E marte, 23.04.2024, 08:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet regjisorja, producentja, skenaristja (autore programesh), Alda Bida

E shtune, 28.01.2012, 05:29 PM


“Drita Pelingu, Agim Qirjaqi dhe Pirro Mani, treshja që më kanë ndihmuar në jetë”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ajo s’e ka humbur kurrë vrullin rinor në punë dhe në jetë. Gjendet kudo dhe shumë herë në krah të bashkëshortit Petri Bozo me të cilin është njohur qysh në auditorët e Akademisë së Artit për t’u lidhur pazgjidhshmërisht. Dhe pse në hije ajo është pjesa më e padukshme e fuqishme e “Miss Shqipëria” dhe “Miss Globe”, pasi janë detajet e punës së saj të gjitha skenarët. Qysh në Akademi ajo luan disa role dhe më vonë fillon punë si gazetare, redaktore, regjisore. Skenariste, por dhe poete. Në Festivalin e fundit në Radio Televizion ajo merr pjesë me tekstin e këngës së kantautorit Kujtim Prodani. Një grua e thjeshtë, por e dashur, ku në gjithë qenien e saj buron mirësi. Ndoshta jeta e saj në çift është një ndër rastet e rralla në Shqipëri, ku burrë e grua e kuptojnë njeri-tjetrin në mënyrë perfekte, edhe pse ajo shumë herë ka punuar mes meshkujsh, ndërsa Petri mes bukurosheve të Botës. Ajo ndjen se ka një boshllëk në punën e saj. Ka me qindra poezi në fletore qysh në fëmijëri, ku dhe pse ka botuar disa dhe ka bërë disa tekste këngësh, nuk merr guximin të botojë një vëllim poetik.

Kush ta zgjoi për herë të parë ëndrrën për gazetarinë dhe letërsinë?

Jam rritur me një gjyshe që më tregonte përralla… Kam nisur të lexoj që në moshën 4-vjeçare, sepse nëna ime ishte mësuese dhe e specializuar për shkollën fillore….Pavarësisht se në atë kohë shihnin tek unë një gjeni të vogël, nuk u bëra e tillë (bëj shaka). Kështu nis dashuria ime me letërsinë dhe me shkrimin…Filloren dhe tetëvjeçaren i kam kryer në shkollën e muzikës “Dëshmorët e Lirisë” dhe gjithnjë kujtoj me nostalgji mësuesen time të klasës së parë, Firdesin, me një zë kumbues e të ngrohtë. Kam qenë fëmijë shumë i urtë dhe shumë e llastuar, kur kalamajtë luanin, unë preferoja të lexoja.

Sigurisht që, kam qenë e angazhuar në rrethet artistike e veçanërisht me atë të letërsisë dhe aktrimit. Duket isha e preferuar për shkak të fjalorit të pasur dhe komunikimit. Kujtoj me shumë dashuri mësuesen time të parë të fjalës artistike, Marjanën, në klasën e katërt. Më pas gjimnazin, të cilin e kam mbaruar në shkollën e mesme të përgjithshme “Ismail Qemali”…Sigurisht dashuria për letërsinë dhe pjesëmarrja në aktivitetet e shumta të Pallatit të Kulturës si drejtuese e programeve në të nuk më pengonin të isha edhe nxënëse e mirë. Mbaj mend se në atë kohë në aktivitete nisën të shfaqeshin këngëtaret Merita Halili, Valbona Mema….( sot janë personalitete të muzikës popullore).

Pra, periudha e gjimnazit ka qenë shumë aktive?

Gjatë periudhës së gjimnazit, unë u takova për herë të parë me televizionin, pata një ftesë për programet e të rinjve, por për arsye të angazhimeve dhe të shkollës, nuk e pranova, sigurisht në atë kohë unë konsultohesha shumë me dajën tim, gazetarin e njohur Mitro Çela, dhe në mënyrë të veçantë me nënën time, e cila është njeriu që më ka qenë gjithnjë kaq pranë. Nuk lashë pa marrë pjesë në Festivalin e Talenteve të Rinj (1985) që u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës, ku merrnin pjesë artistë të mëdhenj të asaj kohe si:  Prokop Mima, Sandër Prosi, Ndriçim Xhepa (ishte në fillimin e shkëlqimit të tij si  aktor dhe shumë i preferuar), po kështu edhe në Durrës një vit më pas, ku kryesisht u vunë në pah jo pjesa e interpretimit të poezisë, por shkrimi i saj…Dhe unë isha mes poetëve të rinj. Merrnin pjesë edhe Maksim Zoto,  Moza Ahmetaj etj..

Po ëndrra e vërtetë juaja kush ka qenë në vitet e gjimnazit?

Mendoj se kisha të drejtë të ëndërroja të vazhdoja gjuhë- letërsi. Për më  tepër që edhe në shkollën e mesme shumë nga ata që ishin jo vetëm në klasat paralele, po edhe të klasave më të larta, merrnin hartime të bëra nga unë. Pavarësisht se kanë qenë mësues të rreptë, unë i kujtoj me nostalgji, Adelinën, Sonjën, Leonorën, Stiljanin, Bardhylin, Ficin…Kam qenë nxënëse e bankës së parë dhe me jaka të bukura të bardha që m’i thurte gjyshja dhe mami. Vetëm se kisha një të metë, vajtjen me vonesë në shkollë. Më kujtohet se mikja ime, Emma Koja ( Savahl) sot një stiliste me famë botërore, ishte gjithnjë me mua në aventurën tonë të hyrjes në shkollë nga telat. Ndërsa në klasë, në bankën e parë më priste shoqja ime e klasës, Pjereta, e cila gjente gjithnjë mundësinë të më justifikonte për vonesat.Gjatë fundit të vitit të katërt më jepet mundësia të jem pjesë e grupit të artistëve që regjistronin përrallat dhe “Heroizmin e Popullit në Shekuj” apo edhe të dramatizimeve (Paulin Shkiezi, regjisor dhe Xhelil Aliu ishte libretist). Atje pata mundësinë të takohem më nga afër me të gjithë aktoret e Teatrit Kombëtar, Margarita Xhepën, Drita Pelingun, Ahmet Pashën, Ndriçim Xhepën, Lazër Filipin, Tinka Kurtin.

Kishit dëshirë për gjuhë letërsi, përse i vazhduat në fakt studimet e larta?

Mbas mbarimit të gjimnazit më doli Inxhinieri Tekstile. U befasova. (Atëherë nuk merrnin parasysh se çfarë preferoje…por çfarë mesatareje kishe, dhe unë mund të vazhdoja një degë që konsiderohej e re dhe me perspektivë, inxhinieri tekstile). Vendosa të tërheq dokumentet dhe të pres një vit. Nëse nuk shkoje në shkollën që të dilte, humbje të drejtën për 5 vjet të kërkoje të drejtë studimi. Ka qenë një vit shumë i pazakontë për mua. Imagjinoni një adoleshente që kishte qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, një nxënëse të pasionuar me letërsinë, të angazhuar në grupimet e talenteve të rinj, të shkonte inxhiniere.

Megjithatë vazhdova të shkoj në Radio -Tirana sa herë më ftonin dhe prej atje kaloja tek shkolla “Kosova”, ku mamaja ime, Leonora ishte mësuese metodiste. Pikërisht aty takova Agim Qirjaqin, i cili më orientoi për t’u përgatitur për të vazhduar Akademinë e Arteve. “Është degë e re këtë vit. Regjia nuk do të jetë më e miksuar me dramën, shkollën për aktore, vetëm se do të të duhet të punosh. Ti ke lexuar, ke një penë të hollë për të shkruar, ndoshta do të ishte vërtet mirë që të konkurroje për regjisurë. Unë mund të punoj me ty, më tha Agimi”. Më pas gjithë koha ime e lirë i kushtohej punës me profesor Agimin dhe Bibliotekës Kombëtare. Atje “takoja” Stanislavskin, Brehtin, platformat regjisoriale, konceptet e vënieve në skenë, ndryshimin mes skenës dhe filmit. Të gjitha këto i përpija me një zell të veçantë e me një dashuri të madhe. Ishte një botë që më pëlqente.

Çfarë pjesësh keni zgjedhur për konkurrim?

Profesor Agimi mendoi se “Murgesha” e Deni Ditroit do të ishte një pikë e fortë për mua.

Tri ditët e konkurrimit ishin një stres më vete. Në korridoret dhe oborret e Akademisë së Arteve, kishte prindër, studentë pretendentë, të gjithë komentonin të gjithë besonin se ishin më të mirët. Të gjithë kishin miq. Dhe me shumë dhimbje kujtoj nënën time dhe babain që rrinin në një cep si të përhumbur nga gjithë ajo falangë ndërhyrjesh e komentesh. Të gjitha këto ndoshta ndikuan që të paraqitesha denjësisht në ditën e interpertimit, që të kisha fantazi dhe të isha e koncentruar në ditën e platformës regjisoriale e po ashtu edhe për formimin e përgjithshëm. Akoma e kam të freskët vështrimin e Pirro Manit që ishte kryetar komisioni dhe më pas do të ishte edhe pedagogu i kursit tim të regjisurës. Në mënyrë të pavetëdijshme ai më kishte dhënë një miratim, të cilin ma përforcoi fitimi i të drejtës së studimit.

Kur dhe si e morët vesh se kishit fituar?

Unë vazhdoja të kisha miqësi me shoqet e mia të gjimnazit dhe një nga pasditet e fundi të gushtit kishim dalë për një shëtitje në bulevard (tendencë e asaj kohe), tek Pallati i Kongreseve dëgjojmë që dikush na thërriste. Një djalosh me biçikletë me flokë kaçurrela, na e bënte me dorë. Ishte Petri Bozo, të cilin unë e kisha takuar gjatë kohës kur punoja në Teatrin Kombëtar me profesor Agimin. Ai me shumë qejf më thotë se kisha fituar. Dhe kështu ishte emri im ishte i gjashti në listën e fituesve.

Cilët ishin pedagogët e tu?

Mjeshtërinë e aktorit kursit tonë ia jepte Drita Pelingu dhe Vangjush Furrxhi, regjisurën Pirro Mani, që ishte edhe pedagogu i kursit, bazat teorike të regjisë, Esat Oktrova, fjalën artistike, Agim Qirjaqi dhe Arben Kumbaro. Kam patur një kurs vërtet fantastik, Mikel Vasili që ishte i angazhuar me grupet teatrore që në fëmijëri, Bledar Laço, Armand Bora, Altina Ruli, Apostol Kaci, Artjon Elmazi. Në brezin tim ka qenë Anila Bisha, Ina Gjika, vajzat e dramës që angazhoheshin mjaftueshëm me filmin shqiptar.

Nuk i kam thënë jo asnjë roli që më kanë ofruar shokët e shkollës, sepse atëherë të gjitha shfaqjet e akademisë ndiqeshin nga shumë spektatorë.

Çfarë rolesh ke interpretuar në shkollë?

Kam interpretuar Nënën tek Monserati në vitin e tretë nxënësen tek  “Të rendësh pas një ylli” me regji të Milto Kutalit ( kur ai ishte në vitin e katërt), protagonisten në komedinë “Një budalla e gjysmë” ( shfaqja e diplomës së kursit tim.  Më pas jam angazhuar si asistente me zonjën Pelingu në diplomën e Romeo Kices nga Lushnja, ku mu besua edhe një rol, ai i nënës në “Menaxheria e Qelqtë” e  Teresi Vvilliams, ku aktore kanë qenë Monika Lubonja, Artan Islami. Kjo vepër u përkthye e u dramatizua nga grupi i studentëve dhe pati sukses të veçantë.  Në Teatrin Kombëtar kam qenë e ftuar si aktore nga Drita Pelingu dhe kam qenë pjesë e veprës “Motrat”. Kam qenë me fat sepse aty munda të jem pranë e të bëj miqësi me Elvira Diamantin, Rajmonda Bulkun, Elida Janushin. Sigurisht që, kësaj pjese nuk i mungonin aktoret e reja të asaj kohe, Ema Andrea, Jola Mani. Në fakt unë kisha diploma regjisure dhe ndërkohë kisha nisur të njihesha si gazetare e kulturës.

Pra, mbarove për regjisurë. Sot ëndrra juaj është gjuhë letërsi apo ke ndryshuar mendje pas përfundimit të Akademisë së Arteve dhe çfarë kujton nga Akademia?

Për mua ëndrra ime në sirtar është dhe do të mbetet Teatri…megjithëse kam guxuar dhe kam bërë, dublanten e zërave, kam shkruar poezi (vazhdoj ende të shkruaj), kam bërë aktoren, kam bërë prezantuesen (programe për fëmijë dhe të rritur), gazetaren dhe kritiken në faqet e shtypit për kulturën, producentin (licencën për të qenë e tillë e kam marrë që në vitin 1998), menaxheren dhe administratoren, drejtoren e televizionit (Real TV), skenaristen dhe autoren e programeve. Me shumë dashuri kujtoj kohën e fakultetit kur u bëra nënë në vitin e tretë dhe sigurisht, askush nuk priste që ta mbaroja Akademinë e Arteve. Ndërsa Pirro Mani, më besoi në vitin e katërt rolin kryesor ( shfaqja e diplomës) në shfaqjen “Një budalla e gjysmë”, i vetmi rol që nuk u dublua. Unë kisha rolin kryesor me të dyja grupet. Kujtoj me detaje fundin e natës së parë. Sallën e madhe të Akademisë së Arteve, Pavlina Manin dhe Profesor Pirron që më përgëzonin. Drita Pelingun që me dashurinë e një nëne më pëshpëriste: “E vogla ime kështu ti kesh të gjitha sukseset, kaq të bukura”. Ndoshta besimi i këtyre njerëzve të mëdhenj të artit më ka bërë të jem kurajoze, e të guxoj, kur ndjej se mundem!!!

Pas përfundimit të Akademisë së Arteve si u pozicionuat?

Është mëse normale që pas përfundimit të provimeve vjen diploma. Dhe mua më caktuan që ta mbroja diplomën në Teatrin e Kukullave. Gjeta një pjesë të Hans Kristian Andersen dhe e dramatizova “Mbretëresha e Dëborës”. Sigurisht që, ishte një pjesë, e cila për herë të parë nuk ju drejtohej vetëm fëmijëve dhe nuk kishte vetëm kukulla. Më pas m’u dha mundësia të jem pjesë e një projekti televiziv. Një konkurs për fëmijë që bëhej çdo të diel (shumë i njohur në atë kohë). Emisioni drejtohej nga Pavlina Mani, e cila për shkak të roleve në teatër dhe në film do të tërhiqej për një periudhe kohe. Në këtë bashkëpunim me televizionin isha bashkë me Xhevahir Zenelin aktorin e njohur. Ndërkohë, nuk kisha lënë pasdore poezitë, më pëlqente të shkruaja.

Kur filluat punën si gazetare?

Në verën e vitit 1993Në vitin 1992 duke përfituar nga pena e hollë për kritike në arte, munda të botoj një shkrim në gazetën “Rilindja Demokratike” (nga të parat gazeta të shtypit pluralist). Më pas unë filloj të përkthej disa intervista për gazetën “Aleanca”. Në atë kohë gazetarët nuk ishin kjo armatë e madhe që janë sot. Kështu që të gjithë njiheshin mes tyre dhe sigurisht që, njihnin edhe stilin e të shkruarit megjithëse herë herë edhe përdornin pseudonime. Në gazetën “Aleanca” pata mundësinë të punoj me njerëz, të cilët i konsideroj si ata që vunë bazën e gazetarisë plurealiste shqiptare. Kishim guxim dhe qytetari. Unë e konsideroj veten sërish me fat që i përkas gazetarisë së viteve ‘92- ‘98, jo se më pas nuk kam shkruar, por më pas gazetat nisën edhe të gënjenin

Kaq e re, dinamike, plot freski dhe thonë se do të bëheni gjyshe?

Do të bëhem gjyshe, ndërkohë që, shumë nga miket e mia ende nuk kanë vendosur të krijojnë familje! Është shumë e bukur t’i jetosh etapat e jetës ashtu siç vijnë, e në fund të fundit ashtu siç është shkruar fati. Jam në pritje të Noares, vogëlushes, e cila do të ndryshojë jetën e vajzës sime, Egit, dhe do të më mbushë me shumë dashuri.

Ëndrra në sirtar?

E thashë dhe nuk kam frikë ta përsëris, që unë jam njeri ëndërrimtar, por mendoj se, gjej gjithnjë forca e besim që t’i realizoj ëndrrat e mia. Teatri ndoshta do të jetë ëndrra e radhës. Nëse do të gjej kohën, dua të vë në bashkëpunim me Mikel Vasilin (mikut tim të fakultetit të arteve) një vepër të Pirro Manit.

Po me politikë a ke menduar të marrësh?

Politika? Më duket një fushë ku nuk do të di të luaj.

Mendon se femra shqiptare sot është e vlerësuar?

Kush duhet ta vlerësojë femrën shqiptare?! Femra shqiptare duhet të vlerësojë veten. Në radhë të parë femra duhet të jetë femër dhe të mos humbas feminilitetin e saj.

Një familje me formatin më ideal

Kam qenë me shumë fat që kam patur njohje të bukura, suksese në art dhe gazetari, të cilat kanë qenë edhe për shkak të martesës me Petri Bozon, shokun, bashkëshortin, të dashurin, bashkëpunëtorin. I kam gjetur gjithnjë tek ai…Në vitin 1990 lindi vajza jonë Egi, e cila u rrit mes gjysheve të saj  dhe udhëtimeve tona. Ndoshta nuk kam qenë nënë tradicionale. Kjo edhe për shkak të punës e të impenjimeve, të cilat kanë qenë të shumta. Por tradita e familjes në fundjavë për të udhëtuar e për të qenë bashkë, ka qenë një mënyrë e bukur për të formatuar një familje të bukur. Kam jetuar për 12 vjet me prindërit e Petrit, të cilët më kanë dhënë shumë mirësi e mbështetje. Nëna ime që sot është një engjëll, ka qenë këshilltarja ime më e mirë. Ndoshta, duhet të kisha punuar më pak dhe të kisha ndenjur më gjatë me të, por kurrë nuk e kisha menduar se do të më linte kaq shpejt. Në vitin 1998 në jetën tonë erdhi Frenki, djali ynë. Një bekim i perëndisë, që e plotësoi kuadrin e pikturës së familjes tonë. Fëmijët u bënë “shokë” e bashkëpunëtorë në punët tona.

Bashkëpunimet me bashkëshortin

Sfilatën e parë të modës me stiliste Eni Velçanin 1994. Projektin me Komunitetin Europian “5 vjet Mall”, ku kam qenë skenariste me Ervin Hatibin dhe prezantuese me Kastriot Caushin në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Projekt që kishte në qendër të tij eksodin. Në vitin 1996 asistente dhe bashkëskenariste me Jorgo Papingjin në “Buzë detit ‘96”. Bashkëskenariste me Shpëtim Roqin në “Miss Shqipëria” në vitin 1998 (dhe sa regjisore e bashkëproducente) dhe qe nga ajo kohë skenariste e bashkëproducente në të gjitha “Miss Shqipëria” deri në vitin 2011. Skenariste në Festivalin e Videoklipit shqiptar që nga viti 2002  e deri më sot. Skenariste e bashkëproducente në “Miss Globe” që nga viti 2004 (në këtë vit u bë për herë të parë në Shqipëri). Programet e Vitit të Ri 2005, 2007 dhe 2012.

Projektin 100 vjet Tefta Tashko Koço me RTV, orkestrën e Radios dhe të birin e Teftës, dirigjentin Eno Koço.

Poezi dhe këngë

Nuk kam harruar të shkruaj vargje. Poezia është një emocion i hedhur në vargje. Një emocion personal, një emocion i përcjellë nga një ndodhi. Disa nga poezitë e mia janë bërë edhe këngë. Kam patur fatin të bashkëpunoj me Luan Zhegun për një këngë të Ledina Çelos. Më pas me Mond Zhulalin, me Sokol Marsin. Në vitin 2011 për herë të parë me ftesë të kantautorit Kujtim Prodani isha pjesëmarrëse në Festivalin e 50 të këngës në RTV. Teksti u përshtat mbi bazë të muzikës së shkruar nga Kujtimi, të cilin e kemi një mik të vjetër e me të cilin kemi patur mjaft bashkëpunime në projektet tona. Ndërkohë isha si autore e programit të Vitit të Ri me ftesë të Televizionit Shqiptar. Në këtë angazhim përveç skenarit bazë isha dhe shkruese e materialeve të humorit, një pjesë të mirë të të cilave ishin me autorësi të Bujar Kapexhiut. Regjia ishte nga Petri Bozo. Kam qenë autore e programit të Vitit të Ri në bashkëpunim me TVSH edhe në vitin 2005 që është realizuar në Llogara e prezantuar nga Rovena Dilo dhe në vitin 2007 në  Voskopojë e Korçë.

Alda gazetare

Erdhi natyrshme vajtja në stafin e gazetës më të njohur e më të shitur në vend në vitet ‘96-‘97 e në vazhdim. Pothuajse të gjithë lëvizën drejt gazetës “Koha Jonë” si të përthithur nga një magnet gjigand profesional, menjëherë pas djegies së redaksisë së saj në zonën e Shkollës së Kuqe. Ndoshta se Nikollë Lesi dhe Aleksandër Frangaj  dikur ortakë) kishin ngritur oponencën e fortë. Dua të kujtoj se nuk i jam ndarë faqeve të kulturës në këtë gazetë profesionale, ku kam patur mundësinë të bëj shefen, redaktoren, gazetaren e thjeshtë. Të qenit gazetare më ka pëlqyer si profesion. Më vonë shkruaja edhe në “Koha Jonë” edhe në revistën “Klan”. Më pas rihapet revista AKS, ku kam qenë zv/kryeredaktore. Ka qenë koha kur nisa të besoj më shumë në forcën e femrave, në përgjegjësitë që ato dinë t’i mbajnë e që marrin mbi supe. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer të divorcohem nga kultura… Tani që kujtohem, me emrin tim janë intervista me personazhe e personalitete që nga Kadareja, Robert Shvarc, Sten Dragoti, Agim Krajka, Fadil Berisha (fotograf shumë i njohur, i cili intervistën e parë e ka bërë me mua). Pa diskutim Drita Pelingun, Pirro Manin, Ndriçim Xhepën e dhjetëra intervista me personalitete. Madje, në arkivin tim janë shumë reportazhe, portrete, kritika për shfaqje e festivale.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora