E merkure, 24.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Nengurra: Një jetë skëterrë

E merkure, 25.01.2012, 08:58 PM


Selim M. Nengurra

 

NJË JETË SKËTERRË

 

- tregim -

 

Kur Rroshen e kishin ba me dije se e kishin fejue, ajo as në andërr nuk do ta ketë mendue se nji ditë do ta përvlonte fati i keq, që kjo fatzezë përjetoi mbas shumë viteve martesë me Trimin.

Ishin vitet e liga kur valiu i Pejës Asllan Pasha me hordhitë e tij, pandërpre, sulmonte fshatrat e Krasniqes së Vendit për ta kapë të gjallë patriotin dhe prisin e burrave të Krasniqes së Vendit, Mustafë Hasanin.

Emni i këtij tribuni popullor u ba i njohun deri në defteret e Portes së Naltë në Stamboll. Vetë sulltani kishte shfaqë interesimin për ta zanë, apo për ta vra Mustafë Hasanin.

Nga sulmet dhe zjarri i zabitëve të Asllan Pashes, Mustafë Hasani largoi familjen e tij nga Krasniqja e Vendit në Katund të Ri dhe për disa vite djemët e tij jetuen jetë normale dhe në qetësi.

Mustafa me trimat e tij vazhdonte të bante  jetën e kaçakut, tue sulmue pandërpre zabitët e Turqisë dhe çakejt e Asllan Pashës.

Në Katund të Ri Mustafë Hasani emnon per zot shtëpie nipin ma të madh Trapin. Ky emen paksa i quditshem per kohen do vertetohet se i ka ngja ati që e mban derisa vdes.

Në Katund të ri Mustafë Hasani gjen nuse dhe marton djalin e ti të parafundit që kishte nga të shtatë djemet e vet.Martohen Trimi e Rroshja. Nuk u ba dasëm atë kohë, shkuen familjarët e Trimit dhe sollën nusen me kal, nuk ishte kohë për ahengje e dasma.

Zoti kishte krijue këto dy krijesa për njeni tjetrin, të rijë e të bukur të dy. Trimi, truplidhun, kur vishte tirqit dhe lidhte shoken në brez, dukje po sikur kreshnik mali. Mustakët e tij të zez e të hollë tregonin moshën e tij të re, por sjelljet fisnike, urtësia dhe shpirtbardhësia e tij tregoni për nji trim që ishte burrnue ndoshta para kohe.

Rroshja, kjo malësore faqekuqe, po si mollat e bahqeve të shumta të Podgurit, ishte shtat mesatare, por nji perri e gjallë. Floket e saj të zez i mbulonin tanë krahnorin dhe shpinen tue u shpërnda tutje deri në ijet e saj mahnitëse.

Nji bukuri përrallore, porsi e shtojzovalleve. Me të drejtë Trimi ishte krenar me bukurinë e nuses së vet që e donte tejmase. Meritonte Rroshja dashni e respekt.

Zoti u fali dy djem e nji vajzë. Dhe Trimi, tashma burrë i pjekun, kishte edhe ma shumë motiv për të punue dhe angazhue në pronat e tij të tokës dhe bereqeti i arave të Trap Imerve në Katund të Ri dallonte nga të tjerët.

I zoti i shpisë, vetë Trap Imeri, ishte nji njeri shpirtlig dhe lakmitar. Ai tanë diten sillej nëpër miq e dashamirë, hypunë në atin  pullali, me shalen telatini. Ndërsa kur ishte në shtëpi, rrinte në odë ku duhej t’i baheshin sherbime nga ma të rijët dhe familjarët, si të ishte ai vetë sulltani. Trimi e kishte nip, djalë vëllaj Trapin, pra Trapi ishte nji nga nipat e parë të Mustafë Hasanit. Mirëpo, për shkak të moshës, Trapi ishte zot shtëpie. Pra ma i vjeter ishte nipi se axha.

Nji ditë Trimi vjen nga ara ku kishte ba ugar tanë diten, i djersitun e i lodhun, i këputun, sa kur e pa Rroshja, desh u plandos për tokë. Me të shpejt vrapoi dhe i solli legenin me pak ujë të nxehtë në pocerrkë* për t’u pastrue Trimi nga ai pluhun i arës, që e kishte gjithandej nëper ftyrë. Mezi u pastrue. As darkë nuk hanger, aq i lodhun ndjehej. Shkoi e u shtri në qilarin e tij, në shtratin e shtruem me qarçafet e qendisun nga dora puntore e nusës së tij, Rroshes.

Coli, Mici e Zikja, tre femijët e tij, të merakosun për babën, shkuen dhe iu afruen te shtrati. Zikja e pa se baben e kishin mbulue djersë të shumta, mori nji leckë dhe ja fshinte djerset. Coli e shikonte dhe nuk bëzante. Ai, thuejse i vetdijshem se do humbte së shpejti baben, shtërngonte në perqafim Micin, vëllajn ma të vogël, sikur donte t’i thotë: Mos kij dert, vëlla, tash e tutje unë do kujdesem për ty.

Nata kalojë disi. Femijët e Rroshja nuk vun gjumë në sy.

Në mengjes Rroshja shkoi të pregatiste diçka për të ngranë Trimit, por kur u këthye në qilar, ajo u tmerrue: Trimi, me nji buzqeshje në buzë, kishte fjetë pergjithmonë, me sytë e hapun drejt fëmijëve të tij të vegjel, që as nuk e kishin kuptue se baben e tyne tashma e kishte marrë Zoti dhe e kishte dërgue atje, në Parajsë. A thue, vallë, ata sy çelun dhe buzqeshja në buzë, ishte buzqeshja e fundit për Rroshen e tij, që e deshti aq shumë? Për gruen e tij të mirë që e la në moshë aq të re e që tash do të përshkonte gjithë jetën ferrin e kalavrit?

Rroshja nuk kishte kohë as të merzitej, sepse e dinte e shkreta se mbas varrimit të atij që e deshti dhe me të cilin krijuen dhe sollen në jetë tri krijesa të bukura, fatzeza do të shihte ferrin, ndersa ai të paktën do të ishte në Parajsen e Qiellit.

E ashtu ndodhi. Po atë mbramje, mbasi u krye varrimi i Trimit, në darkë, ku ishin të ftuem simbas traditës miq e kushërij, vëllaj i Rroshes, Beka, i bani me dije Trap Imerit se ata do flasin kur të vinte koha per fatin e Rroshes.

Ditët iknin dhe koha erdhi. Beka kishte marrë me veti dy kushërij dhe së bashku ia mësyen derës së Trap Imerit.

U ulen kambëkryq dhe derisa hërrpatnin kafet e nxehta, filluen biseden.

“Trap Imeri, ne na ka mbetë bija pa zot, prandaj ta kemi mësye sonte për me ba dert punen e saj.

Na e ke borgj me na tregue, a ka kush i del zot në këte shtëpi”?

Trapi, me krye ulun,  thue se i nxanun ngusht, por hapatas shifej nji ngashrim për ta plotsue lakminë e tij të smuet, per ta këthye Rroshen, per ta ba grue të veten ate.

Mbas nji heshtje të shkurtë, Trapi, me fodullak, i thotë Bekes:

“Po, more mik, ka kjo shtëpi mashkuj dhe ka kush bahet zot i robit tuej. Unë ja këtu e kam Bardhin e pamartuem, bile këto ditë kam pasë ba planin me i kërkue nuse diku. Ta pyesim atë a don me e këthye kunaten e vetë, nusën e vëllajt”.

Bardhi pothuejse u tremb nga ato që dëgjoi. Pa nji pa dy, u ngrit në kambë dhe iu drejtue Trapit: “Baca Trap, unë, edhe nese nuk martohem, kurrë nuk pranoj nji shemtim të tillë. Dhe, poqese më bahet presion, pa marrë parasysh per cilin shkak, fetar apo kanunor, unë do baj vetëvrasje, por kurrë kryet tim nuk do vihet në të njejtin jastek me kunaten time. Mue ende më qanë shpirti per vëllajn tim që vdiq papritmas e aq i ri, e ju më bani pyetje aq çnjerëzore. Kurrë, harrojeni këtë”! - dhe iku me shpejtësi përjashta i mberthyem në vaj e dënesa.

Trapi, haptas shprehu gezimin që tash, mbasi refuzoi Bardhi, si alternativë kishte mbetë vetem ai. Të tjerë mashkuj të moshes per martesë nuk kishin. Per gruen që kishte Trapi nuk merzitej fare, ku guxon ajo me reague pse i qitet ortakja?!

“Mirë - tha Trapi, - mbasi Bardhi nuk po don, nese pajtoheni edhe ju, miq, unë per me i dalë zot bijes suej dhe per mos me i lanë femijet e Trimit pa përkujdesje të të dy prindve, po e këthej unë vejushen e Trimit. Nese kjo, per shkaqe të ndryshme dhe të arsyeshme nuk mund të ndodhë, atëhere ju mund ta merrni bijen tuej dhe ta martoni ate ku të doni, por femija mbeten këtu, në shtepi e në hise të vet, që e kanë trashegim nga baba i tyne që u vdiq”.

Per nji kohë mbretnoi heshtja, por mbas pak heshtjen e theu Beka.

“Hajde, pra, per hajr të koftë bija jonë, o Trap Imeri”!

Prej këtij çast filloi tmerri për Rroshen, e cila u detyrue me ba një jetë kalvar, që edhe vorrit me pas frikë me ia tregue, aq e trishtueshme qè jeta e saj nën barbarinë e Trap Imerit.



(Vota: 15 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora