E premte, 29.03.2024, 12:14 PM (GMT)

Kulturë

Kruja e bekuar....

E diele, 02.03.2008, 07:23 PM


Në fokus të shpalosjes së qyteteve shqiptare, historisë dhe vlerave të tyre këtë herë kemi zgjedhur pikërisht qytetin e Krujës pasi, me rastin e 540- vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Muzeun Historik të Krujës u organizua një aktivitet modest përkujtimor nga Ministria e Kulturës. Por, sipas statistikave, ky muze rezulton të jetë një ndër monumentet më të vizituara për 2007-n, pas Parkut të Butrintit. Viti që lamë pas, sipas drejtorit të këtij monumenti, ka sjellë vizitorë të shumtë nga e gjithë bota, rreth 89 mijë, 6 mijë më shumë krahasuar me vitin 2006. Ndërsa për vitin 2008 janë mjaft projekte të rëndësishme, si hapja e një faqeje në Internet, ku të gjithë mund të shohin atë ç’ka Muzeu Historik i Krujës ofron. Shpresojmë të zbatohen dhe mos të mbesin thjesht në kuadrin e projekteve dhe premtimeve. Qyteti i Krujës, që e ka marrë emrin nga krojet e kulluara, ka një pozitë të mrekullueshme gjeografike. Vetëm 32 km larg tij ndodhet kryeqyteti, ndërsa Durrësi, me të cilin që prej 10 vitesh bashkëjeton në të njëjtin qark, ndodhet 46 km larg. Në këmbët e qytetit, 6 km larg Fushë-Krujës, ndodhet Albanopolis, qyteti antik që duket se i ka dhënë emrin popullit tonë. Banorët, pas rrënimit të qytetit, formuan Krujën, qytetin mesjetar më të njohur në vendin tonë. Në majën e malit të Krujës pamja është e mrekullueshme. Në mot të mirë duken qartë konturet e ishullit të Sazanit dhe drejt Veriut shihet gjiri i Drinit deri në vargmalet që vazhdojnë në Veri drejt Malit të Zi. Teqeja e Sarisalltëkut, në lartësinë 1,117 metra është një tjetër pikë e preferuar, veçanërisht për besimtarët bektashinj. Babai shenjtor, i cili rreth vitit 1325 i ktheu qytetit të Krujës ujin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur, nderohet gjerësisht nga qytetarët krutanë, ndërsa teqetë bektashiane të zonës vizitohen edhe si pika muzeale. Të dhëna historike  Për herë të parë fjala Krujë përmendet në shekullin XII. Emri “Krujë” mendohet ta ketë origjinën te fjala “krua” ( burim uji), sepse në Krujë ka shumë burime. Banorët e Krujës i thonë qytetit të tyre dhe burimeve të ujit me të njëjtin emër, “kro”; banorët  e Krujës i thërrasin “krutonë”, ndërsa në gjuhën e normës këta banorë thirren “krutanë”. Qyteti i Krujës njihet si kryeqendra e rezistencës ndaj pushtuesve osmanë gjatë kohës që Skënderbeu e udhëhiqte këtë rezistencë. Kështjella e Krujës u rrethua katër herë nga ushtria osmane. Në rrethimin e katërt kështjella e Krujës ra në dorën e pushtuesve. Është një prej qyteteve më historike të Shqipërisë. Ajo ndodhet në një distancë të afërt nga kryeqyteti, vetëm 32 km larg. Emri dhe rëndësia e Krujës lidhet me veprën dhe aktivitetin 25-vjeçar të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti ( Skënderbeu), i cili gjatë periudhës së mesjetës, në shek. XVI, e shndërroi Krujën dhe kështjellën e saj në një pikë të papërkulur rezistence ndaj rrezikut osman, duke e bërë atë të njohur e të famshme në të gjitha kancelaritë diplomatike të Europës. Emri i Krujës rrjedh nga fjala shqipe “krua”. Në periudhën bizantine ajo përmendet si një qendër peshkopate. Rreth vitin 1190 aty u krijua i pari shtet feudal shqiptar. Më vonë ajo kaloi nën sundimin e familjes feudale shqiptare të Topiajve. Pushtimi i parë otoman ndodhi më 1396-n, por ata u tërhoqën për 20 vjet. Më 1430-n ajo u kthye në qendër të kryengritjes shqiptare të udhëhequr nga Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut. Periudha më e lavdishme fillon më 28 nëntorin e vitit 1443, kur kalaja e Krujës u mor nën kontrollin e Gjergj Kastriotit, i cili organizoi rezistencën e gjatë antiotomane. Që nga kjo periudhë Kruja, nën udhëheqjen e Skënderbeut, theu tri rrethime të saj nga otomanët, më 1450, 1457 dhe 1466. Vetëm 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, më 1478, otomanët pushtuan kalanë dhe shkatërruan qytetin. Ata e quajtën Krujën “Akcahisar” (fortesë e bardhë). Pjesa e popullsisë që mbeti u kthye në myslimane. Sot qyteti ngrihet në shpatin e malit të Krujës, në një lartësi prej afro 600 metrash mbi nivelin e detit, duke poseduar një pamje panoramike të mrekullueshme. Nga qyteti i Krujës shihet qartë deti Adriatik. Kruja-Qytet Kështjellë! Me këtë fizionomi është prezantuar nëpër shekuj, gjë që manifestohet edhe në pamjen që ka sot. Ky qytet shtrihet në shpat të një mali të mrekullueshëm. Kruja ndodhet në mes të Shqipërisë, 32 km. larg Tiranës, kryeqytetit dhe 608 metër mbi nivelin e detit. Ka një klimë mesdhetare dhe gjelbërim të përhershëm. Është mjaft e pasur me burime ujore natyrore, nga të cilat ka marrë edhe emrin Krujë-Krue-burim uji. Kruja është zemra e historisë së kombit shqiptar.
 
Të dhëna arkeologjike

Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se ka qenë vendbanim ilir që në shekullin III para lindjes së Krishtit. Pikërisht në fshatin Zgërdhesh, 4 km në jugperëndim të Krujës, ndodhen gjurmë të kryeqytetit ilir të Albanëve, Albania (Albanopolis), të cilin e përmend edhe gjeografi e astronomi nga Aleksandria, Ptolemeu, në shekullin II pas lindjes së Krishtit. Ptolemeu bëri një hartë për Ilirinë dhe Gadishullin Ballkanik. Pikërisht nga ky fakt historik, "Albania" e Krujës mendohet se e ka prejardhjen emri i Vendit të Shqiponjave, që në botë njihet si ALBANIA. Të gërmosh në truallin e Krujës është e pamundur që të mos zbulosh varre të kohërave dhe epokave të ndryshme. Objektet e një varreze të shekullit VI-VIII dëshmojnë se ajo bëhet një qendër e kulturës arbëreshe të kohës, ku vendasit nuk ishin vetëm mjeshtër të zot, por gjithashtu edhe krijues, duke e zhvilluar më tepër traditën dhe kulturën e tyre. Në Mesjetë Kruja është kryeqendër e shtetit shqiptar të parë feudal, me emrin "Principata e Arbrit". Kjo principatë, rreth viteve 1190-1198 ka si të parë në krye Progonin, më pas bijtë e tij trashëgimtarë Gjinin (1198-1206) dhe Dhimitrin (1206-1216). Këtij shteti, gjatë ekzistencës së vet iu desh të luftonte si kundër Bizantit (1260-1271), anzhuineve (1272-1286), po ashtu edhe kundër serbeve. Në gjysmën e dytë  të shekullit XIV Principata e Arbrit, me kryeqendër Krujën dhe sundimtar të vet Tanush Topinë njohu një zhvillim dhe lulëzim të mëtejshëm në tregti dhe zejtari. Tanush Topia i zgjeroi pronat e tij dhe krijoi një principatë të madhe. Ngjarjet rrodhën dhe Tanush Topia vritet nga Roberti, mbreti i Napolit. Vendin e të atit e zë i biri, Karl Topia. Më 1396-n Kruja për herë të parë pushtohet nga osmanët, gjithashtu dhe më 1415-n, në kohën e Nikolla Topisë, turqit u përpoqën t'ia ndryshojnë edhe emrin, duke e quajtur "Akçe Hisar" (Kulla e Bardhë). Vlen të përmendet një kryengritje në vitin 1430 e udhëhequr nga Gjon Kastrioti. Këtij, pas vitit 1415 sulltani i mori peng katër djemtë, me i vogli i të cilëve ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 28 Nëntor 1443 ngre në Kështjellën e Krujës flamurin e Kastriotëve, flamurin e lirisë me sfond të kuq, shqiponjë me dy krerë dhe yll me gjashtë cepa. Skënderbeu (1405-1468) luftoi mbi 20 vjet me osmanët turq dhe doli fitimtar. Fama dhe lavdia e tij u përhap në të gjithë Europën. Qindra vepra në letërsi dhe art janë krijuar për të nga autorë vendas dhe të huaj. Skënderbeu e bëri të famshme Krujën në histori. Kruja ishte kryeqyteti i Skënderbeut në shekullin XV. Tri herë dështuan sulltanët turq, kur rrethuan Krujën (1450, 1466, 1467). Vetëm më 1478, dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, Kruja më në fund u pushtua nga forcat turke të kryesuara nga sulltan Mehmeti II. U dogj e u shkatërrua, provoi dhe tmerrin e një pastrimi etnik, pasi secili "krutan" turqve u shëmbëllente në një armik. Vetëm më 28 Nëntor 1912 Kruja e ngriti përsëri flamurin e Skënderbeut. "Qytet i bekuar" e quan Krujën poeti kombëtar i shqiptarëve, Naim Frashëri, (1846-1900). Rrëfejnë se në truallin e këtij qyteti prehen me po aq erenglerë shenjtorë aq sa ditë ka viti. Një nga shenjtorët më të dashur te krutaneve, por jo vetëm të tyre, është dervishi bektashi Sari Sadik Babai ose Sarisalltek, siç e thërrasin këtë shenjtor vendasit. Prej këtij shenjtori mysliman Krujës i thonë dhe "Bahçja e Sarisalltekut". Tempulli i këtij shenjtori legjendar gjendet buzë malit të Krujës. I gjithë qyteti i Krujës është një monument kulture më vete. Monumente të veçantë për t'u parë janë monumenti e Skënderbeut i vendosur në qendër, Pazari-muze, Kalaja e lashtë me dy muze kombëtare brenda dhe amfiteatri kulturor-sportiv. Këto monumente, bashkë me jetën që rrjedh në paqe, e bëjnë Krujën tërheqëse për vizitorët, si dhe një nga vendet më impresiononte në Shqipëri.
 
Kalaja, destinacioni i vizitorëve 

Qyteti i Krujës, gjatë viteve të fundit ka qenë pika më e preferuar në shkallë vendi për turistët shqiptarë e të huaj. Krutanët thonë se "kush nuk ka vizituar Krujën nuk e ka vizituar Shqipërinë". Numri i vizitorëve kosovarë në Muzeun Historik ka pasur një rritje të vazhdueshme, ndërsa nuk kanë munguar vizitorët nga anë të ndryshme të globit. Brenda mureve të kalasë ndodhet Muzeu Etnografik Kombëtar, i cili është vendosur në një banesë mëse 240-vjeçare. Mbi 1 100 objekte me vlera të rëndësishme tregojnë jetën e banorëve të kësaj treve në shekullin XVIII. Turistët vendas e të huaj nuk largohen nga Kruja pa vizituar pazarin karakteristik mesjetar, në të cilin, përveç tregtimit të sendeve tradicionale, mjeshtërit vendas prodhojnë objekte artizanati, si punime në dru e në bakër, qilima me motive të zonës, qeleshe karakteristike etj. Mbi 20 bare dhe restorante në qytet, përveç menysë klasike, ofrojnë edhe pjatat tradicionale të zonës. Mbrëmjet krutane zbukurohen shpesh nga koncertet në parkun kulturor-sportiv të qytetit ku, bashkë me ansamblin "Kastrioti" interpreton edhe grupi i mirënjohur muzikor "Pleqtë e Krujës".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora