E merkure, 24.04.2024, 01:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Rehta....

E marte, 17.01.2012, 08:46 PM


Kristaq Turtulli

 

SYRI I RITES

 

Rehta....

 

Fredo Gjoli u pajtua punë në një grup arkeologësh në zbulimin, pastrimin, grumbullimin, seleksionimin, transportimin në Evropë dhe Amerikë e mumieve të lashta. Fredo bëhej xheloz, fliste me vete. Mumiet e pavlera bërë pluhur shkretëtire, për shekuj me radhë dergjeshin nën dhe të veshur me ar dhe ai nuk mundte të siguronte fare pak fildish për syrin e Ritës. Padrejtësia fshihej kudo edhe në rrënojat, varret mijëvjeçare të faraonëve dhe familjeve të tyre.

 

Ata kishin disa javë që gërmonin pa ndërprerje një varr të vjetër të pasuri. Dheun e gërmuar e sitnin me kujdes e mbushnin në shporta të mëdha të thurura kashte dhe e nxirrnin jashtë ku dheu i nënshtrohej sërish kontrollit të imët. Fredo Gjoli kish qysh në mëngjes që gërmonte dhe site dheun, ku zbulofshin unaza të florinjta, vëthë dhe mjete të kushtueshme zbukurimi. Ai kish ngrënë vetëm një krodhe bukë qysh në pikën të mëngjesit, pinte herë mbas herë gllënjka me ujë të ndenjur për të mbajtur gjendjen për punë. Sytë i mbylleshin dhe koka i varej në gjoks prej lodhjes. Në prag të mbrëmjes, kur kishin gërmuar dhe situr dheun dy metra thellë dalloi diku pranë mumies pjesën e një send të bardhë. Fredo duardridhur, duke marrë frymë me vrull pastroi me kujdes dherat e pëllëmbe pas pëllëmbe zbuloi dhemb elefanti, fildish të pastër, të pa dëmtuar. Fredo donte të klithte nga gëzimi. Vështroi rreth e rrotull, mendoi ta fshihte. Por ai dreq dhemb elefanti ishte i plotë, gati një metër i gjatë. ‘Përse vallë duhej fildishti i çmuar kufomave pavlerë, paçka se mund të kishin qenë edhe faraonë?’ Ai me këtë dhemb të mrekullueshëm, të lashtë, bënte qindra sy për Ritën. Ta priste, por me se, fildishti ishte i fortë. Le të bëhej ç’të bëhej, do ta mbështillte me xhaketë.

 

Pas shpine dëgjoi shkarje dheu që binte nga lart me potere dhe hapat të rëndë që rëndonin nëpër shkallën prej dërrase të vendosur në faqen e varrit të lashtë. Ktheu kokën me nervozizëm, mëri të hapur. Ishte arkeologu plak Majer Smith, përgjegjësi i gërmimeve në piramidat dhe varret e zonës juglindore të Gizës dhe përfaqësuesi transportimeve të sendeve me vlerë në Evropë dhe Amerikë. Majer Smith ish urith i keq, i pashpirt. ‘Phu!’ -ia bëri me vete Fredo: ‘- Nga e solli kokën ky shtrig i poshtër. Do më lërë me gisht në gojë.’

 

Plaku Majer Smith qeshi i kënaqur dhe nxitoi të merrte dhembin prej duarve të Fredos. Ai do të fitonte pa lëvizur gishtin një grusht të mirë me florinj. Fredo e shtrëngonte dhembin dhe nuk e lëshonte. Majer Smith e vështroi një moment i habitur, gati i trembur, fytyra e tij u prish.

 

‘-Lëshoje!’- bërtiti.

 

Fredo nuk dëgjonte, ai mund të bënte qindra sy për Ritën me atë dhemb të mrekullueshëm elefanti. Duart e tij ishin mbërthyer mbas  fildishtit të çmuar.

 

‘-Hiqi duart, kafshë,’- i foli me zë të ngjirur Majer Smith.

 

Fredo Gjoli u përmend. Shtrigu plak mund ta denonconte në polici për tentativë vjedhjeje. Eshtrat e tij mund të treteshin në shkretëtirën e Gizës, njëlloj si skllevërit që gjendeshin me shumicë të varret e të pasurve. Ai e lëshoi me dhimbje dhe i kërkoi të falur arkeologut  duke u justifikuar se nuk kish parë në jetë një material të tillë. E hutoi bukuria.

 

Majeri e vështroi me dyshim  pastaj zbardhi dhembët e vënë. Thirri dikë, i dha dhëmbin e elefantit dhe urdhëroi Fredon të dilte nga gropa.

 

Fredo Gjoli punoi me këmbëngulje pa u lodhur natë e ditë dhe ja dhëmbi i kushtueshëm i elefantit u zhduk prej syve të tij sa hap dhe mbyll sytë. Bënte shumë vapë dhe një mëngjes nuk kish më fuqi të lëvizte prej vendit. Thirrja e përgjegjësit ët grupit:

 

‘- Çohu!’- e shkundi, vendosi bërrylat të ngrihej, nuk mundi. Kafshoi buzët me dhembje dhe inat dhe u plas pa fuqi në kashtën e shtatit të vjetër. Trupi i çante dhe i shponte e mbërthenin ethe të forta, i kërcisnin dhembët dhe mbas disa minutash e mbulonin djersë të ftohta . Thirrja e përsëritur, çohu,vinte prej fundit të honit, ai ra në kllapi. Arkeologu plak Majer Smith tha se e zuri malaria. Dy egjiptianë e mbartën në një kasolle pranë Gizës deri sa të vdiste.  Ai mbase kishte marrë ndonjë infeksion prej mumieve. Majer Smith nuk donte ta përmendte këtë fakt komprometues. Rasti i dhëmbit të fildishtë ngjalli tek arkeologu krimbin e dyshimit, dhe në mbrëmje mes miqve e përsëriti thënien e njohur në rrethin e tyre: ‘Argatët janë mashtrusa, vjedhacakë të ndyrë, ndaj duhet të bësh sytë katër me ta.’

 

Fredo po tretej si qiriu. Në kllapi përmende vetëm Ritën. Përgjatë kllapisë i shfaqej vajza e cila i lutej, i zgjaste duart dhe mërmëriste me zë të shuar:‘Babi pse më le?’ Zëri i saj e trondiste. Ai i lutej që ta falte se nuk mundi të siguronte një sy prej fildishti. Dhëmbështrënguar i premtonte. Vajza nuk i kthente përgjigje e trishtuar tërhiqej, humbiste në mjegull. Fredo i mbytur në djersë bërtiste:

 

‘-Rita!’ rrotullonte kokën në jastëk pa gjetur qetësi. Vogëlushja e tij të dashur, vuan, mundohet  kur hiq dhe vë syrin e pavolitshëm prej xhami. Shpesh herë Fredos i duket sikur ulet mbi një qilim fluturues arabie dhe vjen vërdallë mbi shkretëtirë në kërkim të dhëmbit të fildishtë, befas qilimi fluturues fillon bën rrotullime të çmendura dhe ai nis e vjell me gulçe.

 

Në kasollen e varfër ku Fredo dergjej i sëmurë rëndë, ish një plakë me emrin Rehta. Thirrjet e parreshtuara të Fredos e detyruan plakën e vjetër të shkulej prej qoshkut të saj. Ajo pastroi sklepat e syve dhe vështroi e habitur. Kush ishte ky rob i zotit, ky argat i mjerë, pa emër, flakur në qoshe të çadrës për të vdekur, thërriste emrin e saj që lutej ei kërkon ndihmë? Emri i saj ish harruar kishte mbetur gërxheve dhe brigjeve të jetës, thërrmuar si rëra e shkretëtirës. Të gjithë e thërrisnin; nëno, plakë, hej ti, shushkë, shurdhe,  gërmuqe,  gërmadhë,dikush nëpër dhembë, shtrigë,por kurrë Rehta. Ajo i vuri dorën ne ballë dhe shtrëngoi tëmthat e rrudhura:

 

‘-Rita!’- Thirri fort, në kllapi Fredo Gjoli: ‘-Rita!’

 

Plaka u drithërua, zhubrat e fytyrës iu tendosën, shtrëngoi gishtërinjtë. O Zot, gjysmë i vdekuri, skeleti, i bardhi, i lutej përsëri për ndihmë. Ç’të bënte, ta linte të vdiste si shumë argatë të tjerë, dhe ta groposte ne shkretëtirë, ku ta tretnin erërat e nxehta, apo ta ndihmonte? Plaka bërbëliti me vete dhe pështyu rreth e qark disa herë me radhë, detyra e saj nuk ishte të ndihte. Ajo pështyu përsëri me nervozizëm dhe ktheu kokën mënjanë.

 

Fredo Gjoli ngriti kokën rrëmbimthi, vështroi syzgurdulluar diku në qoshe të çadrës dhe klithi zëngjirur si shungullimë dallge:

 

‘-Rita!’-lëshoi kokën pa fuqi të përplasej mbas truallit të fortë të kasolles.

 

Plaka u grind me veten dhe vështroi fytyrën e argatit të ngërdheshur nga dhembjet. Pështyu pëllëmbët e rrudhura si brazda toke të thatë dhe i ndehu në ajër, symbyllur, duke thithur dhe nxjerrë ajër prej flegrave të hundës.

 

‘-Rita!’- rënkoi me dhembje të madhe Fredo, plakës iu duk sikur u drodh dheu dhe kunjat ku ish fiksuar çadra lëvizën prej vendit, asaj i bë sikur e thërrisnin emrin e saj në gojën e këtij të mjeri të gjithë të pafjeturit dhe të vdekurit e pluhurosur.

 

‘-Në se dielli do shkojë përqark kasolles, ndalet, gjarpëron prej qoshes dhe derdhet si teh shpate, më pas  lëpin ballin e zbehtë të sëmurit, do ta ndihmoj fatkeqin të shërohet.’ -Mendoi plaka Rehtë me vete.

 

Dielli lëvizte ngadalë, kasollja qëndronte në gjysmë errësirë. Dielli po vonohej. Do ta zinte reja e  zezë. Plaka u ngrit ndenjur, duart mbështetur në truall. Fati i argatit ishte i destinuar të vdiste, si të tjerët. Ajo i ktheu shpinën dhe u shty me përtaci drejt qoshes së saj. Fredo thirri përsëri emrin e vajzës, Ritës, plaka ktheu kokën, tehu i mprehtë i rrezes së diellit i kishte qëndruar të sëmurit mu në lule të ballit.

 

Plaka rrahu pëllëmbët katër herë, pështyu dhjetë herë përreth të sëmurit dhe doli prej kasolles. Fustani i saj i gjatë i zi, i vjetër, i zbardhur me pala, fshinte dheun e oborrit. Eci me mundim matanë gardhit, në parcelën e vogël, mblodhi disa rrënjë, i shtypi derisa nxorën pak lëng të bardhë. Ajo goditi me gur në kokë nepërkën që dredhonte nëpër ranishte, i shkuli dhembët e përparme dhe gjuhën, derdhi dy pika helmi në rrënjët e shtypura përgatiti mjekim për argatin e sëmurë. I mori kokën në gji dhe i hodhi pesë pika në gojë. Mjekimi ish i helmët, i pështirë, Fredo përplasi buzët, u drodh dhe trupi iu qull. Vetëm pas disa ditësh Fredo u përmirësua dhe filloi të lëvizte nëpër kasolle.

 

Plaka vendase Rehta i shpëtoi jetën Fredos, i cili i puthi me mirënjohje duart e rreshkura. Ajo vërtet ishte plakë e vjetër, e kërrusur si kosore, por nuk ishte shushkë. I urrente të huajt që ishin turrur si hiena të rrëmbenin thesaret e vendit të saj. Fredo i tregoi jetën e vet, sëmundjen dhe heqjen e syrit të vajzës, arsyen e ardhjes në këtë vend të largët. Plaka vendase Rehta, vështroi një copë herë Fredon drejt e në sy me vëmendje. Pështyu duart e rrudhura dhe rrahu pëqinjtë. Këtë argat të mjerë e lëvizi prej vendit dhe e degdisi në shkretëtirën e keqe të Afrikës dashuria prindërore.

 

‘-Ashtu, hë,’- ia bëri ajo duke tundur kokën dhe mërmëritur me vete: ‘-Vogëlushja mbart me vete një shpellë të errët. Shpellat janë për të ligjtë, të pangopurit, vrastarët, jo për të pafajshmit.’

 

Fredo luajti kryet i trishtuar dhe foli me zë të dredhur:

 

‘-Nëno unë do groposem me mumiet, nëse nuk i bëj vajzës sime një sy fildishti. Nuk ka ç’më duhet jeta, kullotës sime po i thahet bari.’

 

Plaka Rehta pështyu përsëri .duart e rrudhura dhe fërkoi me to fytyrën e zhubravitur. Plaka Rehta kish pasur një burrë shtatlartë, mustaqe përdredhur, kaçurrel, i cili kur qeshte gjëmonte shtëpia, riti dhe tre djem të hijshëm, shtatlartë si i ati, mustaqe përdredhur, por që u prenë në luftë. Ata ikën pa zbardhur dita të armatosur deri në dhembë dhe nuk u kthyen më. Rehta u mblodh në qoshe të shtëpisë dhe qau në heshtje. Ajo shkoi të kërkonte të kërkonte trupat e të dashurve, por nuk i gjeti, i thanë që i kishin marrë me vete fitimtarët dhe lënë jashtë të treteshin prej erërave e shkretëtirës.

 

Plaka vështroi mendueshëm rreth e rrotull, ngriti mjekrën, vari kokën pas, mbajti vesh. Mbështeti dorën mbi shkorsë dhe u ngrit me mundim. Mbushi një grusht me rërë dhe e hodhi curril mbi prush, duke mërmëritur dhe mbajtur vesh zhurmën e shurdhër. Ajo mbasi përfundoi të gjitha ceremonitë e nevojshme të besimit dhe të së vërtetës, largoi shkorsën e thatë, me kallama lumi, të shtruar përdhe, lëvizi dy dërrasa të plasaritura nga koha dhe zbriti duke rënkuar në vrimën e ngushtë, që çonte në bodrumin e nëndheshëm.

 

Mbas një copë herë ajo doli jashtë. Në dorë mbante një send të mbështjellë me leckë të vjetër të pistë që ia zgjati Fredos:

 

‘-Mere biro,’- i tha. Plaka mezi mbushej me frymë, mjekra i dridhej, fytyra e rrudhur i ishte mbushur me djersë. ‘Por mos e bëj për fjalë, ka plot hajdutë dhe kriminelë në këto anë, të cilët të grabisin, të vrasin dhe lëkurën ta bëjnë daulle. Bëj kujdes!’

 

Fredo e hapi sendin me kujdes dhe kureshtje. Në të ai gjeti një copë dhemb elefanti. Fildishtin e ëndërruar të prindit. Ai u përlot, u përkul në gjunjë dhe i a puthi përsëri duart e rreshkura plakës së mirë.

 

Morri në trastë pak ushqim dhe u nis në këmbë drejt qytetit të madh të Kajros. Dielli ishte i nxehtë, të përvëlonte kaptinën. Ai bëri këmishën nyje mbi ballë dhe lagu buzët me ujin e pakët. Plaka e mirë Rehta i dha orientime të sakta ku të shkonte të punonte në fildish, të bënte syrin e Ritës dhe njëherësh ti shpëtonte përgjimit të vazhdueshëm të hafijeve të policisë. Fildishti lakmohej prej të gjithëve...

 

Nata dukej si e ngrirë dhe hëna e tretur në qiell lëkundej e zbehtë.

 

Plaka Rihta e porositi Fredo Gjolin të mbushte një shakull lëkure me ujë të freskët dhe të merrte me vete disa peksimadhe. Ao pa zbardhur dita u nis drejt Kajros qytetit më të madh të Egjiptit.

 

Qielli dukej shumë larg, i ngrirë, gati i plumbtë, pa gjurmë reje Yjet e fundit u lektisën, hana shkau me nervozizëm, u thërrmua, u pre në mijëra copa prej majave të piramidave të lashta. Fredo Gjoli kish vënë dorën mbi sy dhe puliste sytë pa ndërprerje. Ai mbante veshur një dolloma të gjatë deri në fund të këmbëve, si vendasit, në trup kish mbërthye një jelek pambuku, të lidhur rreth trupi me gjalmë. Brenda në jelek, nën sqetull, kish fshehur copën e fildishtit që i dhuroi plaska e mirë Rehta. Tutje në sfond në krahun e djathtë shtrihej shkretëtira, shkëndijat diellore filluan të shfaqeshin përmallueshëm, të cilat më vonë kaluan në përskuqje, rëra e pafundme dukej sikur ishte në zjarr, krijonin mirazhe fantastike, të cilat mashtronin udhëtarët e etur për ujë dhe hije të freskët. Rruga e gjatë për të shkuar me karvanët e deveve kalonte mes përmes shkretëtirës, kontrollohej dhe bastisej herë mbas here prej piratëve të shkretëtirës. Rruga e dytë për të shkuar në qytetin e zhurmshëm të Kajros, dredhonte përgjatë lumit të madh Nil. Plaka Rehta e këshilloi të ndiqte lumin e madh dhe shtoi: ‘Ky lumë i shenjtë ka qenë dhe mbetet jeta dhe vdekja e egjiptianëve në mijëra dhe mijëra vjet. Ndiq ujin bir,’ i tha plaka.

 

Fredo Gjoli ndoqi ujin, në lumin e madh vozitin anije lundrimi, turistë, peshkatarë, fshatarë. Udhëtimi me mjete lundrimi ish i kushtueshëm, Fredo kish veshur këpucë të lehta lëkure, të përshtatshme për udhëtim me këmbë. Ai ndoqi monopatin e ngushtë anës rrugës automobilistike të shtruar me zift të varfër, në krah të tij lëvizte ngadalë Nili i famshëm, diku zgjaste kokën ndonjë krokodil, zhdukej më pas nxitimthi nëpër ranishte.

 

Fredo Gjoli me ndrojtje dhe me mosbesim u bashkua me një grup endacakësh, të cilët kishin qenë në Mekë për haxhillëk. Ata po ktheheshin të përmalluar në vendlindjet e tyre, së bashku ndanin ushqimin e varfër dhe qarkullonin dorë më dorë shakuj prej lëkure me ujë. Fredo Goli nuk mund të bënte ndryshe nga të tjerët, shakulli e tij me ujë u pi brenda gjysmë ore. Dielli ish i nxehtë dhe të gjithë kishin etje, dikush nga grupi vrapoi nëpër ranishte dhe mbushi ujë lumi. Fredo akoma nuk e kish marrë veten prej sëmundjes ndjehej i ligur dhe pafuqi, uji i turbullt, i rëndë dhe atij i ra si plënç në stomak.

 

Pjesëtarët e grupit të kthyerve nga Meka ishin të zhurmshëm,  hokatarë dhe të ndershëm, u ndalën pranë një oazi me ujë të pakët, fshinë djersët, pinë ujë, u freskuan, ndanë pa dallim ushqimet e fundit dhe treguan shkurtimisht historinë e jetës. Fredo me mëdyshje u tregoi arsyen e udhëtimit por nuk e bëri për fjalë për copën e fildishtit të fshehur poshtë jelekut të pambuktë. Grupi i të kthyerve prej Mekës u përkulën si me komandë përtokë dhe filluan të faleshin për shëndetin e Ritës. Ata ishin shumë seriozë dhe të përkushtuar në falje aq sa Fredo u përlot.

 

Dielli u fsheh dhe qielli u mbush me yje. Hëna filloi të shkiste rrëshqanthi nëpër qiell dhe Fredo Gjolit i varej koka për gjumë prej lodhjes. Rruga e gjatë nën diellin përvëlues e kish rraskapitur dhe këpucët e holla prej lëkure i ishin ngrënë.  Përpara shtrihej qyteti hijerëndë i Kajros. Fredo u mbush me frymë dhe mbylli sytë një copë herë.

 

‘-Zoti e ndihmoftë vogëlushen Rita!’- thanë si në kor grupi i të kthyerve prej Mekës dhe vazhduan rrugën për më tej drejt qytetin të lashtë bregdetar të Aleksandrisë.

 

Fredo Gjoli hyri në rrugicën më të parë duke lexuar me kujdes tabelat e vjetra prej dërrase të mbërthyera mbi dyer, për të gjetur ndonjë motel të lirë, ku mund të mblidhte kockat e lodhura. Rrugica ish e ngushtë, shtruar me kalldrëm, me gurrë të vegjël të zinj si rrugicat e qytetit të tij dhe atij iu tha pështyma, iu ndal fryma prej mallit dhe dhembshurisë. Në momentin e ndarjes syri i vetëm i Ritës së vogël ish mbushur me lutje dhe përdëllim. Ai luajti kokën me vrull dhe fshiu lotët e nxehtë që i shkanë nëpër faqe. Anës trotuareve, ngriheshin kolona metalike ku mbi to digjeshin duke u përpëlitur llamba vajguri.

 

Fredo Gjolit i ish tharë buza për ujë, zorrët i bënin kryengritje për ushqim, një çekan i vogël e godiste pa ndërprerje në tëmtha. Befas e mbërtheu ankthi se mos sëmurej përsëri dhe do dergjej si lëvere në pisllëkun e rrugicës. Ai po bariste me hapa të ngadalta në njërën prej rrugicave të varfra periferike të qytetit me shtëpi të thjeshta njëkatëshe dhe dy katërshe. Zakonisht kati i parë shërbente për dyqan ose punishte artizanale, kati i dytë mjedis ndenje ose fjetjeje. Muret dukeshin të palyera, të pista dhe  gërryera prej erërave dhe shirave. Në krahun e djathtë pranë qoshes Fredo mezi mundi të lexonte me germa të shkruar shtrembër dhe gjysmë të fshira: ‘hotel- bar.’

 

Ai pa e bërë të gjatë shtyu derën dhe hyri brenda, menjëherë iu përplas në hundë era e rëndë: kalbësirës, mishit të djegur dhe bërsisë së thartuar.  Dy llamba vajguri shndrisnin përballë, një burrë i imët, me qeleshe të kuqe me xufkë të zezë dhe shikim skifteri shërbente në të majtë mbas banakut me dërrasa të lagështa. Burri lëvizi dhe fshiu me shpejtësi banakun por pa ja ndarë Fredos shikimin e mprehtë.

 

‘-Ju lutem një gotë ujë,’- kërkoi Fredo me zë të ulët.

 

Banakieri i vrenjtur i tregoi me gisht qoshen e djathtë të dhomës ku dergjej një depozitë metali, të ndryshkur, me një tub të shkurtër përpara. Fredo lëvizi rubinetin me padurim dhe piu ujë me etje pa ndërprerje duke dëgjuar zhurmën e ujin që derdhej në stomak. U urgus dhe ndjeu një prerje të fortë në bark, u rrotullua dhe u mbështet mbas murit prej dërrase të rregullonte frymëmarrjen dhe të qetësonte dhembjet. ‘Shkoi vapa me gushtin Fredo, nuk je më i pari,’ murmuriti me vete dhe mbajti sytë një copë herë të mbyllura, duke dëgjuar zhaurimën monotone mjedisit dhe llokoçitjen e ujit në stomak.

 

‘Zotëri, dëshironi tu mbush një gotë me bozë?’ dëgjoi zërin e zvargur të banakierit.

 

Fredo hapi sytë me ngadalë, kaloi majën e gjuhës në buzët e përthara dhe vështroi me bezdi fytyrën e dobët të banakierit, i cili ish tërhequr dhe qëndronte në gjysmëhije. Fredo përfshiu me një shikim mjedis përreth, gjashtë tavolina të punuara trashë dhe disa klientë qëndronin të gërmuqur pranë gotave të tyre. Fredo eci me plogështi drejt banakut, ai kish nevojë vetëm të çlodhej dhe të mendonte se çfarë duhej të bënte. Banakieri pa marrë përgjigje i mbushi me shkathtësi një gotë me bozë. Fredo përvoli buzët pa ditur ç’të thoshte, ndjehej tmerrësisht i plogët të kundërshtonte.

 

‘Kjo bozë është pija më e mirë në gjithë Kajron,’- nxitoi të shpjegohej banakieri.

 

Fredo luajti kokën në shenjë pohimi pavetëdije hodhi një monedhë në banakun e lagësht dhe piu disa gllënjka të mëdha me mëndje gjetiu. U drodh, u shkund dhe trupi i fërgëlloi, lëngu i bozës ish i fortë, pije tradicionale egjiptiane prodhuar prej kallamit te sheqerit dhe që përdoret dhe shijohet si pije alkoolike prej shtresës se mesme dhe te varfër.

 

‘-Dua një shtrat për të fjetur,’- i foli Fredo banakierit, rrëkëlleu me përtaci disa gllënjka të tjera me bozë dhe vështroi me indiferentizëm raftet  e zbrazëta.

 

Banakieri luajti kokën i gjallëruar.  Pranë Fredos iu afruan dy mjekërgjatë, fytyrëzeshkët, dhembëzverdhur dhe trokëllitën gotat me të, më pas u rrëkëllyen gotat e dyta dhe të treta. Fredos i rëndonte koka dhe sytë i përvëlonin, ai disa herë protestoi, nuk mund të pinte, stomaku i tij përvëlonte si kazan me bërsi, por fytyrat ezmere të mjekërgjatëve tjetërsoheshin dhe atij i dukej sikur përpara syve kish kapuçonë të zinj shëmtarakë. Aksidentalisht iu bë sikur shkau në kazanin e madh me ujë të turbullt dhe humbi në të.

 

Në orët e para të mëngjesit ndjeu ethe të forta, trupi filloi ti dridhej si purtekë, lëvizi shpatullat me vrull dhe vështroi përreth me frikë, gjendej i flakur në një kthinë të ngushtë të qelbur, ku disa mace të dobëta mjaullinin me potere. I qëlloi me se mundi që macet të largoheshin,  shkundi pisllëqet prej trupit, u ngrit në gjunjë nxitimthi dhe gjithë ankth rrasi dorën në gji poshtë jelekut, ku mbante fshehur copën e fildishtë të dhuruar nga plaka Rehta. Krëk- kruk, kërciti zemra si një zemberek ore i çakorduar. Asgjë.  Fredo ra përmbys dhe goditi kokën me grushte. Filloi të ulërinte si një ujk i plagosur, po çmendej. Një zë i beftë e shkundi: ‘Fredo macet do të çjerrin dhe minjtë do të brejnë, qetësohu, nuk i hyn në punë askujt çmenduria jote. Së paku të lanë gjallë, nuk të ngulën ndonjë thikë të mprehtë në bark.’

 

Me shumë vështirësi mblodhi veten dhe u mundua të riprodhonte ndodhinë e brendshme. Shpëlau kokën në një tullumb të vjetër me ujë të turbullt dhe u orientua menjëherë tek bar hoteli. Hyri brenda dhe shtyu derën nga pas. Banakieri sa dëgjoi zhurmën e përplasjes së derës u kthye me rrëmbim, u shtang dhe bëri një hap prapa, të humbiste mbas deriçkës së vogël pas banakut. Fredo nuk i la kohë, u derdh drejt tij si shqiponjë e mbërtheu për gryke e qëlloi me sa fuqi që kish në bark, harroi dhe i bërtiti në gjuhën shqipe me sa zë që kish në kokë:

 

‘-Unë të marr shpirtin qen bir qeni, të shkërdhej tët ëmë, do të pjek të gjallë, po nuk më ktheve ato që më vodhe.’

 

Banakieri i mbledhur grusht prej dhembjes, u përdrodh, ktheu fytyrën nga Fredo  dhe gërhiti me shqipe të varfër:

 

‘Shqiptar je ti ore?!’

 

‘Shqiptar jam, çfarë dreqin të jem.’- ia priti Fredo pa larguar  thonjtë prej grykës së banakierit.

 

‘Hiqi duart se po më del shpirti. Unë nuk vjedh.’

 

‘Po kush?’ bërtiti Fredo largoi duart nga gryka e tjetrit dhe vazhdoi: ‘-I di ti more se atë copë fildish e shkula prej funddheut, prej thonjve të vdekjes, për të bërë sy për vajzën time të vogël Rita.’

 

Banakieri Ismail efendiu u ngrit me mundim, me fytyrë të zverdhur e ftoi me dashamirësi Fredon të ulej, i mbushi një pjatë me supë dhe u betua se nuk kish gisht në këtë çorbë të ndyrë. Mesiguri ish punë e qelbur e dy mamlukëve pijanecë mjekërgjatë.  Ata të morën me vete, ecët duke u kalamendur nëpër rrugicë.

 

Ismail efendiu  i premtoi se do ta ndihmonte deri në fund. Stërgjyshi i tij shqiptar kish qenë oficer me gradë të ulët në ushtrinë e Mehmet Pashë të Egjiptit.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora