E shtune, 20.04.2024, 10:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Një poeteshë e shquar rumune që mburret me prezencën e saj në gjuhën shqipe

E shtune, 21.01.2012, 06:45 PM


Një poeteshë e shquar rumune që mburret me prezencën e saj në gjuhën shqipe

 

Nga Baki Ymeri

 

E prezantuar me dy vëllime në gjuhën shqipe, Florica Bud është një krijuese e talentuar për të cilën kanë shkruar personalitete të shquara të botës letrare rumune. Sipas kritikut Horia Gârbea, Florica Bud praktikon një gjini të rrallë në letërsinë bashkëkohore. Shkrimi i saj është në përkufizim ndëmjet fikcionit, eseut dhe publicistikës. Eksperienca e vëllimeve paraprake të saj, dedikuar si fëmijëve dhe të mëdhenjve, ia shtojnë vlerën teksteve që bëhen të kapshme dhe të brishta. Florica Bud është një shkrimtare që përpiqet ti përvetësojë të gjithë përmes brishtësisë. Në botën letrare ajo manifeston plotësisht vokacionin kulturor, ngase ka talentin  për ti afruar artistët dhe për të mediatizuar me delikatesë krenarinë e tyre. Shkrimtarja nga Baia Mare është një Madame de Recamier e vitit 2000 që i mbron artistët nga pasojat e tranzicionit.

Përndryshe, Florica Bud u lind në komunën Ulemi të Maramureshit (21 mars 1957), ka kryer liceun në Baia Mare dhe ka studjuar në Institutin e Xeheve në Petroshan. Revolucioni antikomunist i Dhjetorit 1989 e gjen si programuese e Qendrës Territoriale të Llogarive në Baia Mare.  Është e martuar me deputetin Nicolae Bug dhe ka dy fëmijë (Roksana dhe Aleksandru). Ka debutuar në vitin 1993 me vëllimin me prozë të shkurtë, Dashuri jam një objekt që fluturon, duke botuar në ndërkohë vëllimet me prozë Billklintonienët (1999), Mariatereza jam unë (2007), Glina joshëse (2009), dy vëllime bilingve rumanisht/frëngjisht (Kolekcioni i Fundacionit Buona Fide, 2010), dy vëllime në gjuhën shqipe: Glina joshëse, 2009) dhe Flamuri i dëshirave (2010), prezente në antologjitë Çelësi i shpirtit (2008), Tempulli i fjalës (2009), Fluturimi i fjalëve (2009), Magjia e fjalëve (2009), si dhe në koleksionin Personaliteteve maramureshene të Bibliotekës së Rrethit “Petre Dulfu” (Baia Mare, 2008).

 

Për këtë misionare të fjalës inspirative ka shkruar me admirim edhe lideri i komunitetit shqiptar të Rumanisë, Dr. Xhelku Maksuti. Sipas poetit dhe kritikut letrar, Gheorghe Grigurcu, Florica Bud kultivon një gamë asociacionesh, një diskurs vlerash dekorative për t’u kundruar dhe çikur me ëmbëlsi. Fantezia e saj ofron lëndinën e një senzualiteti të metamorfozuar. Një çelës me dendësi formale e përkthen intencën e një estetizmi që turfullon me përmasë të madhe mbi ndjenjat, porsi një flutur me flatra të mëdha, duke lëvizur lehtë ndërmjet korolave. Impulset e shtresave primare të qenjes përpiqen të tërhiqen nga një ekspresion përmasash insulare, duke kërkuar me pangopshmëri koneksione tjera e tjera, duke e denoncuar qëllimin  e njerëzimit për t’i përmbushur „zbrazëtirat me çdo gjë tjetër/ veçse në dashuri”. Nganjëherë kjo kaplon aspektin e një ëndrre galante, në rozenë e mënyrës: “Jam nganjëherë/ zonjusha e nderit/ e plakave epshndezëse/ madje as për muerte rosa/ që shëmbëllejnë me mua/ stivon flokëdredhur gjylpëra të breut/ që do të na ngjesin me kushtëzim në qiej.

 

TEJMATANË LUMIT

 

Transparente dhe plot hije të shmangura

E ndodhur në rrjedhën e shenjtë

E gjej vetveten prore të zhubravitur

Në karrocën me tym

Hapsira tejmatanë mirësisë.

Këndejmbanë ligësisë përmes vesit të procedurës

Zëdhënësi i prurë

Në rang mbreti kultivon përbindësha.

Përmes citatesh të errëta bota ime

Satirë e gjerë epope minore

Kërkon zemërgjerësinë e gropës me luanë.

  

 

ALEXIUS

 

Përpiqem të infiltrohem

Si kukull në dyllin e nxehtë që derdhet

Mbi një ish/vend me përmasa

Paturpshmërisht të populluar

Me lugetër të larë në fildesh

Duke banuar në formulën e mrekullueshme

Të atyre të pushtetit të dytë një minus i gjorë.

Rrëshqas me butësi duke e shikuar

Me ëmbëlsi një katërkëndësh.

Bie mbi një bashkëkon të mëndafshtë

Dhe e ekstazuar nga parfumi i gjethit të manit

E humb Aleksiusin

Në pikën për të vajtur në…Romë.

 

 

GLINA JOSHËSE

 

Përkëdhelmë njeri i ndodhur në fillimet

Shpërndarës ngacmues verdiktesh

Të veridikuara vetëm nga profili mediatik.

Dëbomë njeri i ndodhur në santinelë

Mbi metereza të tmerrit

Nga trishtimi i zgërdheshur

Duke zbuluar thekset

E heshtjes së lënduar

Psikopatologjikisht

Të arsyeshme për natyrën.

Rimodelomë njeri prej dëbore

Që s’do të ketë keqardhje

Askurrë njashtu e bardhë...e e çiltërt

Duke derdhur me përngutshmëri

Plumb të shkrirë

Në formën time prej gline të tundosur.

 

"Më është bërë zakon që Florica Bud të më befasojë me çdo libër të ri, indiferent nga gjnia letrare që trajton, autorja duke shtjelluar me gjendshmëri, stile, kanone, konvecione. As ky vëllim vargjesh  aforistike nuk bën përjashtim, me formulime që i përkthejnë në përditshmëri ankthet e hapësirës publike dhe, përkundrazi, të unit të vetmuar."  (Dan Silviu Boerescu)

 

Estetizmi senzual i poeteshës Florika Bud

(Përkitazi me vëllimin Glina joshëse, Bukuresht 2009)

 

Para dy vitesh e pa dritën e botimit në gjuhën shqipe, një poeteshë e re rumune: Florica Bud. Libri del në  përkthim të autorit të këtij shkrimi, në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Subjekti elementar është dashuria, të cilën poeti Radu Kërneç e konsideron si një forcë magjike që që e mban këtë tokë të lidhur për qielli. Sipas parathënësit (Gheorghe Grigurcu), në fillim të shekullit XIX-të, lulëzonte në Vienën sharmante piktura e Gustav Klimtit, që na fanitej plot salltanete mëndafshi dhe kadifeje, një konstelacion stolishë të lazdëruara në ritme valsi. Në qendër të kësaj frononte gruaja e lëngshme, dashamire ornamentesh, ajo vetë një ornament i këtij arti të robëruar nga fama e Jugendstilit, një nga jakat e fundit të periudhës që mbante emrin La belle epoque. Më pëlqen të kundroj në poezinë e bashkëkohanikes sonë Florica Bud si një thërrimë të një vizioni të këtillë dhe, pse jo, si një ilustrim të tipit human që e promovon. Ndjeshmëria që e fisnikëron është vetëm një dukje pikturale.

Paleta koloristike të cilën e përdor në mënyrë provokuese, qoftë kur indikon një „të kuqe mbretërore”, të cilën e „Silabizon atërisht semafori/ kur/ e zbavitur/ harroj t’i mbuloj/ rrënjët/ me përzjerje çorbore/ prej diellit/  e çernoziomit.” (E kuqja mbretërore), qoftë kur përkulet me elegancë mbi çastin efemer: „Oh, vdektar me/ kohë e përshkuar/ me nxitim/ ndale fluturimin e këtij/ çasti me kundërmim të verdhë flamengo/ që refuzon/ të dashurojë/ hapsirën e magjepsur.” (E verdha flamengo),  qoftë kur invokon në mënyrë romantike/plastike një „vjollcë dashurie/ për vasha lucide/ të përkulshme dhe të ëmla”. Poetesha rumune, sipas parathënësit, vjen në gjuhën shqipe duke kultivuar një gamë asociacionesh, një teksturë dekorative për t’u kundruar dhe çikur me ëmbëlsi dhe delikatesë. Fantezia e saj ofron lëndinën e një senzualiteti të metamorfozuar. Një çelës intencionalisht formale e përkthen intencën e një estetizmi që turfullon me përmasë të madhe mbi ndjenjat, porsi një flutur me flatra të mëdha, duke u lëvizur ngadalë ndërmjet korolave: „Po rendi e trembur drejt teje/ bie e penguar për të prekur dheun/me ngjyrë të portokalltë nën flutura/nga fijet me shprehje të uritura/fis i varfër i fijes së Ariadnës/ajo nonkonformiste në etapën e parë e kënaqur pastaj/bie dhe më në fund mund të brohoras:/u dogja nga përmallimi ndaj teje!” (E portokalltë nën flutura)

Impulset e shtresave primare të qenjes përpiqen të tërhiqen nga një shprehje/ekspresion përmasash insulare, duke kërkuar me pangopshmëri koneksione tjera e tjera, duke e denoncuar qëllimin  e njerëzimit për t’o përmbushur „zbrazëtirat me çdo gjë tjetër/ sidomos me dashuri”. Nganjëherë kjo përfiton aspektin e një ëndrre galante, në rozenë e mënyrës Watteau: “Të dua/ rose des vents/ ma ka prishur këpucën roze/ nga sidefi i dantelluar/ jam nganjëherë/ zonjusha e nderit/ e plakave epshndezëse / madje as për muerte rosa/ që shëmbëllejnë me mua/ stivon flokëdredhur gjylpëra të breut/ që do të na ngjesin me kushtëzim në qiej.” (Rose des vents).

Zakonisht, Florica Bud i dorëzohet vullnetit të një përzjerjeje simpatike të Klintit dhe suprarealizmit, kështusoj i dozuar sa që i dyti mos ta bezdisë thurrjen madhështore të të parit, „e leckosur nga/ vuajtjet/ turbulluese dhe hijerëndë/ argjent i gjallë që kullon në tulin tim/ të përmbushur/ me epsh të zjarrtë”. (Guantanamera) Është një brokart i flakur mbi zbrazëtirat që, definitivisht e orientojnë aq herë punën mjeshtërore të dorës dhe mëndjes njerëzore. Përndryshe, autori i parathënies, Gheorghe Grigurcu, është poet, eseist dhe anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Rumanisë. Sipas një autori tjetër (Dan Silviu Boeresku), më është bërë zakon që Florica Bud të na befasojë me çdo libër të ri, indiferent nga gjnia letrare që trajton, autorja duke shtjelluar me gjendshmëri, stile, kanone, konvecione.

As ky vëllim vargjesh  aforistike nuk bën përjashtim, me formulime që i përkthejnë në përditshmëri ankthet e hapësirës publike dhe, përkundrazi, etjet e unit të vetmuar...". Glina joshëse ilustrohet në paskopertinë me një buqetë vargjesh të shkëputura nga zemra e librit: „Jo bombës atomike me silikon!/ Klithja e bardhë shpërthen nga burimi i jetës/ E fshehur me ngathtësi të studjuar/ Në gjirin tim të majtë/  Dashamire e madhe talantësh/ Të shpërndarë/ Porsi spiridusët mbretërorë mbi sipërfaqe Lutëse/ Të poseduara egërsisht me çmimin e një vërtitjeje tokësore.”



(Vota: 19 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora