E enjte, 25.04.2024, 09:58 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Ibrahim Rugova - emblema e pavarësisë

E shtune, 21.01.2012, 07:05 PM


Në gjashtë vjetorin e vdekjes 

 

Ibrahim Rugova - emblema e pavarësisë

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

Presidenti Ibrahim Rugova ishte figura më emblematike jo vetëm në fazën e shpartallimit të ish-Jugosllavisë mbi rrënojat e së cilës po lindnin disa shtete të reja në Gadishullin Ilirik, por ishte figura më e fuqishme politike edhe në mileniumin e tretë. Përderisa Gadishulli Ilirik vlonte nga tronditjet e mëdha, Rugova u përcaktua për një formë tjetër të luftës dhe të veprimtarisë politike: kundërvënie me mjete paqësore dhe me krijimin e mekanizmave të shtetit paralel, që funksionoi  në të gjitha segmentet vite me radhë. Vizioni i tij dhe i shqiptarëve të Kosovës tashmë ishte i qartë: shkëputje nga ish-Jugosllavia (shtet i pavarur), ose t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë. Për të mos shkaktuar tronditje të mëdha dhe për të mos provokuar luftë, të cilës i druanin të gjithë, Rugova që në fillim të viteve të nëntëdhjeta e theksoi pavarësinë si kompromis. Në këtë rrugë të gjatë e të mundimshme pati shumë vështirësi, viktima, por u krijuan aleancat si asnjëherë më parë. Mbështetja ndërkombëtare forcohej gjithnjë e më shumë.

Presidenti Rugova pati merita të mëdha, sepse që në fillim kërkoi mbështetjen e SHBA-ve e të Evropës Perëndimore, në mënyrë që të shkëputeshim nga lidhja fatale me Lindjen, ku nuk e kishim vendin dhe ku shqiptarët e ndjenin veten keq.

Takimet me liderë euro perëndimorë e të SHBA-ve, në këtë funksion ishin, sikurse që ishte në këtë funksion edhe miqësia me Papa Gjon Palin e Dytë. Dhe kjo miqësi e forcoi edhe mbështetjen ndërkombëtare në situata krizash me përmasa të mëdha. Eksodi ishte ndër krizat më të rënda  të kombit tonë. 

Është vështirë që ky personalitet të krahasohej me cilindo nga figurat historike shqiptare, sepse ishte ndryshe nga ta dhe njëkohësisht ishte sublimim i disa syresh. Por edhe koha ishte tjetër. Dr Rugova, intelektual i shquar, emër i njohur i letrave shqipe, me kulturë perëndimore, i cili në vitet e shtatëdhjeta solli frymë të re në Prishtinë, me sjelljen fine dhe erudicionin e tij , gëzoi besimin dhe mbështetjen e madhe ndër shqiptarë. Nuk doli në sipërfaqe rastësisht dhe nuk mbeti në skenën politike falë rastësisë. 

Besimtarët e devotshëm shpesh thonë se atë e solli fryma e shenjtë, dhuratë shqiptarëve të përvuajtur. Ylli  i tij filloi të shkëlqejë në qiellin e errësuar në fund të viteve të tetëdhjeta, përkatësisht në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Ndërkaq, besimin e bashkëkombësve e mori me guximin e tij për të mbrojtur Kosovën derisa të tjerët ngurronin apo prisnin zhvillimin e ngjarjeve.

  zgjedhjet e para presidenciale mori shumicën absolute të votave dhe u bë president i Kosovës. Këtë besim e mori edhe në zgjedhjet e dyta presidenciale. Ishte kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish- Jugosllavi, ishte figura politike më e popullarizuar në rajon dhe figura më e urryer në Serbi dhe te  pjesa e integralistëve jugosllavë (titistëve), të cilët ende shpresonin se do ta shpëtonin Jugosllavinë. 

 

Miqësia me Papa Gjon Palin dhe Vaclav Havelin

 

Rugova dhe Haveli, intelektual që u futën në politik i dhanë ngjyrim të veçantë skenës politike të çoroditur të ish botës socialiste që po shpartallohej. Miqësia me ish- disidentin Havel, nuk ishte e rastësishme, sikurse nuk ishte e rastësishme as miqësia me Papa Gjon Palin e Dytë. Që të tre kolosët u takonin vendeve të shtypura aq egërsisht nga rusët, përkatësisht serbët. Pra, që të tre kishin kaluar nëpër një rrugë të vështirë jetësore për të dalë në sipërfaqe dhe për të mbrojtur me vendosmëri kombet e tyre, por edhe kombet e shtypura të botës. 

Disa e lavdëronin Rugovën për këmbënguljen e tij të vazhdueshme, të tjerët për filozofinë politike dhe për mençurinë për t’u kundërvënë diktaturës më të egër në Evropë në një mënyrë krejtësisht ndryshe. Qëndrimi i tij politik u bë proverbial. Por kishte nga ata që e kritikonin, sepse nuk pranonte kompromise, kështu që sipas tyre e rrezikonte paqen në Gadishullin Ilirik. Të kërkosh pavarësi për shqiptarët e Kosovës do të thoshte të provokosh Serbinë për luftë, thoshin ata me panik.

 

Martirizimi i Kosovës dhe i Rugovës

 

Lufta filloi me tërë  egërsi. U bë zhvendosja masive e shqiptarëve nga Kosova. Ishte ky eksodi biblik që nuk e kishte njohur historia në këto përmasa. Rugova përjetoi fatin e popullit të vet -ishte peng i okupuesit. Shqiptarët e nëpërkëmbur ishin të vetëdijshëm për pozitën e kryetarit të tyre, prandaj e ngritën në nivelin e Krishtit të kryqëzuar, kështu që jo vetëm nuk e humbi popullaritetin, por u ngrit në mitin e martirit.

Pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe pas dëbimit të Serbisë nga Kosova, disa qarqe e vlerësuan gabimisht situatën politike, duke parashikuar fikjen e yllit të Rugovës. Parashikimet për të ardhmen e tij politike ishin të zymta, ndërsa për ithtarët e tij thuhej se do të largoheshin duke iu bashkuar partive tjera. Parashikimet e tyre dolën të pabaza dhe shterpe. Më shumë ishin spekulime manipulative.

Pavarësisht vështirësive të shumta që dolën në sipërfaqe edhe pas vitit 1999, presidenti Rugova, mbeti figura me e fuqishme dhe më e qëndrueshme. Në të ishte shkrirë përvoja e  figurave të njohura botërore e shqiptare, por e karakterizonte edhe mençuria e veprimit, urtia e fjalës, guximi të ballafaqohet me problemet dhe të marrë barrën e të gjithëve mbi shpatullat e veta të brishta. 

Se ishte ndër figurat e fuqishme që e patën shqiptarët në 100 vjetët e fundit, dëshmojnë situatat dramatike dhe fazat tragjike, kur të gjithë shqiptarët, por edhe politikanët e burrështetasit e shteteve të fuqishme, prisnin se si do të deklarohet, apo çfarë do të thotë kryetari “i shtetit paralel të Kosovës”. Se ishte ndër personalitetet e rralla,  dëshmoi aftësia e tij të përballej me të gjitha furtunave duke mos e humbur gjakftohtësinë dhe duke mbajtur drejtpeshimin shpirtëror. Se ishte personalitet i pazëvendësueshëm dëshmon edhe zbrazëtia e theksuar e këtyre vjetëve pas vdekjes së tij. Skena politike duket e varfër, pa dinamizëm, e brishtë dhe në pritje të ankthshme.

Të shpresojmë se kjo zbrazëti nuk do t’i hakmerret Kosovës. Pavarësisht se si do të zhvillohen ngjarjet, pavarësisht nga vështirësitë që mund të paraqiten edhe në të ardhmen, projekti i presidentit Rugova: shteti i pavarur e sovran, në miqësi të përhershme me SHBA-të, të integruar në BE-në dhe në aleancë me NATO-n, projekt ky që është kultivuar me aq ngulm e durim mbi 16 vjet, do të realizohet. Kjo ishte shpresa e fuqishme dhe besimi i patundur i presidentit Ibrahim Rugova, kjo është shpresa dhe besimi i  shqiptarëve të Kosovës.

 

___________

 

 

Presidenti i dardanëve 

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

“Pavarësia është kompromis”, pati deklaruar presidenti Rugova, duke ua bërë me dije qarqeve ndërkombëtare se gjakimi i shqiptarëve ishte Shqipëria Etnike. Por për të qenë më kooperativë me bashkësinë ndërkombëtare jemi të gatshëm të pranojmë kompromisin, pra pavarësinë e Kosovës, e theksonte presidenti historik i dardanëve.

Ai propozonte që Kosovës t’i kthehej emërtimi i vjetër Dardani, emërtim aq të shpeshtë në fjalorin politik - e jo vetëm politik të Rugovës. Presidenti i dardanëve ishte dhe mbetet burrështetasi më këmbëngulës në parimet dhe idealet e veta. Dardania si emërtim dhe si përcaktim ishte shumë i afërt për Rugovën. E pati filluar me flamurin e Dardanisë, me interesimin e trashëgimisë materiale e shpirtërore, në kërkimin e rrënjëve të traditës, të cilat u bënë element mbizotërues në festat kombëtare, në theksimin me mburrje të rrënjëve tona dhe me inkuadrimin e këtyre elementeve në shtetin modern. Ishte vizionar që krijoi kornizat e shtetit të Dardanisë.

I qetë, gjithherë i buzëqeshur, Rugova ishte burrështetasi më këmbëngulës dhe më i fortë moralisht që e patëm në Dardani. Ajo që u  binte në sy edhe të huajve është qëndrimi i tij në dukje i brishtë, komunikues më të gjithë, i prirë që edhe nga kundërshtarët të bëjë miq, por i pathyeshëm në parimet për pavarësinë e Kosovës. Për realizimin e këtij projekti pati aq shumë sakrifica të shqiptarëve të Kosovës.

 

Hapësira e rrudhur e Dardanisë

 

Dikur një pjesë e pretendentëve për politikë të lartë të Kosovës, ishin dyshues për mundësinë e realizimi të pavarësisë. Më vonë ata dyshues të pashërueshëm ishin të gatshëm të marrin pjesë në grupet negociuese për finalizimin e pavarësisë. Dikur qeshnin me sarkazëm e mosbesim, duke mos e fshehur përshtypjen e tyre se puna e shtetit të Kosovës ishte si puna e ujit në havan, e rrah kot, se gjë s’ pjellë nga kjo punë.

Derisa Rugova shpalonte projektin e tij shkallë-shkallë, duke filluar me territorin e Dardanisë, gazetarët sharlatanë e të paarsimuar, shpesh edhe me kompleksin e inferioritetit ndaj serbit e përbuznin trashëgiminë dardane. Edhe më vonë kur presidenti synonte ta theksonte se jemi popull antik, pasardhës të ilirëve me traditë e kulturë shumë më të lartë se fqinjët, frymorët pro jugosllavë që mendonin se çdo gjë fillon nga koha e depërtimit të hordhive jugosllave në Kosovë, e përjetonin si blasfemi vënien në pah të përkatësisë etnike, duke e ndier veten keq. Madje, sa herë që presidenti e theksonte ndonjë moment nga jeta në Dardani, ata e banalizonin me togfjalëshin “dardhat turshi!”. Ata sikur e kishin ngarkesë përkatësinë e tyre kombëtare dhe nuk donin të jenë pasardhës të Dardanëve. S’ka dyshim se nuk ishin pasardhës të Dardanisë, por  mbetën surrogat i konglomeratit të papërcaktuar. Ata donin të krijonin një komb surrogat  me rrënjë të dala në sipërfaqe.

Pavarësisht nga fushata e medieve, pavarësisht nga sarkazmi i të shkombëtarizuarve e mercenarëve, presidenti Rugova vazhdonte të hulumtonte rrënjët në Dardaninë antike, duke theksuar elementet e shtetësisë që në këtë kohë. Një komb dhe një shtet me traditë mbi 2000-vjeçare, që kërkon hisen në familjen evropiane, sepse të këtij kontinenti jemi. Dardania kishte hapësirë gjeografike shumë më të madhe sesa që ka Kosova e sotme, por një pjesë e kësaj gjeografie është zhvatur nga fqinjët, sikurse që një pjesë e popullatës po ashtu është dëbuar nga pjesë të Dardanisë.  

Rugova me një biografi të pasur politike, letrare  e intelektuale, personalitet karizmatik që rrezatonte besim e entuziazëm ndër shqiptarët, ishte arsye e mjaftueshme dhe provokim i vazhdueshëm bashkëbisedimi për medie. Në bisedat private apo në ato publike ai ishte i lehtë në komunikim me të gjithë. Por një pjesë e propozimeve të presidentit u komentuan me zjarrmi e në mënyra nga më të ndryshmet. Me debate u prit propozimi i presidentit për Flamurin e Dardanisë, himnin dhe simbolet presidenciale, këto elemente të shtetësisë të cilat tashmë ishin të gatshme. Megjithatë flamuri e himni bën jetë aktive gjatë gjithë fushatës zgjedhore nëpër të gjitha qendrat më të mëdha e të vogla të Kosovës, ku u shpalua Flamuri i Dardanisë dhe ku u intonua himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”. 

Me vetë faktin se me këto simbole Rugova e udhëhoqi fushatën zgjedhore më 2001 dhe më 2003, dëshmoi se shumica e shqiptarëve i tumir propozimet e tij. Respekti e entuziazmi me të cilën u pritën promovimet e këtyre elementeve të rëndësishme që e bëjnë një shtet, në një mënyrë apo tjetër ishin edhe një lloj fushate ku krahas promovimit të programit të LDK-së, përkatësisht prezantimit të presidentit Rugova, u bë fushatë për simbolet e shtetit.

 

Ora-rojë e shqiptarëve

 

Derisa shtypi i majtë dhe estabilishmentit politik, po ashtu i majtë që politikën e kishin mësuar nëpër fshatra të humbura apo dhoma me tym të diasporës, shkumëzonin kundër këtyre propozimeve, shtypi i matur dhe ai i djathtë, natyrisht e tumirën këtë gjë. Disa udhëhoqën fushatën kundër këtyre simboleve pa ofruar asgjë për kundër argument, pos dëshpërimit të tyre pse këtë gjë e kishte bërë Rugova e jo dikush nga të përkëdhelurit e tyre. Çdo sukses të Rugovës e të Kosovës e përjetonin dështim të tyre.

Në Shqipëri propozimi i paraqitur nga presidenti Rugova në pjesën më të madhe u tumir. Ajo që ishte e rëndësishme u tumir nga të gjitha personalitetet relevante politike e shtetërore.

Kryeministri Sali Berisha, mbreti Leka Zogu, etj. e mbështeten idenë e presidentin Rugova duke e vënë në pah se askush nuk të pranon, me flamur, himn e simbole të tjera të një shteti tjetër. Pra e theksonin se Kosova duhet të ketë simbolet e veta shtetërore, nëse pretendon të pranohet në OKB dhe ta ketë flamurin në Nju-Jork e organizmat e tjera ndërkombëtare. Këto i kishte parashikuar presidenti Rugova. Më vonë flamuri i Kosovës u bë më imponim, ashtu sikurse u bë edhe himni, pa asnjë ngjyrim kombëtar. 

 Vdekja e Rugovës na rrëqeth jo vetëm pse humbëm një personalitet të madh, më të madhin që e patëm në Kosovë, por na rrëqeth kur mendoj për të ardhmen e Kosovës, për negociatat, për integrimin në BE, për ata që do të bisedojnë në emër të tij, apo në vend të tij. Hija e tij dhe oguri i mirë i presidentit Rugova edhe një kohë të gjatë do ta mbrojë Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Ai do të jetë ora e mirë e shqiptarëve dhe frymëzimi për sakrifica e maturi. Është fatkeqësi që ai nuk është më për ta gëzuar, sikurse që është fatkeqësi që nuk ishte ai për të vazhduar integrimet në BE.



(Vota: 25 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora