E premte, 19.04.2024, 03:10 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Komuniteti ndërkombëtar dhe Siria

E marte, 31.01.2012, 09:02 PM


Komuniteti ndërkombëtar dhe Siria

 

Nga Frank Shkreli

 

Udhëheqsit e Komunitetit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara i bënë dje thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht Rusisë dhe Kinës, që të përkrahin rezolutën e Lidhjes Arabe që do të paraqitet sot në këtë organ të Kombeve të Bashkuara  dhe e cila ka për qëllim dhënjen fund të gjakderdhjes në Siri.  Presidenti i Këshillit të Evropës, Zoti Herman Van Rompoy u bëri ''thirrje të gjithë anëtarve të Këshillit të Sigurimit që të ushtrojnë përgjegjësitë e veta në lidhje me situatën në Siri dhe të miratojnë marrjen e masave për t'u dhënë fund shtypjeve'', në atë vend ndaj të cilave si shprehu zemërimin e tij të thellë, duke shtuar se ''është urgjente nevoja e një reagimi të shpejtë nga Këshilli i Sigurimit.''

 

Drejtë Nju Jorkut është nisur sot edhe Sekretarja e Shtetit Zonja Hillari Klinton për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Para se të nisej, ajo e bëri të qartë seriozitetin e gjëndjes në Siri me pjesmarrjen e saj në këtë takim duke deklaruar për median se ajo po shkon në Kombet e Bashkuara për të vënë në dukje përkrahjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për popullin sirian, me mesazhin, ''se ne jemi me ju''.  Zonja Klinton, në emër të Amerikës u shpreh se, '' Shtetet e Bashkuara dënojnë, në mënyrën më të rreptë që është e mundur, përkeqsimin e dhunës dhe të sulmeve brutale që regjimi i Sirisë ka ndërmarrë kundër popullit të vet.''

 

Është i rëndësishëm përfaqësimi në nivel ministrash në Nju Jork, pasi këjo me të vërtetë ve në dukje shqetësimin ndërkombëtar në rritje e sipër, në lidhje me përkeqsimin e gjëndjes në Siri.  Sekretarja Klinton dhe homologët e saj nga Evropa do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork me qëllim për të treguar pëkrahjen e tyre për  rezolutën e Lidhjes Arabe, e cila bën thirrje për largimin e udhëheqsit sirian Bashar al-Assad-it nga pushteti, për tu zëvendsuar me një qeveri të bashkimit kombëtar.

 

Dhuna e regjimit të Presidentit Bashar al Assad kundër popullësisë civile – që pasoi revoltat  kundër despotëve të tjerë anë e mbanë Lindjes së Mesme -- ka filluar në Siri para pothuaj një viti dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 5.000 vetave, anë e mbanë vendit, përfshirë edhe 80 veta të djelën që kaloi. Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijtë (UNICEF) në këtë numër të vrarësh përfshihen të paktën edhe 384 fëmijë dhe një numër i njëjtë fëmijsh janë burgosur, një situate këjo, që sipas  zëdhënses së UNICEF-it, Marixie Mercado,  ‘’bota nuk duhet ta injorojë’’.  Siria, tha ajo, si çdo vend tjetër në botë ka detyrim moral për të mbrojtur fëmijt në bazë të ligjit ndërkombëtar.

 

Por megjith zemërimet e botës perendimore ndaj masakrave që regjimi në Damask po kryen kundër popullit të vet, Rusia e cila vazhdon të furnizojë me armë regjimin sirian ka thënë se si anëtare e Këshillit të Sigurimit, do të përdorë veton kundër një resolute të tillë siç është ajo që do të paraqitet sot për shqyrtim në Këshillin e Sigurimit nga Lidhja Arabe. Edhe Kina, gjithashtu anëtare e Këshillit të Sigurimit, kundërshton rezolutat e këtij Këshilli mbi Sirinë duke thënë se se ato përbëjnë  ‘’ndërhyrje në punët e mbrendshme të një vendi sovran.  ‘’Edhe regjimi i Sirisë në Damask ka hedhur poshtë propozimet e Lidhjes Arabe duke thënë se ato prekin sovranitetin e vendit.

 

Nuk është e qartë nëse rezoluta e tanishme e Lidhjes Arabe kundër presidentit të Sirisë  do të miratohet ose jo nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë dhe Kinën.  Por shënjat nuk janë shpresëdhënse nëqoftse merret parasyshë  mos aprovimi i një rezolute pak a shumë të njëjtë tetorin që kaloi, kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dështoi në përgjegjësitë e tija për të mbrojtur popullin civil të Sirisë kundër një regjimi brutal dhe për të mundësuar në këtë mënyrë një tranzicion paqësor në atë vend.  Me dështimin e miratimit të asaj resolute në tetor, përfaqsuesja amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, ambasadorja Suzanë Rajsdënoi ashpër veton e Rusisë dhe të Kinës në Këshillin e Sigurimit duke thënë se ‘’tani populli trim i Sirisë mund ta shohë qartë se cilët anëtarë të këtij Këshilli përkrahin përpjekjet e tij për liri dhe për të drejta universale të njeriut dhe kush nuk e përkrahë atë.’’  Ajo vazhdoi duke thënë gjithashtu se,  ‘’popujt e Lindjes  së Mesme e shohin qartë tani se cilat shtete kanë vendosur të injorojnë thirrjet e tyre për demokraci dhe në vend të kësaj, përkrahin diktatorë brutalë.  Ata që kundërshtojnë këtë rezolutë dhe përkrahin një regjim brutal, do t’i përgjigjen popullit sirian, si edhe popujve anë e mbanë atij rajoni, të cilët janë duke u përpjekur të realizojnë aspiratat e tyre universale’’, tha Ambasadorja Rajs.

 

Duke marrë parasyshë qendrimet intransigjente të Rusisë dhe Kinës është vështirë të merret me mend se ato do të ndryshojnë pikpamjet e tyre në lidhje me situatën në Siri. Si rrjedhim, ka të ngjarë që mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot në Nju Jork të pasqyrojë edhe njëherë para botës qëndrimin e Moskës dhe të Pekinit se ata do të vazhdojnë të përkrahin një despot që i ka shpallur luftë popullit të vet duke vrarë e burgosur me mijëra gjatë dhjetë muajve të fundit, dhe jo aspiratat e popullit sirian për një sistem politik pa dhunë  që do të bëjë mundur të vendosë vetë të ardhmen e tij për një jetë më të mirë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora