E hene, 05.12.2022, 01:04 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Zgjohuni të vdekur se më mbytën të gjallët

E diele, 05.02.2012, 05:59 PM


ZGJOHUNI TË VDEKUR SE MË

         MBYTËN TË GJALLËT

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

       Dielli nga maja e Çelëvjollcës zbriste më këmbë. Ca re të vogla iknin me frikë përpjetë Përronit të Thanës. Mbështilleshin… Rrokulliseshin… Përziheshin… Copëtoheshin… Bashkoheshin… Iknin… Qiellit dikush ia shqepte arnat. Gunën e tij të zezë dalngadalë e zëvendësonte ajo e kaltra. Dardhat gorricë si ombrella i hapën sytë. Morën lirisht frymë. Zgjatnin duart nga drita. Gëzoheshin…  Bisedonin kokë më kokë. Vraponin si fëmijë në livadh. E kapnin njëra – tjetrën për dore. Hidhnin valle me lodra. Ia merrnin këngës. Gurit të Hysenit nga gëzimi i vinte të qajë. Të ulet në gju… Këmbëkryq… Kësulën e bardhë ta lëshojë mbi vetull. Të mbulojë fytyrën me duar. Lotët t’i shkojnë rrëke fytyrës… Shi… Ashtu si litarë, litarë të zbresin ngadalë teposhtë kodrës nga Jasakët e Tikeve. Të zbrisnin përronit kah Rruga, përmes ferrave, të egërsuara të hynin edhe në fshat. Fëmijët t’i hapin portat dhe ta shohin Rrugën të egërsuar marrëzisht. Ngadalë, ngadalë koritat e nënave të tyre, t’i lëshojnë mbi valë dhe të lundrojnë teposhtë livadheve të Katundit. Katundarët që punojnë në ara le t’i shohin koritat e grave të tyre se si lundrojnë njëra pas tjetrës me nga një shami të kuqe. Le të ngrisin zërin pas fëmijëve të tyre që lundrojnë kah Qytetit… Liqeni… Deti… Ose, më larg…

       Plaku me abetare u fut në ujin e ftohtë deri në gjunj dhe i hodhi dy-tri grushta me ujë fytyrës. Mjekra e bardhë për herë të parë e ndiente veten të lirë mes malesh. I hidheshte t’i tregojë grushtat… Të shajë nënën… Babën… Nusen… T’i mëshojë tokës me këmbë. Në fund nga inati të shtrihet  me gjithë tesha në mes të ujit. Gëlldum… Gishtat e këmbëve dhanë shenjë se janë gjallë në opingat e lëkurës së viçit. Plaku me gjithë fuqinë që pati ngriti grushtat nga qielli.

       -Tungjatjeta, o diell!...

       Këto dy fjalë të forta me një eho të gjatë ia përcollën mali-malit. Skifterët mishngrënës bashkë me disa sorra të zeza ikën shkëmbinjve të mprehtë si thika, të shpëtojnë vetëm kokën. Kodrës teposhtë plot zhurmë përmes dëllinjave u rrokullisën disa gurë. Gjethet e lisave kërcitën thatë, thatë nën këmbë. Krëndet e thata lëshonin një krrau, krrau sikur t’i hidhje në zjarr…

        Ky zë në mes të maleve e bëri të dyshoj, t’i ndal këmbët. Koka t’i vloj nga mendimet… Hutimet… Çmenditë… Mos vallë është një krënde e thatë e hedhur në zjarr?! I duket se ec nëpër male e në realitet ec flakës, shpuzës… I duket kështu, se nuk i  shohin sytë… Vrapon… Veshët nuk i dëgjojnë zëra. Zemra i është mësuar me dhembje. Këmbët nuk e dëgjojnë, po turren, turren maleve, arave…

       Plaku me abetare i mblodhi forcat e fundit dhe shtrëngoi grushtat.

       - Deri kur do ta dënoj veten lidhur me zinxhirë për këtij huri si qen?

       - Deri atë ditë kur do ta këpusish zinxhirin. Erdhi një zë i fortë si jehona teposhtë Përronit të Thanës.

       - Po, duart e mia janë të dobëta përpara këtyre hallkave të trasha nga hekuri.

       - Duart e dobëta këpusin hekura.

       - Mos harro, unë jam edhe i marrë! Pas meje nuk vjen asnjë njeri.

       - Pas të marrit, të marrët. Pas të mençurit, të mençurit…

       - Të mençurit janë më shumë dhe më kanë në duar.

       - Të marrët do ta fitojnë betejën…

       Plaku me abetare i habitur me zërat që i dëgjoi në mal, shkuli këmbët nga uji i ftohtë akull dhe eci tatëpjetë kodrës. Opingat e mbushura me ujë çkllum-shkllum me mundime zbrisnin për në Katund.

       - Baaam! I ra i zemruar një lisi. Ti je me mua?

       - Po.

       - Ëhë. Po, ti tjetri? Bam!... Baaam!... Zgjohuni!... Nuk është koha për gjumë… Na pret puna… Detyrat… Arat… Malet… Thuaj jam me ty!

       - Me ty jam. Ashtu, pra. Pas meje! Bam… Baam… Baam… Ti? Oh, jo! Ti je ferrë. Ti nuk duhet të vijsh pas meje! Nuk ke zemër. Të shpëton në brekë. Nuk di t’i zgjidhësh brekët. Nuk di ku e ke kokën, ku këmbët. S’di cili gjak të ecë nëpër trup. Bam!... Baam!... Baaam!... Të gjithë pas meje! Urraaa!...

       Dhe, kështu duke bërtitur e vrapuar hyri në mesin e varreve. Ngriti lart shkopin.

       - Zgjohuni! Zgjohuni edhe ju, o të vdekur!... Gra!… Fëmijë!... Mjaft më u bëtë të shurdhët ndaj thirrjeve të plakut. Rrokni armët!... Furqet!... Sëpatat!... Kazmat!... Hunjtë!... Gurët!... Lufta kurrë nuk ka pushuar pa gjak! Jeta është luftë! Kuptoni? Luftë që kërkon të pijë gjak! Barkun e ka të madh na, tinar. Zgjohuni të vdekur se më mbytën të gjallët!...

       - O Zot! E paskan pushtuar krejtë xhindet! – bërtiti Hoxhë Efendiu që kaloi rastësisht pranë varreve.

       - Çohuni! Ju thërras të bëjmë kau, kauuu, ta-taa-taaa…

       - O katundarë! Vraponi t’ia lidhim duart dhe këmbët me zinxhirë!

       - Vëllezër të vdekur, mos e dëgjoni hoxhën! T’i kishte mendtë në kokë, ai do t’i lidhte veshët e jo fesin. Ai e ka tradhtuar Kur’anin… Mekën… Muahmedin a. s. … Ai i ka me vete të gjallët në xhami. Por, jo të gjithë. Shumica janë me mua, plakun. Ecni edhe ju me mua, o burra! Unë do të bëhem komandant i kësaj ushtrie. Të gjithë në rresht! Mbushni armët! Hoxhë Efendiu është tradhtar…

       - Ta-taa-taaa! Zinjani udhën! Mos e leni të marrë as frymë! Kujdes, mos ju ikë! Të gjallë e duam! Të gjallë!...

       - Ooo, vraponi katundarë, se më mbyti i marri! E urdhërojnë xhindet. Shkopin e ka në dorë. E kam frikë. Më turret. Ma shanë nënën… Babën… Nusen… Ua dha i frikësuar Hoxhë Efendiu këmbëve për në Katund.

       - Ha-haa-haaa! Tungjatjeta, vëllezër!...



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora