E enjte, 28.03.2024, 05:50 PM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: Gjurmë

E merkure, 25.01.2012, 07:56 PM


DANIEL GÀZULLI :

 

G J U R M Ë

 

1. Kam njohë një që ...

 

Në vitin 1986 i thanë mjekët se ishte me kancer, e se kishte edhe pesë  - gjashtë muej jetë.

Ai buzëqeshte dhe u jepte zemër të afërmëve e të dashunve.

Sot e kësaj dite, tek shetitë rrugëve të qytetit me hap të gëzueshëm,  vazhdon t’u buzëqeshë njerëzve dhe të mbjellë dashuni.

 

.... dhe një që ...

 

Nuk ka njeri në qytet që nuk i asht ankue se jeta e tij asht një jetë skëterrë: vuen nga kapslleku.

Njerëzit i largohen mos i infekton.

 

2. Kam njohë një që ...

 

I gëzohej pjatës me thjerza, i vetmi ushqim që kishte në shtëpi për vete, gruen, nanën plakë dhe katër fëmijtë.

Kur një edhe ma i vorfën se ai i tha në mbramje se fëmijtë e tij do të shkonin pa ngranë në krevat, mori gjysmën e thjerëzave dhe ia çoi, pastaj u kthye në shtëpi tue fishkëllye një kangë të gëzueshme.

 

.... dhe një që ...

 

Shan Krisht e Pejgamer qysh kur i asht prishë stomaku e nuk ha dot as një kilogram mish dashi të pjekun.

 

3. Kam njohë një që ...

 

I kishte rastisë të njihej në një dasëm me të birin e vrasësit të të atit, që u ndje ngusht para tij. I buzëqeshi, i shtërngoi dorën dhe e ftoi të rrinin pranë e pranë në tryezë.

Qysh atëherë, kur ndodh që takohen, e fton të pijnë një kafe bashkë. Kurrë ma diellore nuk e ka buzëqehsjen se sa kur rri me të birin e vrasësist të të atit.

 

.... dhe një që ...

 

Sa herë shkon në Kishë (dhe shkon rregullisht), i lutet Zotit ta lajë pa djalë Skenderin, sepse nuk pranoi t’ia firmoste dëshminë (e rremë) që toka buzë detit, deri njëzet metër thellë në ujë, kishte qenë e tij.

 

4. Kam njohë një që ...

 

Tafil Leka e quenin, kaptoi Shqipninë nga Veriu në Jug më 1920 të shkonte në mbrojtje të Vlonës.

Nga 7 prilli 1939 e deri sa mbaroi lufta nuk shkeli kambë italiani e as gjermani në fshatin e tij: Atje ishte zot Ai. Lirinë nuk ua kërkonte të tjerëve, e kishte të tijen.

Mbas luftës dorëzoi armën dhe u hoq mënjanë.

Unë e bana detyren time, tha, tashti le t’i shtrohemi punës.

 

.... dhe një që ...

 

Kishte lindë më 1934, u ba oficer mbas luftës, dhe gjoksin mbushë me dekorata në ditë festash e në ditë të zakonshme, shkonte e tregonte histori nëpër shkolla për gjermanët e panumurt që kishte vra.

Nuk asht se njerëzit nuk e dinin sa vjeç kishte qenë në kohë të luftës, po ai vazhdote marrshimin e tij mbi dekorata.

Tafil Leken nuk e njihte.

 

5. Kam njohë një që ...

 

Një nanë që prej tetëmbëdhjetë vjetësh i shërben gjithë dashuni djalit të saj të paralizuem dhe kur del të blejë ushqimet për familjen, nuk i mungon kurrë buzëqeshja për të tjerët.

Të shtundave, kur i shoqi asht pushim dhe mund të rrijë ai me djalin, shkon e i pastron me themel shtëpinë një plake të vetme e të mbetun, që banon dy pallate përtej.

 

.... dhe një që ...

 

Gjithë shëndet, ende pa i mbushë të pesëdhjetat, kalon ditët sa tek një shoqe tek tjetra tue u ankue se pesë fëmijtë në mërgim nuk i dërgojnë rregullisht kuoten prej njëqind eurosh në muej, që ua ka caktue t’ia dërgojnë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora