E shtune, 20.04.2024, 01:26 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Fjalimi i presidentit Obama mbi gjëndjen e kombit dhe reagimi i partisë Republikane

E enjte, 26.01.2012, 08:59 PM


FJALIMI I PRESIDENTIT OBAMA MBI GJËNDJEN E KOMBIT

DHE REAGIMI  I PARTISË REPUBLIKANE

 

Nga Frank Shkreli

 

Presidenti Obama mbajti fjalimin vjetor mbi gjendjen në vend, një detyrim ky kushtetutor, që presidentët e Amerikës mbajnë çdo Janar, duke thënë se gjëndja e kombit amerikan është duke u përmirësuar dhe se nuk ka këthim mbrapa. Tradicionalisht në këtë fjalim nënvijohen  arritjet e vitit që kaloi dhe shpalosen programe dhe plane të reja për vitin e ardhëshëm. Për Presidentin Obama, ky vit është ndryshe pasi është një vit zgjedhjesh presidenciale dhe fjalimi përmbante çështje dhe politika të cilat ka giasë të jenë pjesë e fushatës së tij për tu ri-zgjedhur edhe për katër vjetë të tjera president i Amerikës.  Ai e filloi fjalimin e tij duke përmendur takimin që kishte pasur me ushtarakët e këthyer kohët e fundit nga Iraku, si dhe suksesin e forcave amerikane në kapjen dhe vrasjen e Osama Bin Laden. Ushtarakët, tha ai, duhet të shërbejnë si shembull për bashkpunim në Kongresin amerikan, duke shtuar se ata nuk janë të konsumuar nga ambicjet personale dhe nuk i preokupojnë ndryshimet politike midis tyre.   ‘’Ata fokusohen në realizimin e misjonit.  Ata bashkpunojnë ngushtë me njëri tjetërin.  Imagjinoni se  çfarë mund të arrinim ne, nëqoftëse do të ndjekim shëmbullin e  tyre,’’  tha ai.

Ashtu siç sugjeron edhe titulli i fjalimit, fjalimi ishte mbi gjëndjen e mbrendshme të vendit, kryesisht mbi ekonominë, që është edhe preokupimi kryesor i shumicës së amerikanëve, por Zoti Obama preku edhe disa çështje të politikës së jashtëme.   Presidenti Obama foli mbi krizën financiare të viteve të fundit e cila ka prekur Amerikën dhe botën duke siguruar Kongresin dhe amerikanët se situata ka filluar të përmirësohet.   Ai foli mbi ringjalljen e fabrikave dhe të industrisë së automjeteve,  dhe për uljen e taksave për firmat dhe kompanitë që krijojnë punë të reja në Amerikë.  Në një përpjekje për të qetësuar  shqetësimete e klasës së mesme, që është shumica e popullësisë amerikane, Zoti Obama theksoi planet e tija për të pakësuar mosbarazitë në të ardhura duke e bërë ekonominë, siç tha ai, më të kënaqshme dhe më të drejtë për të gjithë.

Duke bërë thirrje për bashkpunim midis dy partive kryesore për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet Amerika, Zoti Obama tha se për derisa është president, ai është gati të bashkpunojë me cilindo antar të Kongresit për të rimbkëmbur ekonominë e vendit dhe në nisma të tjera, duke theksuar mungesën e besimit  dhe zhgënjimet e qytetarëve amerikanë mbi punën që bëjnë politikanët në Uashington.  Në një deklaratë që shumë kritikë të tij e cilësojnë si një shprehje ‘’luftë klasash’’, Presidenti Obama foi edhe për ndryshimet në rritje e sipër midis amerikanëve, të ardhurat e të cilëve sa vinë e shtohen dhe atyre të ardhurat e të cilëve janë në rënje.  Si shëmbull, ai tha se nëqoftëse dikush ka të ardhura mbi një milion dollarë në vit, nuk është e drejtë që të paguaj më pak se 30 për qind në taksa.   Si një burim kryesor për rimbkëmjen ekonomike, presidenti foli edhe mbi inovacionet në lëmin energjetik, duke shtuar se ka urdhëruar administratën e tij që të hapë më shumë se 75 për qind të burimeve të reja energjetike, naftë e gaz natyror në det, me theksin tek energjia e’’pastër’’, si një masë për të mbrojtur ambientin.

Presidenti Obama preku edhe çështjen e imigracionit ilegal në Amerikë duke folur për reformat që ai ka propozuar në këtë fushë, përfshirë sigurinë  në kufirin me Meksikën dhe mundësinë e dhënjës, eventualisht, të shtetësisë amerikane atyre ilegalëve që jetojnë në Amerikë me vite, si edhe fëmijve të tyre që shkojnë në universitet ose që bëhen pjesëtarë të forcave të armatosura të Shtetve të Bashkuara.  Ai i bëri thirrje Kongresit që të aprovojë më shumë fonde për kolegjet dhe universitetet, duke e bërë arsimin e lartë një prioritet më të madh për vendin.  Zoti Obama mbrojti dy arrijtjet kryesore të administratës së tij: ligjin për përkujdesjen shëndetsore dhe miratimin e ligjeve për rregullimin e aktiviteteve financiare në Uoll Strit, duke thënë se ai nuk dëshiron të imponojë rregulla të panevojshme por përkrahë rregulllore që do të mënjanonin një përsëritje të krizës financiare të viteve të fundit. Ai propozoi gjithashtu edhe ligje të reja për ri-financimin e borxheve për pronarët e shtëpive që, për arsye të krizës ekonomike, kanë hasur në vështirsi të paguajnë hipotekat.  Ai ka propozuar shkurtime në buxhetin e Pentagonit, por i tha Kongresit se ushtria amerikane do të vazhdojë të jetë e fortë dhe bëri thirrje për të ndihmuar veteranët që këthehen në atdhe nga Iraku e Afganistani.

Në një referencë të shkurtër mbi politikën e jashtme, Presidenti Obama foli mbi  ato që ai cilësoi si suksese të politikës së jashtme të administratës së tij të vitit që kaloi duke përmendur kapjen dhe vrasjen e kryeterroristit Osama Bin Laden, duke thënë se ai nuk përbën më një kërcënim për këtë vend; tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, përparimet e shënuara në Afganistan si edhe arrritjet e të ashtuquajturës ‘’pranverë arabe’’.  Megjithëse ai u shpreh se nuk është i sigurt se si do të përfundojnë transformimet e filluara në Lindjen e Mesme, Presidenti Obama tha se ndërsa është në dorë të popujve atje të vendosin vetë fatin e tyre,  Shtetet e Bashkuara tha ai,  do të ‘’mbrojnë të drejttat dhe dinjitetin e të gjithë njerzëve, burra, gra e fëmij – të krishterë, muslimanë apo hebrejë.  Ne do të mbështesim, tha ai, një politikë që çon në demokrcai të fortë dhe të qëndrueshme si edhe në tregje të hapura tregtare dhe ekonomike për rajonin, pasi sipas, tij ‘’tirania nuk mund t’i bjë ball lirisë.’’  Ai përmendi gjithashtu edhe gjëndjen në Siri, Libi e gjetkë në Lindjen e Mesme, ndërkohë që paralajmëroi Teheranin se ‘’Amerika është e vendosur që të mos lejojë Iranin të ketë armë bërthamore, dhe për arritjen e këtij qëllimi, nuk do të heqë asnjë opcion nga tavolina’’, tha presidenti amerikan.

Ai përfundoi fjalimin e tij duke thënë se lidershipi i Amerikës po ndjehet anë e mbanë botës dhe se Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur imazhin dhe influencën e tyre në arenën ndërkombëtare.  ‘’Kushdo që thotë ndryshe, kushdo që thotë se influenca e Amerikës është në rënje, nuk di se ç’flet ‘’, tha presidenti Obama.

Është traditë që fjalimi i Presidentit mbi gjendjen e kombit, të pasohet nga një fjalim i një përfaqsuesi të partisë kundërshtare, që gjithashtu transmetohet anë e mbanë vendit.  Kësaj rradhe Partia Republikane kishte caktuar governatorin popullor republikan nga shteti Indiana, Zotin Mitç Daniels.  Në përgjigjen e tij, governatori Daniels kritikoi politikat e administratës së presidentit Obama,  duke i quajtur ato ‘’ekstreme’’ dhe akuzoi vet Presidentin Obama se është përpjekur të përçajë amerikanët, siç tha ai, ‘’duke sulmuar disa e duke përkrahur të tjerët.’’  Zoti Daniels tha se megjithëse presidenti Obama nuk e ka shkaktuar krizën e tanishme ekonomiko-financiare, ai e ka keqësuar ketë me politikat e tija gjatë tre vjetëve të fundit.  Ai shtoi se elektorati amerikan e zgjodhi atë tre vjetë më parë për të rregulluar situatën, ashtu siç pat premtuar të bënte gjatë fushatës, e tani tha Governatori Daniels, Presidenti Obama nuk mund të pretendojë asgjë tjetër veçse që situata është keqësuar, duke theksuar papunësimin e lartë dhe deficitet buxhetore, si rrjedhim i shpenzimeve të larta e të shfrenuara të qeverisë federale gjatë tre vjetëve të kaluar.  Zoti Daniels tha se nuk është e drejtë që Presidenti Obama të sulmojë republikanët në Kongres për të gjitha problemet e vendit, pasi ata e vetëm ata, sipas tij, kanë miratuar ligje për pakësimin e borxheve, për reforma financiare dhe krijimin e punëve të reja – duke u kundërshtuar here pas here nga Presidenti dhe aleatët e tij demokratë në Senat, tha governatori republikan Mitç Daniels.

Governatori Daniels tha se në këtë vit zgjedhjesh 2012, Partia Republikane do tu paraqesë amerikanëve ‘’sugjerime pozitive me konfidencë të fortë, pasi e dimë se Amerikanët janë gjithnjë një popull i lindur në liri.  Nuk ka asgjë të keqe me gjendjen e kombit tonë, që Amerikanët e lindur në liri dhe si qytetarë të pjekur, nuk mund të ndreqin dhe të përmirësojnë.  Republikanët, përfundoi ai, mirëpresin të gjithë amerikanët që të marrin pjesë në një program ringjalljeje që përsëri do të bëjë realitet ëndërrën  për të gjithë, e që e bën ‘’qytetin tonë në kodër’’ të shëndrisë përsëri.

Ndryshimet midis dy partive kryesore politike amerikane dhe debati në lidhje me gjëndjen e   kombit amerikan dhe mbi drejtimin dhe politikat që duhen ndjekur për të dalur nga kriza e tanishme ekonomiko-financiare -- si edhe mbi rolin që  Amerika duhet të luaj në botë --janë aqë të theksuara ketë vit si ndoshta rrallë herë në historinë e Shteteve të Bashkuara.  Mbetet për t’u parë se cilës parti votuesit amerikanë do t’ia besojnë udhëheqjen e vendit të tyre në zgjedhjet për president të Nëntorit 2012.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora