E premte, 29.03.2024, 05:05 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Shqiptarët nën Mal të Zi - si të huaj në tokën e vet

E shtune, 28.01.2012, 06:05 PM


Shqiptarët nën Mal të Zi - si të huaj në tokën e vet

 

Nga Frank Shkreli

 

Një numër artikujsh janë botuar kohët e funditnë lidhje me gjëndjen e shqiptarëve nën Mal të Zi, gjëndje këjo që sipas shumë zëdhënsve shqiptarë në Mal të Zi sa vjen e përkeqësohet nga viti në vit, nga pikpamja kombëtare, nga (mos)përfaqësimi i tyre politik si dhe në fushën ekonomike, në krahasim me shtetasit e tjerë të Malit të Zi. Shumë prej tyre e ndjejnë veten si qytetarë të rendit të dytë, të diskriminuar, të shkelur e të nepërkëmbur - një përpjekje kjo afatagjatë asimilimi nga autoritetet malazeze  me qellim për tu mohuar shqiptarëve autoktonë identitetin kombëtar, në tokën e tyre shekullore - duke i bërë që ata ta ndjejnë veten si të huaj në tokën e në shtëpitë e veta shekullore.

Nuk ka shtypje më të rëndë se mohimi i identitetit, si person dhe si komb. Shqiptarët kudo në trojet e tyre nën ish-Jugosllavi përballeshin, pak a shumë, me të njëjtën politikë të egër asimilimi e shtypjesh, ndërkohë që përveç masave të ashpra politike dhe ekonomike që ish-regjimi komunist sllav ndërmirrte kundër popullësisë autoktone shqiptare - mbi të gjitha ish-regjimi jugosllav përpiqej të ndryshonte emërat e mbiemrat e shqiptarëve duke i sllavizuar ato me prapashtesën ''viq'' ose mënyra të tjera, vetëm e vetëm për të zhdukë identitetin e tyre, me qëllim pakësimin e numërit të shqiptarëve.  Në atë kohë këjo bëhej haptas pasi ishte politikë zyrtare e regjimit të atëhershëm. Këjo politikë shtypëse gjatë dekadave ka bërë që më shumë se gjysma e shqiptarëve nga trojet e tyre në Mal të Zi të kenë marrë rrugët e botës.

 

Një politikë e tillë sot nga shteti i ri i Malit të Zi nuk kuptohet, sidomos kur të mirret parasyshë se ishin shqiptarët ata që përkrahën e lobuan - bile edhe  para organeve më të larta qeveritare në Uashington - në favor të pavarësisë së Malit të Zi, me shpresë se si shtet demokratik e i pavarur, Mali i Zi do t'i trajtonte shqiptarët më mirë se ish-federata e atëhershme Serbi-Mali Zi, dhe se një Mal i Zi i pavarur do t’u shërbente më mire interesave mbarëkombëtare shqiptare, në vend të një federate të qeverisur nga Beogradi.

 

Por ky shkrim nuk ka për qëllim të rrjeshtojë ankesat e shumëta të popullësisë autoktone shqiptare nën Mal të Zi, pasi ato dihen tanimë mirë nga lexuesit dhe publiku, por shkurtimisht e në përgjithësi gjëndja e tyre atje është përshkruar si një ''stagnim dhe degradim'' i të drejtave të tyre të njeriut dhe si qytetarë të barabartë duke u mohuar atyre, ndër të tjera, të drejtën e rivendosjes së komunës së Tuzit, përdorimin e simboleve kombëtare dhe duke ndryshuar kohët e fundit, ligjet mbi zgjedhjet që shkojnë në dëm të shqiptarëve. Qëllimi i këtij artikulli është për t’i bërë thirrje qeverisë së Podgoricës që në bashkpunim me komunitetin shqiptar të ri-shqyrtojë masat që ka marrë kohët e fundit kundër interesave të komunitetit shqiptar në atë vend - dhe në të njëjtën kohë për të venë në dukje nevojën e një kohezioni më të madh midis udhëheqësve politikë shqiptarë në Mal të Zi, si dhe të nevojës urgjente që elementë të ndryshëm politikë shqiptar të bashkpunojnë për qëllimet e përbashkëta, në interes të komunitetit shqiptar në trojet e veta.

 

Mali i Zi pretendon të jetë një shtet demokratik me aspirata për tu integruar në Evropë dhe për t'u bërë antar i organizmave euro-atlantike.  Si i tillë, bota të cilës ai dëshiron t’i bashkohet dhe me të cilën dëshiron të ndajë vlerat e përbashkëta, pret prej Malit të Zi që ai të ushtrojë një politikë dinjiteti të barabartë për të gjithë shtetasit e vet, përfshirë edhe shqiptarët. Kushtetuta amerikane thotë se “të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejtat të barabarta”, dhe si të tillë, megjithëse ndoshta me karakteristika të ndryshme kombëtare, kulturore ose fetare - të gjithë kanë gjithashtu të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi në procesin e vendim-marrjeve për jetën dhe fatin e vet, gjë që është gurthemeli i një demokracie të vërtetë. Edhe shqiptarët nën Malin e Zi i meritojnë dhe duhet t’i gëzojnë këto të drejta të barbarta si çdo shtetas tjetër i këtij vendi dhe i kontinentit evropian. Prandaj qeveria e Podgoricës të mos shtojë përçarjet duke u mohuar të drejtat shqiptarëve, dhe as ndryshimet etnike me shqiptarët, të mos i përdorë si një mjet asimilimi ose emigrimi të detyrueshëm, por t’i njohë ndryshimet dhe të përpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropiane. Në asnjë vend demokratik nuk konsiderohet që ngritja e një flamuri kombëtar e një grupi etnik të kërcënojë rendin dhe qetësinë! Si shëmbull, këtu në Shtetet e Bashkuara, flamuri shqiptar valvitet në shumë raste, në rrugë kryesore dhe qendra qeveritare, siç është Bashkia e Nju Jorkut. E si pasojë, nuk janë kërcënuar kurr rendi e qetësia, por ato janë më të fortë dhe jo më të dobët, pasi në manifestime të tilla marrin pjesë grupet etnike dhe udhëheqsit e qeverisë lokale, në shënjë tolerance e respekti për njëri tjetrin. E ketë të drejtë gëzon çdo grup tjetër në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe malazezët e serbët. Çudi, si rendi e qetësia e këtij vendi nuk janë prishur si rrjedhim i ngritjes së qindra flamujve nga mbarë bota, përfshirë edhe nga vende armike të Amerikës!

 

Përgjegjësitë kryesore për gjëndjen e keqësuar të shqiptarëve sot në Mal të Zi i ka, natyrisht, vet qeveria e Podgoricës dhe ajo që konsiderohet si politikë anti-shqiptare që po ndjekë ajo. Por, nga ana tjetër, siç ka thënë edhe gjermani Johann Gottfried Herder, secili prej nesh ka mënyrën origjinale të identitetit tonë si njeri dhe se secili prej nesh duhet ta njohë këtë fakt se kush jemi. Sipas tij, këjo vlenë edhe për grupet etnokulturore në tërësi. Këjo duhet të ndodhë edhe për shqiptarët në Mal të Zi si komunitet i përgjithshëm, por një përgjegjësi të madhe për këtë situatë të krijuar kanë sidomos edhe përfaqsuesit e tyre politikë. Përçarjet dhe mosmarrveshjet midis tyre janë tanimë të njohura mirë. Për të qenë i lirë, një komunitet siç është komuniteti shqiptar në Mal të Zi, sipas mendimtarit të njohur evropian Frantz Fanon, duhet të zhvillojë vet objektivat, imazhin e tij politik, kombëtar e kulturor dhe të mbrojë këto vlera dalluese duke u varur e duke u bazuar në kulturën dhe traditën e vet. I takon elitës politike shqiptare në Mal të Zi që përçarjet e tyre politike t’i këthejë në një sistem stabil bashkimi të qëllimeve dhe interesave të përbashkëta për komunitetin shqiptar atje.

 

Nëqoftëse Mali i Zi vlerëson lirinë dhe demokracinë dhe dëshiron realizimin e aspiratave të tij për tu bërë anëtar i organizmave euro-atlantike, atëherë ai duhet të heqë dorë nga politika shtetërore e asimilimit dhe të rishqyrtojë vendimet e marra kohët e fundit karshi shqiptarëve në atë vend, vendime të cilat komuniteti shqiptar dhe përfaqsuesit e tij politikë i konsiderojnë si diskriminuese. Nëqoftse jo, atëherë, pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe shqiptarët kudo, përfshirë Tiranën dhe Prishtinën zyrtare dhe sidomos shqiptarët në Amerikë dhe në Evropën Përendimore duhet të shfaqin vendosmërisht pa-pajtueshmërinë dhe pakënaqësinë e tyre me mënyrën se si Podgorica trajton shqiptarët - dhe në të njëjtën kohë - këtë pakënaqësi tua shfaqin autoriteteve përkatëse vendimarrëse për politikën e jashtme në çdo vend ku jetojnë. Mali i Zi duhet të jetë i vetdijshëm se duke u mohuar shqiptarëve të drejtat që ata kërkojnë për të qenë të barabartë me të tjerët në atë shtet -ai minon shtetin e vet moralisht dhe ligjërisht - para botës dhe para një pjese të qytetarëve të vet që fatkeqsisht, sot për sot, e ndjejnë veten si të huaj në tokën e vet. Këtë, duke pasur gjithashtu parasyshë se trajtimi i barabartë për të gjithë, si dhe liria dhe demokracia për të gjithë qytetarët, pa dallim, janë në të njëjtën kohë, faktorët që do të çojnë në një rend e qetësi afatgjatë si edhe stabilitet të qëndrueshëm jo vetëm për Malin e Zi por edhe për rajonin.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora