Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flasin këngëtarët e mirënjohur Sinan Hoxha, Xhavid Dedej dhe Petrit Lulo

| E diele, 22.01.2012, 06:00 PM |


Mes emigrantëve në festa ndihesh si mes pjesëtarëve të familjes

 

Nga Albert ZHOLI

 

Në festat e Krishtlindjeve dhe të Vitit të ri, këngëtarët  e mirënjohur Sinan Hoxha, Xhavid Dedej dhe Petrit Lula ishin të ftuar në Itali dhe në Greqi. Tashmë lidhjet e tyre me spektatorin shqiptar emigrator është bërë i pandashëm për vetë faktin e reputacionit që këta këngëtarë  kanë përcjellë në vite tek artdashësit brenda dhe jashtë atdheut. Këngëtarët në këto koncerte ishin së bashku me grupin muzikor “Albanët”, kryetar i së cilës është z. Gojard Kodra. Grupi muzikore “Albanët” është themeluar që prej 8 vitesh dhe ka lidhje të vazhdueshme me të gjitha shoqatat e shqiptarëve nga Australia, Amerika, Kanadaja pa diskutuar shtetet europiane. Kohët e fundit ky grup me këngëtarët më të mirë shqiptarë të këngës popullore ka dhënë shumë koncerte kryesisht në Greqi dhe në Itali. Sipas Hoxhës, Dedej dhe Lulos bashkëpunimi me këtë grup ka qenë shumë i suksesshëm dhe kjo tregohet nga vetë ftesat e shumta sidomos nga shoqatat e shqiptarëve në Europë.

 

Sinan Hoxha

 

Si i kaloi Sinan Hoxha festën e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri?

Si gjithmonë në punë, në lëvizje. Ndoshta këto ditë për mua janë më intensive dhe se ditët e verës. Ka shumë kërkesa dhe shumë lëvizje.

Ku shkoi konkretisht Sinani në këto dy festa me përmasa botërore?

Së pari shkova së bashku me këngëtarin e mirënjohur Xhavid Dedej në Itali (për Krishtlindje) në qytetet Breshia dhe në Lodi. Organizator apo me thënë ftesën na e bënë shoqatat shqiptare aty. Në Itali së bashku me grupin “Albanët na ftuan emigrantët me banim në Itali, Altin Beqja dhe Alban Dushi (në Breshia) ndërsa në Lodi na ftoi kryetari i shoqatës së shqiptarëve Ilir Terziu. Fill pas tyre ftesa me grupin muzikor “Albanët” erdhi për në Greqi.

Si ishte atmosfera e Krishtlindjeve në Itali?

Shumë e ndezur. Shumë e bukur. Të gjithë këndonin së bashku me ne. Ndoshta në Itali emigrantët janë më të organizuar, më të lidhur me atdheun.

Cilat ishin këngët më të preferuara?

Këngët patriotike dhe këngët popullore jugore. Kënga e Çerçiz Topullit apo Hajredin Pashës janë ndër më të kërkuarat. Por në përgjithësi këngët popullore janë më të preferuarat. Madje, mund të them më shumë se këngët e muzikës së lehtë.

Gjithmonë në udhëtim. Si ndihet Sinani?

Tashmë s’më bën përshtypje. Ndihem mirë. Ky është profesioni im, rruga që kam zgjedhur në jetë. Kryesorja është që këngët e mia pëlqehen dhe kudo marr duartrokitje. N.q.s do më mungonin këto atëherë do ndihesha keq. Shtëpia ime tashmë është avioni.

Ku ishte më e ndezur atmosfera në Itali apo në Greqi?

Në Itali. Emigrantët ishin më kompakt dhe të dëshiruar pas këngëve patriotike. Aty s’u ulën asnjë çast emigrantët, por kërcenin dhe këndonin bashkë me ne. Madje, këndonin në kor duke thyer rregullat këngëtar spektator. Ishin shumë miqësor.

Mos vallë do të thotë se kriza në Greqi ka ndikuar tek optimizmi i emigrantëve?

Besoj se po. Në Greqi s’ishte më ajo atmosfera e disa viteve më parë. Ndoshta ishte dhe se festat ishin tepër të gjata.

Si ndihet Sinani mes thashethemeve?

S’më bëjnë përshtypje. Janë pjesë e jetës, por në Shqipëri marrin përmasa të papara.

Ç’është dashuria për Sinanin?

Është si kënga, si muzika. Pa të jeta duket pa timbër. Është ndjesi që të jep fuqi, optimizëm, relaks, motiv.

 

Xhavit Dedej

 

Ky vit ishte më i ngarkuar se i pari?

Sigurisht. Në Itali shkuam në dy qytete dhe mes një spektatori të paparë. Krishtlindjet në Itali festohen me madhështi dhe ne u munduam t’u përshtateshim kërkesave të spektatorëve.

“Ç’desha që kalova andej nga Shijaku”, ndoshta kënga juaj më e bukur?

Unë të gjitha këngët i kam të bukura, por spektatorët apo dashamirësit e këngës e duan edhe nga teksti. Është një këngë që është bërë masive dhe ndihem mirë për këtë. Nuk ka koncert që të mos e këndoj dy herë.

Cila këngë tjetër e repertorit tuaj ka po këtë rëndësi?

Të thashë unë si ndaj këngët, por tjetër do të them që është “Vishe çun këmishën”.

Ku ndihet mirë më koncerte Xhavidi, në Shqipëri apo mes emigrantëve?

Të them të drejtën atmosferën që ndesha ditët e Krishtlindjeve në Itali e gjen rrallë në Shqipëri. Malli për atdheun ndoshta i bën emigrantët më të dashur me ne dhe më të lidhur me këngën popullore.

Lëvizje, avion, skenë, ndihet i lodhur Xhaviti?

S’e kam menduar lodhjen. S’e di. Ndoshta ngaqë i tillë është profesioni im. Më është bërë rutinë lëvizja. S’kam fobi.

Sot ka shumë këngëtare femra a janë ato konkurruese për meshkujt?

Të jemi të sinqertë këngëtaret femra janë më të preferuara për shumë arsye, por kryesorja është se ato janë gjini tjetër, më delikate, më tërheqëse, mund të lidhen me spektatorin më shumë nga paraqitja. Këto janë disa elementë. Por kur vjen puna tek kënga spektatori di të zgjedhë. Jo të gjitha janë këngëtare, por disa herë i japin rëndësi bukurisë. Të jemi realistë janë shumë dhe deri diku konkurrojnë disa këngëtarë, por jo profesionistët e vërtetë.

 

Petrit Lulo

 

Si do ta fillojë intervistën këtë vit Petrit Lulo?

Me një urim. Gëzuar Vitin e Ri 2012! Begati, shëndet, lumturi për gjithë shqiptarët kudo që janë!

Ky vit i ri ju gjeti në Greqi. Si kaluat?

Shumë mirë. Mes bashkatdhetarëve tanë ndihem mirë kurdoherë. Në Greqi shkoj çdo vit dhe e kam bërë si shtëpinë time. Ja ku është. Një hap nga Gjirokastra ime, por edhe nga Tirana e bekuar s’është larg.
Keni bashkëpunuar më parë me grupin muzikor “Albanët”?

Kam bashkëpunuar disa herë, kam qenë i vlerësuar dhe shumë komod. Është grupi më i kërkuar në emigracion.

Ka në plan ndonjë album Petriti?

Unë këndoj çdo ditë. Jam në skenë kudo. Bëj këngë të reja. Për mua çdo këngë e re hap siparin e një albumi mes spektatorëve.

Kënga më e preferuar për ju nga emigrantët?

Kënga e Gjirokastrës. Por në repertorin tim ka shumë këngë të pëlqyeshme nga emigrantët qoftë edhe me karakter patriotik “syzeza vetulla pe”,  etj…

Përse preferoni të shkoni jashtë për koncerte në këto festa?

Ka shumë arsye, pagesa më e mirë, atmosfera më e ndezur, malli për miqtë të afërmit..

Gojard Kodra, kryetar i grupit muzikor “Albanët”

Grupi muzikore “Albanët” është themeluar që prej 8 vitesh. Pjesëtarët e grupit janë: Ardian Malaj – violinë dhe saksofon, Arben Shyti  – kitarë, Gentjan Cara – drums, Gojard Kodra – organ si dhe drejtues muzike. Qëllimi i këtij grupi është të luajë sa më bukur muzikën shqiptare dhe pa e deformuar atë. Grupi muzikor  “Albanët”  ka një lidhje të gjerë përsa i përket trevave shqiptare. Koncertet që kemi marrë pjesë kanë qenë të shumtë, pothuajse në gjithë Europën, Australi. Koncertet  e  fundit kanë qenë më rastin e festive të Krishtlindjeve dhe të Vitit të ri 2012