E marte, 19.03.2024, 11:28 AM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Ju faleminderit për interesimin!

E premte, 03.02.2012, 07:59 PM


-JU FALEMINDERIT PËR INTERESIMIN !

Nga:  Zeqir Lushaj

 

-Nga blloku i shenimeve të gazetarit-

(“Bashkimi”, 10 shkurt, 1985)

 

Shënim, për lexuesin

(Moti shumë i keq, i këtyre ditëve, në Atdhe e në krejt Europë, më çoi në retrospeltivë, në Dimrin e Madh të ’85-ës, e më kujtoj këtë reportazh të para 27 vjeteve, që mendoj se, është aktual edhe sot. E nxora nga libri im, në dorëshkrim “Bota=Iluzion”, që do të botohet këtë vit, dhe për lexuesit e ZSH-së, po e risjell sot, i bindur se nuk do të krijoj asnjë paragjykim në mes kohëve politike, me rreth tre dekada në mes.

Dimri është dimër e bora është bore…, si në Monizëm, si në demokraci)

 

1.

A keni dëgjuar për Marash Gjergjin e Currajve të Poshtëm nga Lekbibaj i Tropojës? Pak ditë më parë, ai jetoi një legjendë të vërtetë, kur bora në Alpe i kalonte, vende-vende 3-4 metra. Ç’ndodhi?

Në këtë dimër të zorshëm, Marashi, me dy shokë të tij po vinin nga fshati Curraj i  Poshtëm, tek një miku i tyre në Breg-Lumi (Rajë). Në shpatinat e Rajës, u shëmb një ortek i madh bore, dhe, të tre burrat, sa hap e mbyll sytë, u zhdukën në masivin lëvizës e të pafund të borës. Të parin e të fundit, shokët e kollonës së Marashit, i kapi qoshja e ortekut, dhe, shpejt i flaku në anë, pa pasoja serioze. Marash Gjergji, u gjënd në mes të kollonës së udhtimit, pra, edhe në mes të goditjes së ortekut. I mbeshtjellë, me qindra metrokub borë, Ai, si në ëndërr, e sheh veten në mes të lumit Drin. Peshtjellimet e ortekut, kur bien mbi lumë, fatëmirësisht, e nxjerrin Marashin, si sgalem, sipër ortekut, sikur kish shaluar gjokun e legjendave përmbi re’ ! Tani, masivi gjigand i borës, ecte mbi shpindën e Drinit, si një çudi e papërfytyrueshme për kollaj !

Natyra kish bërë mrekullinë e radhës. Një malsor, krejt i zakonshëm, një udhëtar rasti, kish shaluar ortiqet e borës, dhe kalaronte i plotfuqishëm mbi Drin .

…Aty, ku vendi quhet, “Theqafja” e Drinit, masivi i borës, përplaset në shkëmb, duke e hedhur “kalorësin” Marash, në anën tjetër të brigjeve. Dhe, mrekullisht, shëndosh e mirë !!

Drini, dhe Marashi mbi ortek, kishin ecur kundra rrugës nga do shkonte udhëtari, dhe tani, ai e kishte me afër fshatin e tij se sa Rajën, për ku, ishte nisur dhe e prisnin. Por, jo, Marash Gjergji, do te shkonte atje, ku e kishte ndarë mendjen, në Breg-Lumi.

…Pas mesnatës, në shtepinë e mikut pritës, në Rajë, (ku, kish filluar gjama për lajmin e keq të marrjes nga orteku të Marash Gjergjit !) , krejt papritur, trokiti dera dhe thirri një Njeri :

-Hapeni derën! –Jam Marash Gjergji !!!

 

2.

Dy oficerë, djem të rinj, trokitën në zyrën e komandatit të repartit të Mollë Kuqes në rrethin e Tropojës. Hynë brënda dhe u paraqitën.

-Po, ju ?, -pyeti me habi komandanti, nga mbitë këtu, në këtë gazep dimri? Erdhët me helikopter ?

-Jo, jo ! Erdhëm me këmbë, nga Shkodra, në Gur të Kuq, Lekbibaj e këtu, -u përgjigjen ata  qetë-qetë.

-Pse, more djema, keni bërë tërë atë rrugë të vështirë e shumë të gjatë e të rrezikshme, katër ditë , nëpër këtë dimër të zahmeçëm ? Ne, ju thamë që të mos levizni !

-Gjithçka normale, shoku komandant. Këtë rrugë e kanë bërë brez pas brezi të parët tanë, si në verë si në dimër. Thamë,t ë bijem edhe ne njëherë nga “Rruga e babës…”!

…Vetëm 5 ditë pas kësaj që po shkruaj, 50 nxënës e studentë, nga zona e Nikaj-Mërturit, u nisen në kollonë dhe nëpër “Rrugën e babës”, kaluan Qafën e Agrit, Gurin e Kuq e të nesërmen u ngrysën në qytetin e Shkodrës.

Nuk duhet harruar kurrë, rruga e baballarëve…!

 

3.

Do te kaloj shume kohë e dita e 6 janarit të vitit 1986, do të mbahet mend në mes të atyre ditëve të borës së madhe. Me gjithë gazepin e madh të asaj dite, Tropoja i bëri dy dasma e data 6, hyri në kalendar si dita e dy nuseve. Mirë, po, -nga vini  e ku shkonin ato ?

Njëra vinte nga Helshani i Hasit e martohej në Gri të Tropojës, ndërsa tjetra, nga Shoshani e martohej në Grykë të Dragobisë !

Kur era e ftohtë e veriut me deborë, të mpinte e të priste edhe në oborr, kur mezi kalojë nga njëra shtëpi te tjetra në fshat, krushqit e dy dasmave u nisën, njëra palë drejtë Hasit,e tjetra, Grykës së Dragobisë. Atë ditë në Tropojë, më shumë se për ditën zullumqare të 6 janarit, flitej për të dy nuset e reja !

-Janë të sojshëm e të fortë hasjanët, -na tregon Sejd Arifi. Na kishin dalë me nuse përpara, në breg të liqenit, në Va-Spac. Kishin marrë me vete bukë, mish e raki të fortë. Ne shkuam me anije. Veç, për ne, për nusen e për dasmen, levizi anieja atë ditë !

…Kishin kaluar tri orë natë. Në Gri, njerëzit po shqetsoheshin gjithnjë e më shumë. Asnjë fjalë, asnjë lajm! Dhe, u nisen 15 djelmosha të fortë e të zgjedhur, për tu dalë, diku përpara. U  takuan me krushit e nusen, në Selimaj të Geghysenit. Në Gri,a rritën në orën 8 të darkës, pra rreth 4 orë mbas akshamit. Shumë të lodhur, veçse të gjithë dukeshin si nuse. Kishin veshur vellon e bardhë të borës…!

…Po kështu edhe në Dragobi. Krushqit me nusen ishin të parët udhëtarë në këtë janar të zorshëm të këtij viti, në atë grykë plot rreziqe. Nuk dukeshin si krushq, por, si alpinistë apo ndonjë ekspeditë gjeologjike. Bile, edhe nusja, atë ditë kish veshur një gyrk me gëzof të trashë, nga ata që perdorin gjeologët. Bukur !

 

4.

-A don miq, o Shaban Hyseni ?

-Mirë se vini, e paçi faqen e bardhë o burra, përgjigjet gjithë bujari Shabani e,na prinë drejtë dhomës së miqve në katin e dytë të kullës.

Jashtë, binte borë e papushim dhe i kish kaluar dy metra lartësi. Brënda, në shtëpinë e Shaban Hysenit, sikur kish çelur pranvera. Dhoma të pastra, qilim e sexhade plot lule, divanë të bukur e postiqe dashi në të dy anët e zjarrit bubulak. Shabani, një plak malsor, me një fytyrë pak të zgjatur e thatine, me kapuç të bardhë në kokë, fliste ngadalë, dhe plot mënd e humor. Eshtë bash i trollit të atdhetarit Shpend Balia, burrë i njoftun në malsi e deri në Kosovë.

-Si po kaloni me këtë dimën, o Shaban Hyseni ?

-Për besë, ma mire, veç çartet, or burra. Dimni na ka ardhë pak si i zorshëm sivjet, na ka rrethue, por,shtëpitë i kena të mira, dru kena boll, me hangër e me pi,jo fort keq, e, ndoshta kryesorja, shokë e miq nuk na lanë me u vetmue e me u mërzitë, e aq ma pak me u tremb!

…Me burra si Shaban Hyseni i Margegave, nata e dimnit, të duket e shkurtër.

 

5.

-Ç’kemi nga katundi poshtë, more bir, -e pyeti Sadik Selmani, djalin e tij, Ukën, sapo hyri në derë të dhomës, në Gri ?

-Mirë, babë! –Kurrgja të re, u pergjigj ai.

-A kish ndonjë letër bile?, -pyeti përsëri plaku 81 vjeçar.

-Po, babë, të kan ardhur dy telegrame sot,- tha Uka, duke zgjatur të dy fletët e telegrameve dhe ia dha në dorë.

- Po mi lexo ti more, bir, se unë, nuk shoh mirë tashti, -tha plaku.

Dhe Uka, u ul afër tij e filloi t’ia lexonte, ashtu sikur vet baba e kish me merak:

-Një telegram, ta ka çue Hysen Dida, prej Krumës së Hasit.Thotë : -”Na lajmeroni për shëndetin”. Këtë tjetrin ta ka çue Hekuran Çuka, nga Zejmeni i Lezhës.

-Kqyre more, kqyre, -tha plaku, duke tundur në dorë fletet e telegrameve.I kanë parë lajmet për borën e madhe e janë ba merak. Hej, shumë faleminderit prej tyre !

-O xhajë,-i thirrri plakut, nipi i tij Abedini, si per ta ngacmuar.-Vetëm Ty po të vijnë gjithë këto letra, kartolina, telegrame. Ne,t ë tjërve, nuk po na e varin hiç, kërkush!

Dhe plaku, iu pergjigj, me të njejtin humor:

-O Abedin! Burrat, i njohin e i kujtojnë burrat.Ti, more djalë,j e martue e ba me femij, por, me u ba burrë asht zor…Po, a di ç’ka? Del e na i çajë do dru, se asht nata bukur e gjatë.

-…A e dini si po m’duket, -foli prap plaku me djemt e nipat e tij që kishin mbushur dhomën. -Sikur u hoq bora, sikur kaloi dimni, pasha besën!

Dhe, i tha të birit, që të nesërmen, të dilte në qytetin Bajram Curri, e të ju kthente përgjigje miqve:

-Jemi të gjithë shëndosh e mirë. -Ju faleminderit për interesimin !

./.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora