Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Koleksionaret

| E premte, 27.01.2012, 07:45 PM |


Koleksionaret

Nga Qazim Namani

1 Koleksioni i dorëshkrimeve orientale të Prizrenit

Ky koleksion është i vendosur në xhaminë e Sinan Pashës në Prizren, hapja e këtij koleksioni për qytetar është bërë me 25 korrik 1969, pas shumë analizave u vendos që kjo xhami të shërbej si muze por edhe si faltore. Këtu janë të ekspozuara rreth 30 dokumente dhe libra dorëshkrimorë, të kopjuara e të stolisura në shekujt XIV e XV. Aty është ekspozuar edhe një ekzemplar i Kuranit i kopjuar më 1312, dhe hyn në radhën e ekzemplarëve më të vjetër dhe më të bukur të artit dekorativ oriental në Kosovë.

Në bazë të të dhënave historiografike në Kosovë nga gjysma e shekullit XVI themelohen biblioteka në kisha, xhami, teqe dhe medrese. Bibliotekën e parë e themeloi shkrimtari Suzi Qelebiu në vitin 1513 në Prizren. Në vitin 1836 në Pejë themelohet biblioteka Turko-Franceze. Më 1863 ndërtohet biblioteka në fshatin Nerodime komuna e Ferizajt. Në Prishtinë prej vitit 1869-1888 hapen tri leximore, njëra prej tyre kishte 1000 libra dhe 3000 lexues. Në Gjilan hapet leximorja në vitin 1909.

Nga fillimi i vitit 1990 e deri në përfundim të luftës së vitit 1999 në Kosovë, janë dëmtuar dhe shkatërruar mbi 175 biblioteka të llojeve të ndryshme me afro 1.650.000 libra, pa llogaritur bibliotekat private numri i të cilave është i madh.

2 Koleksioni i xehetarisë mesjetare të Kishnicës

Në minierat e pasura me minerale të Artanës, Kishnicës, Hajvalisë dhe Marecit me vite janë mbledhur almise si: strajca, gota, rripa, litar të trashë, çekanëve, qyskive dhe vegla tjera të minatorëve të antikës dhe mesjetës. Këto gjetje janë pastruar dhe konservuar të cilat u ekspozuan në lokalet e administratës së minierës më 06 Gushtë 1972. Materiali i vendosur në këto hapësira nuk i plotësonte as kushtet minimale për mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij materiali muzeor. Sot nuk funksionon.

3 Koleksionet e Fakultetit Filozofikë-Katedra e Historisë

Është me rëndësi të ceket se edhe në Fakultetin Filozofik, përkatësisht katedra e historisë - ka grumbulluar një numër të vogël të eksponateve nga fusha e arkeologjisë, që shërbejnë si objekte konkretizuese gjatë ligjëratave para studentëve.

Prej tyre vlen të veçohet Labirinti i zbuluar në fshatin Smirë komuna e Vitisë dhe një Pitos i zbuluar në Strezoc.

4 Koleksionarët privatë

Në Kosovë ka një traditë të hershme të ruajtjes së koleksioneve, e sidomos familjet feudale shqiptare. Është dalluar koleksioni i veshjes popullore të Kahreman Begollit i cili ka qenë në mbrojtje me nr. v. E. K. 2-576/63, por gjatë luftës së vitit 1998-99 u shkatërrua edhe ky koleksion si i vetmi që i kishte përballuar luftërave të më hershme. Në Pejë vlen të përmendet edhe koleksionuari Viktor Gashi i cili posedon një thesar mjaftë të pasur nga trashëgimia e luajtshme, Zita Bashota në Prizren etj.

Kohëve të fundit  është shtuar numri i koleksionuarve dhe muzeve privat por ne po veçojmë disa prej tyre.

Në Krushevë të Vogël të Klinës Gjon Gjergjaj pasi me mjete vetanake e ka rinovuar kullën e tij e ka shndërruar në Muze të cilën e ka pagëzuar “Agimi i Gjytetnisë”. Në këtë muze ruhen eksponate me vlera etnografike dhe arkeologjike për të cilat ka shfaqur interesim që në vitet shtatëdhjeta të shekullit XX. Në vitin 1982 u thye zyra e tij në Klinë ju vodhën dhjetëra eksponate të numizmatikës, dhe artefakte tjera nga policia e atëhershme.

Në Mars të vitit 2004, nga qytetarët serb të rebeluar në Çagllavicë të Prishtinës u dogj galeria e Agim Çavdarbashës që kishte një galeri impozante me portrete, buste të personaliteteve të njohura historike, por dhe motive tjera të punuara në dru,gur, mermer, metal, derdhje plastike etj.

Qyteti i Gjilanit edhe pse akoma nuk e ka themeluar muzeun e qytetit, mjeku Shefqet Ramush Mehmeti në oborrin e shtepisë së tijë e ka të ekspozuar një koleksion muzeor. Eksponatet e mbledhura me kujdesë janë të periudhave të ndryshme dhe të materialeve të ndryshme. Aty janë të ekspozuara vegla të ndryshme pune, enë, veshje të burrave dhe grave, dokumente nga periudha e P.Osmane, monedha etj. Përveq grumbullimit ai i ka mbledhur të dhënat dhe historikun për çdo eksponat.

Koleksionar privat ka edhe ne qytetet tjera të Kosovës dhe ne shumë kafene ne territorin e Kosovës.

Fusnotat jane hequr nga autori