E enjte, 25.04.2024, 10:36 AM (GMT+1)

Mendime

Lis Bukuroca: Eva dhe Adami

E enjte, 19.01.2012, 08:58 PM


Eva dhe Adami

 

Nga Lis Bukuroca

 

Zoti krijoi ujërat dhe urdhëroi: »Le të mbushen me peshq.« Ato u mbushën sa ora. Ndau tokën nga uji dhe urdhëroi:» Le të mbushet toka me kafshë dhe qielli me shpezë.« Edhe toka u mbush me kafshë dhe bisha. Qielli u vërshua nga shpezët e të gjitha llojeve, madje në Eden ecnin edhe shpezë, që nuk dinin të fluturonin. Majmunët kërcyen nga dega në degë nga hareja; elefantët, luanët, leopardët, kaprojtë, tigrat, lepujt, qengjat i shtrinë shputat e tyre nën hijet e pemëve dhe dremisnin duke shikuar njëri tjetrin me kërshëri. Dhelprat luanin me pulat. Ujku me qengjat. Tigri me drenushat dhe macja me miun... Pak para se të binte muzgu, kafshët dhe shpezët kaploi uria. Ato vështruan Zotin me dhembshuri dhe të molisura. Ai bëri disa hapa drejt detit dhe tha me vete: »Kanë uri, duhet siguruar mbijetesa. Po, si?! Pas pak u kthye nga peshqit, që kërcenin mbi sipërfaqe të ujit dhe urdhëroi prerazi: “Hani njëri tjetrin! I madhi të voglin.«

 

Peshqit e vegjël u zhytën nën ujë nga frika, të mëdhenjtë u krodhën  pas tyre. Doli pak gjak në sipërfaqe, por pas pak, peshqit u qetësuan. Zoti pa se kështu sigurohej mirë mbijetesa dhe, iu drejtua kafshëve: »Ju hani bar e gjethe.»E ju«, u kthye pak në anën tjetër» hani këto, që po kullosin. Kush kë të mundet.« Kafshët e egra u shpërndanë në të gjitha drejtimet: Luanët pas drenushave, ujku pas qengjave, dhelpra pas pulave, macja pas miut dhe disa ia nisën kullosave. Derisa po përtypeshin këto, i mbërthyen bishat në fyt dhe shumë prej tyre, u plandosën përtokë. Disa tjera ikën të tmerruara. Gjak, shumë gjak dhe shumë cofëtina mbetën të shtrira në Parajsë. Pasi u larguan kafshët e ngopura, zbritën poshtë sorrat dhe çakejtë. Kur u larguan ata, zbritën mizat. Rreshti i buburrecave, krimbave, kandrrave të ndryshme dhe në fund mbetën vetëm kockat, që nuk i hante askush. Kur ujku kafshoi lepurin në kofsh, ai foli vet me vete: » O Zot, pse më krijove për të qenë ushqim...?!« Akoma pa përfunduar mirë mendimin zhgënjyes, ujku i nguli dhëmbët në qafë dhe lepuri rrotulloi sytë. Ai braktisi lepurin dhe nxitoi për të vrarë dhe kafshë tjera. Në Parajsë u shkaktua një rrëmujë e madhe. Edhe bishat tjera u ngritën përsëri për të vrarë.

»Pushoni!«, bërtiti Zoti me një zë të rreptë. Ato u ndalën duke ngritur turinjtë e përgjakur dhe vështruan në drejtimin nga vinte zëri.

 

»Juve ju ndalohet kërdia! Mund të mbysni vetëm një kafshë për të shuar urinë.« Bishat u shtrinë përsëri dhe kafshët tjera ia nisën kullotjes, duke shikuar pa pra anash. Zoti vështroi majmunin dhe tha me vete: »Duhet krijuar një qenie më të bukur se ky, më të mençur. Një krijesë që mund edhe të gjykojë, të flasë vet me vete dhe me të tjerët, të vetëmësohet, të vetëzhvillohet dhe ta ruajë tokën: Një qenie të pavarur, që nuk ka nevojë për kujdestarinë time.

Mori deltinë nga Marsi, pak ujë nga Deti Jonë (Mare Nostrum), e ngjeshi bukur mirë, pastaj i dha formën dhe bërtiti: »Ngjallu Adam!» Ai shkundi pluhurin nga trupi dhe qëndroi si i shtangur. Pak më vonë, u fut nën një shkurre i frikësuar dhe vështronte i hutuar rreth vetes. Mori disa gjethe, pastaj disa buburreca dhe i pështyu përsëri. Pas pak, iu afruan majmunët dhe u shtrinë pranë tij. Qëndroi gjatë ashtu i mërzitur. U përpoq të flasë me majmunët, por ata vetëm vështronin me sy të picërruar dhe kruheshin. Gati po qante vet me vete. Zoti përfundoi disa punë dhe një copë herë më vonë, u kthye për t’ i bërë edhe ca llafe me Adamin.

»Ç’ dreqin ke tani? Ti je më i miri nga të gjitha kafshët! Pse kaq i mërzitur?«

»S’ po m’ rrihet vet«, tha ai. » Po mërzitna shumë. Xhatë janë t’ bukra, natyra, edhe majmunat, po nuk po m’ marrin vesh, me kan me fol? Po foli vet me veti, po keshna vet me veti, po kaj vet me veti! Çdo xha ka edhe ni shoçe, viç une jo...Ky majmuni ktu po lun me shoçen e vet, me ka me lujt une?«,  pyeti ai me lot në sy duke parë ata gjersa po popullonin tokën.

 

» Si të shumohet Adami?«, mendoi Zoti, »me ndarje nuk bën, i duhet një shoqe, si edhe kafshëve tjera.» E shikoi atë bukur gjatë, pastaj bëri një shëtitje bukur të madhe nëpër Eden dhe zgjati dorën drejt Venerës. Atje mori deltinë, me tjetrën ujë nga Deti Jonë dhe e ngjeshi atë ngadalë dhe me shumë kujdes. Herë shikonte Adamin, herë mbrunte. Krijoi një masë elastike dhe të qëndrueshme dhe i hodhi një shikim Adamit. Gatoi një brumë mjaft delikat, të lëmuar dhe vështroi përsëri Adamin. Pastaj ia rregulloi flokët, ai shkuli disa qime tek vetullat, ia skuqi buzët, ia latoi qafën, ia fryu gjoksin, ia ngushtoi belin, ia zgjati këmbët dhe bërtiti: »Ngjallu Evë!« Eva hodhi flokët e gjata në një anë dhe u buzëqesh. Me bisht të syrit pa Adamin dhe uli kokën. Adami u trullos. Gati i ra të fikët.

 

»O Zot, e bane ma të heshme se mu!, pëshpëriti ai.

»Kur të krijova ty Adam, po korrigjoja majmunin«, tha Ai. »Gjersa krijoja shoqen tënde, po ndreqja gabimet që bëra tek ti, por kjo hijeshi, do të kalojë në pasardhësit e tu. Mos smiro kurrë Adam!« Ai heshti dhe hodhi shikimin anash.

Zoti vendosi të kryejë aktin e shenjtë të bashkëshortësisë dhe tha:

»Adam, a donë ta marrësh për grua këtë zonjushë, që gjendet në hijen e mollës?

Ai shikoi rreth vetes sikur kërkonte diçka dhe tha duke tundur kokën:»Po!«

»Eva, a pajtohesh edhe ti ta marrësh për bashkëshort Adamin, që gjendet përballë teje, në hijen e fikut?« Eva mblodhi buzët, u mendua ca dhe tha: »Po!«

»Sot e tutje jeni një çift bashkëshortor. Popullojeni Tokën. Evë, ti je bartëse e jetës. Ky, këtu pranë, me shumë lesh në trup, është burri yt. Ky do të ketë forcë gati sa bisha apo më shumë, por do të jetë më i mençur se ato. Kockat e kafshëve që kanë mbetur këtu, mund t’ i përdorë si armë.«

Adami ktheu kokën dhe shikoi brinjat e kafshëve me të cilat tani po luanin majmunët.

»Mos harroni këto dy gjëra«, vazhdoi Zoti: » Kjo frutë të bën të vetëdijshme, të kënaq, të mbush me kërshëri, por edhe të vdekshëm. Kujdes nga ajo tjetra pranë, ka bishtin prapa. Kjo pemë një ditë do të krijojë një popull, të lirë, që ditën do të ndërtojë, natën do të rrënojë. Adam, detyrë jotja është ta mbrosh dhe të kujdesesh për lumturinë e Evës.«

Adami nuk kuptoi akoma se ku gjendje dhe nuk foli fare. Për popullin e lirë, që do të lindej, nuk u lodh shumë. Madje, as nuk kuptoi pse duhej të kujdesej për Evën dhe në çfarë mënyre. Pohoi vetëm me kokë, por nuk tha asnjë fjalë.

»Ti je Zot i kësaj toke Adam! Unë do të largohem tani për ta vazhduar punën...«

»A nuk ma ban edhe për mu ni shoçe, që kujdeset për mu?« pyeti Adami me nxitim.

Zoti u ndalë, e vështroi atë dhe mallkoi: » Mos u kënaqsh kurrë me atë që ke!«

 

Eva dhe Adamin duke parë kafshët, ecnin edhe ata në të katra. Iu afruan njëri tjetrit, i morën erë dhe u nisën për të bërë një shëtitje nëpër Eden. Në ecje e sipër, Evës i hyri një gjemb dhe bërtiti e tmerruar. Adami  e vështroi i habitur dhe bëri sikur nuk dëgjoi gjë, por iu kujtua urdhri i Zotit. I hoqi  atë me dhëmbë, lëpiu gjakun dhe i vuri një gjeth fiku mbi plagë. Eva nuk mund të ecte më si duhet dhe u shtrinë para hyrjes së një shpelle. Pak para se t’ i zinte gjumi, Adami pyeti: »Eva, Eva, e ku flena kur t’ bahet ftoft«?

»Ktu përmas, te kjo shpella, a nuk e pa a?«, pyeti ajo duke i kthyer shpinën. Aty kaluan natën dhe në mëngjes, ishin mbledhur kruspull nga freskia. Sapo u shfaq dielli në horizont, cicërima e zogjve i zgjoi. Pas tyre, u dëgjua edhe një gjel.

»Eva, Eva, ç’ ka po hajna për kafjall?«, pyeti ai.

»Për kafjall!?«, përsëriti ajo e hutuar. »Molla!«, shtoi duke parë Adamin me habi.

»Po Zoti tha mos i hani mollat!«

»Po Adam, po, po ti nuk paske ngu mirë. Ai tha se ti je Zot i ksaj toke, apo do me jetue si budallë?  Mu kan ashtu, nuk e kish mjell aty mollën, o njeri.!«, tha Eva me plot bindje.

»Po me dek?«, pyeti Adami.

»Me dek! Po majmuni pse des? Pse ka hangër banane a?«, pyeti Eva.

Ajo iu afrua pemës, por nuk i arrinte dot frutat. U përpoq disa herë të ngjitet, por rrëshqiti përsëri poshtë. Pas shumë mundimeve, pa një degë që ishte varur gati deri mbi bar dhe mori dy molla me vete.

Adami i shtrirë kafshoi mollën, por i mbeti në fyt dhe zgurdulloi sytë: » Eva, ti koke cullak! Kuku Eva, po edhe unë mëri!«, bërtiti duke shikuar veten poshtë.

»Nuk besoj!«

»Kaçe mollën!«

»Jo, nuk e kaçi! «

»E pse ma prune mue?!«

»Ti je Zot i tokës, jo une!«

»Kaçe mëri, të marrtë dhevi, se t’ i shkula flokt!«, bërtiti Adami dhe e zuri Evën për krahu. Eva e trishtuar mori mollën në dorë.

»Hahaa« u qesh ajo, »ti koke pak ndryshe...«

Ata biseduan aty gjatë, qesheshin duke vështruar njëri tjetrin dhe u shtrinë pranë shkurreve për të fjetur. Kur dielli arriti mbi kokën e tyre, Adami u zgjua.

»Çu mëri, çu, oj kaçirubë«, i piskati Evës. »Koka ba dreka. Çu se jam untu«, bërtiti përsëri. Ajo eci pakëz nëpër kopsht, frutat tjera nuk ishin të pjekura dhe u ndalë përsëri tek molla. U përpoq përsëri të ngjitej në pemë, por prapë rrëshqiti poshtë. Adami e vështronte nga larg ndërmjet pemëve dhe priste i shtrirë. Eva u mendua ca dhe tha me vete: »Ma mirë po drejtona, se tu hec si majmuni, nuk po mirrkan mollat», dhe cak u drejtua. Adami hapi sytë dhe e përcolli me shikim i habitur. Eva eci krenare me plot molla në duar dhe u ndalë para tij.

»Mos hec mëri ashtu se asht marre, mund m’ u ërxu.»

»Nuk po muj, po m’ dhem dora», tha ajo.

»Prapë molla!«, bërtiti Adami krejt i dëshpëruar. Eva nuk foli gjë. Ata hëngrën disa dhe Adami hodhi me një drejt një majmuni, që ishte varur në një degë. Ai iku duke u hedhur në pemën tjetër pranë. Pas dreke dolën nëpër kopsht të shëtisnin dhe panë shumë pemë në lulim e sipër, shumë me fruta, por akoma të vogla dhe të pa arrira.

Adamit nuk i pëlqeu se Eva dukej më e madhe dhe u drejtua edhe ai. Pasi u lodhën, ai u shtri ndërmjet shkurreve dhe fjeti një copë herë. Eva hulumtonte kopshtin. Pak para se të perëndonte dielli, ai u zgjua dhe kishte prapë uri.

»Evë? Evë, oj Evë, toka t’ lishoftë, po ku mete?« Ajo vrapoi dhe u ndalë para tij.

»Çka po hajna sonte?«

»O njeri, zbulova ni gja«, tha Eva e ngazëllyer: »Me dridh pemën, mollat po bishin n’tokë!«

»Jo be! Çysh mëri? E pse po bikan n’ tokë?«

»Nuk e di. Veç ni Zoti e di, Adam!«

» Pa e dridh, a po bishin?«

»Jo«, tha Eva. » Po deshke me dridh...»

»Sa keç! Çysh me jetue mëri viç me molla?«, e ndërpreu Adami. » M’ u kan mpi dhamtë!«

“O Njeri, po shko mare zine ni lepër!»

»Ni lepër, a nuk e pa sa shpejt po ngajke? E tone, çysh me hangër me gjithë atë lesh?» pyeti Adami. Derisa ai po hante gërdhajën, u shfaq Zoti para tyre.

»Pse po ha mollë Adam?« pyeti duke parë gjethet e fikut tek Adami dhe Eva.

Adami u mblodh kruspull nga frika.

»Eva m’ i dha! Une kundërshtova, piskata, bërtita, e luta, po nuk nimojke kurxha. Ajo m’ tha ose haje mollën, ose po dana pi tye!« Zoti vështroi Evën.

»Çy, çy, pse mare po ma nxhet? Pasha Zotin une t’ thash viç ni herë!«

»Mirë ke bërë Eva! Çiltëria jote, mençuria, do të fisnikëroj pasardhësit tu«, ndërhyri Zoti. »Me ngrënien e mollës, keni kuptuar të mirën dhe të keqen. Mbusheni tokën me popuj. Tanimë nuk do të keni më nevojë për mua! Ky ishte qëllimi im«

»A pe shef çysh t’ bana njeri«, i pëshpëriti Eva Adamit në vesh. N’ jetë nuk duhet viç forcë, por duhet me pasë edhe dije dhe guxim...«

»Mshele mëri, po une t’ lypa i pari dishka me hangër!«

»Mirë «, ngriti zërin Zoti, »kjo tregon se jeni të lirë dhe vetëmësoheni. Të krijova sipas imazhit tim, por për të bëmat tua, llogarinë do ta marrësh vetëm prej Meje. Ruaje tokën për pasardhësit tu. Tash unë do të largohem për të vazhduar me punën time dhe ju pres lart«, tha Ai dh u nis drejt qiellit.

» Eva, eja ta mushmi parajsën me popull!«

» Jo, sot, jo, po m’ dhem kryt.«

»Eja mëri se Zoti tha mushne tokën me xhin« dhe tërhoqi Evën me forcë. Pas këmbënguljes së tij, ajo u dorëzua. Disa ditë më vonë, Eva nuk dëshironte më vetëm molla, por edhe kumbulla e kajsi të papjekura. Fiq, portokaj, banane, hurma, arra, dardha... Adami kalonte tërë ditën duke kërkuar pemë të reja.

Më vonë, Eva lindi Kainin. Adami ndërtoi një kolibe me degë dhe kashtë dhe u vendosën aty. Pastaj lindi Abeli. Një ditë prej ditësh, u ulën pasdarke dhe po bisedonin.

» O njeri, me kan mare i martojmë djemt?«

»Nuk e di!«

«Ti duhesh me dit Adam!«, nguli këmbë Eva. » Ti je Zot i ksaj toke!« Aty u grindën dhe gjuajtën me molla njëri tjetrin. Për herë të parë nuk fjetën së bashku. Kaini u bë bujk, kurse Abeli bari. Por, nga smira, Kaini vrau Abelin.

Eva qau aq shumë, sa Zoti u shfaq përsëri.

»Kain, ku është vëllai yt?«

Ai heshti dhe uli shikimin duke dënesur. Eva mbante djalin e vdekur në prehër dhe e vajtonte. Me të dëgjuar zërin e Zotit, Adami u ngrit me lot në sy dhe herë shihte njërin djalë, herë tjetrin.

»Kain, i mallkuar qofsh, të mallkuar do të jenë edhe pasardhësit tu! Pasardhësit tu, si tek peshqit dhe kafshët, do të hanë njëri tjetrin, brez pas brezi: i madhi të voglin, i forti të dobëtin, i shëndoshi të sëmurin, i pasuri të varfrin, hajduti të sinqertin, mashtruesi të drejtin, i keqi të mirin, finoku të urtin... Stërnipi jot do të njihet në të bëmat e tija, Kain. Për dallim nga bishat, ai do të bëjë edhe kërdi dhe nuk do të vrasë nga uria si kafshët, por nga makutëria, Kain. Nga makutëria! Më është përvjedhur një gabim, Eva. Ndihmoje njeriun të bëhet i mirë, të bëhet njeri. Ky mund të bëhet bisha më e rrezikshme. Kujdes!«, tha Zoti. Eva tundi kokën gjersa fshinte lotët. Pastaj urdhëroi Kainin të shkojë në Nod dhe ai atje u martua, krijoi familje dhe ndërtoi qytetin Henoh. Kur Adami mbushi 130 vjet, Eva lindi Setin. Ai jetoi edhe 800 vite tjera dhe ajo lindi shumë vajza dhe shumë djem, djem që më shpesh i ngjasonin Abelit, por herë pas here edhe Kainit...



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora