E hene, 22.07.2019, 02:54 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Jam kalorësi i erës...

E merkure, 01.02.2012, 09:03 PM


Jam kalorësi i erës...

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Të lindësh nën këngët e bukura të thëllëzave dhe bilbilave dhe të të kundërmohet shtëpia me aromën e trëndelinës së malit, padyshim është një privilegj për poetët e talentuar.  Dielli me fasha ndriçuese ka hyrë brenda syrit të poetit dhe e ka bërë atë të rrëmbejë penën ndoshta të lyer në gjak mani per të shkruar diçka të bukur, një bukuri e rrallë që kapet vetëm nga shqisat e holla të njeriut që i ka përjetuar këto peizazhe dhe ndjen shijet brenda shpirtit të tij...

Sa herë lexoj poezitë e autorit Lulzim Lekdushi me origjinë nga Lekdushi i Tepelenës, një fshat aq piktoresk saqë Perëndia duket sikur qiellin sipër fshatit e ka pagëzuar si një nënë qe ka brenda barkut zogj me pendë të mëndafshta, ndihem gjithmonë një udhëtare brenda një varke të bukur Hëne, dhe aty më përqafojnë nënat e Lekdushit, ato fytyrat ëngjëllore që falin vetëm mirësi.

Poezitë e autorit qëndisen bukur nga ndjenja e dashurisë dhe sensualiteti, ato janë ninëza drite, janë përskuqje dielli në buzët e dashurisë.

Për ta ilustruar po sjellim disa vargje nga cikli me motive:  Do të pres zemra ime/ do të pres në ato vende/ ku këngës ja thotë thëllëza/ bilbili ja kthen me ëndje.../ Do të pres te qershia/ që skuqet si ëndërr  vajze/ a nën lulet e gështenjës/ ku qëndronim asaj nate...

Vargjet jane të veshura me metaforën ndjellëse, e cila skuqet si ëndërr e virgjër vajzërore, ku autori si një romantik i shekullit të XVIII e pret atë si dikur nën lulet e bukura të gështenjës.

Poeti përgjërohet për të bukurën, për elegancën e vashave, herë e qëllon me shkelje syri, herë me vargje e këngë.  Ndaj ai shkruan:  Kam një dasëm diku larg/ këtë muaj, kësaj jave/ a s’ma jep buzëqeshjen  tënde/ që ta tund shami në valle?/ T’i vë flakën e të digjet/ nga zjarri i shpirtit tim/ shikoj dhëndrin me nusen/ e të ndizen prushërim..

Strofa e mësipërme të jep imazhin e një kënge të bukur labe, ku nëpërmjet figuracionit aq të pasur artistik, pena e tij e ngroh me zjarrin e shpirtit, ngase ai lyp buzëqeshjen e heroinës së tij lirike, dhe këtë buzëqeshje ai do ta valëvis si shami në valle për t’jua dhuruar gjithë dasmorëve...

Ç’magji!  Në vend të shamisë të valëvisësh buzëqeshjen e saj në valle!...

Lexuesi i poezisë së tij patjetër që ëndërrit dhe me fuqinë e vargut të tij ja shetit mendjen si ne vargjet: Të shikojnë bukuroshet me gjijtë si moll’ a pjeshke/ dhe të zënë të ënderrojnë për në verë a për në vjeshtë...

Figurat e përdorura janë si sythe plot lëng jeshil që buisin brenda shpirtit të tij, një shpirt sa i ndjeshëm po aq fluturues dhe rebel...

Dhe ja si shprehet: Ndaj bëhu Skifter edhe shko/ Ndaj bëhu këngë apo fllad.../ Mbi zemrën e saj qëndro/ Këndo… dhe bëji serenatë!

Autori di ta veshi si një dhëndër i bukur kurmin e nuses, ai e mbështjell atë me petalet e një trëndafili të bardhë... saqë në ekstazë të saj ai i shkel me isharete syrin Hënës.

Nuk e kam takuar poetin, as nuk e kam njohur më pare, por nga poezitë e tij imagjinoj një poet paksa antik me fuqi gati hyjnore, i cili më kujton poetin sa delikat po aq dhe burrëror akademikun Xhevahir Spahiun i cili thotë: “Ditën bir i Diellit/ Natën bir i Hënës”...

E kush më shumë se poeti prej Lekdushi ta ketë pasur aq pranë Diellin, ku si rubin shkëlqente në bulëzat e ujit të burimeve, apo Hënën e cila derdhte gjithë floririn e saj në pellgjet dhe spatharet në shtigje malesh?

Ndaj ai, më duket biri i Diellit dhe biri i Hënës, që me aq dashuri sjellë pranë tyre vashat që kanë mbuluar supet me petale lulesh, sjellë Afërditat që i përmend në poezitë e tij si tek “Kalorësi i erës”:  S’të kuptoj..! S’i nuk më kuptove ?! Qysh atëher’ në fillim të herës/ Nuk më pe në dimrat nga kalove/ Ne u njohëm…Jam Kalorës i Erës/
Ta kam thënë dhe shum' herë më parë/ Kam pir’ qumësht, gjoksit Afër-ditës/ Dhe kur linda, Djalli qe kumbar/ Zoti thjesht,.. më la në mes te dritës!…

Shpirti i poetit hapëron ne retë e bardha, motërzat e borës do të përqafojë të pathënat dhe do të pagëzojë misteret e kësaj bote nëpërmjet një fantazie që ka mbrojtjen e një kështjelle të tërë...

Vargjet e tij janë si ato fijëzat e holla që endin magjinë nëpërmjet fuqisë shprehëse të artit, mjeteve figurative si aliteracioni, animizimi, simbolet, të cilat zënë një vend të dukshëm në krijimtarinë e tij.

Ashtu siç e theksova qysh në fillim të këtij shkrimi se të lindësh në Lekdush medomeos duhet të jesh dhe një patriot i madh i Kombit, ngase aty ka pasur folenë shpirti luftarak, kryegritjet e popullit lab që e kanë pritur me armë në dorë pushtuesin.  Ai është rritur me këngën e mahnitshme labe, me ison e saj të kulluar ku kanë jehuar këngët e gjalla me pahtos të lartë patriotik.  Autori e pret me emocion 99 vjetorin e Pavarësisë ndaj dhe i këndon në poezinë:  Vlorëëëëë...Moj....!  Para teje,..  gjak’ i kuq,.. lindi…/ Ai gjak që Unë e kam në deje/ Dhe ngarkuar supe vetetimash/ Çau shekujt.. Erdhi para Teje/ Fluturonin ëndrrat edhe dhimbjet/ fllad më fllad, jehonë mbi jehonë/ Ai gjak, tek derdhej Shqipërie/ Me dy krerë… Lindi një shqiponjë!

Tërë prozoida e tij është e bukur, plot mesazhe të kuptimta, kumte me një gjakim universal duke e futur mjeshtërisht botën e tërë brenda ritimit poetik të vargut.

Mjetet e fuqishme shprehëse që përdor autori kanë brenda autencitetin e tij, një profil të bukur poetik, që ndoshta ndoshta një botë e padukshme shurdhmemece tronditet dhe ringjallet njëherazi në shtratin e poezisë së autorit.

Shpesh krahasimet e përdorura duken sikur bëhen gonxhe dhe i japin frymë pemës së ngrirë nga erërat e furtunat, nga plagët e dhimbjeve, ato bëhen kurative për shpirtra të vrarë.... ngase kanë një zjarrmi në thellësi...

Të gjitha këto vinë valë valë, të cilat here kapërthehen dhimbshëm e herë puthin në zjarrminë e tyre.

Ai i këndon dashurisë së pastër me tërë forcën e shpirtit edhe kur e ka pranë edhe kur shtegëton si një dallandyshe bishtgërshërë...  Ajo edhe pse ikën larg, autori e ruan me nostalgji kujtimin e saj dhe ja se si:  Shkoi një Dallandyshe, duke rrahur krahët/  Deti kur e pa, dallgë i ktheu valët/ Iku dallandyshja, kush e di kur vjen ? /Të butë e të ngroht' do t'ja mbaj folenë..!/  Me nje flak të bukur dhe me shpuzë vargu/ Dhe natën të kthehet, ta shoh për së largu../ Ne qoftë e thell nata, dhe udhën humbet/  Le të pyes Hënën,.. se diku e pret...

Duke medituar këto poezi të duket sikur përreth natyra është mbushur me shtojzovalle dhe Najada, të bukurat e burimeve, që lahen e krihen nën qiellin me Hënë... dhe ne lexuesit guxojmë t’i prekim herë butësisht e herë egërsisht, atëhere poeti shpërthen për ditët me terr që molepsin afshin e luleve erëmira si dhe agsholet e bukura buzë Vjosës së kaltër.   Ja si shkruan poeti:  ...Hijesh,..shpirtrash/ Lindën dashurinë..! Dhe,
përsëri,.. ato e vranë.. / Dhe e mbuluan, të, mbështjellë me një qefin hijesh.../ Në një lëndinë.../ Atje e varrosën një pikë LOT..!

Tek ajo pikë e vetme e lotit, autori lë syte e tij të lagur dhe tingullin e lotit që do dëgjohet si kambanë per viktimat e shumta të terrorit...

Kjo poezi të rrëmben me krahët e metaforës dhe të çon për të takuar poetin e madh të Kombit Agim Shehun i cili i këndon nuses, Zanës së bukur në poezinë: “Nusja e bardhë e Dimrit” me këto vargje... Një këngë e hutuar grash/ po të përcillte te dera/ gjysmën e dëgjonin krushqit/ gjysmën e rrëmbente era/ Buzëqeshja e hutuar/ të rrinte me ëndrra jete/ kallamat e tharë te gardhi/ jepnin zëra klarinete...

Poeti Lekdushi shpesh herë poezitë i mbështjellë dhe me re gri që derdhin shpirtin e bardhë të tij.  Poeti vetëm cicërin dhe pse i mbledhur kruspull në dëbore, nën një peizazh dimri!...  Ah këtë borën, se shkundëm dot nga supet, as poetët s’e hoqen dot!...

Ndoshta Kalorësi i erës e ka marrë këtë mision, mundet…

 

Janar, 2012

Staten Island, New York



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT