E merkure, 24.04.2024, 11:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Berisha dhe Shqipëria demokratike në gjuhën rumune

E premte, 27.01.2012, 08:46 PM


Berisha dhe Shqipëria demokratike në gjuhën rumune

 

Kur vjen fjala për nismat dhe ndërmjetësimin mes Tiranës dhe Bukureshtit, merita kryesore  për prezantimin e demokracisë shqiptare në gjuhën rumune i përket Dr. Luan Topçiut, ministër-këshilltar i ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht.

 

Nga Baki Ymeri

 

Para disa ditësh, Editura “Leda”, anëtare e Grupit Editorial “Corint”, në Bukuresht, nxori nga shtypi librin “Berisha dhe Shqipëria demokratike” të shkrimtarit dhe gazetarit Fahri Balliu. Libri është përkthyer në gjuhën rumune nga Tiberius Puiu, konform origjinalit “Berisha përmes Kasandrave” që ka dalë edhe në disa gjuhë të huaja. Është libri i katërt që publicisti  Balliu boton në Bukuresht, pas “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” (Shtëpia Botuese “Humanitas”), duke u botuar në ndërkohë edhe dy vepra artistike: “Panteoni i zi” dhe “Arkitekti”. Redaktore e librit është Antonia Kacsó. Edicioni në rumanisht shoqërohet nga një parathënie e autorit të librit, Fahri Balliu, dhe nga një parathënie nga shkrimtari dhe eseisti rumun me origjinë armene, Bedros Horasangian si dhe nga shënimet e përkthyesit të librit, Tiberius Puiu.

“Kemi tani në dorë një libër për Shqipërinë e ditëve tona. Shqipëria ka një histori të përbashkët si të popujve të tjerë të Ballkanit. As më të mirë, as më të keqe. Fatkeqësia e fundit (e madhe) në kokën e Shqipërisë dhe shqiptarëve - nga e cila u përjashtua Turqia dhe Greqia - ka qenë diktatura komuniste, e cila e çoi vendin dhe popullin shqiptar në sakrifica të mëdha, përtej ligjërimit zyrtar dhe propagandës të pabesueshme për dekada me radhë. Vendosja e komunizmit, pas Luftës së Dytë Botërore, diktatura e tipit stalinist, në variantin maoist, e izoluan Shqipërinë për vite me radhë nga pjesa tjetër e Europës. Kështu që fitorja në zgjedhjet e lira të 22 marsit 1992 e opozitës demokratike në Shqipëri, i dhanë një drejtim tjetër historisë së këtij populli. Dr. Sali Berisha, një mjek me prestigj, i paankoruar me sistemin e vjetër, me mekanizmat e pushtetit, arrin President i Shqipërisë. Ky politikan, kryetar i Partisë Demokratike, ia del mbanë të ndryshojë rrjedhën e historisë shqiptare moderne, për këtë gjë është fjala në këtë libër”, shprehet Bedros Horasangian (shqip: Horosanxhian). “Berisha dhe Shqipëria demokratike” është botuar për herë të parë para 15 vjetësh, si dhe është ribotuar më shumë herë në Shqipëri. Kryeministri aktual i Shqipërisë e ka vizituar Bukureshtin disa herë, duke dhënë kontribut për rezultate konkrete në fushë të bashkëpunimit bilateral. Nuk është fjala për një monografi të mirëfilltë dedikuar një personaliteti politik, por për një panoramë të gjerë të shqetësimeve të shoqërisë shqiptare në dhjetëvjeçarin e parë pas rënies së komunistëve nga pushteti, në Shqipëri.

Ai vazhdon më tej duke thënë se “Autori i librit, Fahri Balliu, shkrimtar dhe gazetar me përvojë, drejtues shtypi, politolog i aftë dhe me një stazh përvoje në diplomaci, na bën një radiografi të shoqërisë shqiptare të viteve të para pas ’90-ës”. “Turbullirat e brendshme, tensionet e krijuara nga garda e vjetër komuniste me në krye ish liderët komunistë si Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, janë të kapur në rrëmujën e ndodhive e cila nuk ishte lojë fëmijësh. Përçapjet e bëra nga Partia Demokratike – e Dr. Sali Berishës, President i Shqipërisë, në momentin e redaktimit të këtij libri, Kryeministër i Shqipërisë në këtë moment, kur ky libër botohet në gjuhën rumune në përkthimin e rrjedhshëm dhe me qartësi nga Tiberius Puiu, për një demokratizim real të vendit, dëshmojnë vlera të mirëfillta dhe të jashtëzakonshme”, shprehet shkrimtari Bedros Horasangian, në parathënien e tij. Për përkthyesin dhe analistin e njohur politik, Tiberius Puiu, kemi theksuar disa here se është një mik i madh i kulturës shqiptare dhe i popullit shqiptar. Sipas tij, ky është një libër i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë atë çfarë ka ndodhur vërtet me Shqipërinë e para dhe pas viteve 90-të.

“Ky libër, i cili tregon momente të rëndësishme të ndarjes nga komunizmi në Shqipëri, i ofron lexuesit rumun një mundësi reale për të shqyrtuar edhe evoluimin e Rumanisë pas vitit 1989. Sepse, edhe pse pak e dinë këtë, komunizmi rumun ishte i afërt me komunizmin shqiptar, sidomos në vitet e fundit. Diktatori i gjithëpushtetshëm dhe i “gjithëditur”, vetëizolimi i vendit, ekzagjerimi i “kështjellës së pamposhtur”, ekzagjerimi i ndjenjës nacionaliste, ndërsa e vërteta është se komunistët kanë qenë tradhtarët më të mëdhenj të interesave të vendit, këto janë vetëm disa nga karakteristikat e dy regjimeve komuniste. Fakti që në Rumaninë e Çausheskut nuk kanë ndodhur ekzekutimet e Shqipërisë, nuk përbën një ndryshim thelbësor, sidomos për vitet e fundit, të cilat treguan një afrim gjithnjë e më të madh në drejtimet politike të Rumanisë dhe të Shqipërisë... Prandaj besojmë se ky libër do të kontribuojë për një njohje më të mirë të zhvillimeve aktuale politike në Shqipëri, dhe se do të plotësojë më shumë zbrazëtinë që ekziston në opinionin publik rumun për Shqipërinë, problemet e saj dhe pozicionin aktual të Shqipërisë në Europë dhe në botë”, shkruan Tiberius Puiu. Përfundimisht vlen të theksojmë se kur vjen fjala për nismat dhe ndërmjetësimin mes Tiranës dhe Bukureshtit, merita kryesore  për prezantimin e demokracisë shqiptare në gjuhën rumune i përket Dr. Luan Topçiut, ministër-këshilltar i ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht.



(Vota: 18 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora