E enjte, 29.10.2020, 07:38 AM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Historiku i zhvillimit të muzeologjisë në Kosovë

E marte, 17.01.2012, 07:59 PM


HISTORIKU I ZHVILLIMIT TË MUZEOLOGJISË NË  KOSOVË

Nga Qazim Namani

Që nga kohët më të lashta në Kosovë ruhen materiale të vlefshme si: vegla të ndryshme personale, familjare armë dhe sende tjera të cilat mbaheshin nëpër shtëpi banimi, objekte të kultit dhe vende tjera të shenjta. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se ruajtësit më besnik të thesarit muzeor në Kosovë ishin objektet e kultit, kishat dhe manastiret e hershme paleokristiane, mesjetare, xhamitë, teqetë, tyrbet etj. Tradita dhe interesimi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve të kulturës treguan se shumë monumente sot hyjnë në radhën e realizimeve ma me vlerë të qytetërimit dhe kulturës Evropiane. Luftërat e shumta dhe konfliktet e zhvilluara në këto treva ndikuan që të dëmtohen dhe shkatërrohen një numër i madh i thesarit, dokumenteve dhe monumenteve të kulturës.

Thesaret më të çmuara në Kosovë sot konsiderohen të jenë disa nga monumentet e zbuluara arkeologjike që nga koha e neolitit e deri në mesjetë. Bazuar në artefaktet e zbuluara deri me tani është vërtetuar se territori i Kosovës së sotme kishte një zhvillim të lartë kulturorë edhe në epokën e periudhës ilire e veçanërisht të mbretërisë Dardane dhe asaj romake. Koleksionet e periudhës mesjetare që kryesisht ruheshin në objekte sakrale e që ishin vepra edhe të artistëve dhe popullatës vendore arbërore u përvetësuan së bashku me objektet e kultit ortodoks.

Sipas një të dhëne që del nga zyra noteriale e Kotorrit, françeskani atë Vita Kuçi ishte rektor apo kryemurg i kishës së Shën Mërisë në Kotorr, punë që në atë kohë, në këtë pjesë të Adriatikut e bënin priftërinjtë shqiptarë.

Kisha e Manastiri i Deçanit ruan elementet e arkitekturës dalmate dhe arbërore. Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendet edhe mbishkrimi i gdhendur nga atë Vita Kuqi-Cuçi, që ishte kryemurg i kishës së Shën Mërisë në Kotor. Është ruajtur e dhëna se Atë Vita me 18 skulptor e gurskalitës ndërtoi kishën e manastirin në Deçan. Manastiri është ndërtuar prej vitit 1327-1335.

Abati Vita nga Kotorri, autor i kishës së Deçanit, u ndikua drejtpërdrejt nga kisha e Shën Sergjit dhe Bakut, projektuar prej abatit Pjetër Doka nga Shkodra e po në këtë linjë, përmes imitimesh e përsosjesh u ndërtuan edhe një shumicë kishash të Kosovës prej artistësh shqiptarë katolikë e ortodoksë.

Kisha e Deçanit ka thesar të pasur dhe të ruajtur mirë. Është ruajt ikonostasi, në naos gjenden dy sarkofag guri, sipas legjendës në njërin prej tyre është varrosur Deçanski. Janë të ruajtura mirë disa kryqe, kupa, gota ikona. Shquhet kupa e argjendit dhe gota e agjentë të mitropolit Viktorit në vitin 1593, pastaj rrethi i praruar në ar për ungjill në vitin 1644. Ikonat janë punuar nga mjeshtër të njohur të kohës si: Longin, Zografët Georgiu dhe Kozma, dhe një numër i ikonave të mjeshtërve anonim. Thesari i Deçanit ka afër 150 libra në dorëshkrim shumica të zbukuruara me ornamente dhe iniciale. Libri më i rëndësishëm është jetëshkrimi i mbretit Deçanski prej Gligorij Camblakut i shkruar pas vitit 1402, pastaj dorëshkrimi i vitit 1762 nga peshkopi i Vërshacit kushtue Stefan Deçanskit.

Sidomos vlen të veçohen thesaret e manastireve mesjetare të Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkales së Pejës. Manastiri i Deçanit ka thesarin më të pasur dhe më të ruajtur në përjashtim të manastirit të Hilandarit në “Malin e Shenjtë”. Në manastirin e Deçanit ka sende me vlera të mëdha kulturore-historike të punuara prej metaleve fisnike, dorëshkrime të rralla, ikona, ikonostasi i mermertë, sarkofagë, koleksioni i pasur kryqesh, koleksioni i gotave, kandilat nga shekujt XVII - XVIII e XIX. Ikonat që ruhen në manastirin e Deçanit janë të shekujve XVI, XVII, si më e bukura veçohet ikona e Shën Mërisë së Pelargonisë me Krishtin në prehër.

Thesar të pasur të koleksionit muzeor kishte edhe Patriarkalja e Pejës por lufta Austro-Turke e viteve 1683-1689 i shkaktoi dëm të mëdha, sepse turqit nën udhëheqjen e Jegen Pashës në vitin 1688 e zbuluan pasurinë e këtij thesari që ishte i fshehur në një kube të manastirit të Graçanicës të cilin e barten me vete. Në Patriarkalen e Pejës shquheshin koleksioni i ikonave,  koleksioni i metaleve fisnike i përbërë prej disa kryqeve të punuara në shekujt XVIII-XIX, thesari i drugdhendjes i punuar më 1797 nga Haxhi Ruvin Neshkoviqi etj. Në manastirin e Graçanicës kishte thesare të çmuara që ishin dhurata të mbretërve mesjetar. Vlerën më të madhe të këtij thesari e kanë ikonat dhe librat në dorëshkrime, si ikona e Krishtit, evangjelistit Luk e shekullit XVI, Shën Mërisë, 17 dorëshkrime dhe më se 20 fragmente të librave të shkruara me dorë të shekujve XIV-XVI.

Pas pushtimit nga P. Osmane në fund të shekullit XV vërehen ndikimet edhe ne kulturë. Gjatë kësaj periudhe koleksione me vlera të rëndësishme muzeore janë ruajtur edhe në xhami, tyrbe, teqe etj. Ndër koleksionet që vlejnë të përmenden janë: dorëshkrime dhe libra të shenjtë, fragmente të kuranit, enë të ndryshme shpata kandila, shandan, qilima mbulesa etj.

Zhvillimi institucional i muzeologjisë për etnokulturën e Kosovës nuk fillon me themelimin e Muzeut të Kosovës, por shumë më herët. Si muze i parë  në Kosovë përmendet Kulla Antike, ky ishte  muzeu privat i familjes Gjinolli në Prishtinë.

Familja Gjinolli ishte familje bejlerë me origjinë shqiptare që e themeloi muzeun në fund të shekullit XVIII. Përveç këtij muzeu ka ekzistuar dhe një koleksion i rëndësishëm i familjes Bashota në Prizren. Përveç këtyre familjeve ka pasur edhe shumë koleksionuare tjerë të familjeve feudale shqiptare si familja Begolli në Pejë, Dragalijt në Mitrovicë etj. Për fatin e koleksioneve të këtyre familjeve feudale tani nuk kemi të dhëna të sakta.

Muzeu i familjes feudale Gjinolli me origjinë shqiptare ishte institucion kulturor mjaftë interesant dhe i ngjashëm me ato të oborreve feudale nëpër shtetet e Evropës, i cili është shkatërruar në kohën e luftërave Ballkanike me 1912.

Koleksioni muzeor i familjes Gjinolli ka pasur një numër të konsiderueshëm të eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike ( në mesin e tyre ka qenë edhe gijotina e Jashar Pashës ).

Pas shpërnguljes së shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1878 dhe vendosjes së kufijve Serbia dërgoi shumë misionar për të përshkruar gjendjen e popullatës brenda kufijve të rinj. Mita Rakiqi i vizitoi këto treva ne vitin 1880 dhe në librin e tij “Iz Nove Serbie” shkruan se në fshatin Siarinë një shqiptar i kishte gjetur dy Pitosa në arën e tij. Pitosat ai i përshkruan me dimensione mjaftë të mëdha ku lartësia e tyre ishte 2 m dhe gjerësia 1 m. Njeri nga pitosat ishte nxjerr nga dheu i pa dëmtuar e të cilin e kishte marrë që atëherë gjenerali K.S. Protiqi për Muzeun Popullor të Beogradit.

Mos respektimi i konventave dhe normave ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë me ligje dhe kritere universale, ndikuan që Shtjefën Gjeçovi, me tërë forcën e tij intelektuale dhe materiale të vihet në mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Gjeçovi u shqua për studime folklorike, etnografike, arkeologjike dhe të drejtën zakonore. Avni Alcani shkruan se Shtjefën Gjeçovi është i pari arkeolog shqiptar që zhvilloi kërkime dhe sondazhe në terren brena territorit të Shqipërisë që në vitin 1920, ai e botoi shkrimin e parë në fushën e arkeologjisë me titull “Argëtim Arkeologjik”.

Gjeçovi ngriti dy muze në Shkodër të jezuitëve dhe të françeskanëve, është fjala për dy koleksione antikitetesh që ishin grumbulluar për të zbukuruar dy dhoma të klerit katolik. Këto muze u themeluan rreth viteve 1880 dhe 1890. Gjeçovi ishte etnografi, arkeologu dhe studiuesi i parë shqiptarë i kulturës ilire. Përballë Gajtanit në Shqipëri sot ndodhet një shpellë që e mban emrin e Gjeçovit, sepse në këtë shpellë i bëri gjurmimet, ku e la edhe një mbishkrim të vetin.

Atë Shtjefën Gjeçovi ka shkruar disa artikuj kundër tregtarëve të huaj që e grabisnin pasurinë arkeologjike, por edhe kundër matrapazëve që tregtonin me vlerat e kulturës sonë kombëtare. Në shkrimet e tij ai vazhdimisht kërkonte që të hapej muzeu kombëtar arkeologjik. Për këtë qëllim Gjeçovi i grumbulloi rreth 500 objekte me vlera arkeologjike me të cilat e formoi koleksionin e parë arkeologjik. Koleksioni i grumbulluar nga Atë Shtjefën Gjeçovi sot është pasuri kombëtare që ruhet në muzetë e Shkodrës dhe të Tiranës.

Në vitin 1905 në fshatin Stubëll në komunën e Vitisë ekzistonte shkolla në gjuhën shqipe dhe mësues në atë kohë ishte Mikel Tarabullozi. Që nga kjo kohë në Stubëll ruhen si koleksione muzeore orenditë dhe mjetet konkretizuese që u përdorën për mbajtjen e mësimit në këtë shkollë.

Në fshatin Zym të Hasit shkolla në gjuhën shqipe e kishte filluar punën që nga viti 1610. Për vjetërsinë e kësaj shkolle bënë fjalë edhe Atë Vinçenc Malaj, i cili thotë se kjo shkollë ka funksionuar edhe në vitin 1864 dhe mësues ishte Patër Milen nga Cless. Prej vitit 1900-1918 mësimet në gjuhën shqipe u mbajtën në një objekt ndihmës të kishës së fshatit. Nga viti 1925 shkolla punën e vet e vazhdoi në gjuhën serbe. Në vitin 1941 në këtë shkollë mësimet filluan në gjuhën shqipe nga mësues të fshatit dhe në vitin 1968 shkolla u pagëzua me emër të Atë Shtjefën Gjeçovit.

Në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë, sot ruhet një ekzemplar i Abetares së Zymit prej 80 faqe që i mungojnë kopertinat, e botuar me 20 Maj 1900, si koleksion i fondit personal i Jakut të Tushit, Mark Krajës, alias Jak Specit, dosja nr.163.

Me pushtimin e Kosovës nga forcat serbe në luftën e parë Ballkanike, muzeu plaçkitet dhe tërësisht shkatërrohet.

Eksponate nga territori i Kosovës ishin dërguar nëpër muzetë e Jugosllavisë edhe ndërmjet dy luftërave botërore. Figura e cjapit prej bronzi që u zbulua në Prizren gjendet në Muzeun e Vrajës.. Pas luftës së parë botërorë shumë koleksione të zbuluara në Kosovë me vlera të rëndësishme muzeore u morën dhe u dërguan në muzetë tjera të Jugosllavisë. Nder to vlen të përmenden stoli të ndryshme nga ari e argjendi, pllaka te mermerit me mbishkrime që nga periudha romake, altarë, sarkofag, vegla pune, orendi të ndryshme veshje dhe punime të shumta etnografike. Nga plaçkitja e koleksioneve në Kosovë  u pasurua shumë Muzeu popullor në Beograd, Shkup, Sarajevë, Podgoricë, Vranjë, Nishë, Arangjelovac, Krushevc dhe qytete tjera të ish Jugosllavisë.

Prej vitit në fjalë në Kosovë nuk kemi muze të themeluar deri në vitin 1949. Muzeu  i Kosovës i themeluar në vitin 1949, zhvillon veprimtarin e vet që nga viti 1951, në mbledhjen, hulumtimin, konservimin dhe ekspozimin e thesarit muzeor, për qëllim të studimit, edukimit dhe shijimit të vlerave materiale të trashëgimisë lëvizëse.

Gjatë periudhës komuniste në Institucionet muzeore Kosovare eksponatet janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore dhe të pjesshme në këto periudha: Antika dhe periudha Osmane. Rëndësi të veçantë i kushtohej LNÇ, periudhës së ndërtimit socialist, lëvizjes punëtore për arsye se pushteti komunist i konsideronte si periudha të lindjes, zhvillimit dhe të ndërtimit të ideologjisë komuniste. Pushteti komunist e bëri të pamundur, hulumtimin, prezantimin dhe publikimin e temave që kishin të bëjnë me periudhat më të ndritshme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Shumë tema, ngjarje dhe personalitete kulturo-historike kombëtare shqiptare u vlerësuan si kontra revolucionare, indoktrinuese dhe të dëmshme për shoqërinë socialiste. I tërë dokumentacioni, fotografitë dhe eksponatet tjera muzeore të cilat pasqyronin dhe dëshmonin ringjalljen arsimore e ekonomike të Kosovës gjatë viteve 1941-1944 mbanin legjendën vepra të fashizmit.

Shumë eksponate të zbuluara në territorin e Kosovës gjenden në muzetë e ish Jugosllavisë dhe muze tjera të njohura të Evropës. Ato në të shumtën e rasteve keqpërdoren dhe prezantohen si thesare të  muzeve të Serbisë.

Me rastin e 160 vjetorit të themelimit të tij, Muzeu Popullor i Beogradit në bashkëpunim me Muzeun Kelt Hochdorf/ENZ dhe Landesdenkmalamt Baden-Ëurttemberg Esslingen, organizuan ekspozitën e përbashkët me eksponate kelte dhe ilire nga Ballkani qendror prej datës 25.11.2004 e deri me 31.07.2005. Në këtë ekspozitë përveç eksponateve nga muzetë e Serbisë, kishte dhe eksponate të Muzeut të Prishtinës.

Shumë eksponate te zbuluara në territorin e Kosovës gjatë shekullit XX u zhdukën pa lënë gjurmë. Në shënjestër ishin sidomos të gjitha objektet me mbishkrime epigrafie të periudhës iliro-romake, stoli të ndryshme, monedha etj. Për pjesën dërmuese të këtyre objekteve nuk kemi të dhëna sepse ato kurrë nuk u publikuan. Në te shumtën e rasteve publikoheshin artefakte nga periudhave të kohës së gurit të cilat lidheshin me para-ilir e shumë më pak nga koha e Mbretërisë Dardane. Publikoheshin dhe artefaktet e periudhës mesjetare, por duke ju dhënë shpjegime të njëanshme politike se artefaktet nga kultura materiale e sidomos ikonat kishtare të kësaj periudhe i përkasin kulturës sllave. Muzeu i Vranjës i ka publikuar disa nga eksponatet e këtij muzeu të zbuluara në territorin e Kosovës. Këtu vlen të përmendet katalogu me fotografi dhe të dhëna burimore dhe tipologjike për 130 figurave të ndryshme, punim terakote të kulturës së Vinçës të zbuluara në lokalitetin e Fafosit dhe Vallaçit të Mitrovicës.

Ndër figurat tjera që janë publikuar nga Muzeu i Vranjës, po veçojmë cjapin nga epoka ilire të zbuluar në Therandë, e punuar në bronz . Për këtë eksponat shkruan edhe Muhamet Shukriu në librin Prizreni i lashtë i cili jep të dhëna të detajuara për zbulimin e e tij. Ai shkruan se bazuar në dëshmitë e Baki Imamit qytetar nga Prizreni, figurën e cjapit të bronztë e ka gjetur në Jaglenicë një nxënës shkolle gjatë një shëtitje të organizuar në prill të vitit 1939. Pastaj ky eksponat kalon në duar të drejtorit të postës së Prizrenit deri në vitin 1950, kur nga drejtori e blenë Gani Dukagjini (stërshitës i antikiteteve në Prizren). Në vitin 1996 figurën e blenë kustosi i atëhershëm i Muzeut të Kosovës Tatomir Vukanoviqi i cili pasi ri punësohet në Muzeun e Vranjës e bartë në Vranje së Bashku me shumë eksponate tjera të zbuluara në Kosovë. Por Vukanoviqi e bënë falsifikimin e rrugës së gjetjes së kësaj figure  të publikuar në “Vranjsi Glasni” të vitit 1973, duke e përshkruar se është gjetur në fund të shekullit XIX apo fillim të shekullit XX vetëm për ti ikur përgjegjësisë së tije për bartjen e shumë eksponateve nga Kosova  në Muzeun e Vranjës.

Edhe në Muzeun e Shkupit ruhen një numër i konsiderueshëm i objekteve muzeore të zbuluara në territorin e Kosovës. Ne po veçojmë stelat e zbuluara në Pejë me nr. të inventarit 303, nr. Inv. 151, nr.inv. 278, nr. Inv. 152, nr.inv.150, Klinës, Zllakuçanit nr.inv. 209, Uglarë Prishtinë nr.inv.161, Kaçanik nr.inv.274, që po ashtu gjenden në Muzeun e qytetit të Shkupit. Përveç stelave në muzeun e Shkupit ruhen edhe Medaljone nga Kosova si: Peja, altarë nga Prishtina, Kaçaniku, Llapnasellës, Mitrovicës, Vushtrrisë, Prizren etj., Pllaka mermeri me reliefë të skalitura nga Peja e vende tjera.

Artefakte nga Kosova ka edhe ne muzetë tjera te ish Jugosllavisë. Pllaka të mermerit që u zbuluan në Janjevë gjenden në Muzeun Popullor të Beogradit.

Në librin e shkruar nga grupi i autorëve serb për Artanën, që u botua në Beograd në vitin 2004 janë publikuar disa nga eksponatet e gjetura në Artanë. Prej tyre ka enë të punuara nga qeramika që dallojnë për nga madhësia dhe forma, një enë qelqi, armë të kohës, rrathë bronzi, 18 unaza të kualitetit të lartë, 5 komplete vathë, dhe 2 lloje tjera të pa kompletuara, si dhe 33 monedha.

Tregtarët e Janjevës kanë mbledhur shumë monedha antike të cilat janë shitur apo dërguar në muze tjerë. Këtu vlen të ceken monedhat të cilat gjenden në muzeun e Sarajevës.

Në Janjevë në vitin 1934 u zbulua një depo e periudhës së halshtatit, ku rëndësi të madhe kanë bylyzykët e zbuluar që lidhet me zbulimet në territorin e Maqedonisë dhe pasqyrojnë kulturën Ilire mjaftë të zhvilluar.

Shumë eksponatet zbuluara në territorin e Kosovës sot ruhen në muzetë më të njohura të Evropës, ndër to vlen të veçohet Menada e zbuluar në qytetin e Prizrenit. Për këtë shkruan edhe Tatomir Vukanoviqi se Vrapuesja e zbuluar në qytetin e Prizrenit që e mori emrin në bazë të  qytetit ku u zbulua ruhet në Muzeun e Londrës. Për vrapuesen nga Prizreni shënimet britanike tregojnë se është punuar në bronz, se është gjetur në Prizren dhe se i takon shekullit V para erës së re. Shënime se si ka arritur në këtë muze nuk ka. Në Muzeun e Londrës janë të ekspozuara edhe dy përkrenare ilire të shekullit të VI para erës së re, e që vijnë nga trevat shqiptare.

Koleksionet e muzeve në Kosovë janë me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të vendit, dhe përfshijnë rreth 60.000 eksponate. Koleksioni i Muzeut të Kosovës  përfshinë rreth 40.000 eksponate muzeore.

Nga koleksionet e muzeve të Kosovës para luftës së fundit në Janar-Mars të vitit 1999, pak para  bombardimeve të NATO-s janë marrë si huazim për një ekspozitë të përkohshme me titull “Thesari arkeologjik i Kosovës” ekspozuar në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë në Beograd. Koleksioni arkeologjik, i përbërë nga 677 eksponate. Nga thesari i etnologjisë në të njëjtën mënyrë janë marr 571 eksponate janë huazuar për ekspozita lëvizëse etnologjike në muzetë e Novi Sadit, Suboticës, Kikindës, Vërshacit dhe Beogradit. Tani koleksioni arkeologjik mbahet padrejtësisht në depot e Muzeut popullor të Beogradit dhe koleksioni etnologjik në depot e Muzeut Etnologjik në Beograd. Prej të gjitha këtyre eksponateve pas lufte me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve është kthyer vetëm “Hyjnesha në fron”.

Po japim të dhënat që posedojmë për eksponatet që janë marrë nga muzetë e qyteteve të Kosovës për tu ekspozuar në Serbi me rastin e organizimit të ekspozitës me titull “Thesari arkeologjik i Kosovës dhe Metohisë: nga neoliti e deri ne mesjetën e hershme”, ekspozitë kjo e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës. Është me rëndësi të cekët se organizimi i kësaj ekspozite u shoqërua me shtypjen e katalogut me foto dhe të dhëna të eksponateve që u morën nga muzetë e Kosovës, si dhe me dokumentacion përcjellës që nga koha e grumbullimit të eksponateve e deri të dorëzimi i tyre në Muzeun Popullor të Beogradit.

Lënja e gjurëmëve me shtypjen e katalogut dhe dokumentacionit përcjellës është me rëndësi të madhe për numër të thesarit muzeor të Kosovës, por është shqetsues fati i shumë eksponateve tjera të plaqkitura për të cilat nuk kemi gjurmë të dokumentimit.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora