E enjte, 19.09.2019, 06:35 PM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Pensionistët nuk i besojnë më askujt!

E merkure, 18.01.2012, 09:01 PM


PENSIONISTËT NUK I BESOJNË MË ASKUJT!

 

Nga Adil FETAHU

adil_fetahu@hotmail.com

 

Është bërë zakon që në numrin solemn të gazetave të fundvitit të botohen shkrime në të cilat bëhen analiza të fushave dhe segmenteve të ndryshme të punës e të jetës në shoqërinë tonë kosovare, sikurse që praktikohet edhe në vendet e tjera. Kur nga gazeta më e lexuar në Kosovë, “Kosova sot” më porositën të përgatis një shkrim për pensionistët, u hamenda të pranoj ose jo, për shkak se nuk di se çka nuk është thënë deri më tash, por gjendja nuk ka lëvizur fare për të mirë. Dhe vetëm për hir të konsideratës dhe korrektësisë së bashkëpunimit me këtë gazetë pranova megjithatë ta bëj një shkrim, duke rrezikuar të përsëris konstatime, vërejtje e kritika që i kam bërë unë ose të tjerët në shkrimet e mëparshme. Dhe vërtetë ndonjë përsëritje nuk ke si t’i ikësh, për shkak se në fushën e pensioneve nuk ka ndodhur asgjë e re, jo vetëm nga fillimi i këtij viti por edhe qe disa vite me radhë, përveç se në ndërkohë një numër i pensionistëve kanë vdekur. Ndjesë paçin.

 

Pensionistët kategoria më e varfër e popullit më të varfër në Evropë

 

Kaloi edhe viti 2011 dhe Qeveria as Kuvendi i Kosovës nuk denjuan ta miratojnë një ligj adekuat për pensionet, ashtu që pensionistët edhe më tutje mbesin njerëz jashtë ligjit. Ata nuk kanë status të definuar shoqëror me ligj. E kanë vetëm statusin real të kategorisë më të varfër të popullit më të varfër në Evropë! Kanë edhe një status: atë të kategorisë më të diskriminuar, në mos në botë, në Evropë gjithsesi po.

Prej vitit 2003 deri në fund të vitit 2011, janë hartuar e diskutuar shumë versione të Ligjit për pensionet, në mënyrë që të arrihet te varianti i fundit i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili është versioni më i papranueshëm për komunitetin e pensionistëve, posaçërisht për pensionistët kontribut-pagues. Të kota kanë qenë përpjekjet e shumta të Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës dhe të organizatave tjera e (dy) partive të pensionistëve për të arritur ndonjë marrëveshje për një ligj adekuat, sikur e kanë të  gjitha vendet e rajonit, me të cilin do të përcaktohej statusi dhe të përmirësohej pozita materiale e sociale e të gjitha kategorive të pensionistëve. Kërkuan e bënë takime të shumta me përfaqësuesit e Qeverisë, iu shkruan letra të gjitha organeve e strukturave kompetente vendore e ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Vetëm Babadimrit që nuk i kanë shkruar për hallet e tyre. Arsyetimet e qeveritarëve, se Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk po lejojnë një ligj që ngarkon fiskalitetet, janë jobindëse për pensionistët, ngase vendet e tjera të rajonit kanë ligje adekuate, me shumë më tepër të drejta e prestacione se sa ishin kërkesat e pensionistëve të Kosovës. Edhe vet shtyrja e miratimit të ligjit duket se ishte në funksion të blerjes së kohës për qeveritarët.

Pozita materiale dhe gjendja sociale e pensionistëve të Kosovës sa vjen e keqësohet, për shkak se qe disa vjet pensionistëve nuk u janë rritur “pensionet”, përkundër inflacionit dhe rritjes së çmimeve të të gjithë artikujve, të gjitha shërbimeve, shpenzimeve komunale dhe barnave. Në çdo shtet pensionet harmonizohen sipas formulës së caktuar, krahas rritjes së shpenzimeve të jetesës dhe rritjes së bruto të ardhurave. Në Kosovë harmonizimi i tillë as nuk parashihet me asnjë akt, as nuk bëhet në praktikë! Prandaj, vlera reale e “pensioneve” pothuajse është përgjysmuar, ashtu që “shporta” e pensionistëve mund të mbushet vetëm me probleme, e jo me artikuj të nevojshëm.

As dy partitë politike e tri organizatat joqeveritare të pensionistëve, secila duke “u tërhequr në zhegra të veta”, nuk arritën të bëjnë asgjë në përmirësimin e pozitës materiale e sociale as të statusit të pensionistëve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në fund të këtij viti në Kosovë janë 159.693 pensionistë të gjitha kategorive. Prej tyre 104.196 janë pensionistë në bazë të moshës mbi 65 vjeçe, të cilëve iu paguhet pensioni bazik 45 euro në muaj. Janë 31.911 pensionistë poashtu me moshë mbi 65 vjeçe por që kanë qenë në marrëdhënie pune së paku 15 vjet dhe kanë paguar kontribute për sigurimin pensional. Ata bashkë me pensionin bazik prej 45 euro, marrin edhe një shtesë 35 euro në muaj, pa marrë parasysh nëse kanë punuar: 15 apo 40 vjet, dhe pa marrë parasysh se çfarë page kanë pasur dhe sa ka qenë shuma e kontributeve të paguara për pension! Kategoritë e tjera janë ata me aftësi të kufizuara (19.086), pensionistët e “Trepçës” (3852) dhe pensionistët e TMK-së (648), të cilët kanë “pensione” të ndryshme. Në Kosovë janë 31.283 pensionistë (kryesisht serbë) të  gjitha kategorive, të cilët marrin pensione nga Serbia. Një numër i konsiderueshëm i tyre marrin pensionin edhe nga buxheti i Kosovës, sipas bazave dhe kushteve të caktuara.

Ministri Nenad Rashiq këto ditë publikisht ka paralajmëruar se së shpejti do të miratohet Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, dhe se pas hyrjes në fuqi të atij ligji, pensionet do rritën linearisht nga 5 euro në muaj për pensionistët e pensioneve bazë, dhe nga 21 euro për pensionistët kontribut-pagues. Natyrisht, organizatat e pensionistëve nuk janë pajtuar as me përmbajtjen e Ligjit as me “rritjen” lineare, duke konsideruar se duhet të bëhet diferencimi varësisht nga stazhi i punës dhe shuma e kontributeve, ashtu siç praktikohet në ligjet e të gjitha vendeve tjera. Ata pyesin veten dhe qeveritarët: vallë, i kanë mbledhur gjithë ato vite moshe, gjithë ato vite stazhi pune, gjithë ato kontribute të paguara, për një “pension” 80 euro. Atyre tash iu ka mbetur vetëm roli i “kustosit” të jetës së vet të shpenzuar, kur ata ishin dikushi, ndërsa këta qeveritarët e tanishëm që po ua nxijnë jetën, ose nuk ishin fare ose nuk ishin kërkushi!

Për të mos hyrë në ndonjë analizë më të hollësishme, nga e cila do dilte prognozë dëshpruese, t’i lëmi pensionistët me shpresë se viti që po vjen do jetë më i mirë për ta. Thonë se shpresa vdes e fundit (prandaj nuk është mirë që vjehrra ta ketë emrin Shpresë!).

Hajde, të gjithëve Gëzuar Vitin e Ri 2012, paqi shëndet e gëzime!



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT