E premte, 19.04.2024, 09:31 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Parlamenti i shtetit Minas Gerais: Ta njohim menjëherë Republikën e Kosovës

E diele, 02.03.2008, 01:37 PM


ME KËRKESËN E ENGJËLL KOLIQIT, PARLAMENTI I SHTETIT MINAS GERAIS NGA BELO HORIZONTE I SHKRUAN PARLAMENTIT FEDERAL NË BRAZILIA DHE PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS LUIZ INÁCIO LULA DA SILVA:

TA NJOHIM MENJËHERË REPUBLIKËN E KOSOVËS

Veprimtari Engjëll Koliqi, tashmë i mirënjohur dhe shumë i respektuar në kryeqytetin e Minas Gerais-it, ka folur në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, të Asamblesë së shtetit tonë, duke përshkruar kronologjikisht historinë e vendit të tij, që nga Dardania Antike e deri në ditën e rishpalljes së Pavarësisë së Kosovës, që po vazhdon të njihet nga shumë shtete të botës. Parlamenti i Minas Gerais-it ka përgatitur dy letra, të nënshkruara nga të gjithë deputetët, drejtuar Parlamentit Federal të Brazilit dhe Presidentit të Republikës, në Brazilia, me kërkesë për njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës.

Shkruan: Caio WERNECK

Caio Werneck
Belo Horizonte, 2 mars 2008. - Të enjtën e 28 shkurtit, veprimtari i shquar kosovar, i shoqëruar nga Prof Dr Vera Lúcia Alves Neves (presidente e “DIPROJINT” – diplomaci e projekte internacionale) kanë folur në Komisionin për të Drejtat Njerëzore, të Assamblesë së Shtetit Minas Gerais, në Belo Horizonte. Mysafiri i respektuar, megjithë kundërshtimin e tij, edhe në këtë ndërhyrje u quajt ambasador i Republikës së Kosovës në Amerikën Latine. Ai – para deputetëve të këtij komisioni, para gazetarëve të shumtë dhe para shumë qytetarëve të pranishëm, ka bërë një përshkrim historik të zhvillimeve iliriko-dardane dhe shqiptaro-kosovare, që nga antika e deri në rishpalljen e pavarësisë së Kosovës. Deputetët dhe të gjithë të pranishmit e kanë ndjekur me interesim të jashtëzakonshëm përfaqësuesin kosovar dhe nga argumentet që ai paraqiste, ata janë emocionuar thellë, saqë disa herë e kanë ndërprerë me duartrokitje, në përkrahje të Republikës së Kosovës. Z. Koliqi, ndër të tjera, të pranishmëve u ka thënë se toka dardane-kosovare i ka dhënë civilizimit njerëzor personalitete të mëdha, që kanë ndërruar historinë njerëzore, si: Perandorin Konstantin (Shën Konstantinin), i cili me lirinë e besimit fetar, njerëzimit i dha aktin e parë zyrtar të demokracisë, Shën Niketë Dardanin – autorin e Hymnit të Kishës Univerzale Katolike “TE DEUM”, si dhe shenjtëreshën e dashurisë – Të Lumen Nënë Terezën, e cila – edhepse një murgeshë katolike, është varrosur me rite të tri feve (katolike, myslimane dhe hinduse). Kjo tokë, në bashkëkohësinë tonë – ka thënë ai – i fali historisë njerëzore të lirisë dhe demokracisë, edhe dy personalitete të mëdha: Kryeheroin e kryekomandantin e Luftës Çlirimtare – Adem Jasharin dhe konstruktuesin politik të Republikës së Kosovës – Dr Ibrahim Rugovën. Dr Vera Lúcia Alves Neves ka folur për projektet që po përgatiten, për investime në Kosovë, në fushën e shëndetësisë, të kulturës dhe të sportit.

Drejtuesit e këtij komisioni parlamentar – kryetari João Leite dhe Delvito Alves e kanë falënderuar, siç janë shprehur ata – ambasadorin e Kosovës për këto informacione të sakta dhe e kanë siguruar se kanë përgatitur dy letra, drejtuar Parlamentit Federal dhe Presidentit të Republikës Federative të Brazilit – Luiz Inácio Lula da Silva, me kërkesë për njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës. Këtyre dokumenteve të nënshkruara nga të gjithë deputetët e Asamblesë Legjislative të Shtetit Minas Gerais, do t’i shtohen edhe dëshmitë e ambasadorit Engjëll Koliqi – ka thënë deputeti kryesues João Leite. Solidariteti i plotë me Kosovën dhe popullin e saj, i këtij komisioni dhe përgjithësisht i Parlamentit Mineir, është parë edhe me faktin se gjatë tërë kohës së ndërhyrjes për njohjen e pavarësisë së vendit të tij, para veprimtarit Koliqi është vënë Flamuri i Republikës së Kosovës.

Duke falënderuar Asamblenë, Z. Koliqi ka përkujtuar se në marsin e vitit të kaluar, gjatë vizitës këtu, me një delegacion të Kosovës, ku ishin edhe Musa Misini (ish kryetar i Komunës së Vitisë) dhe Sarë Gjergji (zëdhënës i kësaj komune), nga Presidenti i kësaj Asambleje – Alberto Pinto Coelho kishin marrë garancinë e ndihmës, me premtimin se Kosova në Minas Gerais i ka të hapura, përveç dyerve të të gjitha shtëpive, edhe zemrat e qytetarëve mineirë dhe përgjithësisht brazilianë. Ndërkaq Profesoresha Vera Lúcia ka përkujtuar edhe premtimin e deputetit Thiago Ulysses, që si dhuratë për pavarësi, të dërgohet kombëtarja e Brazilit për një ndeshje miqësore futbolli me kombëtaren e Kosovës, në Prishtinë. Mikpritësit kanë premtuar se do të punojnë në këtë drejtim, duke i kërkuar deputetit që të mos vonohet në realizimin e këtij premtimi.

Në fund të këtij raporti nga vizita e Z. Koliqi në Parlamentin e Shtetit Minas Gerais, mund të konkludojmë se Brazili do e njohë Republikën e Kosovës, duke falënderuar këmbënguljen dhe veprimtaritë e dendura të ambasadorit faktik të saj, i cili nuk di të lodhet në shërbim të çështjes kombëtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora