E enjte, 25.04.2024, 11:25 AM (GMT+1)

Mendime

Granit Zela: Dritan Çela: përkthyesi me flatra

E marte, 04.03.2008, 11:35 PM


In Memoriam

Dritan Çela: përkthyesi me flatra

Nga Granit Zela

Në hartën e letërsisë shtohen vazhdimisht shenjat letrare, shfaqen qytete, emra njerëzish të rëndësishëm për historinë e popujve apo të panjohur për ndërgjegjen e botës. Në hartën letrare shfaqen e zhduken pareshtur emra njerëzish realë apo të trilluar, emra shtetesh që kanë ekzistuar apo të shpikur. Harta e letërsisë riformatohet çdo çast që shkruajnë shkrimtarët, pas botimit të çdo libri, çdo vit teksa koha tëharr duke i kthyer në humbellën e vet ato shenja e simbole që nuk e fitojnë duelin me kohën.
Në hartën e letërsisë shqipe është shfaqur si një ajsberg që lundron në detin e dhimbjes duke u përplasur rëndëshëm në brigjet e kujtimeve emri i përkthyesit Dritan Çela. Ka ndodhur kjo nëpërmjet përkthimeve të magjishme, në një udhëtim të gjatë drejt lexuesit shqiptar derisa ndali udhëtimin e vet duke ia lënë amanetin e tij librit të të atit Zija Çela “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”.
Si një britmë e heshtur; si mall i premtuar së lashti, si zatetje ballë për ballë me vdekjen, si himn dashurie për jetën, si jehonë e pafund e dhimbjes, si kallzim i pëshpëritur për brezat, si klithmë drejtuar njerëzimit, si përmendore që ngrihet në honet e kujtesës për t’u lartësuar për tej zgripit të harrimit qëndron libri i dashurisë së Zija Çelës shkruar pas mortit të të birit.
Kur lexon librin për Dritan Çelën, ke nevojë që pas çdo kreu të pushosh pak, si për të tretur makthin që frymon pazëshëm, pasi rrëfimi të nguros pakengapak, si në një anestezi e pamëshirshme. Shumë herë ky rrëfim merr përmasën e gojëdhanave, ngjarja  rrok të përtejjetshmen, duke shprehur kësisoj vetë të pashpreshmen ndërkohë që “bukuria e gjuhës është kundërpeshë e dhimbjes së rrethanave dhe pavarësisht nga bukuria e gjuhës dhimbja vazhdon të mbetet e njëjtë”.
Emri i Dritan Çelës, është pjesë e hartës së letërsisë shqipe jo vetëm sepse libri i të atit nuk është kurrgjë më shum pos një përmendoreje artistike që e bën të përjetshëm kujtimin e tij por sepse përkthimet e tij nga letërsia italiane kanë bërë që prej librit të parë ku emri i tij nuk shkruhej tani të shkruhet qysh në ballinë si një grishje për lexuesin drejt gjuhës së magjishme të qëmtuar mjeshtërisht prej përkthyesit.
Në këtë mars që para dy vjetësh për Dritan Çelën ishte Marsi i Luftës, adhuruesit e letërsisë së përbotshme ia kanë borxh një përshpirtje sa herë që sytë të kapin e ballinat e librave të përkthyer prej tij. Dritani ishte vazhdues i denjë i traditës më të morë në fushën e përkthimit që njeh emra të tillë si Noli, Luarasi, Poradeci, Kokona, Caci, Kuteli, Vrioni, Shvarc. E themi këtë pa më të voglin dyshim se është ndër ta si i barabartë përballë dashurisë për gjuhën shqipe.
Dritan Çela, dashuruesi i madh i Fjalës, të tillë e pati fatin, të rendte lart e poshtë nëpër katet e Ferrit, në një spital të Parmës, rendje e cila u bë e qielltë ato ditë të ftohta marsi, duke përballur me dyluftimin final me vdekjen, në më të mbramin çast, me dinjitetin lartësues të shpirtit ëndërrimtar, gjersa shpirti iu nis për në Parajsë, për ta bërë të plotë shenjtërinë  e ëndrrës. 

Çdo herë pas ikjes së trishtë të një artisti, takimet përkujtuese të miqve, shkrimet e tyre në përvjetore vetëm rrallohen ndërsa ikje të tjera të trishta lajmërohen nga kumtet e përjetshme të vdekjes. Porse në rastin e Dritan Çelës harresa e humbet pushtetin e saj të pashpirt ngase anija që mbart kryepasionin e tij të jetës, jetën dhe ëndrrat e këtij përkthyesi me flatra që përçiku diellin e një jete (ajme! gjysmëjete) kushtuar letërsisë është  përjetësuar me Fjalën.
Nuk ka fjalë që mund të zëvendësoj dhimbjen për të e as të shpreh ndonjë kumt ngushëllues nyjëtuar prej vdektarësh për ankthin, mallin, tragjedinë, qëndresën, fatalitetin dhe dashurinë e përgjithjetshme pos vetë thirrjes-kammbanë që ushton në faqet e librit “O atlet i jetës, që e humbe betejën! Sa herë që vdes një njeri si ti, vdekja nuk ka mundur vetëm individin, por tërë njerëzimin.”

Përkthime nga Dritan Çela

Vincenzo Sciascia Përrallë lirie (Shtëpia botuese “Apolonia”, 1992)
Dino Buzzati: Gruaja me flatra (Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1993)
Dino Buzzati: Shkretëtira e Tartarëve (SHBL 1995, “LETRAT” 2002)
Dino Buzzati: Një dashuri (Shtëpia botuese “LETRAT”, 2002)
Suzana Tamaro: Thuaj zemrës po (Shtëpia botuese “Çabej”, 1996)
Carmine Abate: Shtegtimi i unazës (SHBL, 1994)
Luigi Pirandello: Një, asnjë dhe njëqindmijë (Shtëpia botuese “Sejko”, 2002)
Luciano de Crescenzo: Dyshimi (Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1998)
Italo Calvino: Komikat kozmike (Shtëpia botuese “LETRAT”, 2002)
Alessandro Baricco: Mëndafshi yt, zonjë (Shtëpia botuese “LETRAT”, 2003)
Fiabe albanesi (Përralla shqiptare – përkthim nga italishtja në shqip, 2005)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora