E hene, 27.09.2021, 03:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Plisat

E diele, 05.02.2012, 06:57 PM


DANIEL GÀZULLI

 

P L I S A T

 

- tregim –

 

Një mëngjes, si i rregulloi çantën e librave dhe i vuni bukën në te, mbështjellë mirë me një gazetë, e ama e puthi në të dy faqet Shkurtën e vogël dhe qau.

Vajza u shtang. Çka ishte brenga e atij loti? Pse po qante nana?! Vetëm një herë kishte qa ajo, tre muej të shkueme, kur e kishte nisë për herë të parë për në shkollë. Se si iu duk papritë e rritun vajza gjashtë vjeçe dhe i erdh të qante. Po tash, pse po qante nana?!

Një natë përpara kishin pasë miq, dy burra të sertë e trupmëdhej. I kishte pa edhe Shkurta. Njeni prej tyne i kishte përkëdhelë edhe faqen. Ata ende nuk ishin largue prej shtëpie.

E ama do t’i tregonte kur të kthehej prej shkolle se e kishin fejue për një djalë në Bërzhetë. Ua kishte dhanë fjalën gjyshi i saj atyne miqëve mbramë. Po a do ta kuptonte Shkurta e vogël çka do të thonte me u fejue?

Shkurtë ia kishin vu emnin kur kishte lindë, po vajza lëshoi shtat e u ba çetinë e vërtetë. Të pakta i kishte shoqet në tanë Malësinë e Gjakovës. E bukur si ajo ma, sa njerëzit nuk thonin kot, yll, si e bija e Llesh Kolës. Edhe në Bërzhetë ishte hapë fjala: Nuse që merr Dodë Toni, nuk e ka pa ndonjëherë katundi ynë.

Po tue u rritë e tue u afrue koha me shkue nuse, Shkurta kishte marrë vesht shumëçka për familjen e burrit. Kishte marrë vesht gjana që e detyryen një natë prej netësh t’i thonte të atit:

“Babë, po a njimend doni me më mbytë në atë derë faqezijshë”?!

Llesh Kola u pre keq. Nuk dinte si me ia kthye së bijës. Nuk ishte ndër ata burra që do t’i thonte çikës: “Shëët, zanin, se të pres kryet! Dimë na çka bajmë, nuk kemi dalë fare me na urdhnue çikat”!

Kohët kishin ndryshue e ma i vrami për atë fejesë ishte pikërisht i ati. Por nuk ishte fjalë që kthehej ma.

“E di se nuk e ke të lehtë me na falë, moj bijë, po tash nuk zhbahet ma kjo fejesë, veç në e bafsh mendim me u shkue kryet dy vëllazënve tuej. Ata janë fare e keqe, të vrasin për hanë e të qajnë për diell. E nuk kanë nevojë me të vra as me dorë të vet, shtijnë me pushkë të serbit. Nuk i dinim se ishin të lidhun me shkja aq liksht”.

Kaq tha Lleshi dhe iu mbushen sytë me lot.

Shkurta nuk e hapi ma gojën, por ditën e martesës e priste si diten e mortit të saj.

E ajo ditë, ja, kishte ardhë.

 

*****

 

Edhe moti nuk e desht atë dasem. Pak pa arrijtë krushqit te shtëpia e Dodë Tonit, u zbrazen qiejt: Një shi si ai rrallë ishte pa. E ulen nusen prej kalit sa me ba shejen e kryqit te dera e shtëpisë e turr e vrap, kush ma i pari se tjetri, u sulen në shtëpinë e madhe të Dodë Tonit, që ia kishte pasë vakthin me ndërtue gjithë atë bina.

Vetëm si hangrën e pinë mirë dasmorët, e sollën nusen në odë të burrave për me e pa e me i këndue. Tradita e donte që nusen ta vinin mbi një diku nalt, që të dukej mirë. Po Shkurtës, hipë mbi shkamb, i mbërrinte kryet pothuej në tavan. E po si e donte zakoni, i vunë edhe tre kapuça, a tre plisa, si i thonë në ato anë, mbi krye. Tre plisa të rijë shajaku të bardhë si borë e bjeshkëve. Kështu e donte zakoni. Ata tre plisa ishin urimi që t’i shtonte me djem ndjellmira.

Por ndodhi diçka që i tronditi të gjithë.

Nusja, jo se i hoq plisat prej kreje e t’ia kthente grues që i vuni, po i hodhi poshtë me një lëvizje nevrike të dorës.

Ia vunë përsëri plisat mbi krye e ajo i flaku përsëri në dysheme.

“Më sill frenin e kalit!” – iu drejtue Dodë Toni një nipi, - se kjo qenka për fre! Deri sa hedh shqelma sot, çka do të bajë neser kjo pelë!”

U ngrit daja i nuses, që e kishte shoqnue, si e donte zakoni. Verdh ishte në fytyrë.

“Leje, Dodë Toni, më më lanë të flas më veti me mbesën. Mos ta prishim dasmën e miqësinë, o miq”!

Po Shkurtës, atje mbështetë për mur, as i ndrroi çehrja e fytyrës.

Dodë Toni i bani me shej dajës se kishte leje me folë me mbesën.

Shkurta zbriti ngadalë prej stolit ku e kishin hipë dhe ndoq dajën e të dy bashkë dolën në një cep të qoshkut të gjanë, që lidhej me odën e burrave.

“Dajë - foli Shkurta e para, - kam pranue me ardhë nuse këtu për hir të vëllazënve, që të ruej jetën e tyne, por në më ndihmoftë Zoti, nuk kam në mend me e shtue me mashkuj të tjerë këte farë të keqe, këta këlyshë të Serbisë, që kanë sharrue sa bijë shqipesh”.

Dajës iu drodh buza. Iu duk se e mbesa u shndrrue e iu ba sa bjeshka që u gjelbronte para syve.

U kthyen përsëri në odën e burrave. Daja e shoqnoi vetë Shkurten të hipte përsëri mbi stol dhe iu drejtue dasmorëve:

“Mbesa ime nuk do të vejë plisa mbi krye. Ashtu e ka punën. Në mos ia falshi, gjoben ua kam unë borgj. Me besë të Zotit, mos ma trazoni mbesën”.

Dodë Toni urdhnoi ta kthenin nusen tek oda e grave.

 

*****

 

Mbas dy netësh erdhën t’i uronin martesën e djalit komandanti i policisë dhe një oficer që kishte vetëm pak kohë që kishte ardhë nga Beogradi.

Si hangrën e pinë mirë e mirë, Dodë Toni kërkoi t’i sillnin nusen. Ajo, para se të kalonte në odën e burrave, kërkoi t’i vinin në krye tre plisa.

Dodë Toni e kuptoi mirë pse kishte kërkue t’i vinin plisat në krye tashti dhe u nxi në fytyrë.

Oficeri i Beogradit, tue ngritë gotën e rakisë, iu drejtue nuses: “Neka je sa srecom”.

Ajo nuk iu përgjegj urimit.

“Kthej përgjegje, nuse”! .- foli me terrsëllimë Dodë Toni.

“Nuk e mora vesht, se nuk di serbisht, bacë” - u përgjegjë Shkurta dhe mbas pak, pa folë ma askush, se kishin shtangë e nuk dinin ç’të thonin, ajo u drejtue vetë për në dhomën e grave tue mbajtë plisat me dorë se mos i binin.

 

*****

 

Po Martini, i shoqi, moshatar me te, i hyni shpejt në zemër Shkurtës, se ishte shumë i sjellëshëm dhe i ambël.

Një natë, i tha së shoqes:

“Shkurtë, a vërtetë nuk do të na e gëzojsh prehnin me një fëmij”?

Shkurta u drodh. Gjithë ato dit nuk mendonte tjetër veç ditën kur do të bahej nanë.

“Në më jep fjalën se do të ikim prej kësaj çerdhe turpi”.

Nuk folën ma për një kohë të gjatë.

“Më jep kohë – i tha Martini. – Po të premtoj se shpejt do të ikim. Nuk të vjen turp vetëm ty. Tash që do të jemi bashkë, edhe për mue ka ardhë dita me ikë”.

Dhe mbas tre muejsh u larguen papritë në një fshat në afërsi të Gjakovës, ku jetonte dhe daja i saj, e lindën tre djem.

 

*****

 

Më 1999 Shkurtë Tonin e zuni pezmi i vjetër: E vranë serbët në oborrin e shtëpisë se saj. Kohët e zezë që kishin ndejë re gjaku mbi Kosovë, kishin gjetë rastin ma të mirë me la hesapet me te.

Kur e mori vesht vdekejn e saj, Mark Avdyl Ndrejaj, atje në mal, porosti me i vu tre plisa në krye. Kështu kishte thanë legjenda e Gjakovës e ashtu u ba.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora