E merkure, 24.04.2024, 12:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Shpirtligu

E merkure, 18.01.2012, 08:59 PM


SHPIRTLIGU

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Diellit ia kanë lidhur këmbët me zinxhirë… Hënën e ka kafshuar Ujku në njërën faqe… Yjet i ha Arusha e Madhe… Macja e ka miun në gojë… Dhelpra e mashtron qenin me bisht… Gjarpri është bërë kulaç në shtëpi… Misrin e hanë sorrat… Kau i Zi nuk e tërheq qerren… Lopën e pi Bolla me flokë… Gjeli e thirr mëngjesin në gardh…

- Tungjatjeta! Me cilin flet kështu, o plak?

- Tungjatjeta! Me ata të mitë, zoti Piktor.

- Hëna, a u dha sonte fëmijëve darkë?

- Po. Vetëm nuk pati shtambë t’u japë ujë.

- Kjo nuk prish punë. Kryesorja barkun ua ka mbushur me bukë.

- Barku, zoti Piktor, nuk kërkon vetëm bukë.

- Si?

- Lulet, zoti Piktor, nuk duan të mbushin barkun, por duan edhe diell…

- Mos e zgjatë më shumë, o plak! Ma mbushe mendjen.

- Ty, po. Por ka edhe koka të mbushura me kashtë.

- Qy – qy! - u habitë Piktori.

- Kokave të tilla duhet shtjerë pykat me tokmak.

- E nëse nuk u hyjnë as me tokmak?

- Zajrrin. Ua vej zjarrin, zoti Piktor. Nuk të duhet kokë e mbushur me kashtë…

- Plak, në portretin tënd qesh dielli…

- Po, abetaren a e kam në gji?

- Abetaren? Abetarja të bënë dritë. Abetaren e ke plak fener, fener. Fener.

- Kësulën e bardhë?

- Edhe kësulën e bardhë.

- Po, shkopin me kërrabë?

- Shkopi me kërrabë bën me gisht në terr, plak.

- Ç’tregon ai në terr?

- Macën me krimba.

- ???!!!

- …

- Zoti Piktor, nga një njeri i marrë, ke bërë portret të mençur.

- Plak, mendtë duhet kërkuar te të marrët. Të mençurit kanë bythë.

- Sa para duhet për portretin, zoti Piktor?

- Të marrëve ua bëj pa para.

- Jo. Tregoni sa u bënë puna!

- Asgjë. Asgjë, një faleminderit plak.

- Falemnderit, zoti Piktor. Portretin e keni punuar me zemër. Tru. Dhe, ditën e mirë!

- Vetëm përpara, plak!

Plaku me abetare doli në rrugë. Dielli ecte kah perëndimi. Ngadalë… Ngadalë… Ngadalë… Çudi! – tha me vete plaku. Si nuk e harron dielli rrugën?! Ose, ta zëmë, të lindë në perëndim. Apo, të ndelet së ecuri në mes të qiellit. Po, nata? Eh, ç’faj i kam unë natës që e ka frikë diellin. Unë dua ta di nga cila anë hy dita në Qytet? Nga cila anë del nata? Dhe, a janë takuar ndonjëherë dita e nata në rrugë? Cila ia ka lëshuar e para rrugën? Pse yjet nuk duken ditën? Nata për ç’arsye i vret yjet dhe i hudh në det?...

Ja, këto pyetje më ecin nëpër tru, e unë dua t’i di të gjitha. Po, edhe t’i dish, këto nuk të japin bukë. Bukën ta japin duart. Duart ta japin edhe litarin. I mençuri do të zgjedhë litarin. E një i marrë si unë do të zgjedhë bukën. Nuk mundem ta vras veten si qen. Ti do të thuash, po nuk ke bukë, ujë? Po, a vetëm këto të bëjnë të lumtur?! Jo, kam edhe bukë, edhe ujë, edhe pasuri… Nuk i dua këto  shpërblime… Ja, mu edhe për këtë unë jam i marrë. Tungjatjeta!...

- O plak, pse mbëledh malit breshka? I bërtiti Rrufjani nga ana tjetër e trotuarit.

- T’i tremb frikacakët…

- Frikacakët nuk tremben me breshka, o i marrë!

- Nuk tremben, por ja, unë i tremb me breshka.

- Merre njërën për grua!

- Jo, për grua do ta marr nusen tënde! Mos u tremb, nuk e dua për gjatë kohë, vetëm një natë sa ta bëj bretkosë… Këmbë e krye bashkë…

- Uaaa!... Fëmijë, përzejeni këtë të marrë nga Qyteti! Breshkat i lëshon rrugëve…

- I lëshoj se janë më të mençura se ti, nuk i ngjiten askujt pas këmbëve. Qyteti kur nuk ka njerëz, ka nevojë edhe për breshka.

- Mbaje! –Aha-haa-haaa! Zinjani udhën! Dili para!...

Fëmijët me një “uaaa” dhe bajga iu vunë pas plakut. Iku. Jashtë Qytetit u ul të pushojë në një livadh. Fëmijët nuk e ndoqën më, por u kthyen te Rrufjani pas shpërblimit. Plaku me abetare nxori portretin. Ptëhu! E paskam harruar në xhep. E nusja e ka kërkuar ta fshehë në palën e qilimave, mbi arkë. Si nuk ma ka zënë nusen gjumi! He, kokë! Kokë! Kokë! Një ditë do të harrosh t’i zgjidhësh edhe brekët. Brekët? Jo. Jo, një gjë e tillë nuk do të lejojë t’i ndodhë plakut. Ti nuk do të lejosh, po do të të urdhërojë pleqëria. Duart nuk do të kenë fuqi ta zgjidhin kordhën.  Po, nusja? A e di ti se nëna i iku babait mu pse nuk diti t’i zgjidhë brekët? Por, ti nuk ke nuse? Nuse? E kujt është kjo fotografi? E gazetave. Po. Unë vërtetë nuk paskam nuse. S’kam nuse, por nuk dua të mos di t’i përdori edhe armët e luftës. Punemadhe. Armët e luftës do t’i hedhish në përrua. Kush, unë? Unë do t’i hedhë në përrua?! Kurrë! A, e di ti kush i hedhë në përrua? Frikacakët. Ata i mbushin brekët. U bënë bytha nga shtatë… Unë s’e luaj këmbën. Syri im nuk di frikë. Po, portretin? Epo portretin, pasi nuk paskam nuse do ta fus ta ruaj në mesin e abetares. Ja, këtu. Ndal! Këtu qenka dhelpra. Kësaj nuk i besoj se është dinake. Do ta qes në faqen tjetër se ka keq. Po,,këtu:

 

U e madhe e shtypit,

U e vogël e shtypit.

 

UJKU

 

Jo, or Ujk! Jo. Unë nuk jam qengj. Nuk dua të ta turbulloj ujin. Ti je egërsirë. E di unë. E kur e di, si të të besoj, o shpirtlig! Nuk mundem të ta jap portretin me dorën time në gojë. Se, t’ia heqësh vetes don të thotë, ta urrejsh veten me gjithë zemër. Unë e dua veten, o Ujk! Portretin do ta qes ja këtu, te Xixëllonja. E di ti, o Ujk, kush është Xixëllonja? Jo, edhe këtë nuk e di. Xixëllonja është ajo që bënë dritë. Ja, mu si ai ylli i mbremjes në qiell. E sheh? Vetëm se ajo ecën, ecën… Fluturon… Edhe ti ecën. Po, ti je Ujk. Egërsirë. Nuk bënë dritë. Ti, i ngulë dhëmbët në mish. E copëton qengjin. Veç kokën, veç këmbët.

Armikun nuk mundem ta bëj mik. Natën e mirë yje! Më mori gjumi. Më flihet!...



(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora