E shtune, 20.04.2024, 03:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Busulla e shpirtit dhe drita e dashurisë

E enjte, 19.01.2012, 08:56 PM


Busulla e shpirtit dhe drita e dashurisë

 

Është evident fakti se autorët u përkasin gjeneratave të ndryshme krijuese, disa në atdhe e disa në diasporë, me vizione dhe modalitete të ndryshme frymëzimi. Në kuadrin e kësaj antologjie defilojnë një varg emrash e vlerash të denja për freskimin e shpirtit, për zbukurimin e gjuhës sonë, për ndjeshmërinë e poezisë shqiptare dhe zgjerimin e miqësisë antologjike.

 

Nga Baki Ymeri

 

Pa konotacione të vetëlavdërimit ballkanik, “Busulla e shpirtit” na duket se është një nga antologjitë të pasura, më të bukura dhe më të suksesshme që e kanë parë dritën e botimit në Bukureshtin poetik. Libri hapet në faqen e parë me një varg të poetit kosovar nga Amerika, Mëhill Velaj: “Bota më së miri lexohet në shpirtin e poetëve”, që justifikon mendimin e një ëndërrimtari që ka thënë: “Poetët, ah poetët, ç’njerëz qenkan vallë? Lindin të dashuruar dhe vdesin beqarë.” Dashuri ndaj femrës, dashuri ndaj fjalës, dashuri ndaj familjes, dashuri ndaj atdheut dhe vendlindjes. Këtë mendim e mbështet edhe Ali D. Jasiqi me vargjet e tij: “Si kashta e thatë që digjet në zjarr/ Në mua digjet dashuria/ Për shkrepat dhe krojet e freskëta/ Ku piva ujë së pari.” Ky album vlerash të rralla del në kuadër të Bibliotekës “Albanezul” dhe redaksisë së revistës “Shqiptari”, duke patur për inisiatore Vitore Lekën nga Italia, një mendim kritik të Visar Zhitit për antologjitë, 14 poetë me origjinë nga Kosova dhe dy nga Shqipëria, për të balancuar botimin e antologjisë së parë shqiptare që doli në Bukuresht, më 1959, kur si pasojë e anashkalimit të Kosovës, për fat të keq nuk figuronte asnjë emër nga kjo zonë.

          Krejt lënda del në gjuhën shqipe, me përjashtim të një numri të vogël poezishë që dalin në gjuhën italiane dhe rumune. Nga parathënia e autorit të këtij shkrimi, kuptojmë se sipas Biblës së shenjtë, trupi është burgu i shpirtit, kurse sipas një mendimtari rumun, edhe shpirti e ka trupin e vet. Busulla e shpirtit, valëvitjet e fjalës dhe mbretëria e ëndrrave. Trup e shpirt, shpirti i fjalës, vlera e saj dhe pesha e mendimit. Kështu mund të justifikohet titulli i antologjisë respektive. Vlen të ripotencojmë faktin se pas antologjive të përbashkëta me poetë rumunë, shqiptarë e të huaj (Bukuria e bukurive, Shpirti i fjalës, Vullkani i durimit, Fontana e fjalëve, Altri Mondi, Fluturimi i fjalëve, Tensione sentimentale, Nuset e fjalës, Ekzili i ëndrrave, Magjia e fjalëve, Çelësi i shpirtit, Tempulli i fjalës, Kujtimet e shpirtit, Pagjumësia e fjalëve), duke i falënderuar idesë së poetit Eduard M. Dilo për kontinuitetin e tyre, kemi nderin të dalim para opinionit edhe me “Busullën e shpirtit”, një album i pasur vlerash lirike ku defilojnë disa emra të njohur që debutojnë me vargjet e tyre për herë të parë gjatë këtij viti në kuadrin e një libri të përbashkët, një vepër e denjë perlash lirike ku defilon fjala shqipe e ngarkuar me mall, nostalgji, sentimente, ëndrra, aspirata, dashuri dhe atdhedashuri.

          Malli që e mbajnë në shpirt është barra më e rëndë që i mundon bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Shqipërinë e dytë, atë që gjendet në mërgim. Këtë fakt sentimental e kemi përmendur edhe më parë, gjë që nuk ia ul prestigjin Busullës së shpirtit, sepse, kur bëhet fjalë për vlera, çdokush e din se përsëritja është nëna e studimeve. Me disa poezi interesante që botohen për herë të parë në serinë e vëllimeve tona antologjike, paraqitet Martin Çuni, ishluftëtar i UÇK-së, i persekutuar poltik, veteran dhe flamurtar i kulturës shqiptare në Gjermani: ”Gjurmëve të Rrugës së Kryqes, vazhdë u kemi ra/ Trup e mishra dhe kocka me helm e vrer na kanë la/ Lëkurës shtatë palë dredhë, dredhas na kanë heqë/ Në shpirt e në zemër petka të zeza na kanë veshë.”. Pason Gjon Neçaj nga Tropoja me Meshën e parë: “Pastori grumbulloi pasthirrmat jetësore/ Qetësia mbizotëroi katërcipërisht Kishën e Zojës/ Jezu Krishti në kryq/…/ Mbi Dri ushton maja e Çllumit.” Pas tij vjen Bajame Hoxha-Çeliku, poeteshë e persekutuar, një zjarr i pashuar i kulturës shqiptare, me një poezi kushtuar poetit që i përjetoi traumat e skëterrës komuniste, Fazlli Haliti: “Shpirtin plotë petale/ Jeta gjithë stuhi/ Ditët dallgë e valë/ Gjithnjë pashë tek ty.”

        Si mund ndryshe ta afroj dhe kuptoj lirikën e Sabile Bashës, nëse jo si një  shpalim të përmallimit ndaj shenjtërisë dhe vuajtjes, mbi gjethet e Itakës dhe mbi stuhinë e rikthimit të përjetshëm të qenjes në vetveten e saj? – pyet Mihai Antonesku për këtë zemërzanë të frymëzuar të Kosovës letrare. Kronologjikisht sipas moshës vijnë Nexhat Rexha, Xhevat Muqaku, Sadik Krasniqi, Hasan Qyqalla, Miradije Gashi, Ramiz Dërmaku, Engjëll Koliqi, Albina Idrizi, Jeton Kelmendi, disa të prezantuar në disa antologji paraprake, ndërsa një risi karakteristike në botën e letrave shqipe paraqet edhe Halil Haxhosaj me një gjini të re letrare, haiku. Sa për ilustrim po e japim vetëm një: “Vellot e nuseve të bukura/ Ecin bregut të Drinit Plak./ Dasma fillon në Dardani.”

Një befasi të veçantë paraqet prezantimi për herë të parë i disa poemave të shqiptarit të Amerikës, Mëhill Velaj, të shkëputura nga vëllimi “Kodi i Parajsës” (që gjendet në shtyp) me këtë përkuhstim: “Të gjithë shqiptarëve patriotë që punuan në Rumani e kudo në botë, për të mbajtur gjallë flakadanin e lirisë për Shqipërinë! Atdheut të tyre të dytë që bëri të qytetërohet poezia shqipe!” Përfundimisht, në kuadrin e kësaj parafjale formale, pa ndonjë analizë të mirëfilltë të teksteve prezente, vlen të potencojmë faktin se si kriterium elementar i përzgjedhjes së autorëve është mosha e tyre. Është evident fakti se autorët u përkasin gjeneratave të ndryshme krijuese, disa në atdhe e disa në diasporë, me vizione dhe modalitete të ndryshme frymëzimi. Që nga Ali D. Jasiqi e deri te Jeton Kelmendi, defilojnë një varg emrash e vlerash të denja për freskimin e shpirtit, për zbukurimin e gjuhës sonë, për ndjeshmërinë e poezisë shqiptare dhe zgjerimin e miqësisë antologjike.

 

 

BOX

 

FTESA E NJË ANTOLOGJIE

(Teksa shpërndahemi, vendtakim kemi poezinë)

 

Nga Visar Zhiti

 

Dëshira për t’u marrë me poezi është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevkit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar.

Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët që na lidh një bashkëpunim brilant që nga koha e rilindësve tanë, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë dhe Kosovë, në Maqedoni dhe Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke pasur përballë dhe Italinë, porta e Europës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit, ku më e rëndësishme se multikulturalizmi është bërë interkultura, të përfshirë dhe ata në këtë lëvizje, ku duan të shpalosin veten, duan t’i marrin botës, por edhe të japin. Dëshmi është çështja e antologjive të përbashkëta, me poetë shqiptarë dhe të huaj. Vërtet, ç’është një antologji, çdo të thotë kjo?

Si fjalë, dihet se rrjedh nga greqishtja, ànthos - lule dhe légein – mbledh ose zgjedh. Që latinët përdornin dhe kompozitën florilegium – tufë lulesh, sinonim i së cilës është  dhe fjala miscellus, që ka dhe kuptimin e ushqimeve të përziera. Poezia kështu që herët po barazohej me ushqimin. Ndërkaq më pëlqen të shtoj se latinët, sipas ndonjë botimi etimologjik, ashtu siç i thoshin sabaia birrës ilirike, i thoshin edhe përmbledhjes së poezive. Edhe paraardhësit tanë, pra, Ilirët, me gjuhën dhe zejet e tyre, kanë ndikuar tek të tjerët, janë përzier dhe kanë bashkëpunuar me popuj. Po, po, edhe në fushën e poezisë si dhe në atë të luftës.

Një antologji tekefundit u rrekërka qysh në gjenezë që të bashkojë sa më shumë, nëse është e mundur: tufën e luleve dhe të emrave, aromën - edhe të fjalëve, tryezën me ushqime të shijshme, por dhe me metafora, dehjen me pije dhe me ndjenja, si në një të kremte të përbashkët thërret të tjerë në heshtje, lexues edhe përtej kufijve, bën miq, etj., etj. Gjatë një bisede në Torino me poetin e famshëm rumun, Marin Soresku (të cilin e ka përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe Baki Ymeri), ndër të tjera e pyeta se cila do të ishte porosia e tij për popujt e Ballkanit, të gërryer nga konfliktet dhe luftërat? - Të lexojnë poezi, - më ndërpreu ai.  Antologjitë e njëri-tjetrit e kryejnë më së miri këtë mision. Ato janë përmbledhjet poetike të popujve. Prandaj kriteret për të hartuar një antologji janë nga më të ndryshmet, nga më befasueset, kritere kohe dhe hapësire, kontinetale dhe epokash, etnish dhe gjuhësh, drejtimesh letare, etj., etj.

Ka antologji dhe të kritereve tematike, vetëm me poezi dashurie ose me poezi për punën, për të rënët, Krishtlindjet, me poezi për ujërat, për gurët, kuajt, vuajtjen, etj., etj. Ka të tjera  me poezi vetëm të grave, të shkollarëve, poashtu botohen antologji me shkrime të të burgosurve, që janë dukuri edhe e vendeve të tjera që kanë dalë nga diktaturat. Sepse poezia mbi të gjitha është liri, mrekulli e saj. Po antologjia që kemi ndër duar ç’kriter ka? Ajo sikur do të na tregojë që një punë e tillë mund të jetë e kujtdo, mjafton dëshira. Pastaj sikur na fton që jo vetëm ta pranojmë tjetrin, por edhe ta bëjmë mik. Se, kur shpërndahemi, është poezia pikëtakimi më i bukur. Pra, e thënë shkurt, kjo është një antologji miqsh, që merr përsipër ta shpallë atë, duke krijuar tensione sentimentale, ku harresat dhe mungesat duhen pranuar dhe falur. Është si një trokitje e beftë në derë, ku pritet esklamacioni i thjeshtë dhe i gëzueshëm: - O, mirë se erdhe! - Kush je? - Një si ti! - Nga vjen? -  Nga atdheu i poezisë...



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora