E marte, 16.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Mendime

Adrian Civici: Bujqesia shqiptare perballe pikepyetjeve shqetesuese

E shtune, 01.03.2008, 10:48 PM


Bujqesia shqiptare perballe pikepyetjeve shqetesuese

Adrian Civici - Gazeta Shqip

Gjatë një konference ndërkombëtare mbi problemet e zhvillimit të bujqësisë në vendet e Mesdheut, përfaqësuesi i Egjiptit u shpreh i shqetësuar për të ardhmen e bujqësisë dhe zgjidhjen e problemit ushqimor në vendin e tij, duke thënë se "si pasojë e shkretëtirës, ne në Egjipt mund të përdorim vetëm 4-5% të territorit për bujqësi, duke pasur në disponibël vetëm 2400 metra katrorë tokë bujqësore për frymë… çka na bën shumë të varur nga importet dhe për pasojë ndihemi tepër të frikësuar për të ardhmen, për të përballuar krizën e çmimeve dhe tregjeve të lëndëve të para agroushqimore".

Me refleksin e ekonomistit, por dhe me shqetësimin për gjithë problematikën që kanë tokat bujqësore dhe tregjet agroushqimore në Shqipëri, bëra një pjesëtim të thjeshtë, rezultati i të cilit ishte tronditës: në Shqipëri, disponibiliteti i tokës bujqësore për frymë është vetëm 2100 metra katrorë, pra akoma më pak se Egjipti, ndërkohë që nuk ndihet në këtë shkallë i njëjti shqetësim.

Ne vazhdojmë të ndërtojmë në tokat bujqësore, vazhdojmë të ngremë magazina, karburante e uzina, rrugë e autostrada, vazhdojmë të humbim toka pjellore nga erozioni dhe keqmenaxhimi i shtretërve të lumenjve etj. Në situatën aktuale, përballë bujqësisë shqiptare qëndrojnë shumë pikëpyetje shqetësuese për rolin dhe mundësitë reale të saj në përballimin e sfidave, të cilat po shfaqen përditë e më tepër për politikën, strategjitë e zhvillimit të vendit dhe përballjen shokuese te konsumatorët shqiptarë, me çmimet dhe tregjet agroushqimore. Bujqësia dhe agroindustria shqiptare vazhdon të mos jetë performante, kur është fjala për defektet evidente strukturore dhe reformat fondamentale të saj.

Le të analizojmë disa prej tyre.

Megjithëse kemi qenë e vazhdojmë të jemi një vend "agrar", në të cilin rreth 50% e popullsisë jeton dhe punon në zonat rurale, dhe që përgjithësisht si aktivitet kryesor ka bujqësinë duke shpenzuar 75-80% të ditëve të punës në fermë, përsëri jemi një vend që importon rreth 450-500 milionë euro në vit produkte bujqësore e ushqimore. Çdo vit, rreth 25-30% të nevojave tona ushqimore i importojmë nga tregjet e huaja, duke rezultuar me një bilanc tregtar shumë negativ në këtë fushë. Ne importojmë 7-8 herë më shumë produkte bujqësore e ushqimore sesa eksportojmë. Për pasojë, klasifikohemi në grupin e vendeve "strukturalisht importuese", grup vendesh që konsiderohen si më të prekshmet dhe më të rrezikuarat nga situata aktuale dhe perspektive e rritjes së çmimeve dhe turbulencave të tregjeve agrare ndërkombëtare. Pse detyrohemi të importojmë kaq shumë produkte bujqësore?

Së pari, sepse prodhimi i brendshëm nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar kërkesën e brendshme që, jo vetëm rritet nga ana sasiore, por edhe po ndryshon me shpejtësi nga pikëpamja strukturore e cilësore, pasi një pjesë gjithnjë e më e madhe e shqiptarëve po i afrohen strukturës dhe cilësisë së modelit ushqimor perëndimor.

Dhe, së dyti, sepse një sasi e konsiderueshme produktesh nuk arrin dot deri në tregjet kryesore të vendit, atyre të qyteteve të mëdha, duke e ndarë popullsinë nga këndvështrimi i konsumit në një kategori që konsumon vetë ato që prodhon vetë, duke nënkuptuar popullsinë rurale dhe një kategori tjetër, që konsumon kryesisht produkte të importuara (duke nënkuptuar këtu një pjesë të konsiderueshme të popullsisë urbane, përgjithësisht atë të Tiranës dhe disa qyteteve të tjera të mëdha).

Megjithëse jemi një vend agrar, në të cilin bujqësia kontribuon me rreth 22-23% në formimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PPB), përsëri "shpërblimi" që ajo merr nga ana e buxhetit të shtetit dhe financimeve publike është 15-20 herë më i vogël. Kanë kaluar tashmë 16 vjet "tranzicion", 7 apo 8 qeveri, të majta, të djathta apo koalicione, pothuajse në çdo program elektoral apo qeveritar bujqësia është shpallur si prioritet dhe përsëri buxhetet e bujqësisë nuk kanë rezultuar kurrë më shumë se 0.5-1.5% të PPB, ndërkohë që pjesa kryesore e tyre ka qenë më shumë e orientuar drejt shpenzimeve korrente për paga e shtesa mbi pagat sesa për investime direkte.

Zgjidhja kryesore është pritur gjithnjë nga projektet e huaja dhe kontributi i donatorëve për këtë sektor. Edhe vetë investimet private në këtë fushë janë në nivele minimale. Për të vërtetuar këtë mjafton t‘i referohemi treguesit të përqindjes së kredive për bujqësinë dhe zonat rurale në krahasim me sektorët e tjerë. Vetëm 1-1.2% e kredisë bankare në total është dhënë për sektorin e bujqësisë këto dy vitet e fundit, ndërkohë që për sektorin e shërbimeve (tregti, hotel, restorante) kjo shifër shkon në 38%, ndërtimi 20-21% etj. Këto diferenca nuk kanë nevojë për shumë koment, përveçse evidentojnë një fakt për të cilin duhet reflektuar shumë: Si do ta financojmë zhvillimin modern të bujqësisë shqiptare? Apo cilat do të jenë burimet financiare dhe mënyra më e mirë e alokimit të tyre drejt këtij sektori jetik?

Është pozitiv fakti se këto dy-tri vitet e fundit ka një vëmendje më të dukshme ndaj këtij sektori, duke shtuar e hapur programe të reja subvencionuese e mbështetëse nga ana e qeverisë, por gjithsesi 5 ose 10 milionë euro më shumë janë shumë pak për një sektor, nevojat e të cilit për t‘u modernizuar janë disa qindra milionë euro në vit. Një bankë bujqësore që kishim, e cila megjithëse u ngrit dhe u mbështet me objektivin e vetëm që të ndihmonte ë zhvillimin e bujqësisë, jo vetëm që kontribuoi shumë pak në këtë drejtim, por dhe falimentoi në mënyrë aspak eficente. Një dritë jeshile përbëjnë institucionet apo fondacionet jobankare të mikrokredisë, të cilat po e shtrijnë aktivitetin e tyre duke kontribuar realisht në shumë zona të vendit, por gjithsesi, efekti i tyre nuk shkakton dot "boom"-in e nevojshëm financiar në zonën rurale.

Nëse këtij arsyetimi do t‘i shtonim dhe gjithë pengesat që vijnë në tërheqjen e investimeve në hapësirën rurale, si pasojë e debateve pafund dhe moszgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë së tokës, atëherë tabloja bëhet akoma më shqetësuese. Dhe të mos harrojmë se financimi i bujqësisë dhe hapësirës rurale shqiptare, përveç ndikimit pozitiv në prodhimin vendas është i lidhur pazgjidhmërisht me vetë nivelin e të ardhurave dhe jetesës së banorëve të këtyre zonave. Nga rreth 22-23% e popullsisë së varfër apo shumë të varfër shqiptare, 90% e saj ndodhet në zonat rurale dhe tashmë është e qartë se varfëria në Shqipëri është përgjithësisht "varfëri rurale".

Shqetësimi për çmimin e bukës është ndoshta vetëm maja e ajsbergut, kur është fjala për atë që po ndodh me çmimet dhe tregjet ndërkombëtare të produkteve agroushqimore. Për arsye tashmë të njohura, të tilla si rritja e kërkesës për këto produkte nga vende me popullsi disa qindramilionëshe (si Kina, India, të cilat po preferojnë të konsumojnë më pak oriz në favor të mishit, frutave, perimeve e bukës), arsye klimaterike të lidhura me fenomenin e ngrohjes globale (që kanë ndikuar në rënien e niveleve të prodhimit nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë) apo dhe përdorimi i drithërave dhe kulturave etero-vajore për prodhimin e bio-karburanteve në SHBA, Evropë, Brazil etj., çmimet e produkteve agroushqimore janë rritur ndjeshëm dhe disponibiliteti i tyre në tregjet ndërkombëtare është bërë më problematik.

Shumica e vendeve të botës, por në veçanti ato "strukturalisht importuese" si Shqipëria po ndërmarrin me urgjencë e në spektër shumë të gjerë politika specifike, në favor të mbështetjes dhe rritjes së efektivitetit të këtij sektori jetik. Termat rendimente të larta, modernizim i fermave, dy-trefishim i prodhimit të brendshëm, intensifikim, subvencione specifike e mbështetje direkte, organizim tregjesh e politika çmimesh, prioritet buxhetor etj., përbëjnë lajtmotivin e këtyre politikave. Në rastin tonë, edhe pa vënë në dyshim ndërgjegjësimin e qeverisë apo politikës shqiptare për të ecur shpejt në këtë drejtim, përsëri përballë nesh qëndrojnë mjaft pikëpyetje për mundësitë reale të aplikimit të këtyre politikave të rritjes së shpejtë të prodhimit vendas.

Sipërfaqja mesatare e fermave tona është në shifrat e 1.1 hektarë për familje, ndërkohë që edhe kjo është e coptuar në rreth 1.8-2 milionë parcela të veçanta; niveli i mekanizimit, elektrifikimit dhe kimizimit të prodhimit është i ulët ose mjaft i ulët; 65% e fermerëve janë me nivel shkollimi 8-vjeçar; numri i traktorëve dhe makinerive bujqësore është i pamjaftueshëm; importet e teknologjive të reja në këtë sektor janë të vogla, mbi 50-60% e fermave arrijnë të shesin shumë pak ose aspak në treg produktet e tyre; një sipërfaqe e paneglizhueshme toke ose lihet djerrë ose shfrytëzohet me koeficient të ulët; niveli i të ardhurave për hektarë është shumë larg atyre të bujqësisë së vendeve të zhvilluara etj.

Politikat strukturore janë bërë tashmë imperative për Shqipërinë. Dhe këto politika të reformave radikale strukturore, të rritjes intensive të ofertës së brendshme të prodhimit, të alokimit masiv të financimeve e investimeve, të modernizimit të shpejtë të bujqësisë dhe hapësirës rurale nuk kërkohet thjesht arnime apo rregullime të vogla, nuk vlen krahasimi se sa për qind më shumë një qeveri bën në raport me qeverinë paraardhëse apo dhe nga një vit në tjetrin, por kërkohet "shkundje totale" në vizionin dhe politikat tona për modernizimin dhe zhvillimin global të këtij sektori.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora