E enjte, 25.04.2024, 04:45 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Zhgënjimi me partitë e mëhallëve

E merkure, 25.01.2012, 09:04 PM


Zhgënjimi me partitë e mëhallëve

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

- Megjithëse jemi në shekullin XXI, ende ndër ne, të bashkëkombësit kontinental e mesdhetar nxjerr krye primitivizmi, krahinorizmi, katundi a fshati, lagja, familja dhe pater familjaris, apo padre padrone, sikurse i thonë italianët.

E shihja Lulinë dhe nuk e besoja për xhevahiret që nxirrte nga goja, nuk me dukej ajo e mëparshmja: euforike dhe energjike. Më dukej e brishtë, e thyeshme dhe sentimentale. “Sentimentalizmi është opium për vullnet dobëtit”, me thoshte duke zëvendësuar thënien komuniste: “Feja është opium për popullin”. Në pak çaste me vuri në mëdyshje, sepse derisa unë përsiasja për ndryshimin e orëve të saja të mira dhe të karakterit të saj, ajo më shkëputi nga ky hutim imi me pyetjen:

- E di ti strukturën e partive tona politike në pushtet, apo atyre në opozitë?

-  Rrudha me krah. Nuk kisha menduar shumë për këtë gjë. Nuk merresha më analiza politike. E dija pak ndryshojnë nga njëra tjetra si me programet politike ashtu dhe më mënyrën e veprimit. Vetëm prejardhja krahinore ndryshonte.

- Njëra është me bërthamë e shtrirje të një krahine, tjetra nga një krahinë tjetër, e treta nga nahija e tretë. Të gjithë selinë e kanë në kryeqytet e jo në katundin prej nga na e sollën mendësinë e strukturën qeverisëse, - paraqiste gjeografinë e partive politike.

Pastaj filloi t’i konkretizonte gjërat. Më pa në fytyrën e shtrembëruar nga moskuptimi e kureshtja. Ku do të dilte dhe kujt do t’i binte në qafë? Me shihte me një lloj padurimi. Gati sa s’ më thoshte, prit e dëgjo:

- Partia më e vjetër dhe dikur më e madhe jo vetëm në shtetin tonë “të pavarur e demokratik”, përfshiu në gjirin e vet të gjithë shqiptarët jashtë shtetit mëmë. Dukej që ecte hullive të rilindësve,  përpiqej të vepronte në kornizat e kësaj lëvizje të fuqishme kombëtare. Shtriu degët e nëndegët në Perëndim, SHBA e në Australi. Nuk përjashtoheshin ithtarët e shumtë në Kanada dhe Ishujt e Paqësorit, -filloi të qeshte ajo sa për relaksim.

- Pas luftës, në vend të zgjerohej apo të paktën të profilizohej, degjeneroi në grupime përçarëse. Tash është parti krahinore!, - fliste me një tis të hollë të kujtesës dhe të nostalgjisë sikur të kishte marr pjesë në themelimin e saj. Ma kishte thënë një herë, që më doli nga mendja: babai i saj ishte ndër themeluesit. Pas luftës u largua në heshtje, sepse nuk pajtohej me bashkëkatundarët e vet. Ajo si të mos isha shkëputur nga rrëfimi i saj fare, vazhdoi:

-  Në vend të luftonin për koncepte politike, sepse s’ishin e djathtë, nuk janë as të majtë, vështirë mund t’u thoshe me profilizim nga qendra, më shumë ishin ca intelektualë, të mbizotëruar nga tregtarë të dikurshëm të videokasetave, librave shkollor, naftës, mallrave ushqimore nga Serbia, ndërtimtarë, dështak të zhurmshëm etj. Por namin e ikonografinë e dikurshme farfuritëse i përmendin çdo kund dhe në çdo kohë, sepse u sjellin vota. Imazh të vetin nuk kanë. Strumbullari u mungon. Lideri karizmatik vdiq dhe s’la njeri prapa. Politika u bë profesioni më i dobishëm në vend, me privilegje e pasuri, prandaj dolën në sipërfaqe tregtarët e të shkathëtit. Humbën idealistët. Intelektualët ikën. Struktura  e brendshme, dikur tejet e organizuar, të cilën s’arritën ta thyenin ushtria e policia e Serbisë, filloi të shpërbëhej, të shkërmoqej pa goditjet e armikut, apo të kalonte në parti të tjera për leverdi a nga presioni. Sikur nuk mjaftonte kjo shpërbërje, tregtarët dhe matrapazët filluan të shpërfillin herë heshtazi, herë me bujë njerëzit e idealëve jashtë grupimeve të brendshme, - ndërsa filloi të më vërente më ngulm për të hetuar reagimin tim. E shikoja i habitur me këtë përsiatje analitike, ku dukej ndikimi i të dashurit të saj, Kreshnikut, ajo po e flakte ngjyrimin kuq e zi, që e pengonte shpesh herë për të qenë kritike. Më habiste të qeshurit e saj të lehtë në këtë paraqitje dramatike. S’mund ta besoja!

- Partia më e madhe shqiptare në Gadishullin Ilirik, u bë parti e Kodrës së Trimave- e Llapit dhe e Gollakut, -e shkrepi xixën e parë të pakënaqësisë pa ngjyrimin e bashkimit kombëtar. - Ua morën prishtinasve ardhacak timonin, i hoqën dukagjinasit së pari nga komuna e pastaj edhe nga kryesia qendrore - qeshte ajo më nënkuptim. – Shihi emrat në Kryesi, pastaj ish-ministrat, mbiemrat e familjeve të vëllezërve e të motrave, të kunatave e dhëndurëve, thua nuk mbetën shqiptarë të tjerë, - e shtronte teorinë e krahinorizmit e familjarizimit Lulia. Kur turbullohej për diçka, nuk i vinte fre gojës.

- Padre padrone është bërë sinonim. Nëse babai është i pari apo në kryesi, atëherë domosdo fëmijët në poste do të jenë, ose do të jenë strumbullarë të bizneseve të dyshimta nën ombrellën partiake e shtetërore, - shkrepte ajo trup e tërthor subjektit politik.

Ish partia më e madhe, - me shpjegonte Lulia, - e njohur dikur për elitën intelektuale, mbeti në tregtarë e aktivist të paarsimuar. Qytetin të cilin e kishin në dorë, i braktisi dhe partiakët dolën në periferi, duke u përpjekur të bëheshin populist, sepse aty e ndjenin vetën më komod. Qytetaria u iku. Por për populizem s’kishin as karizmë as sharmë, s’kishin as energji. Për qytet s’kishin qytetarë e intelektualë. Më fytyra të tharta e të zymtë nuk joshin familjen e vet,- analizonte imazhin e partiakeve heroina nga Kodra e Trimave.

- Me kujtoheshin këta aktivist në fëmijërinë time kur rrinin në radhë para Shoqatës “Nëna Terezë”, për të marr ndihma humanitare, apo si merreshin me tregti të vogla, them sa shumë ka ecur bota jonë. Është përmbysur, - i kthehej ajo të kaluarës.

Duke mos pritur tumirjën apo kundërshtimin tim doli të subjekti tjetër:

-  Kundërshtarja e ish- partisë më të madhe, partia që thonë se doli nga lufta nga ish grupimet marksiste e aventuriste, - bënte rekapitullimin ajo, - e filloi si grupim nga Drenica më pak ithtarë nga Malisheva, tek tuk ndonjë nga Dukagjini. Dalëngadalë, arriti të mobilizonte të tjerët që s’ishin nga Drenica, por bërthamën aty e ka. Për shpërblim ithtarëve që do t’u bashkoheshin u garantonte pushtet, pasuri e famë, u premtonin se nuk do ta grumbullonin pushtetin e pasurinë në duar të familjes sikurse partia kundërshtare. Dhe njerëzit të zhgënjyer e lakmitar, të joshur me poste e më pasuri nuk ngurruan të bëheshin simpatizues e militantë, - fliste më mprehtësi analitiku Lulia.

- Duke mësuar nga shpërbërja e partisë kundërshtare, ata angazhuan më shumë njerëz të arsimuar e “kullera” të qytetit.

Lulia mendonte se partia e nipave të Azem Galicës, të cilin më as e përmendin, po e kapërcente ylberin, po shtrihej në gjithë Kosovën. Sa do të qëndronte në piedestal nuk e dinte. - Nuk jam profet, megjithëse ata kanë probleme të brendshme e konflikte të papajtueshme. Analistët thonë se po përçahen, nëse qysh tash nuk janë bërë pikë e pesë, por pushteti i mbanë së bashku. Është në natyrën e shqiptarëve të mos pajtohen, sepse shquhen për individualizëm e më pak për ndjenjën e shtetësisë e të organizimit, - më habiste më vërejtjen tjetër të mprehtë.

Nga frika mos do ta merrja të anshme, ma ktheu:  – S’ më shkon mendja ta lavdëroj asnjërën parti. Kur ua thotë interesi i grupeve bashkëpunojnë në mes veti në biznese e aleanca. Mos i shiko si shkrepin ndonjëherë batuta kundër njëri-tjetrit para ekranit, për demagogji e kanë, sepse pasi të përfundoj transmetimi televiziv, hi syve elektoratit, hanë e pinë bashkë gjithë natën e lume, - me ndriçonte ajo anët e ndritshme e të errëta të skenës sonë politike. Më gëzoi që po shkuakan më mirë se sa kam menduar. “Le të bëjnë biznes të dyshimta e jo të  dyshimta, por mos të vriten, më shkoi mendja t’i thosha, por e braktisa këtë mendim. Do të më vlerësonte konformist e frikacak heroina ime.

- Duket e ke harruar një parti, - ia prita, në përpjekjen për ta zënë ngushët. Më shkoi mendja për keq, sikur mbante anë.

– Jo, e ke gabim, - ma ktheu, ende pa e përfunduar mirë fjalinë.

-  Partia e dukagjinasve të periferisë, në fillim ishte parti personale, rreth së cilës u mblodhën një grup deçanasish të periferisë. Pastaj, u shtri në pjesën e katundarisë së Gjakovës e të Pejës. Më vështirësi kaloi në rrafshin e Kosovës. Në të ardhmen mund ta ketë edhe më vështirë, sepse partitë tona politike në vend të profilizimit po krahinarizohen ende më shumë. Qytetaria nuk e përqafuan gati asnjërën parti, pos aventuristëve. Mori ca ithtarë e struktura të pakënaqura të dy partive më të mëdha të cilave nuk ua pa hajrin, - më shumë e zhgënjyen. Por edhe ata që shkuan dolën të zhgënjyer. Le të flasin çfarë të duan kundërshtarët, kjo parti mori timonin e dy qyteteve më me ndikim në mes Shkodrës e Shkupit, ma portretizoi partinë e dukagjinasve të periferisë Lulia.

- Partia e rrëmujave në Kuvend dhe në rrugë, - sikurse më thoshte ajo për partinë tjetër të cilës nuk donte t’ia thoshte emrin, - nuk shquhej më krahinorizëm sa për revolucion të vonuar, - por druante për probleme të tjera, të cilat nuk deshi të mi thotë. - Janë të paparashikuar, - më ktheu përgjigje lakonike kur u bëra gati ta pyesja.

Për partizat islamike e të ithtarëve të blerë me para nuk e vlente të fliste. Sipas saj ishin sajesa të bëra me thasë sheqeri e hurma Arabie, që më shumë u duheshin partive të mëdha për t’i marr më të mirë Turqinë islamike e shtetet myslimane, se sa që ato kishin forcë. Ato se kalonin një përqindëshin, por shpesh e terrorizonin shumicën absolute të shqiptarëve në vendin “e pavarur e demokratik” të Lulisë.

- Ke dëgjuar të thonë filan lideri perëndimor ka mbështetjen e krahinës së vet, apo të katundit të vet? - Rrudha me supe.

- S’ke si dëgjon, - ma priti, - ata e kanë tejkaluar mesjetën, kjo gjë mund të thuhet vetëm për liderët arab, apo lideri të Azisë qendrore.

Për ta ilustruar për krahinorizmi në administratën qendrore me tregoi se kur shkon nëpër ministri të ndryshme, herë për ndonjë punë, herë të mikeshat, sipas të folmes e merr vesh a është në ministrinë e drenicakëve, të llapjanëve apo të dukagjinasve. Nëpunësit e rajoneve të përziera apo profesionistët janë më të pakët. Intelektualë, përpiqej të më bindet ajo, - kishte edhe më pak. Madje habitën se si mbetën. Secili ministër e ministri së pari solli njerëzit e katundit të vet, pastaj të tjerët. Militantët kishin përparësi para profesionistëve.

- Zakonisht, - me tregonte Lulia, - organizimet e tilla familjare a krahinore i bëjnë organizatat klandestine për të fshehur biznesin e pistë, por partitë dhe qeveritë tona të bëjnë gjëra të këtilla, - nuk ia kapte rradakja Lulisë dhe nuk donte ta pranonte.

- Në vend të djersijmë për të shtrirë ndikimin tonë në gjithë hapësirën shqiptare, ne jemi rrudhur në katundin apo krahinën tonë, - përsiaste më zë.

-  Me këto botëkuptime të kasabave orientale do të shkojmë në Evropë? Pyeste e indinjuar heroina e Kodrës së Trimave.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora