njerëzore. Por harojnë se poetët, dhe ashtu, të verbër, janë homerikë, që shohin dhe ato, që si shohin as ...perënditë.

Ne miku im, vdesim ditë për ditë e ringjallemi nëpër vargje.

Prandaj jemi të pavdekshëm, sa na e kanë zilinë dhe zotat. Ne s’kemi nevojë të gjejmë laboratorin “shpresa”.

Ne shpresën e kemi me vete dhe e shpërndajmë kudo nëpër botë.

Ne vetë jemi shpresa , jo vetëm e vetvetes, jo vetëm e fëmijëve dhe familjeve tona, por ne jemi shpresa e gjithë kombit.

Pas këtyre që thashë, miku im, po të ripërsërit edhe njëherë email-in që të dërgova si përshëndetje, kur ju përgjigje ftesës sime për të ardhur si mik te Arti Jonian:

-Patsh këmbën e mbarë, miku im, se zemrën e di që e ke të bardhë dhe penën të artë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora