Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Korrupsioni si dukuri

| E shtune, 04.02.2012, 09:03 PM |


GJYQËSORI AS NUK ËSHTË AS NUK MUND TË JETË

MË I KORRUPTUAR SESA SEGMENTET E TJERA

 

Nga Adil FETAHU

adil_fetahu@hotmail.com

 

Korrupsioni si dukuri

 

Se korrupsioni është dukuri negative në shoqëritë në tranzicion, e cila si gangrenë e brenë zhvillimin ekonomik edhe moralin shoqëror, kjo nuk mund të mohohet. Korrupsioni është bërë një si kulturë e sjelljes dhe veprimit të zyrtarëve të niveleve e të profileve të ndryshme në të gjitha segmentet e shtetit, por edhe të shoqërisë civile. Korrupsioni është dukuri e vjetër sa edhe vetë civilizimi. Motivet dhe format e korrupsionit kanë pësuar ndryshime gjatë kohës, si në elementet materiale, psikike e morale, poashtu edhe në sofistikimin e mjeteve, mënyrave  dhe metodave për realizimin e tij. Natyrisht, motivi më i theksuar dhe më i përhapur i korrupsionit konsiston në interesin material. Motive të korrupsionit mund të jenë privilegje të ndryshme: fitimi i pozitës, ndonjë titulli, shërbimi, përparësie, tenderi, konkursi, shpërblimi, reklame e tjera, që në instancën e fundit përsëri të gjitha lidhen me interesin material.

Përmasat e korrupsionit, me të gjitha format dhe motivet e tij, varen nga niveli i zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe demokratik i shoqërive (shteteve) e vendeve të caktuara. Nuk ka asnjë vend në botë ku korrupsioni është në nivelin zero. Mirëpo, në kohën tonë ky fenomen është përhapur shumë më tepër dhe ka marrë dimensione brengosëse në vendet në tranzicion, siç është edhe Kosova. Në këto vende, që zakonisht janë të varfëra, të pazhvilluara në të gjitha aspektet dhe me papunësi të madhe, me institucione të brishta, të pakonsoliduara dhe joefikase të pushtetit shtetëror, korrupsioni ka lëshuar rrënjë të thella dhe shtrihet në të gjitha sferat dhe segmentet e shoqërisë. Sipas analizave më të thella të institucioneve ndërkombëtare, korrupsioni politik konsiderohet se është forma më e rrezikshme, ngase prej tij gjenerojnë sisteme, nënsisteme dhe lloje tjera të korrupsionit.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i “Transparent Internejshenel”, Miklosh Marshal, më 9 dhjetor të vitit të kaluar, pas publikimit të indeksit të korrupsionit global për vitin 2011, erdhi në Prishtinë për t’ua komunikuar e deshifruar me fjalë udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, se korrupsioni vazhdon të mbetet pjesë e sistemit! Në indeksin e perceptimit të korrupsionit në nivelin global, Kosova është radhitur në vendin e 112, dhe me këtë mbanë epitetin e shtetit më të korruptuar në rajon. Kjo shkallë e korrupsionit i frikëson investitorët e jashtëm dhe ata vendorë. Me atë rast, Miklosh porositi se korrupsioni nuk mund të luftohet derisa njerëzit këtu pasurohen përmes politikës. Sepse, politika nuk është për t’u pasuruar. Kjo vërteton atë thënien popullore, se peshku prishet nga koka.

Korrupsioni po vepron në plotëkuptimin e domethënies së fjalës së emërtimit të vet (lat.corruptio, corruptus do të thotë – i prishur), dhe  ky e prishë shoqërinë, moralin shoqëror dhe individual. Përkundër strategjive, ligjeve, planeve, institucioneve të posaçme për luftimin e korrupsionit, ky fenomen i shëmtuar nuk po shënon rënie të nivelit, veçse po përhapet dhe po e brenë shoqërinë, si kanceri organet në trupin e njeriut. Kohë më parë, edhe Kryetarja e Kosovës ka paralajmëruar se në kuadër të Presidencës, do ta formojë një këshill për luftimin e korrupsionit. Pa u lëshuar në atë se a ka bazë kushtetuese e ligjore për themlimin e këshillit të tillë, konsiderojmë se është i tepërt dhe i panevojshëm dhe se nuk do të ketë ndonjë efekt. Sepse, korrupsionin duhet parandaluar e  luftuar në të gjitha organizmat ku potencialisht paraqitet.

 

Gjyqësori nuk është as nuk mund të jetë më i korruptuar

sesa segmentet e tjera të shoqërisë sonë (të korruptuar)

 

Në mënyrë deklarative, të gjithë pajtohen se ka korrupsion të nivelit të lartë në Kosovë, dhe se atë duhet luftuar. Se ka korrupsion në nivel të pa zvogëluar nga vitet mëparshme, vërtetojnë edhe organizmat e ndryshme ndërkombëtare, veçmas “Transparenty Internacional”. Brenda në Kosovë është krijuar dhe përhapur përshtypja, e ricikluar në çarqe zyrtare e në kuloare të çarshisë, se gjyqësori është segmenti më i korruptuar, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse, askush dhe askund nuk ka ofruar prova dhe argumente që vërtetojnë se gjyqësori është më i korruptuari. Përceptimi i shkallës së korrupsionit për gjyqësorin, i krijuar në bazë të do anketave të pa verifikuara të dofar organizatave joqeveritare, të cilat edhe vet mund të jenë të korruptuara, nuk mund të merret si pasqyrë reale e korrupsionit.  Përkundrazi, po të analizohet me kujdes puna e gjykatave dhe treguesit e shkallës së korrupsionit në gjykata, del se gjyqësori është më së paku i korruptuar, në krahasim me segmentet e tjera. Jo vetëm se në gjykata punojnë njerëz të cilët kudo konsiderohen si elita e ndërgjegjes dhe moralit shoqëror, dhe që sipas profesionit dhe detyrës që kanë duhet të jenë më së paku të korruptuar, veçse edhe për shkak të natyrës së ndërlikuar të punës së gjykatave, e cila kalon nëpër faza, procedura e nivele të ndryshme, që nuk len shumë hapësirë për korrupsion.

Unë nuk dëshiroj që ta amnistoj gjyqësorin nga korrupsioni, dhe e gjykoj edhe vetëm një rast  korrupsioni po të jetë vërtetuar. Dhe jam i vetëdijshëm se edhe në gjyqësor ka korrupsion, sepse edhe gjyqësori është pjesë e këtij sistemi të korruptuar, dhe  mund të qëllojë ndonjë gjykatës apo nëpunës i pandërgjegjshëm, me moral  e karakter të dobët dhe me lakmi për ndonjë përfitim material, qoftë edhe përmes korrupsionit. Mirëpo, në gjykata është shumë më vështirë të vjen deri te korrupsioni. Sepse,  puna e gjyqësorit zhvillohet në një varg procedurash paraprake, ekspertizash, pastaj procedura të vendosjes në shkallë të parë, të vendosjes në shkallë të dytë a të tretë, sipas  ankesës së rregullt dhe të mjeteve të jashtëzakonshme juridike. Pastaj, në gjykatë vendimin nuk e merr një individ (përveç rasteve më pak të rëndësishme), por vendosë kolegji, i përbërë nga 3, 5 ose 7 gjykatës, varësisht nga natyra e çështjes dhe nga niveli instancial. Në çështjet penale, në të cilat njerëzit janë të gatshëm të japin mito në shuma të mëdha për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe dënimit, gjykata ka mundësi më së paku të korruptohet. Sepse, kur policia,  prokuroria dhe ekspertiza ofrojnë prova të sigurta për fajin që  ngarkon të akuzuarin, gjykata nuk ka kah ia mbajë, përveçse mund t’ia shqiptojë dënimin minimal ose maksimal të paraparë me ligj, por gjithmonë duke pasur parasysh rastin konkret dhe rrethanat rënduese e lehtësuese. Në procedurat dhe fazat para se lënda të vjen në gjykatë, është më lehtë të korruptohen zyrtarët, për shkak se mund t’i fshehin ose falsifikojnë provat. Edhe avokatët e pandërgjegjshëm mund të “kontribuojnë” në korrupsionin ose në perceptimin për korrupsion që i mvishet gjykatës, sidomos në rastet kur e humbin kontestin “arsyetohen” para klientëve të vet, duke përfolur dhe etiketuar gjykatën për korrupsion.

Në gjykata vendoset për çështje të ndryshme, dhe aty gjithmonë paraqitën dy palë (që mund të jenë me më shumë pjesëmarrës si palë), me pretendime dhe interesa të kundërta. Cila palë e humb kontestin, respektivisht nuk e realizon kërkesën e saj, është e prirur të mendojë, dyshojë ose të paktën të deklarojë se pala tjetër e ka korruptuar gjykatën. Dhe këto thashetheme përhapën në çarshi, duke etiketuar e njollosur gjykatën, pa asnjë argument.

Në popull është shumë më pak i përhapur perceptimi se zyrtarët e tjerë, të organeve të pushtetit qendror apo atij lokal, të ndërmarrjeve publike apo institucioneve shoqërore janë më të korruptuar se gjyqësori. Mundësitë reale për korrupsion janë shumë më të mëdha në segmente të tjera të organeve qendrore e lokale: më tenderë të ndryshëm, me emërimin në pozita, në pushtetin lokal në marrjen e lejeve për ndërtim e biznese të ndryshme si dhe nga inspektorët. Dhe, aty xhirojnë mjete të mëdha financiare, prandaj edhe lakmia është më e madhe. Edhe procedurat e vendosjes për çështje të ndryshme janë më të thjeshta, më pak transparente se sa puna e gjyqësorit. Fare më pak shtrohet çështja e korrupsionit në arsim, shëndetësi, dogana, urbanizëm, në ndërmarrjet publike: PTT e telefoni mobile, Aeroport, KEK, partitë politike,  media, agjensitë e ndryshme, veçmas ajo e privatizimit, bizneset private formale a joformale, por edhe në organizatat e ndryshme joqeveritare, etj. Vetëm me një tender të ndonjë ministrie, mund të shpërdoren mjete korruptive më shumë se në të gjitha gjykatat e Kosovës, të të gjitha llojeve dhe të gjitha niveleve, të cilat nuk kanë në dorë tenderë as kontrata furnizimi për asgjë.

Po të bëjmë një analizë të thjeshtë, mund të bindemi se për gjyqësorin ka më shumë llafe e thashetheme për korrupsion, se sa ka korrupsion në realitet. Vitin që shkoi, në të gjitha gjykatat e rregullta të Kosovës, duke filluar nga Gjykata Supreme deri te gjykatat komunale, kanë qenë në punë 231.847 lëndë të ndryshme, prej të cilave janë zgjidhur 17.443 lëndë. Në të gjitha lëndët e zgjidhura, njëra palë, ose disa pjesëmarrës të njërës palë, kanë qenë të pakënaqur me vendimin e gjykatës, dhe ata menjëherë janë të prirur të dyshojnë ose të paktën të flasin për korrupsionin e gjyqësorit. Ku janë  palët e lëndëve tjera të shumta të pazgjidhura prej shumë kohësh, për të cilat poashtu palët janë të pakënaqura me punën e gjyqësorit, për shkak të vonesës së zgjidhjes së lëndëve të tyre,  dhe ata  gjithashtu janë kandidatë potencial që ta përgojojnë gjyqësorin për korrupsion.

Ta analizojmë tash raportin e Agjensisë Kosovare të Korrupsionit, për të vlerësuar shkallën e korrupsionit në gjyqësor. Sipas të dhënave të paraqitura në raportin e atij Agjensioni për vitin 2010 (se për vitin 2011 akoma nuk ka publikuar raportin),  asaj Agjensie i janë paraqitur 430 raste të dyshimit për korrupsion,  (paraqitjet janë bërë qoftë drejtpërdrejt ose me telefon apo internet). Pasi që Agjensioni i ka shqyrtuar paraqitjet dhe i ka hetuar rastet në suaza të kompetencave të veta, shumicën e tyre i ka refuzuar si të paargumentuara, ndërsa  i ka marrë vetëm 139 raste të paraqitura për t’i hetuar më hollësisht. Prej tyre, 3 raste ishin dyshimet në prokurorë, 17 raste në gjykata, 28 raste në zyrtarët e pushtetit lokal, 44 raste në zyrtarët e Qeverisë dhe 47 raste në zyrtarët e institucioneve tjera. Pas hetimeve të kryera, Agjensioni ia ka përcjellur prokurorive vendore dhe prokurorëve të EULEK-sit 29 raste, me kallëzime penale. Prej tyre, 2 janë raste të gjyqësorit, 3 raste të pushtetit lokal, 12 raste të zyrtarëve të Qeverisë dhe 12 raste të institucioneve tjera. Prej këtyre të dhënave shihet se gjyqësori nuk është më i korruptuari, veçse raporti tregon se më të korruptuar janë zyrtarët e Qeverisë, të institucioneve tjera dhe të pushtetit lokal.

Prandaj, nuk është mirë pa argumente të etiketohet dhe njolloset gjyqësori si segmenti më i korruptuar. Dhe duhet pasur parasysh se edhe gjyqësori është pjesë e këtij sistemi të korruptuar, por për fat  gjyqësori është më pak i korruptuar se nënsistemet e tjera. Askujt nuk i ka hije as nuk i bënë nderë qoftë edhe një rast i njëmendët i korrupsionit, por gjyqësorit nuk i ka hije edhe më hiq, ngase është instanca e fundit ku njerëzit ose bizneset shpresojnë t’i realizojnë të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme. Gjykatësve nuk iu falet faji edhe nëse vërejnë ndonjë rast korrupsioni te kolegët e vet ose te zyrtarët e tjerë në gjykatën ku punojnë, nëse rastin e heshtin për çfarëdo arsye, ngase ashtu i kontribuojnë korrupsionit.

Edhe nëse gjykatësi nuk e gjykon drejtë ndonjë çështje, deri sa të mos jetë vërtetuar ndryshe duhet të konsiderohet se ka gjykuar gabimisht nga mosdija, e jo nga ndonjë motiv tjetër. Në gjykatat tona numri më i madh i gjykatësve  të zgjedhur vitin e kaluar janë të papërvojë, ashtu që gabimet janë të mundshme, prandaj edhe nuk duhet çdo gabim të merret si rast korrupsioni.

Zoti iu dhashë gjykatësve mend, urti, ndërgjegje e guxim  që të gjykojnë drejtë, duke i trajtuar njësoj para ligjit të gjithë njerëzit, si presidentin e shtetit, si bariun në viset më të largëta. Vetëm ashtu mund ta heqin dyshimin e animit apo të korrupsionit, dhe të fitojnë besimin e qytetarëve.