Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Margarita Xhepa: Me artin tim evidentoj vlerat pozitive të nënës dhe gruas shqiptare

| E diele, 02.03.2008, 07:48 PM |


Margarita Xhepa
Nga Leontina Nika
 
Ushqimi kryesor i aktorit është mësimi, vëzhgimi dhe leximi i jetës

Eh moj vajzë, kujtimet janë të shumta! Sa më shumë kalojnë vitet, shtohet malli dhe nostalgjia e shpesh më duket sikur nuk kam bërë asgjë. Tani që jam pjekur jo vetëm në moshë - megjithëse mosha është ajo që të bën më të mençur - por edhe nga përvoja e jetës, si dhe duke jetuar me artin, kërkoj ushqimin kryesor të aktorit: të mësoj të vëzhgoj dhe të lexoj jetën. Të mësoj çdo ditë. Dija nuk ka fund. Shqetësimet janë të mëdha dhe, për t’i lartësuar ato duhet shumë punë; përpos talentit, duhet përkushtim me seriozitet të madh. Fjalët punë dhe seriozitet do doja t’i nënvizoja me laps shumë trashë, pasi kanë qenë karakteristika ime kryesore në karrierën artistike. Serioziteti, me të cilin kam punuar, gërshetohet me dashurinë dhe respektin për profesionin. Mbi të gjitha, është ky seriozitet që të vë në pozita pune për t’i thënë vetes se çdo rol është provim, çdo rol do të veçantën dhe merakun e vet, për t’i përcjellë spektatorit figura të freskëta, të reja, që mos t’i ngjajnë njëra-tjetrës, sepse jeta është e larmishme. Ky ka qenë një shqetësim i bukur dhe i nevojshëm artistik, që vazhdoj ta kem edhe në këtë moshë, kur sedra është edhe më e madhe. Përgjegjësia qëndron përballë spektatorit, mbi të gjitha, por edhe përpara regjisorit që ma beson personazhin. Në emër të brezit tim, do të thosha se gjetëm një teatër ku morëm shumë nga impenjimi serioz dhe përkushtimi i madh. Arritëm të krijojmë emrin e mirë të teatrit e të kinematografisë shqiptare, edhe pse nuk e kishim Akademinë e Arteve, siç e ka sot brezi i ri. Falë punës dhe pasionit të madh mundëm të fisnikërojmë veten dhe spektatorin. Sot, sigurisht që ndjejmë kënaqësi, pasi kemi marrë disa çmime që na gëzojnë. Por, mbi të gjitha do të theksoja respektin dhe mbështetjen që spektatori na ka dhënë herë pas here, për sjelljen e figurave të ndryshme artistike përmes roleve që ne kemi krijuar së bashku, si artistë. Spektatorit arti ynë i kanë dhënë kënaqësi, ndaj nuk i ka kursyer kurrë duartrokitjet. Kontributin që ne kemi dhënë nuk e kemi krahasua fare me anën materiale.

Roli i parë në teatër

Roli i parë erdhi atëherë kur nuk dija ta njihja teatrin, e doja atë, por nuk e kuptoja. Kjo ka qenë e fshehta ime, të cilën nuk e shprehja dot me fjalë. Ishte pasion dhe gëzim, jo për ta parë veten në art, por edhe për ta ndier atë në vetvete e për t’i dhënë diçka nga vetvetja. Në skenën e Teatrit për herë të parë jam ngjitur me një pjesë ruse me katër batuta. Kisha rolin e një shërbyeseje, nuk kishte shumë fjalë, por u krijua një besim te regjisori Pandi Stillo. U prita mirë nga spektatori në sallë. Ajo çka më bënte më shumë përshtypje ishte fakti se nuk u nisën nga pamja ime e jashtme, sepse kur kam qenë e re isha pak e lezetshme.

Filmi i parë

Për koinçidencë ka titullin “Vitet e para”, më 1964-n. Ishte rol negativ, por që e trajtova sikur kisha të drejtë. Thonë se nuk është realizuar keq. Isha e re atëherë, por ky rol pasoi role të tjera.

Veçimi i roleve

Mendoj se ka role që veçohen vetvetiu, sepse janë të shkruara më bukur, ke partnerin më të mirë, si dhe regjisorin. Por ama meraku dhe dashuria, për të përçuar një personazh të arrirë te shikuesi qëndron gjithnjë brenda meje. Disa role shkëlqejnë më shumë, tjetri ka një vend që e justifikon veten më mirë. Do veçoja disa, si për shembull personazhin e Files te “Cuca e maleve”. Ishte rol që më jepte kënaqësi, sepse kjo vajzë shqiptare kishte dëshirë të mësonte ABC-në, të shkonte në shkollë dhe të dinte më shumë nga jeta. Këtë dëshirë e lidh me veten time, sepse edhe unë, si Margaritë, gradualisht fillova të ngjis shkallët e Teatrit, sepse aty erdha fillimisht me 7-vjeçare e më pas mbarova Liceun për dramë. Mbetet po simpatik filmi “Lumi i vdekur”, sepse është i pellgut tim. I dija ato ngjarje, histori dhe rrëfenja që përshkojnë veprën. Ndërkohë që “Pylli i lirisë” zë vend të veçantë në shpirtin tim, pasi kam gjithë kujtimin e nënave myzeqare që janë aq të dashura, të mençura dhe mikpritëse e që, mbi të gjitha, duan njeriun dhe punën. Vazhdimisht më kujtohet një thënie e babait tim. Isha e vogël atëherë, por e mora dhe e bëra njësh me veten time, kur më thoshte “Të duash punën dhe njerëzit!”. Kjo më ka udhëhequr gjithnjë: duhet t’i duash njerëzit, sepse puna bëhet me ta.

Shpesh ju është besuar roli i nënës dhe gruas stoike, por që mbart në vetvete edhe sentimentalizëm femëror të theksuar. Pse regjisorët ju kanë parë shpesh kështu?

Kjo është shumë e vërtetë. Shpesh ma kanë drejtuar këtë pyetje në auditorë të ndryshëm, ku u jam përgjigjur se i takon më shumë regjisorit si pyetje. Megjithatë, këtë e ndiej edhe në veten time, sepse në jetë duhet shumë punë. Talenti sigurisht që qëndron i pari, por nuk duhet harruar dhe përshtatshmëria. Siç duket, regjisorët shohin tek unë përputhjen me pozitivitetin. Më tepër jam portret i pozitivitetit sesa i negacionit. Shumë pak role negative kam luajtur në jetën time.

E dua një rol nëne të tillë... 

Shpesh mendoj me vete se kur do të vijë një rol nëne, me këtë ngarkesë të madhe që ka vendi ynë, por në veçanti nënat tona. Ndoshta në jastëk nuk i zë gjumi, u këputet loti për fëmijët që kanë larg, si dhe për shumë gjëra që shohim dhe dëgjojmë. Akoma nuk po pasqyrohet gruaja jonë, ajo nëna që, edhe pse e zhytur mes hallesh e problemesh gjen forcë në vetvete dhe i kapërcen. Duhet të pasqyrohet nëna jonë edhe si zgjidhje e problemeve. E kam peng në zemër, sepse dua të vijë një nënë e tillë e kompletuar. Të pasqyrohet bërthama e familjes me një grua bujare, sepse kur familja e ka një nënë të mirë çdo punë shkon mirë. Një familje është si një qytet i vogël dhe shumë familje bëjnë shtetin e madh. Gruaja shqiptare është shumë e ngarkuar dhe nuk duhet trajtuar thjesht si garniturë, pasi është shumë luftarake dhe u jep zgjidhje problemeve me shumë zgjuarsi.

Rëndësia e partnerit

Sa herë që më ofrohet një rol, pyes regjisorin se kë kam partner. Dua të di moshën e tij, në mënyrë që mos të krijohet asnjë artificialitet. Është shumë i rëndësishëm ky fakt, sepse me të do ndërtosh lojën aktoreske përmes dialogut.

Refuzimi i roleve

Më kujtohet koha kur nuk i kisha as 40 vjeç. Më ofrohet një pjesë mjaft interesante, ku në qendër kishte një vajzë të re që i vritet i fejuari në luftë. E refuzova me dhimbje, sepse në atë kohë nuk isha shumë e angazhuar. Aktori e thotë me dhimbje jo-në, por nuk kisha moshë për atë rol; stonoja sepse edhe partneri ishte goxha më i ri dhe unë nuk e ndjeja veten mirë. Kur je e re e bën më lehtë plakën, me pak truk, ndërsa e anasjella ka vështirësi. Arti ka nevojë për mosha. Nuk ka pse e reja të sforcohet e të bëjë të vjetrën, kur e ke këtë aktore, dhe as e vjetra nuk ka pse të bëjë të dashurën, kur ke aktore të reja. Nuk duhen bërë gabime të tilla. 

Për artistët e rinj

Nëse i referohemi repertorit që ka pasur Teatri, do të thosha se ka qenë një ngarkesë e jashtëzakonshme. Jemi nëna, dikush rriti dy a tre fëmijë. Çdo natë shfaqje, prova paradite, por dashuria për profesionin i bën sfidë çdo gjëje. Do të dëshiroja që edhe këta të rinj ta marrin këtë pasion seriozisht, sepse njeriu kur dashuron punën bën gjithçka. Duhet përpjekje, dashuri për profesionin, përgjegjësi e vazhdueshme, sepse roli që realizove iku. Nuk thuhet se bëra atë, por nuk duhet harruar edhe roli që ke tani e të tjerët që do të vijnë më pas. Aktori duhet të punojë shumë dhe të mos kënaqet asnjëherë me veten.

Çmimet dhe rëndësia e tyre

Kanë vlerë jo thjesht si shpërblim pune, por japin edhe kënaqësi artistike. Jam shumë dakord që populli na do dhe na duartroket, por kur përcaktohet edhe nga instancat përkatëse e ngre në nivelin e duhur autoritetin e artistit. Çmimin e parë Të parë e kam marrë me rolin e Kleas te “Dhelpra dhe rrushtë”, pjesë e Ezopit, në Festivalin e Parë të Teatrove.

Analiza e rolit

Përvoja e viteve bën të vetën, sepse në fillim e lexon njëherë, edhe dy, por tani, që me leximin e parë bën skicën e personazhit. Ky personazh çfarë halli ka, si do e emërtoj? Për shembull ky rol është bubullimë, sepse ka këtë hall të madh. Në bazë të emrit që i vëmë, zbërthejmë edhe karakterin. Mënyra e shprehjes ka rëndësi të veçantë. Dikush shan me shumë kulturë, dikush është më harbut. Pas skicës, në prova e mbush atë me shpirt, me mish, me lëkurë dhe e ngre në këmbë.

Bashkëpunimi me brezin e ri 

Po, kam bashkëpunuar vjet me Juliana Sinanin, në pjesën e Çehovit “Kënga e mjellmës”. Ajo po mbronte diplomën. U desh një telefonatë, që të vinte këtu në kafe ku jemi bashkë. E pranova me kënaqësi ftesën, vetëm me kushtin që ta lexoj pjesën më parë. Sapo e lexova, më tërhoqi shumë. Edhe në këtë rast përshtatshmëria më rrëmbeu; e pashë brenda moshës sime dhe dramacitetit tim, si dhe të aktivizimit të një aktoreje që ka jetë të gjatë në teatër. Duke u bazuar në këto pika, vendosa menjëherë. Pavarësisht se ajo ishte vajzë e re, ne ndihmuam njëra-tjetrën. Unë përfitova nga ajo dhe ajo nga unë; rolin e realizuam bashkë. I ndjek me vëmendje shfaqjet e studentëve dhe aktorëve të rinj, pasi ato sjellin diçka të re, pozitive e të kohës. Përsëri, po të kem ndonjë propozim të tillë do e pranoj me kënaqësi. Me këtë rast, dua ta falënderoj Julin, sepse ishte bashkëpunim shumë i këndshëm.

Jo vetëm si aktore e famshme, por ju kam parë në disa sekuenca edhe si prezantuese në i festivalin e parë të këngës në RTSH.  

Ndonjëherë merren prezantuese që nuk janë aktore dhe mendoj se bëjnë shumë mirë realizuesit. Janë të hijshme nga pamja dhe kanë elokuencë në të folur. Hasim shumë shembuj, jo vetëm në festivalin e fundvitit, por edhe në emisione të ndryshme. Personalisht, i shoh me ëndje dhe i përgëzoj. Në kohën e rinisë sonë nuk ishte ky zhvillim dhe guxim, kështu që organizatorët i hidhnin sytë nga Teatri. Nga brezi i vjetër kam qenë më e reja, pasi u nisën paksa edhe nga pamja ime. Skenën e zotëroja, e kisha bërë timen. Ishte emocion i veçantë. Kisha edhe diçka plus, sepse që e re jam marrë me poezinë; kam dalë vetëm në skenë dhe nuk kisha asnjë problem, pra edhe sikur të isha vetëm. Partner kisha regjisorin Luigj Gurakuqi, artist i mirëfilltë e me një zë të bukur, të mirë, të kadifenjtë.

Filmat e fundit, “Ne dhe Lenini” dhe “Pallati nr. 7”

Të flasësh për filmat është pak e dhimbshme, sepse, kur mendoj se dikur kemi xhiruar dy-tri filma brenda vitit, sot angazhimi është shumë i pakët. Para ca muajsh xhirova një skenar të Ruzhdi Pulahës, “Streha e të harruarve”, ku ai bashkëpunoi me një skenarist francez, në gjuhën e filmit sigurisht. Brenda asaj shfaqjeje mbeti edhe linja ime. Filmi titullohet “Ne dhe Lenini”, me regji të Saimir Kumbaros, i cili krijoi një atmosferë shumë të këndshme gjatë xhirimit. Filmi u xhirua në azilin e pleqve të Kavajës, me një staf aktorësh shumë të mirë. Gjëja e bukur ishte se u krijua atmosfera reale e moshës së tretë. Që të mos ndiheshin të braktisur, për t’u krijuar kënaqësi këtyre të moshuarve që jetonin aty, morëm shumë prej tyre e kështu u gërshetuam me hallet dhe brengat që ata kishin. Mallin që u vlonte për familjen: dikujt i kishte vdekur gruaja, dikush i kishte fëmijët larg. Ana teknike ishte e tëra franceze, pasi u xhirua me operatorin e njohur Nino Çeleste. Mendoj se do të jetë film shumë i këndshëm e që pritet të dalë pas dy muajsh.Këto ditë mbarova xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Pallati nr. 7”, me skenar të Artan Minarollit dhe regji të Ilir Harxhit. U xhirua diku në një pallat në kryeqytet. Ka temë sociale dhe mban qëndrim  objektiv, disi kritik ndaj ndërtuesve që krijojnë pallate me shkallë të ngushta. Me të drejtë, them se janë bërë edhe gabime të tilla.

Ndryshimi i look-ut në filma

Për mua look-u në skenë është e kundërta e jetës. Në jetë nuk e kam pasur këtë shqetësim, që të shkoj te frizieri, të rregullojë flokët e të bëj tualet, ndërsa për personazhet po. Veten e kam parë në mënyrë shumë modeste, si në veshje dhe në grim. Për personazhin mendoj shumë, sepse ana e jashtme plotëson karakterin. Mendoja se ky rol e do krehjen kështu; ky personazh e do grimin fin; kjo gruaja mund të jetë me fustan të arnuar, por të pastër, si dhe me një shami të zbardhur, siç është te “Pylli i lirisë”, pasi e kërkova vetë të ishte e tillë. Kërkesat për personazhin i kam pasur dhe do i kem gjithnjë, sepse ana e jashtme pasqyron shijen dhe botën e saj. Më është dashur të humbas 20 kilogramë kur më është dhënë roli te “Pylli i lirisë”, sepse isha e shëndoshtë, siç jam tani. Kjo grua ishte tepër e varfër, sa me zor e shtynte jetën me dy jetimë. E si mund të ishte ajo e shëndoshtë, e bukur dhe e veshur mirë?! Ajo ka një dramë brenda, si mund të vishej bukur?! Ajo ka dy bluza modeste, një krehje të thjeshtë, sepse ishte e vrarë.

Mesazh për brezin e ri.

Na gëzon fakti që teatrin dhe filmin tani e mbajnë të rinjtë, sepse vijnë të përgatitur nga Akademia e Arteve. Ne nuk e patëm atë fat, sepse në rininë tonë nuk ishte ngritur ende. Janë të kanalizuar, e kanë marrë ABC-në e aktorit. Do u sugjeroja ta duan artin dhe të punojnë për të, ashtu siç punuam ne dhe që vazhdojmë ta duam derisa të kemi shëndetin.

Diçka që s’e keni thënë kurrë.

Jam e gëzuar, shumë, shumë... Falënderoj genin tim fillimisht, pasi i mora shqisat e para nga familja, si dhe diçka nga trashëgimia e popullit tim. Këto më kanë frymëzuar vazhdimisht që t’i shërbej artit dhe të evidentoj, po me artin tim, ato gjëra pozitive që ka në veçanti gruaja dhe nëna shqiptare.

© Spekter