E premte, 29.03.2024, 01:44 PM (GMT)

Mendime

Baki Ymeri: Majmunizmi maqedonas dhe shqiptarët e Rekës shqiptare

E premte, 20.01.2012, 08:05 PM


Majmunizmi maqedonas dhe shqiptarët e Rekës shqiptare

 

Ka ardhur koha kur shqiptarizmin duhet ta kuptojmë si një metaforë të jetës. Në atë kohë Reka e Epërme banohej pothuajse tërësisht me shqiptarë, që u përkisnin dy besimeve fetare: ortodokse dhe myslimane. Shqiptarë ortodoks nuk kishte vetëm në Rekën e Epërme, por pothuajse në gjithë hapësirën e tanishme të Republikës së Maqedonisë. (B. M.)

 

Nga Baki Ymeri

 

Edhepse e kam për obligim finalizimin e disa projekteve të porositura letrare, realizimin e të cilave e bëjmë sipas kodit të artit, Langasam aber sieher, e ndjej për obligim t’i ofroj shpirtit shqiptar një gamë argumentesh konkrete mbi hershmërinë e lavdishme dhe aktualitetin e trishtë të shqiptarëve të Rekës, një krahinë e ndodhur në kthetrat e majmunizmit maqedonas të asimilimit pasnllavist, njësoj siç ndodhet edhe Toplica shqiptare në kuadrin e Serbisë artificiale. Disa fjali apo fragmente mbi shqiptarin e Rekës në Amerikë (B. M.), ndoshta përsëriten, por nuk prish punë. Disa artikuj i kemi shkëputur nga disa media, por edhe kjo nuk prish punë, ngase emrat e autorëve dhe burimet citohen, ndërsa numri lexuesve të  Zemrës Shqiptare, Botës sot apo KosovariMedia, është shumë më i madh. Me rëndësi të madhe në këtë kontekst janë disa fotografi të vjetra që në kuadrin e tre mediave të përmendura dalin për herë të parë. Kohë më parë kemi shkruar për Matej Danilin e Rekës shqiptare, dhe nuk ka nevojë të bezdisim lexuesin me të njëjtin shkrim. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, ekziston nevoja për zgjerimin e njohurive historike, konfesionale, etnike e gjeografike, për ta njohur shpirtin shqiptar në totalitetin e tij.

Pa pretendime lavdërimi apo vetëlavdërimi, artikujt e Ilir Dardanit për Gjergj Kastriotin dhe rrezikun islamist bëjnë bujë, siç bënë bujë edhe dy artikuj, njëri mbi shqiptarët e Ukrainës dhe tjetri mbi gjenocidin serb kundër Toplicës shqiptare. E dimë se Musa Prushi, Etnik Kosova dhe lexues tjerë të panumërt, i shfletojnë me padurim artikujt që sjellin risi, vjetërsi, aktualitet dhe kontinuitet.  Pse? Sepse ka ardhur koha kur shqiptarizmin duhet ta kuptojmë si një metaforë të jetës. Kur vjen fjala për krahinën e Rekës që shtrihet mes Dibrës dhe Gostivarit, sipas Hyllienit, “Asimilimi i kësaj pjese ka ardhur nga islamizimi i popullatës shqiptare. Të njëjtën gjë, ky fraksion ekstrem po mundohet të bëjë sot edhe me orthodoksët në Jug, duke i quajtur grekë, qysh nga koha e Ali Pashait, dhe habitemi përse Greqia ka aq shumë ndikim atje. Kjo lojë e shëmtuar bëhet veç me një qëllim, zhdukjen e krishtërimit nga Shqipëria dhe krijimin e një republike aziatike islamike. Fatin e krahinës së Rekës do ta kenë gjithë shqiptarët joislamikë nëse vazhdohet me këtë trend.” (Forumi Shqiptar).

 

BOX

DËSHMI E GJALLË PËR SHQIPTARËT ORTODOKSË TË REKËS

Konform burimeve elektronike, “Branko Manojlovski tregon të vërtetën sa i përket origjinës së të parëve të tij, shqiptarëve ortodoksë të Rekës. Pohon se vazhdimisht është ndier dhe ndihet shqiptar, edhepse zyrtarisht është evidentuar në dokumente si maqedonas. Në shenjë sensibilizimi për ngritjen e vetëdijes kombëtare, sidomos për shqiptarët ortodoksë të anës së Rekës, në një rrëfim ekskluziv për gazetën "Koha". Branko Manojlovski, shtatëdhjetëvjeçari nga fshati Kiçinicë i Rekës së Epërme të Gostivarit, i cili publikisht pranoi origjinën e të parëve duke pohuar se vazhdimisht është ndier dhe ndihet shqiptar, edhepse zyrtarisht është evidentuar në dokumente si maqedonas, ka vendosur që të përshkojë rrjedhën e lumit Vardar nga burimi në fshatin Vërtok e deri në derdhje në Detin Egje. Këtë e bën në shenjë sensibilizimi për ngritjen e vetëdijes kombëtare, sidomos për shqiptarët ortodoksë të anës së Rekës, të cilët nga rrethana të ndryshme i janë nënshtruar asimilimit nga ana e shtetit. I emocionuar gjatë gjithë kohës, në momente të caktuara edhe me lot në sy, me dialektin gjuhësor të anës së Rekës, Manojlovski nuk fsheh guximin dhe dëshirën që gjeneratave të reja t’u rrëfehet e vërteta.

 

Një vakt na bënin kaur e turk, e jo vëllezër të një gjaku


"Idenë për të përshkuar rrjedhën e lumit e kam pasur ndërmend që fëmijë. Është lumë shumë i bukur dhe i mirë. Por jeta dhe punët që më prisnin e bënë të vetën, harrohesh disi. Mirëpo erdhi vakti që ta realizoj këtë dëshirë. Para disa ditëve isha ulur me do miq në një restorant ngjitur buzë lumit Vardar, rrugës prej Gostivarit për në Mavrovë. Duke e parë lumin, falënderova miqtë që më dërguan në atë vend. Është një lum i madh dhe i bukur, dhe këtë aventurë nëse mund ta quaj, e bëj në ditëlindjen time të shtatëdhjetë me radhë, pra 19 gusht.

Me këtë mision, dua t’u bëj me dije njerëzve se sa gabime janë bërë mes njëri-tjetrit, madje vëlla me vëlla. Dua të tërheq vëmendjen për t’iu kthyer rrugës së drejtë, ashtu siç është rrjedha e lumit Vardar, të kthjellohemi. Një vakt na bënin kaur e turk e jo se kemi qenë vëllezër të një gjaku. Kur flas për këtë temë, më vjen të qaj, dua të përçoj mesazhin për gjithë ato njerëz, të rrojmë bukur e mirë ashtu siç na ka falur perëndia. Mendoj se vetëm kështu, rruga jonë nuk do të ketë telashe, do të jetë çdo gjë në rregull", shprehet i emocionuar Manojllovski. "Lumi Vardar ka qenë lumë i shenjtë për ilirodardanët dhe iliro-makedonët. Por ndonjëherë ka qenë dhe më bëhet sikur është edhe tani kufi simbolik për hasmëri shoviniste e fetare mes të dy popujve tanë", kjo është porosia që ai pretendon se e ka dëgjuar nga një zë hyjnor teksa ka qenë i shtrirë buzë gurre, para Kullës së tij në fshatin e tij të lindjes, e që i ka ngjasuar si zëri i nënës së tij, Zafirës. Deri më tani, për bashkudhëtim i janë bashkangjitur dy kunatat Nada dhe Ruzha, si dhe disa nga miqtë e tij. Vendosmëria e tij për ta thënë të vërtetën është e madhe. Shpreh bindjen se e vërteta duhet të dalë në shesh edhe pse me një vonesë të madhe. Është i vetëdijshëm për perkusionet që mund të lindin, por hyjnore, sipas tij, mbetet e vërteta dhe vetëm e vërteta e cila duhet thënë sido që të jetë.

"Punët janë tepër të kthjellëta, puna dihet dhe është e çiltër si uji, në këto vise flitej shqip dhe çdo gjë buronte nga motivet kombëtare. Por asimilimi e bëri të vetën, ndikoi fuqishëm në këto anë. Kishte shumë influenca prej anësh, shumë faktorë. Na thirrshin turq e kaurë. Kjo ishte çmenduria, sikur të mos flitej për vëllezër të një gjaku. Reka e Epërme edhe me gjuhë, edhe me traditë e doke, edhe në çdo aspekt tjetër mbetet shqiptare. E ndiej si një forcë nga ana e perëndisë që ta them të vërtetën pikërisht tani, sepse këtë të vërtetë një vakt nuk mund ta thuaje, quhej veprimtari kriminale e armiqësore, shkoj edhe në hapsane. Fort mirë e mbaj mend edhe pse kanë kaluar 70 vjet që kam lindur. Ne nuk dinim të flisnim asnjë fjalë në gjuhën maqedonase, me prindërit komunikonim vetëm në gjuhën shqipe. E tani dikush thotë mos thuaj ashtu se është turp, e pse të jetë mbarë kur e thotë të vërtetën. Ishte interesant, pasi e dhashë mesazhin se ndihem shqiptar si të parët e mi. Merrja thirrje në telefon nga shumë vëllezër e miq të kësaj ane, më përgëzonin për të vërtetën që fola. Unë e kam ditur se është ashti, edhe çdokush tjetër e ka ditur, mirëpo çështja është se duhet të dëftohet. Gjeneratat e reja që lindin duhet ta dinë këtë. Tash çdokush e ka të drejtën e vete se si ndihet, mirëpo është mirë të dihet kjo. Edhe lumë prej perëndisë e arrita këtë ditë që ta them këtë të vërtetë", vazhdon Manojlovski.

Më thonë se si është e mundur që Branko të bëhet shqiptar


Misioni i tij nuk është dhe aq i lehtë. Edhe pse i vendosur ta çon punë deri në fund, nuk fsheh brengën se disa çështje janë aq të koklavitura sa rënd mund të rikthehen në binare.

"Kjo është një punë e thellë dhe se di se sa do të sensibilizohet opinioni, bëhet fjalë për asimilim, ka martesa të përziera mes religjioneve dhe nacionaliteteve, shumë rëndë është të ndërrohet diçka. Mirëpo kjo porosi përçon dritë, të dihet e vërteta dhe se ku i kanë rrënjët e veta. Ato të vegjël që lindin tashti duhet ta dinë këtë. Janë të pakët ato njerëz që e dinë këtë të vërtetë. Në një ndeje me disa të rinj vitin e kaluar, ishin shumë 12 veta dhe të gjithë të kësaj ane, u thashë se neve këtu nuk kemi ditur maqedonisht, ato habiteshin me këtë që ua thashë, bile njëri nga ato tha që kjo s'ka rëndësi. Ua ktheva përgjigjen se kjo ka shumë rëndësi. Kishte dhe të tillë që u pajtuan me këtë që thashë unë dhe kërkonin ta dinë të vërtetën e kësaj pune. Tashti se do të ketë efekt kjo punën, nuk mund ta di, ama një gjë e di shumë mirë. Ashtu siç më tha një profesor i historisë, nëse dëshiron të ecësh 1 mijë kilometra, lypet të nisesh nga metri i parë, ku do arrish nuk dihet, mirëpo je nisur. Edhe ky mesazh i imi është nisur për diku e tashti ku do arrin nuk e di. Mirëpo, jam shumë i lumtur që perëndia ma mundësoi dhe që marr mbështetje nga gjithë ju që të dalë në shesh dhe të evidentohet diku kjo e vërtetë. Unë nuk zija besë se do ta shoh këtë ditë, mirëpo ja që erdhi. Shumë veta më thonë se nga ti Branko Manojlovski bëhesh shqiptar, mirëpo ne realisht ato jemi", potencon Manojlovski.


Konvertimi dhe asimilimi


Konvertimet dhe asimilimi i një pjese të mirë të popullatës shqiptare, ai e sheh me sy kritik edhe nga roli që ka luajtur religjioni. Edhe pse shpreh simpatinë e tij për njerëzit e fesë, nuk ngurron të thotë se pikërisht ndasitë mes njerëzve në aspektin fetar, kanë ndikuar që vëlla me vëlla të shihen me sy tjetër, madje edhe të ndihen ndryshe nga njëri-tjetri edhe pse kanë qenë të një gjaku. "Në fakt, fajin nuk e ka askush, por edhe e ka gjithkush. Ma problem i madh ka qenë religjioni. Të më falin hoxhallarët dhe priftërinjtë se kam respekt të madh për ato dhe zë besë në perëndi, por vërtet ka pasur paragjykime, ishin të pashkolluar, thirreshin turk e kaur. Kjo bëri shumë dëm të madh. Thirreshim mes veti, erdhi ky turku ose erdhi ky kauri, a ishim vëllezër", shton Manojlovski, i cili duke përshkruar një rast të vërtetë që ka ndodhur para do kohe në një fshat të Rekës së Epërme, mundohet të dëshmon atë që e pohon, origjinën e të parëve.

"Në fshatin Sencë ka një dru arre, edhe arrat qëndrojë gjatë, 2 apo 3 qind vjet, në atë arrë kanë shkuar Muhamedi dhe Marku ta mbledhin, kanë qenë dy vëllezër. Ato vazhduan drejtimet e tyre të jetës dhe harruan se çka janë. Pas një kohe u kujtohet fjala e të parëve, të kthehen sërish tek arra për ta mbledhur. Takohen në vendin e vet dhe pyeten mes veti se kush janë. Thonë që janë kushëri mes veti e jo se vëllezër. Ky është rast i vërtetë. Kjo realisht shumë na ka dëmtuar, sepse shkonim pas religjionit dhe jo pas kombit siç në fakt jemi. Do të duhej të ishte ashtu siç tha Pashko Vasa: Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptari asht shqiptaria. Ta dëgjonim ne atë, nuk do të kishte problem, gjithë do ishim shqiptarë, mirëpo nuk e dëgjuam dhe u bëmë turq e kaurë. Është koha për vetëdijesim, të dihet e vërteta se e vërteta është po aq e mirë sa edhe e rëndë. Dikush më porositi se mos po të vrasin, kujdes. Unë ia ktheva se mua mund të më vrasin, por jo edhe të vërtetën", shton Manojlovski.


Në Kiçnicë, gjithçka frymon shqip


Dy kullat e ngritura në oborrin familjar, janë tipike shqiptare. Dyert, dritaret dhe çdo element tjetër i vendosur në kullat e familjes Manojlovski burojnë nga tradita e vjetër shqiptare. Nga vizita e bërë te familja Manojlovski, rreth e mban shtëpisë dhe fshatit, çdo gjë frymonte shqip. Kjo dëshmon që banorët që nuk u shpërngulën nga vatrat stërgjyshore të kësaj krahine, me një fanatizëm të paparë i ruajtën shenjat dalluese të kombit shqiptar. E ruajtën gjuhën jo vetëm në shtëpitë e tyre, por edhe në ritet dhe besimet fetare. Mesha jepej në gjuhën shqipe, madje edhe pas shumë tentimeve për asimilimin e tyre gjatë gjithë kohës. Fshati Kiçinicë është një nga 18 katundet e luginës së Rekës. Reka konsiderohet si krahinë e Dibrës, e cila është ndarë në Dibrën e Poshtme dhe në Dibrën e Epërme.

Nuk ka marrë biletë kthyese për në SHBA


Në vitin 1969, Branko Manojlovski vendos të shpërngulet nga vendlindja duke udhëtar drejt Çikagos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku dhe aktualisht është duke jetuar familja e tij. Është baba i tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze, që të tre këta të martuar. Manojlovski është gjysh i gjashtë nipërve dhe mbesave. Pas pensionimit, thuajse pjesën më të madhe të vitit e kalon në vendlindje. Çdo vit biletën kthyese e ka marrë për 6 muaj afat kthimi, sivjet nuk ka vepruar ashtu. Ka ardhur me biletë, por vetëm për një drejtim. Thotë se ka vendosur të qëndron më tepër se viteve të tjera. Branko Manojlovski është edhe kryetari nderi i shoqatës "Josif Bageri" me seli në Tetovë, e cila javë më parë mbajti të parin simpozium shkencor kushtuar veprës së kësaj figure.

http://www.rrokum.tv/?page=1,22,2451

 

Manastiri "Shën Biguri" Dibër, është i shqiptarëve


Branko Panov është historian i Maqedonisë i cili e ka shkruar Historinë Mesjetare të Maqedonisë dhe ai vetë duke u bazuar në dokummentet arkivale vërteton se Blazhja dhe maqedonët e tij kur erdhën në Ballkan e pranuan krishterizmin nga shqiptarët (Arbërit) dhe më vonë, shqiptarëve ua uzurpuan edhe kishat, sepse këta erdhën nga Karpatet si egërsira, paganë dhe të pa fe. Pasi është djegur e shkatërruar nga sllavët, Shën Biguri është rindërtruar në vitin 1018, përsëri nga arbërit në kohën kur Kisha e Krishterë ishte ndarë në ate të Perëndimit me qendër në Romë dhe të Lindjes më qendër në Konstantinopol. Ky ka qenë kapërcimi i sh.X-XI kur trevat shqiptare ishin nën juridiksionin kishtar të tri kryepeshkopatave: Naupaktit, Durrësit dhe Ohrit. Kjo e fundit edhe e përmbëlidhte numrin më të madh të peshkopatave shqiptare dhe kishte nën vete edhe selitë peshkopale të Prizrenit,Shkupit, Dibrës, Kërçovës, Përlepit, Devollit, Kolonjës Manastiritt etj.

Ndarja përfundimtare dhe zyrtare e kishës (1054) në Katolike dhe Ortodokse i detyroi shqiptarët të ndahen në mes të këtyre dy qendrave të mëdha të botës së krishterë. Duke u nisur nga kufinjtë e dioqezës së Tivarit, Kisha Katolike depërtoi në thellsi, në drejtim të Lindjes( Dardanisë) dhe të Jugut (Principata e Arbërit). Në vitin 1204 burimet historike flasin për ekzistencën e selive peshkopale katolike në Prizren, Shkup e Dibër. Shtrirja e ritit katolik në viset e Dardanisë me kryeqytet Shkupin (kufiri I të cilës shtrihej deri në malin Bukovik mes Gostivarit e Kërçovës), toka të banuara këto kryesisht nga popullatë shqiptare, përkonë me kalimin e tyre nga sundimi bizantin nën sundimin e shtetit serb, politika e të cilit synonte që Kisha Ortodokse serbe, që prej vitit 1219, të zinte në këto hapsira vendin e kishës bizantine të Konstantinopojës.


Themelimi dhe kthimi i një sërë kishash e manastiresh në teritorin, Kosovë e Maqedoni e sotme, si dhe zhvendosja në Pejë e selisë së Patrikanës Serbe, i shërbenin pikërisht këtij qëllimi. Për të shmangur ballafaqimin me shqiptarët, që ishin në përgjithësi të ritit katolik, dhe me botën katolike përtej detit Adriatik, (Itali) mbretërit e parë serbë të dinastisë Nemanja, ua njohën për ca kohë shqiptarëve autonominë kishtare. Mirëpo kur serbet u shfaqën në viset e Kosovës, Pollogut e rrethinat e Dibrave, fillojnë edhe persekutimet e zhupanit të madh” (Veliki Zhupan)1173, si dhe ankthet dhe vuajtjet e shqiptarëve katolikë të robëruar nga sërbia 1199. Politika antishqiptare dhe antikatolike u kristalizua me ardhjen e Stevan Uroshoit II, (1282-1321), Uroshit III, (1322-1331) dhe Stevan Dushanit (1331-1355). Kjo është koha kur Sërbia arrin kulmin e fuqisë, dhe plotësisht i prish marëdhëniet edhe me papatin po edhe me botën katolike si që ishte Hungaria dhe Anzhuinët fracez. “Sveti Jovan” është emri i Gjon Kastriotit (i shënuar në dokumentet slave si Jovan Kastrioti ) dhe ky emër ka filluar te përdoret në shënjë respekti, sepse i dhuroi pasuri të madhe këtij manastiri. Edhe te Kisha e Hilandarit në Atos (Greqi) një pirg e mban emrin e Gjon Kastriotit,poashtu për nderë të dhuratave që ai i dha kësajë kishe. Ky eshte llogaritur si “Ktitor” I ketyre kishave. Se “Shën Biguri” ka qenë e ndertuar nga arbërit e vërteton edhe Teofilakti i Ohrit ku thotë se sllavët i shkatërruan deri në themel “Shtëpitë e Zotit” (Bozhjite Hramovi) dhe ilirikët, përsëri i rindërtuan.
(Ilmi Veliu)

 

Branko Manojlovski i pari shqiptar ortodoks në Maqedoni

Në Maqedoni, këto kohët e fundit, ka filluar të flitet zëshëm për praninë e shqiptarëve ortodoksë që deri para një viti ishte temë tabu. Dhe, merita për këtë i përket 70-të vjeçarit Branko Manojlovski. Ai është i pari që pranoi përkatësinë e vet etnike, por dhe të disa bashkëkohanikëve të tij si të politikanit të ndjerë Vidoje Smilevski-Bato, pastaj të poetit dhe ish kryetarit të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, Mateja Matevski, të akademikut Gligor Jovanovski, stërnipit të Josif Bagerit…


Në këtë intervistë ekskluzive, xha Branko flet për rrënjët e të parëve të tij, për shqiptarët ortodoksë të anës së Rekës dhe presionin e regjimit komunist për asimilimin dhe shkrirjen e tyre në maqedonas, por edhe për nevojën e vendosjes së vlerave të respektimit të ndërsjellë mes maqedonasve e shqiptarëve:”Kur shkova në Amerikë, atëherë, Martin Luter Kingu kishte shumë punë. Atëherë edhe e vranë. Ai fliste për ëndrrën e tij që zezakët dhe të bardhët të jenë së bashku. Edhe unë kam po këtë ëndërr që shqiptarët, maqedonasit, bullgarët, serbët, grekët, turqit, romët, të gjejnë gjuhë të përbashkët, të pajtohen e të mos grinden…”

- Muajt e fundit u bëtë temë bosht ndër shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë e Shqipëri., në diasporë… Në fakt, kush jeni?

Branko Manojlovski: – Quhem Branko Manojlovski, me nënë Zafiran dhe baba Manojlon, i lindur me 19.08.1941 në fshatin Kiçinicë, Reka e Epërme, jo larg Gostivarit.. Shkollën katërvjeçare e kam kryer në Beliçicë, kurse tetëvjeçaren në Gostivar. Shkollën e mesme e kam mbaruar në Tetovë, ndërsa studimet në Zagreb. Në vitin 1969 kam emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej kur jam edhe shtetas amerikan.


Që kur kam filluar të vij në Vendlindje, i frymëzuar edhe nga demokracia amerikane, prezantohem siç isha dhe siç jam – shqiptar.

-Mund të na thoni, përse dhe si ndodhi e gjithë kjo?

B. M.: – Shumë thjesht. Qysh në fëmijëri kam menduar dhe jam ndjerë shqiptar. Nëna ime fliste shqip, gjyshërit flisnin shqip. Kjo vazhdimisht më ka munduar, por historia e bën të veten. Shkollimi në maqedonisht, serbokroatisht, e rrethana të tjera, të gjitha e bënë të veten. Asimilimi vinte nga e majta, nga e djathta. Unë pareshtur mendoja, kujtoja, se si kam folur me vetveten, si një ditë ta them të vërtetën. Ajo, mjerisht, për një kohë, nuk mund të thuhej. Mirëpo, ja që erdhi koha, falë Zotit, falë meje, që më në fund ta them këtë të vërtetë. Tash, nëna ime fliste shqip, më jepte tambël nga gjiri i saj shqiptar. Fjalët e para që i kam dëgjuar ishin “djal’i nënës!” Kjo vazhdimisht më ka preokupuar dhe, para se të vija nga Amerika, iu thash djemve të mi, unë kam dy djem, se çfarë do të bëj, se do të tregoj të vërtetën. Ata më thanë, ki kujdes, ruaju, sepse kjo temë është e ndjeshme në Maqedoni. Kjo është e vërtetë. Njerëzit këtu ende nuk janë të vetëdijshëm. Historia e ka bërë të veten, ama është e vërtetë se Reka e Epërme me të gjitha fshatrat, ka folur shqip deri në vitin 1960. Në kohën e industrializimit, të promovuar nga Tito, njerëzit nisën të shkojnë nëpër qytete dhe nisën të ndjehen maqedonas, serbë, bullgarë. Normalisht, gjithkush ndjehet ashtu si dëshiron, por gjenerata e re duhet ta dijë të vërtetën.

- Kam përpara një broshurë tuajën dhe, do të më duhet t’ju citoj: “Më besoni, është e vështirë të shqesh shqiptar ortodoks në Republikën e Maqedonisë!” Çfarë keni dëshiruar të thoni me këtë?

B. M.: – Po, kjo është e vërtetë. Para disa ditësh isha në Korçë, në Shqipëri. Atje pash një kishë, një katedralë të shqiptarëve ortodoksë. Më erdhi shumë mirë, për t’u çuditur, sepse ishim të helmuar me gjithçka, sidomos gjeneratat e reja. Ortodoksë dhe shqiptarë. E mundshme kjo!? Këtë e ndjeva dhe e përjetova unë në Shqipëri, imagjinoni ju se si e përjeton këtë rinia jonë këtu në Maqedoni! Prandaj them se është vështirë.

-Përmendët djemtë. Më intereson se si e pritën ata, farefisi juaj, vendimin që t’i tregoni rrënjët tuaj?

B. M.: – Djemtë e pritën shumë mirë, sepse atyre që në fëmijëri u pata folur, dorën në zemër, në një mënyrë paksa komike, se jam shqiptar. Sa i përket farefisit, unë druaja se do të hasi në rezistencë tek ata dhe të gjithë rekasit që janë ortodoksë, por jo! Shumëçka pozitive erdhi nga kokat e tyre. Më thirrnin natën duke qarë, sepse kishin shikuar një film dokumentar ku unë tregoja të vërtetën. Më thonin: “Hallall, bre, shyqyr zotit që një prej nesh ta thotë të vërtetën!” Isha i befasuar, i befasuar se u mirëprit ajo që unë e tregova. Askush nuk më ka qortuar pse e bëra. Nuk më ka thënë pse, sepse nuk kanë argumente, sepse kjo është e vërteta, është realiteti, sepse kjo është jeta.

-Nga familja juaj, qoftë edhe e largët, ka shumë emra në zë, edhe në jetën politike të Maqedonisë. Është e vërtetë apo e kam gabim?

B. M.: – Po, po! Familja jonë ka qenë shumë e fortë. Djali i hallës sime, Vidoje Smilevski-Bato ishte kryetar dhe sekretar i Komitetit të LK të Maqedonisë rreth 20 vjet. Unë jam rritur në një familje, si të them, politike. Prandaj edhe mundohem t’i bishtnoj politikës, sepse e di se kur të hysh në të nuk është aq mirë sa duket prej anësh. Familja jonë ka qenë e madhe, kemi edhe sot njerëz me titujt shkencorë, doktorë e profesorë, gjykatës, inxhinierë. Gjithsej nga familja jonë mblidhen nja 40 personalitete të njohura në Maqedoni. Me ndonjë përjashtim, ata e pritën shumë mirë këtë hapin tim.

-Pra, nuk patët vërejtje nga ana e tyre?

B. M.: – Jo, kam pasur vetëm një telefonatë qortuese nga një njeri që nuk e di se kush është. Nuk pajtohej me filozofinë time.

-Po, në fakt, cila është filozofia juaj?

B. M.: – Filozofia ime është se Reka e Epërme flet shqip, ka kulturë shqiptare. Reka e Epërme gjeografikisht i përket anës shqiptare. Sikur Reka e Epërme t’i përkiste palës shqiptare, ne do të ishim shqiptarë ortodoksë, sikurse janë sot në Shqipëri. Punë normale kjo, por ra në anën maqedonase dhe nisi asimilimi, nisën martesat me të tjerë..

-Ndofta, refuzim ka ardhur edhe nga shqiptarët –myslimanë?!

B. M.: – Po, religjioni është punë e mirë, por herë-herë din të ketë edhe efekt negativ. Dikur kur isha fëmijë, para nja 60 vjetësh, shqiptarët ndaheshin në “kaurë dhe turqë”. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët myslimanë thonë “vorret e kaurit”. Edhe këto ditë kam dëgjuar “Ku është lopa? – Te vorret e kaurëve”!?…

-Sa mund të ketë ndikuar në vendimin tuaj fakti që ju jeni shkolluar në Kroaci, në Zagreb, e pastaj keni shkuar në Shtetet e Bashkuara?

B. M.: – Po, ka pasur efekt të madh, sepse unë që nga viti 1969, para 42 vjetësh, e deri tani, kam qenë i izoluar nga asimilimi. Asimilimi nuk pati efekt tek unë, që nuk mund të thuhet edhe për vëllezërit dhe motrat e mija që mbetën këtu., sepse u kthyen në maqedonas qind për qind. Tek unë mbeti ndjenja e përkatësisë, sepse kur shkova në Amerikë u njoha me njerëz me prejardhje shqiptare, me idenë, dhe kjo ma pastroi shpirtin që të them se unë jam ky që jam. Po, kishte efekt të madh. Sikur të mos isha në Amerikë ndoshta nuk do ta bëja këtë që bëra, ndoshta do të ndjehesha njësoj si të tjerët.

-A mos ka ndikuar politika, miqtë tuaj, që të thoni kush jeni e çka jeni?

B. M.: – Nuk e kuptoj bash mirë këtë pyetjen tuaj. Politika ka ndikuar shumë pak. Vendimin e mora vet, me gjithë zemër. Politikanët vetëm duhet të mos e pengojnë përhapjen e idesë sime, sepse ata kanë ndikim nëpër media, kurse unë jam një katundar i thjeshtë, gjashtë muaj i lidhur për fshatin, madje nuk kam as televizor, nuk më interesojnë as gazetat. Jam i mendimit se publiku duhet të njihet me këtë, gjeneratat tona të reja, duhet të zgjohen. Në mos për diçka tjetër, atëherë ta dinë se çfarë kanë qenë të parët e tyre. Ani, babai flet maqedonisht, ndjehet maqedonas, a ku ta di unë, por le ta dinë se gjyshi e stërgjyshi i tyre ka folur shqip në Rekën e Epërme. Po ua tregoj një rast të freskët. Në fshatin tim kishte një grup prej nja dhjetë të rinjsh. I takova duke bërë muhabet dhe unë rastësisht iu thash se gjuha jonë amtare ka qenë shqipja! Brofën në këmbë duke thënë këtë e atë, se nuk është e vërtetë. Mes tyre kishte edhe një gazetar me prejardhje maqedonase. U tha t’i lënë llafet e ta dëgjojnë xha Brankon, për ta mësuar të vërtetën! Unë ua shpjegova të gjithën dhe pak u çuditën. Ata janë të izoluar dhe edhe nëse ndodhë të dëgjojnë shqip, kur dikush i pyet se çfarë flasin, ata thonë “frëngjisht”. Ku e din fëmija gjashtëvjeçar?!…Prandaj them se këtë duhet ta nxjerrim sheshit. Le të dihet kush çka është.

-Xha Branko, si jeni pritur nga shqiptarët që i përkasin fesë islame, si një kaur?

B. M.: – Më herët, po, si kaur, kurse pasi dola e fola, shumë mirë. Shqiptarët-myslimanë më shtrijnë dorën përzemërsisht. E shikon, feja ka ndikim edhe negativ edhe pozitiv. Tek myslimanët, falë përkatësisë fetare mbetën shqiptarë. Edhe ata do të ishin kaurë, maqedonas a bullgarë, por ishin myslimanë dhe mbetën shqiptarë! Ne ishim ortodoksë dhe ngadalë-ngadalë, kur erdhi bullgari u bëmë bullgarë, më pas maqedonas e në fakt jemi shqiptarë! E shikon se si ndonjëherë historia bëhet e rrezikshme?

-Familja juaj e ngushtë ku ndodhet tani?

B. M.: – Kam tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Kam gjashtë nipër. Ata janë në Çikago, në Amerikë.

-Vini shpesh në vendlindje?

B. M.: – Vij qysh nga viti 1996. Interesante, në vitin 1969 shkova në Amerikë, ndërsa u ktheva më 1996! Atë vit dola në pension dhe këtu vij e rri nga gjashtë muaj. Rri kryesisht në fshat, totalisht i izoluar: nuk kam televizor, nuk kam orë, lahem jashtë. Dua të jem sa më afër natyrës. Falë kësaj më duket se më është pastruar truri për ta parë të vërtetën të pastër si kristali.

-Kohë më parë ndërmorët një aksion të guximshëm, duke udhëtuar këmbë nga burimi i lumit të Vardarit e deri në derdhjen e tij. Si ndodhi kjo?

B. M.: – Interesante, qysh si fëmijë, pata lexuar një libër se si një gjeneral francez, kishte udhëtuar këmbë nga burimi i lumit e deri në Selanik, natyrisht për të parë rrjedhën e tij nga aspekti taktiko-strategjik për veprime luftarake. Edhe unë desha të shuaj kërshërinë time se si e nga shkon Vardari. Sivjet i bëra përgatitjet dhe me një grup miqsh e përshkova këtë rrugëtimin e tij të gjatë. Morëm ujë në Vërtok, tek burimi, një ujë të pastër, të pijshëm, dhe arritëm deri në Selanik. Ideja ishte edhe politike.

-Pse?

B. M.: – Dëshiruam që me atë ujë të pastër të shkojmë deri në Greqi, jo vetëm me atë ujë të pastër, por edhe me shpirtin, me shpirt të pastër të njerëzve. Nuk është me rëndësi nëse je shqiptar, maqedonas, turk, rom, bullgar apo grek. S’ka rëndësi. E rëndësishme është të jesh me shpirt të pastër, të jesh njeri, të jesh, komshi i mirë. Dhe, kur e derdha atë ujë në det, thash: “Dua që me këtë ujë të pastër të hidhen në det edhe të gjitha keqkuptimet, zënkat dhe hasmëritë mes njerëzve e popujve. Të ketë mirëkuptim në këtë rajonin tonë të trazuar”.
Branko Manojlovski i pari shqiptar ortodoks në Maqedoni
Branko Manojlovski i pari shqiptar ortodoks në Maqedoni

-Mund të na thoni, a jeni optimist, duke marrë parasysh këtë që ju e quani rajon i trazuar?

B. M.: – Ka vështirësi, ka pakënaqësi, ama ka edhe përparime të mëdha. Gjatë këtyre 16 viteve që kur kam nisur të vij në Maqedoni, vërej ndryshime shumë të mëdha. Dikur, të kishe flamurin shqiptar, të therrnin në rrugë, sot unë e kam vënë flamurin shqiptar te dera ime dhe askush nuk e nguc! E shikon çfarë dallimi është ky? Ndryshime ka edhe në fusha të tjera. Ato janë të mëdha, por problemi më i madh është ekologjia, papastërtia. Ne nuk po e kuptojmë këtë. Ne luftojmë, për Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, për Greqi, kurse askush nuk lufton për të pastruar Vardarin, ta pastroj vendin. Udhëtojnë njerëzit me makina dhe hudhin bërllogun. Dy milionë njerëz, dy milionë qese plastike! Ky, do pranuar, është problem yni i përbashkët. I shqiptarëve, maqedonasve, grekëve, turqëve, bullgarëve, romëve. Së pari ta pastrojmë Maqedoninë, rajonin, ekologjikisht, nga papastërtia, e pastaj të ndërtojmë ngadalë filozofitë tona. Për këtë duhet ndërgjegje dhe para.

-Xha Branko, i njihni mirë të dyja palët në Maqedoni, si maqedonasit, ashtu dhe shqiptarët. Mendoni se vendi po shkon drejtë flakjes së urrejtjes?

B. M.: – Kur shkova në Amerikë, atëherë, Martin Luter Kingu kishte shumë punë. Atëherë edhe e vranë. Ai fliste për ëndrrën e tij që zezakët dhe të bardhët të jenë së bashku. Edhe unë kam po këtë ëndërr që shqiptarët, maqedonasit, bullgarët, serbët, grekët, turqit, romët, të gjejnë gjuhë të përbashkët, të pajtohen e të mos grinden. Nga një kafene në Gostivar, këto ditë, sodisja pamjen para meje: kalon një burrë me plis, një shqiptar, pas tij një maqedonas me shapkë, e më vonë edhe një turk me fes. Ishte ditë pazari. Të gjithë plotë mburrje. I thoshja vetes: Sa mirë, të gjithë shkojnë në të njëjtin treg, blejnë të njëjtin mall, thithin të njëjtin ajër, pinë të njëjtin ujë. Sa mirë do të ishte sikur edhe ta mirëkuptonin njëri-tjetrin, të gëzoheshin së bashku?! Më duket se shtrëngimi i duarve apo dhe përshëndetjet në rrugë, sikur flasin se ndryshimi do të ndodhë. Ndoshta unë nuk do të jem gjallë, por do të vijë ajo ditë kur të gjithë do të jenë të njëjtë, me respekt të ndërsjellë. (Burimi: Yll Press)

 

Josif Bageri, dëshmitari i përjetshëm i shqiptarëve ortodoksë të Rekës

Nga Branko Manolovski


Ju, studiues të nderuar të këtij simpoziumi, kushtuar Jetës dhe Veprës se Josif Bagerit, mbase mund të shfaqni habinë përse pikërisht unë jam i detyruar të paraqes me shkrim kumtesën në gjuhën maqedonase, edhe pse jam bashkëvendës i Josif Bagerit dhe i përkas të njëjtit komunitet etnik. Ndodh kjo sepse unë di të flas në gjuhën shqipe, dialektin që ma kanë mësuar prindërit e mi shqiptarë, Nëna Zafirkë dhe Babai Manojl, por, fatkeqësisht, nuk di të shkruaj e as të lexoj në gjuhën shqipe. Ndaj, me këtë rast dëshiroj të them disa gjëra më përmbajtësore, që mund t’i them vetëm duke i shkruar dhe paraqitur në gjuhën maqedonase apo angleze. Ju lutem, me mirëkuptoni që kumtesën time në gjuhën shqipe do ta lexojë dikush tjetër.
        Tani mbase është vendi të shtrojmë pyetjen, në dukje paksa vulgare: Mos ndoshta Josif Bageri ishte humbës në angazhimin e tij për arsimimin dhe çlirimin e popullit tonë!? Në makroplan, nëse mund të shprehem kështu, mendoj se Josifi doli goxha i fituar, pasi ai tani po i rikthehet Shkupit si Përmendore, aty ku në vitin 1908 pati mbajtur fjalim para rreth 3.500 shqiptarëve, duke ua kushtuar edhe një poezi. Kurse fitoret e popullit të tij, për të cilin u angazhua me tërë qenien mendore dhe fizike, gjithashtu janë të mëdha, nga se edhe Kosova u çlirua nga pushtimi serb, kurse populli shqiptar në Maqedoni po përparon drejtë barazisë nacionale me popullin maqedonas. Ju studiues të nderuar sigurisht do të jepni përgjigje të shumta në këtë pyetje, por nuk ma merr mendja se do të jepni përgjigjen që dëshiroj të jap unë, e cila mund të keqkuptohet si përgjigje subjektive. Që tani më duhet të shfaq mendimin, se në mikroplan, fatkeqësisht, Josifi doli i humbur, sepse kësaj hapësire i janë tjetërsuar pothuajse të gjithë pjesëtarët e komunitetit të tij më të ngushtë - shqiptarët e besimit ortodoks. Ata tashmë, pothuajse tërësisht, po prezantohen si maqedonas, por nuk e di nëse po prezantohen si maqedonas sllavë, apo maqedonas me prejardhje nga maqedonasit antikë ilirë, meqë edhe ky ridefinim etnik tashmë është një proces tepër i debatueshëm dhe me përplasje brenda popullit maqedonas.

Josif Bageri ishte një shqiptar i devotshëm, i lindur në vitin 1870 në Fshatin Nistrovë të Rekës se Epërme. Në atë kohë Reka e Epërme banohej pothuajse tërësisht me shqiptarë, që u përkisnin dy besimeve fetare: ortodokse dhe myslimane. Nuk i di statistikat e kohës, por e kam me të dëgjuar nga pleqtë tanë se në Rekë të Epërme jetonin më shumë shqiptarë me besim fetar ortodoks se sa me besim mysliman. Shqiptarë ortodoks nuk kishte vetëm në Rekën e Epërme, por pothuajse në gjithë hapësirën e tanishëm të Republikës së Maqedonisë...

Atëherë Krahina jonë ishte e pushtuar nga Perandoria turke. Varfëria e rëndë e detyroi Josifin të emigrojë në moshën 17-vjeçare, siç e ka detyruar edhe stërgjyshin tim, Manojl Tanashin dhe shumë bashkëvendës të tjerë. Ai emigroi si analfabet, sepse në atë kohë, jo që nuk kishim shkollë shqipe, por nuk kishim as edhe alfabet. Nuk e di mendimin e studiuesve, por mua me ka habitur fakti se përse shumë popuj nën Perandorinë Otomane kishin autonomi fetare, kulturore e arsimore, pos popullit shqiptar? Në Sofje Josifi bie në kontakt me emigrantë të tjerë shqiptarë, nga të cilët mësoi shkrim e lexim në gjuhën shqipe. Qysh atëherë ai u angazhua me përkushtim për arsim e çlirim të popullit tonë. Më mirë se sa unë, biografinë e tij duhet ta dini ju studiues të nderuar, kurse unë këtu po paraqes këto pak të dhëna, sepse do t’më duhen për të argumentuar mendimin tim, përse Josif Bageri rezulton humbës në mikroplan. Pasi popujt e Gadishullit të Ballkanit, ku të bashkë-organizuar, ku veç e veç, përfundimisht u çliruan nga pushtimi shumëshekullor turk, hapësirat tona në vitin 1913 menjëherë u pushtuan nga Mbretëria Serbe.

Josifi u kthye nga emigracioni dhe vendosi të japë kontributin e tij, me mendim se nuk do të përndiqej si përpara. Ai shpalli kandidimin për parlamentar në Krahinë të Dibrës. Por pushtuesit serb që ishin më brutal se sa pushtuesit turq, e përndoqën. Që atëherë Josifi u arratis në Shqipëri, për t’u angazhuar në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe nuk ka të dhëna të jetë kthyer më në vendlindje. Në qershor të vitit 1915, pas konsultimeve që pati me Fan Nolin, Faik Konicën e personalitete të tjerë, se çfarë qëndrimi duhet të mbanin ndaj Princ Vidit, Josifi udhëtoi nga Durrësi në Prishtinë për të akorduar qëndrimet edhe me Hasan Prishtinën. Në rrethana ende të panjohura, në moshën 45-vjeçare, ai vdes në Prishtinë dhe, fatkeqësisht, as varrin ende nuk ia dimë, për ta rivarrosur pranë prindërve të tij, në Nistrovë, siç na e ka lënë amanet...

Për të shpjeguar se çfarë ndodhi në Krahinën tonë pas vitit 1913, më lejoni të jap ca informata telegrafike për paraardhësit e mi, që janë përafërsisht të ngjashme me secilën familje ortodokse shqiptare të Krahinës sonë, pra edhe me pasardhësit e Josif Bagerit. Katragjyshi im, Manojli, i cili jetoi në vitin 1830 - 1903, ishte i emigruar në Stamboll, siç ishte i emigruar edhe vëllai i Josifit, Mihali dhe shumë shqiptarë tjerë të këtyre anëve. Manojli dhe vëllai i tij, Lazari, në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan "Arnaut an", një emërtim që tregon për karakterin e tyre patriotik. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi. Edhe djali i Manojlit, Dhimitri që jetoi gjatë viteve 1865-1932, e kishte mbiemrin Tanashi. Pas pushtimit serb, Familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq, kurse familjes se katër vëllezërve të Josif Bagerit, - Simonit, Todorit, Mihailit dhe Manailit, - që jetonin po në këto hapësira, iu imponua mbiemri Jovanoviq, meqë Babai i Josifit dhe i vëllezërve të tij quhej Jovan, i biri i Nikollës. Mbiemrin Tanasheviq u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht Babai im, Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983. Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besim fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullit maqedon. Por ama përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe.

Pas formimit të Republikës se Maqedonisë në vitin 1944 Familjes sonë iu ndryshua mbiemri nga Tanasheviq në Manojlovski, kurse Familjes Bageri nga Jovanoviq në Jovanovski... Në vitin 1941 në Fshatin Kiçinicë të Rekës se Epërme kam lindur unë. Babai e kishte emrin Manojl, kurse Nëna Zafirkë. Në familjen tonë dhe në familjet e të gjithë kushërinjve, fqinjëve dhe në gjithë Rekën e Epërme flitej vetëm gjuha shqipe. E kam të freskët një kujtesë të hidhur nga viti 1948, kur isha 7-vjeçar. Me dhimbje e mbaj mend, sepse ishte fillesa e goditjes se rëndë të identitetin tim shqiptar. Në atë vit motra ime, Jelica, që ishte më e madhe se unë 5 vite, me shoqëroi për në shkollën fillore në Fshatin Belqicë, meqë Babain e kisha të emigruar në Stamboll. Kur hymë në klasë asnjëri nga fëmijët e fshatit tim dhe të fshatrave fqinjë nuk dinim pothuajse asnjë fjalë në gjuhën serbishte ose maqedonishte. Mësuesi me rrahu me vizore vetëm për faktin se nuk dita si i thonë kushëririt në gjuhë maqedonishte... Njerëz të mirë, shpresoj të më mirëkuptoni, nuk dëshiroj të rrëfej se sa rëndë e kam përjetuar atë të rrahur nga mësuesi im i parë vetëm për "fajin" se nuk dija si i thonë kushëririt në gjuhën maqedonishte. Siç e thashë, në vitet e para të Republikës të sapoformuar të Maqedonisë, e tërë popullsia shqiptare e Rekës se Epërme, ortodokse dhe myslimane, gjuhë komunikimi në shtëpi e ka pasur vetëm gjuhën shqipe.

Nëna ime nuk dinte asnjë llaf në gjuhën maqedonishte ose në ndonjë gjuhë tjetër. Por ama tani, me fëmijët dhe nipërit e mi në Amerikë komunikoj kryesisht në gjuhë angleze, me nipat e mbesat e mia këtu, të lindur pas viteve të 60-ta, më duhet të flas pothuajse vetëm në gjuhën maqedonishte. Dhe këta tani po shfaqin habinë e tyre, se përse unë nuk e kam harruar shqipen e prindërve të mi? Për të sqaruar dukurinë e asimilimit tonë, meqë jam goxha i moshuar, po sjell tre emra konkret të personaliteteve tanë. Fillimisht do të përmend emrin e një personaliteti, prindërit e të cilit kanë qenë shqiptarë. Ai është djali i Hallës sime, Velikës, Video Smilevski – Bato, i shpallur Heroi i Popullit në Republikën e Maqedonisë. Videon edhe mund ta quajnë maqedonas, meqë sa ishte gjallë nuk është deklaruar ndonjëherë publikisht se prindërit e tij ishin shqiptarë. Por ama Hallës sime, Velikës dhe Burrit të saj Uroshit, prindër të Videos, me ç’të drejtë mund t’u tjetërsohet identiteti i tyre shqiptar!? Sa herë që Video Smilevski vinte te dajallarët në Kiçinicë, e vinte shpesh, flisnim vetëm shqip, në gjuhën tonë amtare. Ndonjë bisedë të asaj kohe e kam mbajt mend edhe unë, por nuk është vendi këtu që t’i rikujtoj...

Personaliteti tjetër është ish-Kryetari i Akademisë se Shkencave të Maqedonisë, Mateja Matevski. Babai i tij ka qenë mik me Babain tim në Stamboll. Kur ai u kthye nga Stambolli gjuhë amtare e kishte shqipen. Akademiku i shquari Matevski vazhdon të heshtë se prindërit e tij ishin shqiptarë. Do të bënte gjynah nëse do të thoshte se ata ishin tjetër soj... Kisha një shok timin të ngushtë në shkollën 8-vjeçare në Gostivar. Me te flija në të njëjtën dhomë në konvikt. Emrin e ka Gligor Jovanovski, i cili tani është anëtar i Akademisë se Shkencave të RM-së. I njihja prindërit e tij – që të dy shqiptarë. Dhe vetëm para 6 vitesh mësova se ky shoku im është stërnip i Josif Bagerit, pra, djali i Isaisë ishte djal i Manojlit, e ai ishte vëllai i Josifit. Nuk e dija përpara dhe nuk ia fal pse nuk më ka treguar, nga se unë kisha dëgjuar shumë për Josifin nga Babai im, i cili me pat mësuar ca vjersha të tij... Di edhe shumë emra të tjerë, - e si mos t’i di emrat e vëllait tim dhe kushërinjve të parë, që janë personalitete në Shkup, por nuk po i përmend, sepse do u marr kohë. Me ketë rast u kërkoj falje që përmenda emrat e këtyre personaliteteve, sepse këta kanë bërë karrierë të shquar këtu dhe mbase nuk dëshirojnë të bëhet publike se prindërit i kishin shqiptarë. Por ama, nuk kam mirëkuptim për asnjërin, sepse edhe në këto rrethana të reja lirie përmbahen për të shfaqur përkatësinë ose prejardhjen e tyre shqiptare. Nuk e di nëse njeriu ka të drejtë të ndërrojë identitetin e vet etnik, por kurrsesi nuk ka të drejtë t’ua falsifikojë prindërve, sidomos kur ata janë në Botën tjetër të amshimit dhe nuk mund të kundërshtojnë më në këtë botë... Unë për veten time qe disa vite po i bëjë shërbim kullës se paraardhësve, të ndërtuar para 105 vitesh, për të cilën jam krenar se është kulla ndër më të mëdhatë në rajon. Kulla jonë dhe kullat e kushërinjve në Kiçinicë janë të traditës arkitektonike shqiptare. Organet përkatëse shtetërore i kanë shpallur si objekte monumentale, por nuk po përkujdesën t’i mirëmbajnë. Arsyet konkrete mund t’i dinë ata, ama unë kam dyshimin se janë penduar që i kanë shpallur monumente kulturore, sepse kam thënë se ato i përkasin traditës shqiptare dhe kushdo që do të provojë ta falsifikojë "identitetin" e kullës sime, do ta padis...

Me falni që po e zgjas, por për veten time jam duke e bërë një si katarsis ("pastrim shpirtëror"), duke rifreskuar gjuhën që ma ka mësuar Nëna ime, ndjesë pastë, sepse kur do të vdes, dëshiroj që shpirtrat tanë të komunikojnë si dikur që komunikonim si Nënë e djalë – në gjuhën tonë amtare shqipe... Si mendoni, nuk bëmë gjynah të madh ne bashkëvendësit dhe bashkëkombësit e Josif Bagerit, të besimit fetar ortodoks, por edhe shumë bashkëvendës e bashkëkombës myslimanë, që shndërruam gjatë gjashtë dekadave të fundit gjuhën tonë amtare shqipe në gjuhë serbishte, maqedonishte dhe turqishte?! Dhe meqë ky tjetërsim etnik ka përmasa të mëdha, a nuk mund të vlerësohet si një humbje edhe e Josif Bagerit, i cili pati hapur shkollën e parë laike në gjuhën shqipe në vitin 1908 në Nistrovë të Rekës se Epërme, për të cilën vetëm pak veta dinë? Dhe bashkë me gjuhën ne ndërruam edhe identitetin etnik, nga shqiptarë në serbë, maqedonas dhe turq. Ky asimilim, i përballuar gjatë 520 viteve të sundimit otoman e turk, ndodhi vetëm nga viti 1913 e ketej, kur na pushtoi e sundoi Serbia dhe vazhdoi gjatë sundimit komunist nga viti 1945 e këtej...
E meqë përmenda atë shkollë të parë shqipe në Maqedoni, më habit fakti se përse tani organet shtetërore nuk pranojnë që shkollën fillore në Nistrovë ta emërtojnë me emrin e Josif Bagerit, siç po kërkojnë banorët e Fshatit dhe mësuesit e kësaj shkolle?! Ju lutem, me duroni edhe ca, sepse po ndjehem i detyruar t’ua rrëfej ca përjetime të hidhura gjatë viteve të fundit. Pasi mbarova studimet në Zagreb, në vitin 1967, emigrova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk do t’ua them arsyet për këtë emigrim, sepse nuk dua t’u marr kohën e çmuar për të paraqitur Ju kumtesat Tuaja. Që kur kam dalur në pension, nuk mund të përmbahem pa ardhur vit për viti në vendlindjen time, në kullën tonë në Kiçinicë, ku po qëndroj rreth 5 deri në 7 muaj në vit. Shpesh po më duket vetja si UFO, kur kushërinjve të mi po ju them se jam shqiptar! Po më duket vetja UFO edhe kur ndonjë bashkëkombësi shqiptar, me besim mysliman, po u prezantohem me emrin Branko dhe po flas me ta shqip. Ata po shfaqin habi se si është e mundur në Maqedoni të kesh emrin Branko, të thuash se je ortodoks, të flasish shqip dhe njëkohësisht të thuash se je shqiptar. Fatkeqësisht kjo po më ngjan sot e këtu, edhe pse pretendojmë të jetojmë në shoqëri të lirë, demokratike dhe multietnike... Rrëfeva disa fragmente jetësore të Familjes sime për të shpjeguar jetën e të gjitha familjeve të shqiptarëve ortodoksë në këto hapësira, sepse ngjashmëria është tepër identike, sa i përket tjetërsimit etnik. Uroj Zoti të na i falë gjynahet, sidomos kur themi se prindërit i kishim serbë, maqedonas, turqë. Mbase është koha, në kuadër të debateve të mëdha për ridefinimin etnik të maqedonasve, të rilindin edhe shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë. Këtë ua kemi për borxh shpirtrave të prindërve tanë, ia kemi për borxh shpirtit të Josif Bagerit, i cili sakrifikoi aq shumë për të ardhmen tonë...

E kuptoj, e teprova paksa, prandaj simpoziumit po i dëshiroj punë të mbarë! Uroj që Shoqata Josif Bageri të realizoj planet e saj për të ndërtuar Shtëpinë "Josif Bageri" dhe Campingun "Krist Josif Bageri" në Nistrovë. Unë nga ana ime do të ndihmoj financiarisht dhe do të angazhohem të bind miq, që të ndihmojnë për t’u realizuar këto dhe të tjera plane të Shoqatës, sepse jam i bindur se kështu do të afirmojnë personalitetet e shquara, Josif Bagerin dhe Djalin e tij, Kristin, do të përafrojnë njerëzit e etnive dhe feve të ndryshme në këtë hapësirë tonën të përbashkët.
Falënderoj pushtetin e Republikës se Maqedonisë që po i ndërton Përmendore Josif Bagerit në Shkup. - I përjetshëm qoftë kujtimi dhe respekti për Kristin dhe Josif Bagerin! (Fjala përshëndetëse e mbajtur në simpoziumin kushtuar Josif Bagerit, më 25-26 qershor 201, në Tetovë, huazuar nga Gazeta 55)

 

Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni


Dikur në Maqedoni numri i shqiptarëve ortodoks ishte shumë i madh. Tani shumica nga ta janë asimiluar, mirëpo gjurmët që kanë lënë këta shqiptar mbeten udhë rrëfyese për njohjen e historisë tonë në Maqedoni.
Sot numri i ortodoksëve shqiptarë është shumë i vogël. Por a do të thotë kjo se duhet të harohen veprat e të gjithë atyre shqiptarëve, që ende nuk dalin në drit? Historianët tanë nuk e kuptojn se pikërisht këtu gjinden argumentet më të forta historike për shqiptarët në Maqedoni. Të gjithë e dinë se cdo gjë ortodokse, sllavët dhe grekët gjithmon e paraqesin si të tyren, ndërsa ne, edhe pse argumentet janë në anën tonë gjithmon i anashkalojm këtë pjesë të historisë, duke e vlerësuar si histori e “kategorisë së dytë”.
Pjesa më e madhe e ortodoksëve shqiptar jetonin në rajonin e Rekës. Ishin të njohur si gurë-gdhendësit më të mirë në gjithë Ballkanin. Jugosllavët duke shfrytëzuar fejën si preteks filluan të bëjn veprimet e para për ta zhdukur këtë komunitet, fillimisht duke i ndryshuar shkollat shqipe në maqedone, ndërsa me vonë u morën edhe masa më të ashpra ndaj atyre që vazhdonin ta quanin vetën shqiptarë.

Numri i shqiptarëve ortodoks ishte diku reth 180 000 deri në 200 000. I përqëndruar kryesisht në rajonin e Rekës. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore përbërja demografike e fshatrave të Rekës ishtë përafërsisht kjo. (këtu i keni në përqindje vetëm shqiptarët ortodoks, pasi që të gjitha këto katunde ishin etnikisht të pastra ose me shumicë shqiptare)


SENCA - 50%
VULLKAVIA - 50%
BELIçICA - 100%
NISTROVA - 50%
NIVISHTA - 20%
RIMNICA - 10%
ZHUZHNJA - 20%
VAU - 70%
BOGDI - 50%
VERBENI - 70%
KRAKARRNICA - 100%
KIçINICA - 100%
DUFI - 40%

Sllavët e shfrytëzuan shumë mirë fejën dhe mos interesimin e Kishës Autoqefale Shqitpare, si rezultat këta njerëz të gjithë u asimiluan. Ky mos funksionim i kishës shqiptare na ka kushtuar shtrejt dhe do të vazhdoj të na kushtoj. I kushton shqiptarëve në Maqedoni dhe po i kushton Kosovës.
Se cfarë ka ndodh në të vërtet? Si është tentu të asimilohen këta njerëz më së miri e ilustron Josif Bageri në poezitë e tija (libri “Reka, Vendi Im”). Prandaj shumë ngrohtësisht po e këshillojë këtë libër për të gjithë shqiptarët.

Reka vendi imë
Rekë, o zembra e Shqypnis!
Ti je vendi i trimnis.
Ndon se je kodra e vrima, -
Besa ti ke rrit shum trima:
Burra t’fort e të moshëm
Dhe në korp shum të boshëm.
Shum të pasun tregëtar,
Po s’kan zon udhën e mbar!…
Ti na ke njerëz të msuet,-
Mjëkës dhe shum të mbaruet,
Po prej ktynej s’kan guxue:
Për Shqypnin doj send me shkrue!…
Kurkush, ah, s’e rroki pendën,
As’ që për gjuhën përmendën,
Po më zgjodhe mua të ngratin,
Që ta trembi dhe lugatin!…
Me të imen mituni –
Pa sos doj msim për habi.
Kështu nisa besa-bes –
Un të shkruej me t’madhe shpres;
Për me cgjum ah; bijt e tu!…
Libra shqyp ata me shkru.
Kështy Rekë, ti t’a dish
Dhe si ke kjon të mos rrish
Po kqyr e na gjëj doj trim,
Se ti je ah, vendi im.
Ti nuk je i tjetër kujë!
Endrra, pralla, mos më thujë;
Përvec shqypen tjetër s’di,
Se kërthinës je n’Shqypni
(Marrë nga përmbledhja “ Kopsht Malsori” Sofje 1910, Josif Bageri)

Reka e Dibrës dhe rronjësit e sajë
Tetëmbëdhjet copë
Katunde ka në Rekë,
Po gjindja e ksajë-
Jon gjyku për fjekë.
Kta kështu po rrojn:
Gjith në mundime
Dhe n’ gurbet kta shkojn,
Të kërkojn fitime.
Kta po mundohen
Gjith nja në gurbet,
Po edhe s’kujtohen, -
s’mendja i vret.
Kta shkojn në Stamboll
E në Bullgari. -
Disa n’Anadoll
Dhe në Rumani…
Kështy kta verojn:
Pes a gjasht vjet, -
Mbastaj menxi shkojn,
Në vendin e vet
Ata c’mundin t’kthehen –
Në shtëpi të vet:
Në shtres këta ndehen!…
Se kan kjon n’gurbet
Kështu ven dhe vin
Po vendin e vet-
Kaq te pasunin…
T’ngratët e lon shkret!
Mbastaj gjthë kta arë,
Kopshta e vënesht:
S’i mbielln me farë…
Për me korr në vjesht.
Ashtu rrin kta shkret
Dhe kan bi me firë!…
Ama rri e shkret,
Se shkon atë e birë.
Ka disa shkake, -
Që spunojn kta arë,
Se jon mbyt në gjake!
Dyke vra kusarë
Kusarët s’kan lon
Në Rek bagëti!…
Kur u marrën gjon –
U vin njer më shpi!…
Rekasit e mjerë…
S’mundin t’rrojn në Rek,
Se kusar përherë
U vin m’dark e drek!…
Kta gjith nja ikin!
N’vise t’huja shkojn, -
Por si molla pikin.
Se n’Rek s’mundin t’rrojnë.
Shum Rekas jon ngrit-
Me gjith gjën dhe fmi,
Kan shku n’Rumani
Dhe në Bullgari.
E harruen Rekën
Dhe emnin shqyptar!…
Tani ma shum hekën,
Po quhen bullgar…
Metëvërtet dhe uni –
Rroj në Bullgari
Po gjith nja mendjen –
E kom për shqypni!…
Kujtoni o Rekas
Për vendin e vet;
Kujtoni për gjuhën
Se kurkush s’u nget.
Cgjumi ju pre gjumit
Rond që u ka zon
Dhe filloni gjuhën
Amtare me nxon.


(Marrë nga përmbledhja e Josif Bageri, “Kopsht Malsori”,
poezi shumë të bukura që pasqyrojn situatën në të cilën ndohdeshin Rekanasit gjatë periudhës të Rilindjes Kombëtare
.) ArberiaOnline

 

Branko Manojlovski: Më kërcënuan pse u deklarova shqiptar

 

Plaku i urtë nga fshati Kiçinicë i Rekës së Epërme të rrethit të Gostivarit, Branko Manojlovski mori guximin të flas dhe pohojë me krenarinë më të madhe mbi origjinën e të parëve të tij, ringjalli kujtesën e vetëdijës kombëtare për shqiptarët ortodoks të anës së Rekës, të cilët nga rrethana të ndryshme i janë nënshtruar asimilimit. Pas pohimit ai ka marr shumë kërcënime dhe shantazhe.

 

Driton ZENKU/KOHA

 

Ishte reportazhi i publikuar në gazetën “Koha” të datës 24 korrik të vitit 2011 që sensibilizoi opinionin jo vetëm shqiptarë mbi pohimet e plakut të urtë nga fshati Kiçinicë e Rekës së Epërme që mori guximin të flas dhe pohojë me krenarinë më të madhe mbi origjinën e të parëve të tij – shqiptarë ortodoks. Edhe pse kishin kaluar plotë dekada nga asimilimi i imponuar i sunduesve të kohës, shtatëdhjetëvjeçari Branko Manojlovski pa ju trembur syri publikisht deklaroi që vazhdimisht dhe ndër vite është ndier dhe ndihet shqiptar, edhe pse zyrtarisht është i evidentuar në dokumente si qytetar me nacionalitet të përkatësisë maqedonase. Pohimet e tij publike mbi përkatësinë kombëtare sa u mirëpritën me zemërgjërësi nga bashkëkombësit e tij, aq u shikuan me tmerr nga struktura të caktuara njerëzish. 

Madje, pas prononcimeve të tija publike, Manojlovski pranoi edhe shantazhe, ofendime dhe kërcënime të natyrave të ndryshme, madje edhe kërcënime për jetë. Është i vetëdijshëm për perkusionet që mund të pasojnë, por hyjnore sipas tij, mbetet e vërteta dhe vetëm e vërteta, e cila duhet pohuar si do që të jetë.

“Fatkeqësisht, shumë shpejt u ballafaqova me një realitet të hidhur. As disa nga më të afërmit e familjes sime nuk e mirëpriten prononcimin tim publik se jam shqiptar. Dhe, mendoj, nuk po e mirëpresin kryesisht nga frika, meqë ata ende nuk janë liruar nga tmerri i të kaluarës se afërt, i cili zanafillën e kishte qysh kur hapësirat tona etnike i pat pushtuar Serbia imperialiste në vitin 1913. Jam prezantuar siç ndihem dhe siç jam – shqiptar, meqë prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit dhe paraardhësit tjerë i kisha shqiptarë. Me rrëfimet e mia, si dëshmitar autentik i të kaluarës se familjes, fshatit dhe krahinës sime të dashur, Rekës se Epërme, pasuan reagimet. U ndjeva tepër i lumturuar kur vëllai, kushërinjtë, mbesat, po më përgëzonin për sinqeritetin dhe emocionet e mia të shpalosura në opinion. Pasuan edhe përgëzimet tepër dashamirëse dhe njerëzore të bashkëkombësve të mi, kryesisht të besimit myslimanë, tek-tuk edhe të besimit ortodoks. Në ndërkohë përmes telefonatave pata edhe kërcënime, të cilat mu duken se ishin nga nacionalistët ekstremistë maqedonas.

Këto kërcënime i heshta, sepse nuk dëshirova t’u shkaktoj panik të afërmeve të mi. Vet nuk u ndjeva aspak i frikësuar, jo se shquhem për trimëri, por sepse nuk e di se si me ka përfshi një dëshirë e madhe të kem fatin të vdes në Kiçinicë, meqë do të kem fat të varrosem në varrezat pranë të parëve të mi, në oborrin e Kishës sonë të fshatit, prej vitesh pothuajse e shkretuar, për shkak të emigrimit tonë”, shprehet i vendosur Manojlovski. Njëherë na serbizuan, pastaj na maqedonizuan. Mërzitë, shqetësimet, kërcënimet e shtynë atë të thërras në ndihmë kujtesën e tij, qoftë për ato që kishte përjetuar vet, qoftë për ato që kishte dëgjuar nga prindërit. “Mbaj mend, – e si të mos e mbaja mend, – vrazhdësinë e mësuesit tim të parë në Belçicë. Në vitin 1948 në shkollë më dërgoi motra ime, Jelica, pesë vite më e moshuar. Asnjëri nga fëmijët e fshatrave tonë, kur filluam shkollën, nuk dinim maqedonisht, meqë gjuhë amtare kishim gjuhën shqipe. Mësuesi (jam në dilemë nëse duhet t’i them mësues atij) më rrahu vetëm pse nuk dita si i thoshin kushëririt në maqedonisht. Që aty filluan peripecitë e ballafaqimit tim me asimilim të përdhunshëm gjuhësor dhe etnik”, rrëfehet Manojlovski.
Katragjyshi im-Manojli, thotë ai, i cili jetoi nga viti 1830 deri më 1903, ishte i emigruar në Stamboll, siç ishin emigruar shumë shqiptarë tjerë të këtyre anëve, sepse në vendlindje nuk kishin mundësi jetese.

“Manojli dhe vëllai i tij, Lazari, në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan ‘Arnaut an’, një emërtim që duhet të simbolizon përcaktimin e tyre etnik. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi, sado që ka nga ata që mundohen të me bindin me falsifikime të sajuara nga pushtuesit serbë, se edhe para pushtimit serb stërgjyshërit e mi paskëshin pasur mbiemër te serbizuar-Tanasheviq. Asnjëherë nuk kam dëgjuar ndonjë rekas, të besimit ortodoks, te ketë shpreh dilemën, të kemi qenë ndonjëherë serb!”, thotë ai. Në aspektin gjuhësor dhe etnik paraardhësit e mi ia kishin dal të përballonin asimilimin nga sundimet pushtuese mijëvjeçare romake, bizntino-bullgar, bizntino-serb dhe otomano-turk, shprehet ai. Edhe djali i Manojlit, Dhimitri, që jetoi gjatë viteve 1865-1932, fillimisht duhet ka ketë pas mbiemrin Tanashi. “Pas pushtimit serb në vitin 1913, familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq. Atë mbiemër të serbizuar u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht babai im-Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983. Por pushteti komunist maqedonas familjes sime ia ‘maqedonizoi’ mbiemrin, nga Tanasheviq në Manojlovski.

Këtë ndryshim të imponuar e pata përjetuar vet, kur si i ri shkova për herë të parë në zyrë të vendit për të nxjerr certifikatë të lindjes për motrën dhe u befasova kur nëpunësi ma lëshoi me mbiemër Manojlovski. E kundërshtova, por ai me përzuri nga zyra, me shpjegim se tashmë ishim maqedonas”, shprehet ai. Nënat tona nuk dinin asnjë llaf maqedonisht
Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besim fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Bile, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Por ama përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoks i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë.
“Pas formimit të Republikës se Maqedonisë në vitin 1944, një pjesë të familjes sonë përdhunisht iu ndryshua mbiemri nga Tanasheviq në Manojlovski, kurse një pjese tjetër, nga Tanasheviq në Lazarovski, sepse në pushtet erdhën sundimtarë ‘maqedonas’, të dresuar nga nacionalistët sundimtarë serbë, por tashmë të indoktrinuar edhe si komunistë. Siç po vetëkuptohet, në vitet e para të Republikës të sapoformuar të Maqedonisë, pothuajse e tërë popullsia shqiptare e Rekës se Epërme, ortodokse dhe myslimane, gjuhë komunikimi në shtëpi e ka pasur vetëm gjuhën shqipe.

Nënat tona nuk dinin asnjë llaf në gjuhën maqedonishte ose në ndonjë gjuhë tjetër. Por ama tani, me fëmijët dhe nipërit e mi (në Amerikë) komunikoj kryesisht në gjuhë angleze, kurse me nipat e mbesat e mia këtu, të lindur pas viteve të 60-ta, më duhet të flas pothuajse vetëm në gjuhën maqedonishte. Dhe këta tani po shfaqin habinë e tyre, se përse unë nuk e kam harruar shqipen e prindërve të mi, edhe më shumë po shfaqin habinë, përse unë po potencoj identitetin tim shqiptar”, shprehet Manojlovski.

 

Flamuri shqiptar në kullat e Manojlovskive

Pas prononcimit publik, kullat e familjes Manojlovski u shndërruan në një konak të madh për gjatë ato bashkëkombës të Brankos, të cilën bënin me kilometra rrugë për të takuar dhe përgëzuar atë, për kurajën, guximin dhe vendosmërinë e tij. Për atë, më pas shkruan gazeta gjithandej, u bënë reportazhe televizive. Lajmi morri dhenë. Në kullat binjake në oborrin e familjes Manojlovski valëvitej edhe flamuri kombëtar shqiptar.
“Flamuri jonë kombëtar u rikthye aty ku ka valëvitur një kohë, ngase mbaja mend të me kishte rrëfyer Nëna Zafirë, se me flamur kombëtar shqiptar ishte bërë dasma, kur ishte martuar me babin tim, Manojlin. Kundër vënies se flamurit tonë kombëtar u shprehën edhe ca njerëz të familjes sonë të madhe. Atyre nuk u mjaftonin arsyetimet e mia, se e ndieja për flamur të kombit tim, se me atë flamur ishte bërë dasma e prindërve të mi. Reagimi i tyre po më mërzit shumë, sepse atyre nuk ju ka mjaftuar që janë tjetërsuar në popull tjetër – maqedonas, por paskëshin ruajtur edhe paksa urrejtje ndaj kombit dhe flamurit të prindërve tanë”, thekson plaku nga fshati Kiçnicë.
Matevski nuk dinte maqedonisht

Për të sqaruar dukurinë e asimilimit të popullatës shqiptare të anës së Rekës, meqë është në moshë të thyer, Manojlovski përmend tre emra konkret të personaliteteve të shquar të kohës. “Fillimisht do të përmend emrin e një personaliteti shumë të afirmuar e të respektuar edhe si ‘Hero i Popullit’. Ai është Video Smilevski-Bato, djali i hallës sime, Velikës. Video Smilevskin edhe mund ta quajnë maqedonas, por ama hallës sime, Velikës, me ç’të drejtë mund t’i tjetërsohet identiteti i saj shqiptar!? Me këtë rast po sjell vetëm bisedën kundërshtuese të tij, që unë të mos emigroja në Amerikë. Ai arsyetonte mosshkuarjen time me përkrahjen që më kishte bërë për studime në Zagreb dhe se shtetit i duhesha si kuadër i ri. Kurse unë i thosha se nuk mund të vazhdoja të qëndroja me identitet të dubluar etnik, atë shqiptar në shtëpi, deri te dera e oborrit, dhe atë të imponuar, maqedonas, jashtë shtëpisë. Për këtë qëndrim timin ai që hidhëruar, por nuk pat marr masa ndëshkuese, siç i kanë ndëshkuar të tjerët. Tani po sjell dy emra të akademikëve që akoma jetojnë, e uroj të jetojnë sa më gjatë, për të shpjeguar se jo vetëm në nivel politik, por edhe atë akademik, ka ndodhur tjetërsimi i dhunshëm etnik i shqiptarëve ortodoks në maqedonas. Pothuajse të gjithë qytetarët e Republikës se Maqedonisë e kanë dëgjuar emrin e ish-kryetarit të Akademisë se Shkencave të Maqedonisë, poetin e mrekullueshëm Mate Matevski. Babai i tij ka qenë mik me babain tim në Stamboll. Kur ai u kthye nga Stambolli, me sa mbaj mend të kem dëgjuar, në moshë 14-vjeçare, gjuhë amtare e kishte shqipen. Ai nuk dinte fare maqedonisht. Krijimtarinë fillestare letrare e pat filluar në gjuhë shqipe në revistën letrare ‘Jeta e Re’ Akademiku i shquar Matevski vazhdon të heshtë se prindërit e tij ishin shqiptarë. Do të bënte gjynah nëse do të thoshte se ata ishin tjetërsoj” potencoi Manojlovski. (Shkupi Press)

 

Shqiptarët ortodhoks të Maqedonisë!

“Të besohet në atë që thotë populli: gjaku nuk  bëhet ujë. Dritë e tij verbon çmendurine gëlltitësve të hapësirës sonë…” (Ali Podrimja)

 

Vorbulla e historisë sonë gjithëshqipatre , ishte marramendëse. Askush nuk mendonte se nga ato përplasje centripetale drejt vrimës së zezë ,do të shpëtonim. Fortunat  nga ato më të fuqishmet u munduan të na zhbënin ,dhe të na hudhnin në vrimën e pakthimit, duke na mohuar të kaluarën tonë, duke na çrrënjosur nga trungu i ynë mijëravjecar. Tjetërsimin tonë e kishin në përparësi; kush duke na shlyer dhe humbur historinë e kush duke na tjetërsuar në kombe tjera  me  qëllim të caktuar  që të harrojmë vehtën tonë  dhe një ditë të na vjen turp me atë se çka ishim.

“Mbaj mend, – e si të mos e mbaja mend, – vrazhdësinë e mësuesit tim të parë në Belçicë. Në vitin 1948 në shkollë më dërgoi motra ime, Jelica, pesë vite më e moshuar. Asnjëri nga fëmijët e fshatrave tonë, kur filluam shkollën, nuk dinim maqedonisht, meqë gjuhë amtare kishim gjuhën shqipe. Mësuesi (jam në dilemë nëse duhet t’i them mësues atij) më rrahu vetëm pse nuk dita si i thoshin kushëririt në maqedonisht. Që aty filluan peripecitë e ballafaqimit tim me asimilim të përdhunshëm gjuhësor dhe etnik”, rrëfehet Manojlovski,orthodoksi i parë shqiptar i Maqedonisë (IRMJ) që pati guximin të deklarohet  ,dhe  përfundimisht t`a pohon origjinën e tij të vërtetë. Po ku qëndron e vërteta e këtyre shqiptarëve orthodoks në Maqedoni? Ata janë hala aty ,frymojnë aty, por me një frigë të madhe të çfaqin thelbin e tyre kombëtar. Izolimet e mëdha iu vinin që në kohën e Turqisë. Ata duhej te veçoheshin ,për të ruajtur identitetin e tyre fetar. Atyre iu duhej të mëshifeshin, sepse si ortodhoks e kishin më të lehtë të mbijetonin. Pas pushtimit serb në vitin 1913, familjeve shqiptare iu  imponua mbiemri  me parapashtesen –viq . S`kishin mundësi tjetër  ose me –ski , ose me –iq apo –viq.

 

Nënat tona nuk dinin asnjë fjalë maqedonisht

Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besim fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Bile, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Por ama përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoks i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë.”- rrrëfehet Branko Manojlovski nga fshati Kiçinicë i Rekës së Epërme të rrethit të Gostivarit në “Koha“ të Shkupit. Edhe Jugosllavia e Titos kur e krijoj Maqedoninë si republikë e vazhdoi në të njëjtën mënyrë me shqiptarët ortodhoks. Po këta të sotit? Janë edhe shumë shqiptarë tjerë të Maqedonisë që janë otodhoks  e që nuk guxojnë të flasin se çka janë.

Prof. Skënder Karaçica për asimilimin dhe përkatësinë kombëtare të shqiptarëve ortodhoksë në Maqedoni, e jep me një të dhënë nga udhëpërshkruesi anglez H.N.Brailsfort, në librin e tij me titull “Maqedonia, racat e saj dhe ardhmëria e tyre” të botuar në Londër (1906), i cili ka vërejtur se: “Nga racat që jetojnë sot në Maqedoni, vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë. Shqiptarët ortodoksë ishin të pranishëm njëlloj në krahasim me shqiptarët e besimeve  të tjera, afërsisht njëlloj në gjithë Shqipërinë e Mesme sa ishin të pranishëm në Durrës, Tiranë, Elbasan, Librazhdë, Pogradec, aq ishin edhe në Strugë, Prespë, Dibër, Gostivar, Krushevë, Manastir këto janë venerimet shkencore të kohës. Në këtë rrugë të asimilimit mbetën të paprekur për një kohë shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme të Dibrës me fshatrat Duf dhe Jellovicë të Gostivarit, pastaj të fshtatraved Labinishtë afër Shën Naumit (Ohër) e ndonjë tjetër dhe pjesa tjetër nëpër qytete”, thekson Karaçica.

Duhet përmendur intelektualin e Rekës së Epërme Josif Bageri,i cili duke qëndruar i fortë në tabanin kombëtar shqiptar, i cili duke i ra grusht propagandës antishqiptare pati thënë më zë të lartë: Gjithë sa jemi shqyptar, Kemi një gjak dhe një farë...Nona që na rriti n’gji,Të gjithë ne na ka fëmi. Për të vazhduar protestën intelektuale shqiptare: O sa keq tash na turpnuet, Se gjuhën e vet mohuet! Dhe serbishten zut të msoni: “Vake take” të na thoni.

Shqiptarët orthodoks që nuk janë pak ,sot ata janë mbi 15% të popullatës së Maqedonisë, atyre nëna iu ka folur shqip, gjyshërit e gjyshet iu flitnin shqip. Por vorbulla historike  e kërkonte shlyerjen e tyre herë nga e majta e herë nga e djathta. Ishte fortunë e madhe kur ,kurrkush nuk guxonte te fliste,e as të çfaqëte përkatësinë kombëtare. Njerëzit këtu ende nuk janë të vetëdijshëm, jo nga mosdija por nga frika  se Historia do ta bëj të veten,  dhe të thuhet e vërteta  dhe se është e vërtetë se Reka e Epërme me të gjitha fshatrat, e gjetiu kanë folur shqip deri në vitin 1960. Normalisht, gjithkush ndjehet ashtu si dëshiron, por gjenerata e re duhet ta dijë të vërtetën.  Vetëm nëse iu tregohet e vërteta ata  do të shkunden nga errësira që iu është imponuar. Edhe Kalaja e Shkupit e meshefë të heshturën e shekujve. Edhe aty kishte kishë otodhokse shqiptare. Ajo apo ato u rrënuan. kurse tani sllavishtfolësit e duan ta përvetësojnë  historinë  tonë e të mbjellin një kishë të tyre. Orthodoksët shqiptarë, ata nuk guxojnë të  të flasin, ata nuk guxojnë  të çfaqën e lere më të kërkojnë kishën e tyre  ortodhokse shqiptare.

Historia  e jonë ende duhet të i ruhet forcave centripetale që me ngulm e shtyejnë kombin tonë drejt vrimës së zezë të përpirjes.  Ku është Kisha ortodhokse Autoqefale e Fan S. Nolit  në Shqipëri që nuk bëzanë. Pse ajo nuk e ngre zërin  në mbrojtje të vëllezërve tanë otodhoks shqipëtar të Maqedonisë? Pse ajo me autoritetin që e ka, nuk ndihet? Kujt i frigohet? Të kërkosh të tëndin, të kërkosh mbrojtje për të tëndin nuk është e denueshme as nga zoti e as nga humanizmi. Të ishte Fan S. Noli gjallë, ai këtë do ta bënte.  Me siguri, do ta bënte. (Fahri Xharra, www.zemrashqiptare.net)

Zjarri në manastirin Bigorski, digjen fakte shqiptare

Historianët shqiptarë kanë nxjerrur në pah dyshimet se me djegien e bibliotekës së këtij manastiri janë zhdukur shumë dëshmi, libra, dokumente dhe arkiva në gjuhën shqipe, për shkak se deri vonë në këtë manastir kanë shërbyer murgjë vendor shqiptarë, të konfesionit ortodoks nga Reka e Keqe Historianët shqiptarë djegien e manastirit “Shën Jovan Bigorski” apo siç e njohin ate nga historigrafia si “Manastiri Mbigur” e shohin si një goditje e rëndë për faktet historike dhe dëshmitë e historisë shqiptare të trevave të Rekës së Gostivarit, një zonë e populluar tradicionale me shqiptarë ortodoksë. Sot ky kompleks i manastirit Shën Jovan Bigorski gjendet mes Gostivarit dhe Dibrës në afërsi të fshatit Rostushë, Bitushë, Trebishtë, përreth Radikës.

Historianët shqiptarë kanë nxjerrë në pah dyshimet se me djegien e bibliotekës së këtij manastiri janë zhdukur shumë dëshmi, libra, dokumente dhe arkiva në gjuhën shqipe, për shkak se deri vonë në këtë manastir kanë shërbyer murgjë vendorë shqiptarë, të konfesionit ortodoks nga Reka e Keqe. Ngjarja makabre ka ndodhur të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa me këtë kanë ngelur shumë mistere se përse u dogj biblioteka dhe pjesa e vjetëruar me vlera të pakrahasueshme e këtij manastiri që gjendet në zonën kryesisht të banuar me popullësi shqiptare. Faktet historike flasin se manastiri Shën Bigorski daton që nga shekulli 11 dhe është manastrit arbëror. “Jemi të bindur se atje kishte thesarë dokumentesh, jo vetëm kishtare, por edhe fakte për historinë dhe trashëgiminë shqiptare të kësaj zone. Aty ka pasur dokumente me vlerë nga shekujt 15, 16 dhe 17 dhe tanimë është shuar çdo gjurmë”, ka theksuar kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë (SHHSH), prof.dr. Nebi Dervishi. Ai ka shtuar se kjo është një humbje e madhe e popullit shqiptarë dhe nuk duhet të humbet një vlerë e tillë, karshi propagandës së egër sllave për të përvetësuar objektet tradicionale fetare shqiptare.

“Ky manastir është i njohur me emrin Mbigur, dhe se ai ka qenë i të parëve tanë, edhe pse më vonë në mënyrë naive u shua dhe u hoq dorë nga këto tempuj të lashtësisë sonë”, ka theksuar profesor Dervishi. Historianët dëshmojnë se deri në fillim të shekullit 20 edhe në këtë manastir ritet dhe ritualet janë bërë në gjuhën shqipe dhe kleri ka qenë shqiptaro-ortodoks, por duke filluar në vitet e para të shekullit 20 ngadalë ai është sllavizuar dhe është përvetësuar nga klerikët ortodoks maqedonas e serb. Manastiri i Shën Bigorit ka qenë edhe një pikë e rëndësishme historike në periudhën e Skenderbeut, duke qenë një vatër shqiptare e asaj kohe që përfshinte zonën e Dibrës së Madhe dhe Ohrit.

Ky komplesk me vlera të ortodoksisë shqiptare është dëshmuar për traditën e tij edhe nga historiani, prof.dr. Vehbi Xhemaili. "Kisha Shën Jovan Bigorski i takon kishës së periudhës bizantine me qendër në Stamboll dhe ka luajtur një rol të madh kulturor, arsimor të trevave të Rekës, të shqiptarëve të Rekës. Gjatë gjithë periudhës në këtë kishë peligrenazhet janë bërë në gjuhën shqipe deri me ardhjen e serbëve në këto troje , në vitin 1912", ka theksuar historiani Xhemaili, duke shtuar se kjo zonë vazhdimisht ka qenë nën presionet e pushteteve sllave për t`u sllavizuar dhe për të hequr dorë nga vlerat tradicionale kombëtare shqiptare. (http://www.ina-online.net)

 

Shën Bigori nën kompetencat e kishës shqiptare

 

Në arkivin shtetëror të Maqedonisë janë disa nga dokumentet më të reja që tregojnë se Kisha Shën Jovan Bigori, ose Shenjt Jovan Bigori, siç shkruhet në këto dokumente deri në vitin 1945 ka qenë nën kompetencat e kishës autoqefale shqiptare. Letërkëmbimi midis Kryetarit të kishës ortodokse shqiptare për Rekën e Epërme, Peco Novaku me Kishën Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë është bërë në gjuhën shqipe, ndërsa festat kombëtare, si 28 nëntori - Dita e shpalljes së pavarësisë është festuar në manastirin Shën Jovan Bigori. Historiani Skënder Hasani thotë se manastiret e shekullit X, XI dhe XII në territorin e sotëm të Maqedonisë argumentojnë prezencën edhe në këtë pjesë të trungut arbëror dhe jo rastësisht si objektet e tjera të etno- kulturës shqiptare të antikitetit dhe mesjetës ishin në shënjestër të asgjësimit nga mekanizmat shtetërore.

“Kjo bëhet me synim që të asgjësohet kontinuiteti historik i shqiptarëve dhe pastaj të dilet me teza pseudo shkencore si ato të akademisë se gjoja shqiptarët paskan ardhur pas shekullit të XVII”, thekson ai. Ai sqaron se frymën shqiptare të manastirit Shën Bigori e tregon edhe fakti që shqiptarët ishin të parët që shkuan për të shuar flakët që kapluan Shën Bigorin, pasi siç thotë Hasani e ndienin zhdukjen e historisë kombëtare.

“Biblioteka e këtij manastiri ishte një pasuri e rrallë me dorëshkrime unikale që tashmë u zhdukën plotësisht. Me to përpiqet të humbet historia arbërore”, thotë Hasani. Për Djegien e Shën Bigorit, Qendra Nacionale për Konservim kërkon përgjegjësi nga Kisha Ortodokse Maqedonase, e cila ka ndërtuar pa leje pranë bibliotekës një furrë pjekjeje. Ndërsa historiani Nebi Dervishi fajin ia lë drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzmanit, i cili lejoi që në një objekt të shkallës së parë të mbrojtjes, siç ishte manastiri i Shën Jovan Bigorit të ndërtohet furrë pjekjeje. “Gjithçka është bërë me qëllim për të zhdukur këtë pjesë të historisë së Kishës shqiptare”, thotë Dervishi. Javën e kaluar u dogj manastiri i Shën Bigorit, njërit prej manastireve më të vjetra shqiptare që  kishte mbet gjallë në këto hapësira. (Anila Limani, Shkupi, Lajmpress)

 

VIDEO SMILEVSKI – BATO, SHQIPTAR


Nga një fletushkë komuniste/qeveritare e Shkupit, kuptojmë se shqiptari Video Smilevski – Bato, “mbi katër dekada pandërprerë, deri në çastet e fundit të jetës, ndodhej në fronte të ndryshme për të cilat kishte nevojë Revolucioni dhe Partia. Si luftëtar i dalluar dhe konsekuent i lëvizjes sonë revolucionare-organizator i Partisë, udhëheqës, burrë shteti, punëtor i gjithanshëm shoqëror, çdo kund ku gjendej dhe vepronte la  dhe linte përshtypje të pashlyera -  të rrënjosur në lirinë e Republikës Socialiste të Maqedonisë. Bato kishte përvojë të pasur revolucionare. Është lindur më 14 gusht 1915 në fsh. Nikoforovë të Mavrovës, Gostivar. Rrjedh nga familje kurbetçinjsh dhe që mosha e re e ka e ka përjetuar jetën e vështirë të kurbetit, këtë fat të hidhur të maqedonasit në luftën e tij për mbijetesë dhe ekzistencë jetësore. Që nga ditët më të hershme fëmijërore punon në dyqanin e hotelerisë së babait të tij në Beograd. Nga fitimi i vështirë, prindërit ndajnë për etjen e madhe për shkollimin e Videos së tyre. Duke punuar ai shkollohet: në Beograd kreu shkollimin fillor, gjimnazin dhe akademinë tregtare. Studioi dhe ekonominë, por kushtet e luftës e pengojnë ta zgjerojë diturinë e fituar. Aktiviteti revolucionar i tij deri në vitin 1944 u zhvillua, kryesisht, në Beograd dhe në territorin e Serbisë. Në korrik të atij viti detyra partiake e çon Smilevskin në  Maqedoninë e tij, e cila përgatitej që në hovin e kryengritjes së armatosur ta mbajë mbledhjen historike të KAÇKM-së. Si pjesëmarrës në Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së me entuziazëm i përjeton momentet historike të krijimit të shtetit të lirë të popullit maqedonas dhe kombësive në Maqedoni.

Këtu me një elan të ri revolucionar e vazhdon veprimtarinë e vet si sekretar i Komitetit të Katërt të Rrethit të PK të Maqedonisë. U kooptua anëtar i KQ të LKM-së, ndërsa prej tetori e merr  detyrën sekretar i Komitetit të Parë të Rrethit të PK të zonës së Shkupit. Pas lirisë së fituar, me eksperiencën e vet të pasur revolucionare Smilevski e vë në shërbim të përtëritjes dhe ndërtimit të vendit të shkatërruar, e kyç në rritjen e pushtetit popullor dhe të revolucionit socialist. Përskaj detyrave të shumta që i kryente në PKM/LKM, vazhdimisht është zgjedhur anëtar i KQ të LKJ nga Kongresi i Pestë deri në të Tetin, ndërsa anëtar i Kryesisë së KQ të LKJ është prej vitit 1969. Përveç tjerash, ka qenë kryetar i Këshillit Kryesor të Lidhjes së Shoqatave të Luftëtarëve të LNÇ të Maqedonisë dhe nënkryetar i Këshillit Kryesor të Lidhjes së Shoqatave të Luftëtarëve të LNÇJ-së.

Që nga fillimi është një nga themeluesit e pushtetit popullor dhe në vazhdimësi punon në aftësimin dhe forcimin e tij. Në vitin 1947-1950  Vidoe Smilevski - Bato është nënkryetar i Qeverisë së RP të Maqedonisë, në vitin 1950-1951 është nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPM-së, në vitin 1952-1954 është nënkryetar i Qeverisë së RPM, ndërsa në dy vitet e ardhshme përsëri kthehet në Kuvendin Popullor dhe më 25 qershor 1963 deri më 12 maj 1967 është kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Në vitet në vijim është kryetar i Dhomës Federative të Kuvendit Federativ,  anëtar i Këshillit të Federatës, deputet në Dhomën e Popujve në Kuvendin Federativ, kryetar i Këshillit drejtues të Fondit republikan për kreditimin e zhvillimit më të shpejtë të viseve jo aq të zhvilluara. Vdekja e gjeti më 8 shtator 1979, kur e kryente detyrën e kryerit të Kryesisë së RS të Maqedonisë dhe anëtar i KQ të LKM-së. Është dekoruar me Medalje Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste, kurse është bartës i  Përkujtimores Partizane 1941.”



(Vota: 26 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora