E premte, 19.04.2024, 08:52 AM (GMT+1)

Mendime

Xhavit Haliti: Faleminderit Shqiperi!

E diele, 02.03.2008, 12:16 AM


Faleminderit Shqiperi!

Xhavit Haliti - Gazeta Shqip

Tani, kur zhurmat e gëzimit të festës për pavarësinë e Kosovës kanë filluar të fashiten dhe të gjithë i jemi futur punës së përditshme me më shumë intensitet dhe përkushtim, kthejmë sytë nga ajo që iku dhe reflektojmë... Gjithçka, edhe pse me çmim shumë të shtrenjtë gjaku dhe jete, shkoi siç duhej, u krye brenda afateve të vëna nga analistë politikë dhe brenda kufijve të durimit të popullit të Kosovës, që vite të tëra ëndërronte për ditët që po përjeton sot. Çmimi për të përjetuar Kosovën e pavarur ishte shumë i lartë; ishin qindra mijëra jetë që u këputën në lule të moshës, qindra të burgosur e të torturuar në burgjet serbe, e shumë të tjerë, fati i paditur i të cilëve, vazhdon të mos na lërë të qetë.

Por fatmirësisht, në këtë kalvar vuajtjesh nuk mbetëm vetëm.

Perëndimi i qytetëruar nuk mund t‘u qëndronte indiferent skenave të masakrës, që filluan të shfaqeshin në sytë e të gjithëve. Aleatët e mëdhenj, SHBA, BE, mbështetën luftën çlirimtare dhe realizuan ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për t‘i dhënë fund regjimit serb. Një Shqipëri, shumë pranë ndër vite, na ka mbajtur gjallë shpresën dhe besimin se një ditë do të jetonim të lirë e të pavarur, por dhe forcën për të ruajtur me çdo çmim identitetin kombëtar. Partitë politike në Shqipëri, edhe pas rënies së komunizmit, pavarësisht nga ngjyrimet politike e kanë mbështetur Kosovën në vite në shumë mënyra, para dhe gjatë luftës. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare kishte shumë djem, madje edhe vajza nga Shqipëria, disa prej të cilëve e falën edhe jetën për këtë ditë. E ndërsa në këtë kohë ushtarët e Millosheviçit dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi qindra mijë kosovarë, sërish patëm pranë dikë. Vëllezërit tanë në Shqipëri që ndiqnin me dhimbje atë çka ndodhte në Kosovë, nuk ngurruan aspak. Të gjithë hapën dyert dhe na pritën, na ushqyen, na ngushëlluan, duke na mbajtur gjallë shpresën se ditë më të mira do të vinin pas kësaj. Shqiptarët e Shqipërisë dhe ne të Kosovës, popull i ndarë padrejtësisht vite më parë që deri atëherë ishim njohur shumë pak, për shkak të kufijve të mbyllur, në atë kohë u lidhëm shumë. U njohëm dhe u deshëm. Gjaku i njëjtë thirri.

Bashkë përjetuam ditët e rënda të luftës, derisa NATO deklaroi kapitullimin e Millosheviçit dhe erdhi koha të ktheheshim në shtëpitë e djegura e të shkrumbuara. U kthyem, dhe nga Shqipëria morëm me vete mikpritjen e paharruar dhe shpresën e të gjithëve se herën tjetër do të ritakoheshim në Kosovën e lirë e të pavarur. Kaq vite, dhe vëllezërit tanë prej një gjaku i kishin sytë nga ne. Ndiqnin me kujdes dhe përjetonin çdo gjë që ndodhte në Kosovë. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte i hapur dhe hyrjet e ndërsjella u shpeshtuan; filluam ta njihnim edhe më mirë njëri-tjetrin dhe, nga viti në vit, të afroheshim shumë. Të qëndroje në udhëkryq mes Tiranës dhe Prishtinës, nuk dije kë të zgjidhje... të dyja ishin shumë të dashura.

Vitet kalonin dhe çështja e Kosovës u bë ndërkombëtare, që natyrisht nuk mund të mos kishte vëmendjen e plotë të diplomacisë së Tiranës. Diku shumë brilante, diku pasive apo paksa e kritikueshme, Tirana zyrtare bëri atë çfarë ishte më e mira për Kosovën. Deklaratat e matura, lobingu në shumë vende të botës, i shtuan zërat "pro: zgjidhjes së kësaj çështjeje në botë... Dhe tani, pas kaq vitesh, mendoj se Shqipëria, toka ku jetojnë vëllezërit tanë të të njëjtit gjak e që flasin të njëjtën gjuhë, ka qenë gjithmonë aty. Ndaj sot, në këto ditë kur ëndrra u bë realitet dhe nuk është më një ëndërr, nuk mund të mos t‘i përcjellim një falënderim të veçantë Shqipërisë, tokës dhe njerëzve të saj. Atyre që na deshën e na pritën, na mbështetën e luftuan bashkë me ne, atyre që me ankth pritën këtë ditë dhe gëzuan si ne për lirinë tonë, lirinë e së gjithë shqiptarisë.

Vëllezër shqiptarë!

Kurrë nuk e harrojmë se sa i dhembi tokës suaj, kur e jona u nda nga gjiri i saj më 1913. Nuk e harrojmë se sado të ndryshëm, jemi vëllezër të një gjaku. Nuk i harrojmë lotët që derdhët për ne në ditë hidhërimi dhe flamujt e gëzimit që valëvitët më 17 shkurt, kur Kosova u shpall shtet më vete, sovran dhe i pavarur. Dhe e dimë se ti Nënë Shqipëri, do të jesh gjithmonë aty, për ne. Sa herë të kemi nevojë!

Faleminderit Shqipëri!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora