E premte, 29.03.2024, 05:28 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Qëndrimet e politikës së jashtme të kryekandidatit republikan për President të SHBA

E enjte, 19.01.2012, 07:59 PM


QENDRIMET E POLITIKËS SË JASHTËME TË KRYEKANDIDATIT REPUBLIKAN  PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA

 

Nga Frank Shkreli

 

Pasi  ka fituar në zgjedhjet paraprake  në shtetin Ajoua dhe Nju Hamshër, dhe sipas sondazheve pritet të fitojë edhe këtë të shtunë në Karolinën e Jugut, Mit Ramni, tani për tani, duket se ka një përkrahje solide në radhët e votuesve të Partisë Republikane drejtë emërimit të tij për kandidat të kësaj partie. Si i tillë, ai ka për t’u përballur në zgjedhjet e përgjithëshme të Nëntorit me kandidatin e Partisë Demokrate, Presidentin Barak Obama.  Nga sondazhet e botuara ditë e fundit në median amerikane, vihet re se Zoti Ramni  konsiderohet si kandidati që ka më mundësi se çdo kandidat tjetër republikan të fitoj kundër Zotit Obama. Në të njëtëjtën kohë, ai gëzon edhr përkrahjen e shumicës si kandidati që mund të bashkojë  rrymat e ndryshme të Partisë Republikane për t’a çuar atë drejtë fitores në zgjedhjet e përgjithëshme të Nëntorit.

Prandaj falë serioizitetit të kandidaturës së tij, vlen t’i hedhim një vështrim qëndrimeve të tija, të njoftuara tanimë, në lidhje me politikën e jashtëme që ai mund të ndjekë e të zbatojë në rast se fiton zgjedhjet e  ardhëshme kundër presidentit Obama.

Shënjat e para që mund të jenë indikative se cila do të jetë politika e jashtëme e Zotit Ramni si president i Shteteve të Bashkuara dhe si ‘’udhëheqës i botës së lirë’’, janë këshilltarët që ai ka grumbulluar rreth vetes.  Këta në përgjithësi i përkasin rrymës së moderuar të Partisë Republikane, shumë e ngjashme me politikën e jashtëme të Presidentit  të fundit republikan Xhorxh W. Bush, ndërkohë që shumë prej këtyre këshilltarëve kanë pasur detyra të larta në administratën e tij.  Pasi ai vetë nuk ka ndonjë përvojë në fushën e politikës së jashtëme, Zoti Ramni do të varet shumë nga këshilltarët e tij, shumë prej të cilëve janë emëra të njohur dhe espertë në fusha të ndryshme të politikës ndërkombëtare.  Gjatë fushatës së deritanishme, përveç kritikave ndaj politikës së mbrendëshme, Zoti Ramni ka kritikuar ashpër edhe politikën e jashtëme të Presidentit Obama duke thënë se ai ka hequr dorë nga ‘’roli udhëheqës i Amerikës në marrëdhënjet ndërkombëtare’’, dhe se politika e administratës Obama ‘’ka dështuar ndërkombëtarisht.’’

Zoti Ramni është prononcuar se nëqoftëse zgjidhet president në Nëntor, politika e jashtëme e administratës së tij do të përcaktohet nga katër parime drejtuese: 

--Politika e jashtëme e Z. Ramni do të jetë e qartë dhe e vendosur. Sipas tij, miqët dhe aleatët e Amerikës nuk do të kenë dyshime mbi qëndrimin dhe masat që do të merren për të mbrojtur interesat e Amerikës dhe të tyre, si aleatë të saj.  As armiqtë e Amerikës, sipas Z. Ramni, nuk do të kenë dyshime se cilat janë qendrimet e vendit të tij.  Ai thotë se si fuqia më e madhe e botës Amerika, do të përpiqet të përcaktojë agjendën dnërkombëtare.

--Shtetet e Bashkuara, sipas tij, do të bëjnë ç’mos që të ruajnë dhe të avancojnë një sistem ndërkombëtar që përkrah tregjet e hapura e të lira, qeverisjen demokratike dhe respektin për të drejtat e njeriut.  Ai thotë se historia ka treguar se vendet që ndajnë të njëjtat vlerat me Amerikën, janë  ortakë më të mirë  për Shtetet e Bashkuara në përpjekjet e tyre për të forcuar sigurimin dhe begatinë e përbashkët, në mbarë botën.

--Adaministrata e Z. Ramni do të përdorte çdo mjet të fuqisë së saj për të influencuar ngjarjet para se ato të shpërthejnë në konflikt. Pasi, sipas parimeve të tij, përdorimi i forcës është opcioni më pak i dëshiruar, ai do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike, ekonomike e të tjera për të zgjidhur situatat kërcnuese me qëllim të  mënjanimit të ndërhyrjes ushtarake, megjithëse nuk do të hiqet kurrë dorë nga përdorimi i forcës, pasi të jenë konsideruar dhe përdorur të gjitha alternativat e tjera, por pa sukses.

--Dhe më në fund, ai thotë se administrata e tij do të ushtrojë udhëheqje të vendosur në organizatat ndërkombëtare dhe në aleancat e saj.  Ai thekson se Amerika do të përdorë lidershipin e saj në organizmat ndërkombëtare siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara, për të realizuar objektivat e tyre për sigurimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.

Ndërkohë që Zoti Ramni përcakton zbatim politikash mbrenda 100-ditëve të para të administratës së tij në lidhje me çështje dhe rajone të ndryshme të botës, ai premton të rivendosë tre themelet bazë të fuqisë amerikane, e që janë: vlerat e forta; një ekonomi e fortë dhe një ushtri e fortë.  Ai beson se  Amerika është garantuesja më e mirë e  paqës dhe lirisë në botë.  Ai gjithashtu thotë se një ekonomi e fortë amerikane është e doemosdoshme për të shkurajuar kërcnimet e mundëshme ushtarake dhe për të krijuar një sistem ndërkombëtar bazuar në vlerat  e lirisë politike dhe ekonomike.  Si një gur-themel i politikës së tij të jashtëme, thotë ai, është rëndësia që ai i jep fuqisë ushtarake amerikane  si një faktor jetik për ruajtjen e sigurisë së këtij vendi dhe   të paqës në botë.  Ai ka kritikuar propozimet e Presidentit Obama për shkurtimin e buxhetit të Pentagonit dhe është zotuar se si president do të anullojë të gjitha planet e Zotit Obama për shkurtime në buxhetin e forcave ushtarake amerikane.  Për më tepër, Zoti Ramni gjatë fushatës së zgjedhjeve paraprake,  ka akuzuar presidentin Obama se ka dëmtuar marrëdhënjet e Amerikës me aletët e saj, si për shembull  me Britaninë e Madhe dhe Izraelin dhe se ka qenë tepër i butë me kundërshtarët, siç janë Irani, Kina dhe Rusia.

‘’Nëqoftëse nuk dëshironi që Amerika të jetë shteti më i fortë në botë, unë nuk dua të jemë presidenti i juaj’’, tha kandidati republikan për president, gjatë një fjalimi në Tetor të vitit që kaloi.  ‘’Atë president e keni tani’’, tha ai duke iu referuar Presidentit Obama.

Ndërkaqë, as përkrahësit e presidentit Obama nuk kanë kursyer kritikat e tyre ndaj politikës së jashtëme të prononcuar nga Zoti Ramni.  Kryetari i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtëme, Zoti Xhon Kerri, në një artikull të botuar në një gazetë konservatore të shtetit Nju Hamshër, kritikoi ashpër kandidatin republikan për president duke thënë se ai ‘’nuk ka artikuluar asnjë qëndrim  themelor të politikës së jashtëme, por në vend të kësaj ai ka anuar, nga një qëndrim i papërgjegjëshëm në tjetrin, në përpjekje për të siguruar përkrahje  nga elementë të krahut të djathtë të partisë së tij’’.  Senatori Kerri kritikoi posaçërisht qëndrimin e Zotit Ramni  në lidhje me tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku.  Ai tha se Zoti Ramni do të kishte mbajtur forcat amerikane në Irak për një periudhë të pa-caktuar.

 

Këto debate  paralajmërojnë një fushatë të nxehtë politike midis dy partive kryesore amerikane.  Megjithëse historikisht janë çështjet e mbrendshëme, e sidomos ekonomia, ato që vendosin zgjedhjen e presidentit në Amerikë, duket se me keqësimin e tanishëm të gjëndjes politike dhe ekonomiko-financiare botërore, politika e jashtëme e Shteteve të Bashkuara dhe roli i tyre në botë, do të jetë  jo vetëm një faktor kryesor i debatit të ardhëshëm midis dy partive kryesore dhe kandidatëve të tyre për president -- por në rast të keqësimit të maqrrëdhënjeve ndërkombëtare -- mund të jetë faktori vendimtar se cila parti, demokratët apo republikanët, do të ko udhëheqin Amerikën për katër vjetët e ardhëshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora