E hene, 13.07.2020, 01:27 PM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Muzetë në qytetet e Kosovës

E hene, 23.01.2012, 08:56 PM


Muzetë në qytetet e Kosovës

Nga Qazim Namani

1  Muzeu Arkeologjik në Prizren

Ky muze është  i vendosur në ndërtesën e hamamit të Ahmed-Shemsedin Beut i ndërtuar në fund të shekullit XV. Pas restaurimit të bërë më 1974-75 shndërrohet në muze arkeologjik për regjionin e Prizrenit. Muzeu posedon mbi 700 ekzemplar arkeologjik të periudhave të ndryshme të zbuluara në lokalitetet: Romaj,Vërmicë, Tupec, Kala të Prizrenit, kalanë e Korishës, Vlashnje, Hisarë, Manastirin e Krye engjëjve, gjetje të rastit etj.

Muzeu ishte në fazën e renovimit që nga viti 2004 me ç’rast eksponatet ishin paketuar dhe janë vendosur në depo adekuate. Tani ky muze është rinovuar dhe hapur për publik. Me kërkesë të Muzeut të Kosovës është huazuar materiali i Muzeut të qytetit të Prizrenit për tu ekspozuar së pari në Prishtinë e pastaj së bashku me eksponatet tjera me vlera kapitale nga territori i Kosovës është bartur për tu ekspozuar në Beograd. Përveç këtyre eksponateve janë marr edhe materiali arkeologjik që u zbulua në kompleksin e Manastirit të Krye engjëjve në Prizren. Gërmimet e bëra gjatë viteve 1992, 1993, 1994 janë udhëhequr nga prof. Mihajl Milinkovic. Materialin e zbuluar prof. Milinkovic e publikoi në revistën e shoqatës së arkeologe të Serbisë “Glasnik”, nr. 11 me titull “Kërkimet e reja arkeologjike në kompleksin e Shën Arangjelit në Prizren”. Në këtë rast u zbuluan 22 eksponate me vlera të jashtëzakonshme për kulturën materiale të Kosovës. Nga materiali i zbuluar ka dhe material të periudhës së Eneolitit (rreth 3000 vjet para erës së re). Në këto gërmime asistoi dhe Luan Koçbashliu, arkeolog.

2 Muzeu i qytetit të Mitrovicës

Ky muze është themeluar me 15 Shtator 1952. Deri në vitin 2008 ishte i vendosur në lokalet e adaptuara të hamamit të qytetit. Koleksioni i këtij muzeu paraqet zhvillimin historik të qytetit dhe të rrethinës me materiale arkeologjike, etnografike dhe minerale të minierës së Trepçës pjesërisht të ekspozuara në këtë muze. Me rastin e organizimit të ekspozitave me thesar arkeologjik dhe etnologjik nga Kosova në Beograd janë marrë një numër i madh i materialit muzeor me vlera kapitale. Më vonë është bartur për në Serbi edhe i tërë dokumentacioni, si librat e regjistrimit dhe fotografitë, regjistrat e inventarizimit etj. Vlen të ceket se ka eksponate nga Muzeu i Mitrovicës që figurojnë në katalogun e ekspozitës për të cilat nuk është lëshuar kurrfarë dokumenti që janë marrë revers. Përveç kësaj janë uzurpuar lokalet e muzeut që gjenden në pjesën veriore të qytetit me tërë fondin muzeor dhe dokumentacionin. Duhet cekur se material muzeor nga rajoni i Mitrovicës është bartë për në Serbi edhe para Luftës së Dytë Botërore e të cilat kurrë nuk ju kanë kthyer Muzeut të Kosovës.

3  Muzeu Regjional i Gjakovës

Muzeu regjional i Gjakovës është themeluar më 09 Tetor 1951 si muze popullor i qytetit. Në fillim u mblodhën eksponate nga LNÇ në regjionin e Gjakovës. Më vonë u pasurua me eksponate arkeologjike dhe vjeljen në terren të materialit etnografik. Në vitin 1971 me vendim të këshillit komunal prej muzeut të qytetit shndërrohet në muze regjional. Muzeu i ka të punësuar 4 punëtor, tre prej tyre janë me fakultet dhe një mirëmbajtëse, por ndihet nevoja për të punësuar dhe një etnograf. Në sektorin e historisë ky muze i ka 3800 dokumente që dominojnë kryesisht nga rilindja kombëtare,  eksponate nga Lidhja  Shqiptare e Prizrenit. Në sektorin e etnografisë ka gjithsejtë 900 eksponate, por kryesisht mungojnë disa veshje tradicionale. Arkeologjia nuk është themeluar si sektor dhe muzeu ka rreth 9-10 eksponate. Pronar të parë të objektit njihen familja Sinaj, Hoxha (Haxhibeqiri). Objekti është mjaftë i bukur dhe në gjendje të mirë.

4 Muzeu i Kristaleve në Stantërg

Muzeu i Kristaleve në Stan Tërg, Mitrovicë është në mbrojtje prej vitit 1969. Muzeu është ndërtuar në vitin 1963 ka filluar të funksionoj në vitin 1965. Në Muze janë të ekspozuara 1150 ekzemplar që prezantojnë më se 51 lloje të ndryshme të kristaleve. Në muze janë të ekspozuara edhe shumë ekzemplar të kristaleve nga vendet tjera si Meksika, Gjermania etj. Ky muze është themeluar nga kombinati Xehtaro-metarlugjik-Kimik “Trepça” në vitin 1965. Koleksioni paraqet pasurinë minerale të minierës së Trepçës, pjesërisht të Artanës dhe koleksione të mineraleve nga minierat tjera të dhuruara këtij muzeu.

Ky muze ka një numër të madh kristalesh që janë të ekspozuara në një hapësirë të pa rinovuar dhe pa interesim të duhur. Një numër i eksponateve është i vendosur në Muzeun e qytetit të Mitrovicës. Muzeu i Kristaleve është mirë mbajt nga Kombinati i metalurgjisë në Trepçë, dhe ka të punësuar një gjeologe. Në këtë muze ka të ekspozuara  një numër të eksponateve më të njohura nga rajoni dhe bota dhe një numër të vogël gjetjesh vegla pune nga miniera e Artanës. Për marrjen në mbikëqyrje të këtij muzeu dhe sektorit të natyrës mendoj se duhet të vendoset në Parlamentin e Kosovës. Duhet parë mundësinë që të rregullohet çështja e sektorit të natyrës kur dihet se në kuadër të M.P.H.M.N, vepronte Instituti i Natyrës, tani agjencion i pavarur,  kurse sektori i Natyrës si muze në kuadër të Muzeut të Kosovës.

5  Muzeu i Elektro-Ekonomisë së Kosovës

Shfrytëzimi  i energjisë elektrike në Kosovë ka filluar që nga viti 1922 në Ferizaj në mullirin e një hoxhe të pa emërtuar instalohet një agregat i cili ditën shërbente për nevojat e mullirit, ndërsa natën për ndriçimin e lokaleve të rëndësishme afariste, tregut dhe rreth 60 amvisërive. Për shkak të vjetërsimit pas pesë viteve ky agregat pushon së punuari. Më 1927 në Prishtinë ndërtohet një termocentral me avull me fuqi 60 KVA, dhe një hidrocentral mbi lumin Ibër për ndriçimin e Mitrovicës i cili pushon së punuari në vitin 1939. Më 1928 një agregat montohet në një mulli në Pejë i cili ndriçonte disa rrugë kryesore të qytetit. Më 1927 mbi lumin Bistëricë në Prizren ndërtohet centrali elektrik me fuqi 160 KVA, ndërsa pas 8 viteve montohet agregati i dytë ku fuqia rritet në 320 KVA. Ky hidrocentral ishte teknikisht më i pasuri në Kosovë. Më 1931 në Prizren kanë qenë tri trafostacione të tensionit 6/04 KV me fuqi 175 KVA dhe prodhim 220.000Kh. Enti për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të komunës së Prizrenit më 8 nëntor 1979, me rastin e 50-të vjetorit të lëshimit në punë të agregatit të parë dhe elektrifikimit të Prizrenit, në lokalet e këtij objekti e hapi Muzeun e Elektro Ekonomisë së Kosovës. Ndërtesa e Muzeut, me të gjitha stabilimentet, është shpallur përmendore kulturore me vendimin e Entit për mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Komunës së Prizrenit nr. 50 të datës 02 shkurt 1977.

6 Instituti i Monumenteve dhe Muzeu rajonal i Prishtinës

Ky institucion është i vendosur në barakë prapa Kuvendit Komunal të Prishtinës i cili vepron në kushte të pa përshtatshme pasi që selinë e këtij institucioni e uzurpoi para luftës së vitit 1999 i atëhershëm dhe në këto lokale u vendos Instituti për kërkime të kulturës Serbe e malazeze. Ndërsa menjëherë pas lufte në këtë ndërtesë është vendos një shoqatë joqeveritare Greke. Në vitin 2002 në këtë ndërtesë vendoset Ministria për Planifikim Hapësinor. Në shfrytëzim të këtij institucioni ishte edhe Hamami i madh në Prishtinë në rr. e Iljaz Agushit që nga viti 1981 i destinuar për muze të qytetit të Prishtinës. Këtë objekt delegatët e kuvendit të Prishtinës në fillim të vitit 2002 me një vendim këtë objekt ia kanë dhënë në shfrytëzim Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Me qenë se është vendos që Akademia të ndërtohet në një vend tjetër Komuna e Prishtinës ka në plan restaurimin e këtij objekti dhe vendosjen e muzeut komunal. Deri më tani ky muze nuk funksionon.

7 Muzeu Etnologjik në Pejë

Muzeu etnologjik në Pejë është themeluar në vitin 1977, me vendim të kuvendit komunal në Pejë. Ky muze ka filluar punën në vitin 1983. Në vitin 1989 muzeu nga shtëpia e kulturës kalon në objektin e konakut të Tahir Beut.

Në vitin 2000, muzeu hapi ekspozitën e vet etnologjike, me karakter të përhershëm. Muzeu gjendet në qendër të qytetit dhe ka 6 punëtor të punësuar, financohet nga Kuvendi komunal në Pejë.

8 Muzeu Komunal Skenderaj

Në komunën e Skenderajt, Muzeu Komunal funksionon që nga viti 1983 në kuadër të DKRS-së me seli në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj. Gjatë luftës së viteve 1989-1999 objekti i Shtëpisë së Kulturës pëson shkatërrime të mëdha, ku u plaçkitën disa eksponate kurse të tjerat u shkatërruan. Pas lufte është bërë përpjekje për shtimin e eksponateve dhe deri më tani janë grumbulluar gjithsejtë rreth 400 eksponate të arkeologjisë, etnografisë dhe nga lufta e fundit. Eksponatet janë të vendosura në hapësirë të pa përshtatshme që brengos prezenca e lagështisë dhe mungesa e interierit.

9 Muzeu komunal në Fushë Kosovë

Ky muze është themeluar pas luftës së fundit me vendim të Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës. Deri më tani janë grumbulluar rreth 1000 eksponate të ndryshme. Në muze janë punësuar 3 punëtor të cilët kujdesen për grumbullimin, ruajtjen dhe sistemimin e materialit muzeor.

10 Muzeu komunal në Vushtrri

Muzeu historik-etnografik i qytetit të Vushtrrisë është themeluar në vitin 2005 me vendim të kuvendit komunal. Muzeu është vendosur në një nga zyrat e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, me ca eksponate të ekspozuara dhe vetëm me një punëtar konsiderohet të jetë muze modest i një qyteti mjaftë të lashtë. Muzeu ka eksponate të ndryshme dhe mendohet që të ndahet në disa sektor: Sektorin e historisë, arkeologjisë dhe etnografisë. Iniciativa të tilla për themelimin e muzeve ka edhe në komuna tjera por akoma janë shumë larg që qytetet e Kosovës të kenë muze të paktën që plotsojnë kushtet minimale që të grmbullahet dhe sistemohet materiali muzeor.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora