E premte, 29.03.2024, 10:37 AM (GMT)

Mendime

Jusuf Gërvalla: Tradhtarët e vjetër dhe tradhtarët e rinj

E merkure, 18.01.2012, 07:58 PM


TRADHTARËT E VJETËR DHE TRADHTARËT E RINJ

 

Nga Jusuf Gërvalla

 

Çdo pushtues, për të bërë zap popullsinë e pushtuar, rekruton në organet e pushtetit të vet një numër vendësish, të cilët bëhen përçues të politikës, të ideologjisë dhe të urdhrave të atij pushteti.

 

Nga viti 1912, kur tokat shqiptare në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, në Maqedoni, Mal të Zi si dhe ato në Serbinë e sotme të ngushtë iu shkëputën padrejtësisht trungut shqiptar dhe hynë nën zgjedhën e egër serbomalazeze, në shërbim të pushtetit të huaj hynë edhe njerëz nga radhët e popullsisë vendëse shqiptare, që nga “poverenikët” më të thjeshtë e deri te deputetët në parlament.

 

Përfaqësues tipikë të indigjenëve të rekrutuar në aparatin shtetëror të pushtuesve jugosllavë ishin dikur Dragajt e Mitrovicës, Begollët e Pejës, Kryezitë e Gjakovës etj., dhe më pastaj, në aparatin revizionist titist: Fadilj Hodzët, Dzavid Nimanët, Mahmud Bakallët etj.

 

Në kohën e Jugosllavisë së vjetër kishte ndodhur që populli shqiptar, duke u nisur nga të drejtat formale që garantonte kushtetuta e atëhershme, bënte edhe përpjekje për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në organet e pushtetit ( rasti i Zef Lush Markut, Lufta e Baranit e 1937-ës) dhe, për ta realizuar këtë të drejtë, ishte përgjakur sa e sa herë me pushtetin shovinist. Ndërkaq, në Jugosllavinë e Titos, pushteti e ka kursyer popullin; ai është kujdesur vetë për njerëzit që do të zgjidhen në organet shtetërore.

 

“Poverenikët” dhe deputetët shqiptarë në “parlamentin” titist i gjejmë në një pozitë më të mirë se ata në Jugosllavinë mbretërore; këta s’kanë nevojë as të luajnë veshin për të bërë çka don për popullin në mënyrë që të fitojë simpatinë e tij. Mjafton që t’u përgjigjen kërkesave të pushtuesit dhe e kanë të siguruar kolltukun e butë. Vullneti i popullit përjashtohet fare, sepse, në vendet udhëheqëse (qoftë edhe për një drejtor të thjeshtë) funksionarët nuk zgjidhen, por emërohen nga forumet e larta lokale dhe qendrore.

 

Pasi t’i ketë zgjedhur për qejfi, pushteti i quan këta njerëz - përfaqësues të popullit. Po edhe populli, logjikisht, ata i quan - tradhtarë të popullit. Sepse, sipas praktikës së deritanishme, është dashur të japësh provime të shumta të gatishmërisë për të bërë politikë antishqiptare, ani pastaj të të emërojë pushteti në ndonjë organ lokal apo qëndror.

 

S’ka tjetër emër për këta sahanlëpirës që i shërbyen me besnikërinë e qenit, jo popullit, nga gjiri i të cilit kanë dalë, po regjimit të egër antipopullor e antishqiptar, te i cili janë shitur badihava. Ata u bënë thjeshtë një vegël e verbër në realizimin e politikës shoviniste dhe të gjenocidit mbi shqiptarët.

 

Me pajtimin e plotë të këtyre tradhtarëve u masakrua, më 1945, popullsia shqiptare në Drenicë e Gjilan, në Tetovë e gjetkë. Me heshtjen e tyre aprovuese u likuiduan dhjetëra mijra partizanë shqiptarë në Tivar, në Srem e Slloveni, ku kishin vajtur për t’u dalë në ndihmë popujve fqinjë jugosllavë në dëbimin e çizmes fashiste. “Poverenikët” dhe funksionarët titistë ishin kokë e këmbë të pranishëm kur u shkel me të dy këmbët vullneti i popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, i shprehur në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, më 1943, e cila shqiptarëve u garantonte të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje dhe bashkimin me vendin amë, Shqipërinë, e që ishte aspiratë e natyrshme shekullore e popullit tonë të martirizuar.

 

Në vend që të viheshin me guxim në ballë të popullit tonë të shkretë e të dërmuar luftërash, masakrimesh e skamjeje, t’i prinin atij në rrugën e mëtejshme të çlirimit kombëtar dhe klasor (kur Jugosllavia shkeli të drejtat e premtuara, për të cilat populli ynë pat derdhur pa kursim gjakun e bijve të vet të shtrenjtë), tradhtarët Fadilj Hodza e Dzavid Nimani me shokë, parapëlqyen qyqarinë dhe pajtimin në heshtje me të gjitha të zezat që kishte përgatitur për shqiptarët klika titiste. Ata ishin këtu edhe kur zbriti dhe u shkel për më se 20 vjet flamuri shqiptar. (Të verbëritë: Pse edhe ata nuk kërkuan të ndaloheshin flamujt e kombeve të tjera në Jugosllavi - në emër të “internacionalizmit proletar” - siç bënë jugosllavët me shkabën tonë dykrenare?!)

 

Ata nuk paraqitën kundërshtimin më të vogël as më 1947, ku u zbrazën drithnikët e Kosovës dhe populli ynë i uritur u detyrua të ushqehej me barishte, se kopallat e demagogjitë revizioniste nuk jepnin bukë. Për më tepër, tradhtari Xhevdet Hamza u ndodh në krye të detyrës për realizimin e aksionit famëkeq të armëve, më 1956, kur populli shqiptar u masakrua, kur dinjiteti i popullit tonë u kërcënua të ulej deri në baltë nga zullumet e gjakpirësve titistë-rankoviçistë.

 

Qyqarinë e tyre nuk e preku as vajtimi i djepeve shqiptare, loti i nënave as malli i burrave shqiptarë, që u dëbuan nga vatrat stërgjyshore dhe morën në sy shkretëtirat e Anadollit. Tradhtarët ishin gjithnjë këtu, të pranishëm kudo, si biberi në tavë dhe bënin jetën e tyre të rehatshme në kushtet e “vëllazërim-bashkimit” të xhelatit me viktimën. Dhe për këtë merrnin shpërblim racionin e turpshëm prej sahanlëpirësish; së pari në triska të majme për ushqim e veshmbathje, pastaj në shtëpi të mëdha e apartamente, e më pastaj në vila e vetura.

 

Kur krimet individuale e masive të ushtruara nga klika titiste mbi popullin tonë, s’e prekën dot atë lëkurë bualli-mamuth të renegatëve shqiptarë, marrëzia më e madhe është të pritësh prej tyre që të preken nga pabarazitë ekonomike, shoqërore e kulturore nën regjimin titist.

 

Në qoftë se të ardhurat kombëtare në Kosovë janë gjashtë herë më të vogla se ato në Slloveni, kurse zhvillimi i Kosovës bëhet me një ritëm 106 për qind në zotimet e jugosllavëve, në qoftë se papunësia te ne është njëzet herë më e madhe se ajo në Slloveni dhe krahu i lirë i punës derdhet varë-darë nga Kosova nëpër republikat e Jugosllavisë dhe në shtetet Perëndimore. Në qoftë se në Kosovë punohet në zhvillimin e një industrie nxjerrëse, që e pasuron Beogradin dhe jo të një industrie përpunuese - që do të pasuronte Kosovën, nëse fshatarësia kosovare është varfëruar deri në kufirin e zisë së bukës dhe rënkon në kushtet e një jete asociale, në qoftë se gruaja shqiptare ka mbetur edhe në fund të shekullit XX në errësirën mesjetare, e diskriminuar nga aspekti shoqëror dhe familjar, në qoftë se, më në fund, ky mjerim përjetohet në përmasa të shumëfishuara në viset shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, ç’kanë të bëjnë të gjitha këto me renegatët shqiptarë!!! Ata e kanë kolltukun e tyre, kanë pallatet dhe veturat, kanë rrogat e tyre të majme, si gjithë funksionarët dhe borgjezia jugosllave.

 

Dhe, mbi të gjitha - nëse popullit i ka ardhur shpirti në fyt dhe ngre zërin e tij të fuqishëm për të kërkuar bukë, të drejta e liri, kushte të njëjta a të përafërta me popujt e tjerë të mozaikut jugosllav, me të cilët e lidhin “vëllazërimin” e “bashkimin” - tradhtarët e kanë në dorë milicinë dhe ushtrinë. Natyrisht, jo për të për të përkrahur interesat e kërkesat e popullit, po për t’i shtypur në gjak ato. Dhe, kur të mos u mjaftojnë milicia e ushtria e stacionuar në tokat shqiptare të robëruara, ata mund ta thërrasin edhe milicinë dhe ushtrinë e Beogradit. E dinë se, për të bërë zap shqiptarët, Beogradi nuk kursen ushtri as milici. Tanke as avionë. Helikopterë as municion.

 

Kjo gjë, ç’është e vërteta, dihej mirëfilli. Ishte parë në ngjarjet e 1945-ës e në ato të 1968-ës. U pa edhe në tragjedinë më të re të Kosovës, në mars e prill (1981-Sh.B). Por, nuk dihej një gjë tjetër. Megjithë besnikërinë e tyre të pashoqe ndaj Beogradit, tradhtarët shqiptarë si Dzavid e Mahmudi, a e meritonin ata që Beogradi t’i nxirrte në rrugën e madhe? Dyzet vjet luftë antishqiptare të shkurtabiqit-bullafiq Dzavid Nimani nuk i siguruan atij as një pensionim të rehatshëm nga gospodari! Si qen i zgjebosur e i shogur i stanit, të cilit i janë rralluar të lehurat dhe i është dobësuar nuhatja, ai u detyrua të lërë stanin e kaçorren, të lërë koritën dhe qullin e përbashkët me qentë e tjerë të gospodarit. Ç’mund të bënte për Beogradin më shumë seç ka bërë, i shkreti Dzavid! Stazhi më se 10 vjeçar i shërbimit të Mahmudit qe vërtet më i shkurtër, po ky ishte një qen me dresurë dhe shërbimi i tij - shumë më intensiv e efektiv. Megjithatë, edhe Mahmudin e hodhi në shportë Beogradi si lëvoren e limonit të shtrydhur.

 

Po pse?

Edhe budalla e di se ajo që kërkon aktualisht prej tyre Beogradi, nuk është më fare në mundësinë e tyre. Populli i robëruar shqiptar kishte nevojë të madhe t’ia qanin hallet e t’ia mjekonin plagët e mëdha, që ishin pezmatuar sa s’bën më. Kurse Beogradi kërkon që renegatët shqiptarë t’i flasin këtij populli ashtu si i kanë folur qe 40 vjet, me demagogji, frikësime e shantazhe, Kërkon që ata të injektojnë edhe më në popullin shqiptar po ato mendime që kanë Beogradi, Mahmudi e Fadilji. Por, kjo është e kotë. Aq e kotë , sa do të kish qenë e kotë sikur shqiptarët të kërkonin nga Beogradi që ky t’ua japë falas ato të drejta e liri, të cilat s’fitohen veçse me luftë këmbëngulëse e me gjak.

 

Duhet të jesh i verbër fare nëse nuk sheh se s’qitet më në krye me shqiptarin. Ka ndodhur diçka e re me të. Ai gjithmonë e ka urryer regjimin antipopullor jugosllav, i cili mban nën thundrën e vet të përgjakshme edhe popujt e tjerë të këtij mozaiku artificial, por dëmton veçanërisht shqiptarin. Po sot kjo urrejtje ka dalë haptazi dhe është bërë mur i pakapërcyeshëm për pushtuesin dhe tradhtarët e vendit. Në ngjarjet e marsit e të prillit, populli ynë tha njëherë dhe përfundimisht: Jo! Kjo i kushtoi gjak. Ndërmjet nesh dhe qeverisë së Beogradit tani ka hyrë gjaku i bijve të shtrenjtë të popullit tonë. Dhe ky gjak është ai që i fshin të gjitha perspektivat e kthimit në gjendjen e mëparshme. Beogradi kërcënohet haptazi me gjakderdhje të re. Por s’i bën dobi. “Zemra jonë ka gjak sa gurra”. Dhe mbi gjakun e derdhur forcohen edhe më shumë themelet e vetëdijes kombëtare e klasore të shqiptarit të robëruar. Ndjenja e fuqishme e lirisë e ka bashkuar popullin tonë trim si një trup të vetëm. Me tanket e aeroplanët, me helikopterët e mitralozët, me ushtrinë e milicinë speciale, Beogradi s’bëri gjë tjetër pos që dogji etapat e luftës sonë të pashmangshme dhe na ndihmoi shumë në afrimin sa më të shpejtë kah dita e fitores së sigurt.

 

E di mirë Beogradi se nuk gjendet dot ilaç për ta shëruar te populli ynë kujtimin e vrasjeve e të plagosjeve, as akullin e burgjeve të kësaj pranvere. Por, këtë sikur nuk po e dinë ca tradhtarë të rinj që pushteti i ka futur në lojë si kartën e fundit. Kryesia e Serbisë e pat thënë që në fillim të prillit se disa udhëheqës vasalë kosovarë si Fadilji, Dzavidi e Mahmudi “janë të pjekur për t’u larguar nga skena politike”. Kjo i gjeti tashmë Dzavidin e Mahmudin, pritet të gjejë edhe Fadiljin. Nga ana tjetër, kur populli shqiptar shtroi çështjen e republikës së federuar të Kosovës, ishte e vetëkuptueshme që, kur të shpallej republika, nga postet e tyre duhej të binin dhe të merrnin nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës e kriminelë kosovarë e jugosllavë, që aprovuan apo urdhëruan gjakderdhjen në Kosovë. ( Si mund të jetojë shqiptari nën shkopin dirigjues të atij që i vrau, i plagosi e i burgosi bijtë më të shtrenjtë?) Tani plaga po pezmatohet gjithnjë e më shumë, sepse Beogradi, i vetëdijshëm për krimet e deritanishme dhe për rrugën e krimeve më të mëdha që ka ndër mend, emëroi në vende kyçe të pushtetit krahinor renegatë të rinj shqiptarë me kondicion edhe më të madh për tradhti të reja. Garnitura e vjetër e tradhtarëve të urryer u zëvëndësua këmbadoras me një garniturë findo të re tradhtarësh që çirren si të flamosur, duke pandehur se do ta frikësojnë e ta përulin një popull që kurrë s’është përulur, e përulet aq më pak sot që ka vendosur të luftojë pa u zmbrapsur për të drejtat dhe liritë e veta.

 

Tash që s’ka bukë, dhe shteti ka hartuar plane për një “otkup” të ri, këta renegatë të rinj thërresin: “Mirëqënia”, “Begatia”! Kur populli kërkon me të drejtë, republikën që e kanë të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë, ata thërresin: “E kemi republikën - Serbinë”. Kur begatitë tona plaçkiten pa mëshirë dhe marrin rrugën e Beogradit, ata thërresin: “Vëllazërim -bashkim”!. Kur ushtria e milicia fashiste mbulojnë në gjak Kosovën, duke shkelur mbi popullsinë e pambrojtur, ata çirren: “Të distancohemi nga nacionalistët, shovinistët, reaksionarët e kundërrevolucionarët shqiptarë, që duan të rrezikojnë revolucionin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë”! Me një fjalë, ata thërrasin si qyqarët më të mëdhenj të kësaj bote për një nënshtrim akoma më të madh të popullit tonë, për t’u pajtuar me humbjen edhe atyre pak të drejtave formale që kishin deri më tash në Serbinë. Ata e thërrasin kështu popullin shqiptar që ky, me sy në ballë, t’ia hapë vetvetes me duart e veta varrin e sigurt.

 

Ku e shohin vallë perspektivën këta renegatë të rinj? Ata s’e kanë as përvojën e paraardhësve të tyre, e kushtet kur u ngjitën në skenë janë pakrahasueshëm më të ndërlikuara se ato kur mbretëronin renegatët e vjetër. Për pushtuesit jugosllavë, shërbime më të mëdha se Fadilji, Dzavidi e Mahmudi nuk mund që nuk mund të bëjnë. Kurse populli shqiptar jo vetëm nuk po fiksohet nga shantazhet e tyre, po përditë po i konsolidon më shumë radhët e veta, po e forcon frontin e luftës e të hakmarrjes së madhe popullore.

 

U mbetet një mundësi e vetme tradhtarëve të çirren e të përpëliten si peshku në zall, e kur t’i shtrydhë deri në fund pushtuesi e t’i hedhë në rrugë, atje t’i presë dora hakmarrëse e popullit. Të mjerët tradhtarë, ç’po u përgatit populli!

 

("Liria" nr.4-5 gusht 1981, faqe 12 dhe 17)



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora