Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Intervistë Ekskluzive me humanisten Fatime Blakaj

| E premte, 27.01.2012, 08:05 PM |


Kështu ndihmohet Kosova nga diaspora

 

Fatime Blakaj, humanistja që ndihmon shërimin e fëmijëve të Kosovës

 

Ekskluzive nga Ramiz Selimi

 

Kur flasim për figurat e ndritëshme të kombit, pa dyshim në mesin e tyre është edhe humanistja Fatime Blakaj nga Runiku, e që përkohësisht jeton dhe punon në Austri. Ajo rrjedh nga një familje bujare e atdhetare, të atin e kishte të shkolluar, gjë që i ati ishte një frymëzim i mirë për Fatimen, që në të ardhmen ta ndjekë rrugën e tij dhe ta dojë të vlefshmen.

 

Në takimin që patëm para disa ditëve me z. Fatime Blakaj, shfrytëzuam rastin për të biseduar me të lidhur me punën dhe aktivitetin e saj të deritanishëm, me atë rast i shtruam edhe disa pyetje në të cilat na u përgjigj me kënaqësi. Që në fillim të bisedës z. Fatime Blakaj i bëri një vështrim retroaktiv të kaluarës dhe aktivitetit gjithëpërfshirës.

 

Kjo aktiviste e dalluar e diasporës sonë, e filloi bisedën me fjalët e qeta, i radhiste ngjarjet, aksionet, mbledhjet, tubimet, protestat, si fletët e një romani. Ajo aktivitetin e vet e zhvillon në Shoqatën ''Allianz Für Kinder''.

 

Ju lutem, na tregoni për lexuesit e Zemra Shqiptare në pika të shkurtëra kush është Fatime Blakaj?

 

Vij nga një familje e shtresave paksa më të pasura, im atë ishte i shkolluar dhe një frymëzim i madh për mua, jam nënë e fëmijëve, që punoj me vullnet të madh në shërimin e fëmijëve tjerë.

 

Zonja Fatime Blakaj na tregoni pak se kush është ''Allianz für Kinder'' dhe me çka merret?

 

''ALLIANZ für KINDER'' (Aleanca për fëmijët), me seli në Steyr të Austrisë së Epërme, është shoqatë humanitare që u themelua në vitin 1990 me qëllim për të ndihmuar fëmijët nga regjionet e krizave të cilët ishin të lënduar apo të sëmurë. Ekipi i kësaj shoqate udhëhiqet nga Kryetari Dr. Michael Schodermayr, i cili ishte edhe inicues për themelimin e një organizate të tillë ku fëmijëve të rrezikuar ju jepet mundësia për të jetuar një jetë të shëndoshë.

Gjer më tani kjo shoqatë ka ndihmuar në shërimin e mbi 1300 fëmijëve me sëmundje të zemrës, dhe me sëmundje tjera, shumica prej tyre nga Shqipëria dhe Kosova por edhe tjerë nga Angola, Afganistani, Rumania etj. Të gjithë fëmijët e shëruar iu nënshtruan dhe i nënshtrohen trajtimit mjekësor falas. ''Aleanca për fëmijët'' është aktive në Kosovë që nga viti 2004 dhe që prej atëherë dërgon në vit 30 deri në 40 fëmijë me sëmundje të zemrës dhe raste ortopedike, për shërim falas në Austri.

 

Z. Fatime na tregoni kur e keni filluar punën në këtë shoqatë dhe çka ju shtyri të punoni për humanitet?

 

Punën në këtë organizatë e kam filluar që nga viti 1992, nga fillimi i punës për 8 vite kam punuar në formë vullnetare. Menjëherë pasi që përfundoja punën, në kohën time të lirë të gjithë energjinë time e aktivizoja për këtë organizatë. Të gjitha udhëtimet dhe telefonatat i bëja nga shpenzimet personale. Jam shumë e lumtur që kam punuar për të shëruar fëmijë, edhe më shumë më bëhet qejfi kur shumica e fëmijëve të shëruar vijnë nga populli im.

Falë vullnetit dhe dashurisë që kam ndaj humanizmit dhe dëshirës së madhe ndaj atdheut i tejkalova ato sfidat e para që të bindi kryesinë e organizatës për të ndihmuar fëmijët nga trojet shqiptare, pasi që nevojat ishin të shumta nga anë të ndryshme të botës. Lavdërimet ju shkojnë posaçërisht njerëzve nga kryesia të cilët nuk kursejnë asgjë për të ndihmuar fëmijët. Qysh në moshë të vogël më pëlqente kur im atë ndihmonte njerëzit. Ai u lexonte letrat atyre dhe i ndihmonte në forma materiale. Në të njëjtën kohë hidhja mendimet e mija, që një ditë edhe unë do të bëj të njëjtën gjë. Kështu që mendoj se humanizmin e kemi në damarët e gjakut, e kemi në gjenin tonë. Thonte humanistja nga Steyr-i Fatime Blakaj gjatë bisedës sonë. “Ai gjithë jetën e tij të shkurtër ka punuar për të ndihmuar të tjerët. Ndërkohë kjo më ka bërë që të kem një vizion të gjerë për jetën, hallet dhe shqetësimet e njerëzve”.

 

Për të bërë një punë kaqë të madhe dhe me sukses ju nevojiten edhe njerëz tjerë, me duhet të ju pyes edhe për bashkëpunëtorët. Pra, me kënd bashkëpunoni më shumë?

 

Shoqata jonë ka caktuar koodinator në Shqipëri dhe Kosovë, për të bërë identifikimin e rasteve. Dr. Naim Bardiqi, koordinator për Kosovë i shoqatës, ka studiuar në Gjermani, është kthyer gjatë luftës dhe tani punon në mënyrë vullnetare për organizatën tonë. Shpesh ndodhë që Naimi i shoqëron vetë për në Austri fëmijët me sëmundje të ndryshme. Ashtu sikurse gjithçka që shoqata e bënë falas, trajtimin mjekësor dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe rastet kur pacientët duhet të operohen poashtu edhe Dr. Naim Bardiqi, e bënë punën dhe identifikimin e pacienteve falas.

 

Z. Fatime në fillim ju veçuat kontributin e madh edhe të Dr. Hajrullah Binakajt, kardiolog nga Gjakova, i cili u ka mundësuar mjekëve austriakë, që në Kliniken Kardiokirurgjike të tij ‘’Zemra’’ në Gjakovë, t’i kontrollojnë fëmijët dhe në bazë të rezultateve ta bëjnë edhe përzgjedhjen e atyre që dërgohen për shërim në Austri. Ku i kontrolloni fëmijët dhe a keni edhe bashkëpunëtorë austriakë?

 

Dr. Binakaj na ka lënë në dispozicion të gjitha paisjet e nevojshme, krejtësisht falas, sepse edhe ai ka dashur të kontribuojë për fëmijët. Jo vetëm paisjet por tërë Kliniken e tij Kardiokirurgjike “Zemra” në Gjakovë e kemi në shërbim tonin. Nuk mund të mos përmendi edhe mjeket Dr. Roland Gitter i cili vjen rregullisht në Kosovë dhe bënë kontrollimet e nevojshme. Gjithashtu edhe Dr. Oliver Wagner e bënë të njëjten gjë në Shqipëri. Përderisa koordinatori nga Shqipërija posedon një zyrë ku kryen punët e nevojshme, koordinatori nga Kosova nuk e ka një ndihmë të tillë shtetrore. Organet tona shtetërore, nuk kanë qenë në gjendje që të na e sigurojnë as të paktën një zyrë, ku koordinatori do të mund të ulej dhe të punonte, sepse ai gjithë punën e kryen në shtëpi. Ai mbledh të dhënat e sakta për fëmijët, historinë e sëmundjes së tyre dhe gjithçka tjetër që lidhet me sëmundjet.

 

Cilët janë donatorët e shoqatës “ Allianz Für Kinder” dhe çfarë ndihme keni nga subjektet shqiptare?

 

Donatorët kryesorë janë Kompani Austriake dhe persona Austriak si p.sh. Austrian Aerlines që është donatori kryesor i yni dhe disa kompani tjera, pastaj ka persona të shumtë austriak që na ndihmojnë me pagesa mujore. Sa i përket kompanive, shoqatave shqiptare nuk kemi ndihma financiare nga to, ndihma sporadike kemi nga persona të rrallë në mënyrë individuale, por familjet shqiptare na ndihmojnë në forma tjera.

Më duhet të falënderoj hapur e pa ekuivok shumë familje shqiptare të cilat kontribuan me një përkushtim të pashoq e angazhim të pakursyer për shoqatën tonë. Ato na ndihmuan shumë duke i marrë fëmijët në familjet e tyre duke u përkujdes për ta gjatë periudhës së shërimit. Nga këtu i falënderoj nga zemra këto familje bujare.

 

Ju famenderit për kohën dhe intervistën që ia dhatë “Zemrës Shqiptare“

 

Ju lutem ishte kënaqesi e imja.