E enjte, 28.03.2024, 03:49 PM (GMT)

Mendime

Sami Repishti: Mirësevjen viti jubilar 2012

E premte, 13.01.2012, 08:00 PM


MIRËSEVJEN VITI JUBILAR  2012

 

Nga Prof. Sami Repishti

 

Ridgefield, CT.- Për të gjithë vëllaznit dhe motrat që ndiehen krenarë  për emnin “shqiptar” e “shqiptare”, urimet e mia ma te mira për vitin jubilar 2012. Gjithashtu, mirësevjen shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, shekulli i shpresës së madhe, akoma të papërmbushun, shekulli i andrruem që nga vitet e largëta të Rilindjes shqiptare, që nga bankat e shkollës fillore ku muarrëm mësimin e parë mbi Shqipërinë, tokën e saj, popullin e saj, e historine e saj të dhimbeshme.

Sot, mendojmë se kjo trashëgimi që sjell lot në sytë, nuk duhet të jetë “fati” i pandryshueshëm i Shqipërisë tonë, i Shqipërisë së të gjithe shqiptarëve. Sot kemi çdo të drejtë të mendojmë, dhe të punojme, për nji Shqipëri që “bën Histori“, rrugëtim drejt lirisë së plotë dhe të ndertueme me duert tona, e jo nji Shqipëri që “bën politikë”me përmasa të padëshirueshme dhe të kontrollueme nga forca të mbrendshme reaksionare, ose të jashteme anmiqsore.

Duam nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme, dhe europiane, dhe duam ta ndërtojmë me duert tona!

*

Në atmosferën e diskutimeve të hapuna nuk ka tabu. Të metat që shohim nuk duhen fshehë, ashtu si plagët që marrim nuk duhen mbulue. Mendjet e ndrituna, të shoqenisë shqiptare duhet të trajtojnë problemet tona me kujdes dhe

profesionalizëm, sidomos kur nji kontingjent i tyne mban në duert e veta pushtetin politik dhe ekonomik. Qellimi i të gjithëve ashtë i qarte:  përmiresimi çdo ditë i gjendjes ekzistuese për shqiptarët në vend, dhe sigurimi i nji vendi dinjitoz për Shqipërinë tonë në familjen e kombeve të lira e të qytetnueme. Ne  duam hymjen në Europë jo si lypsarë, por si nji komb qe e meriton!

Fatkeqsisht, nji zhvillim i këtillë nuk paraqitet i mundshëm në Shqipëri sot. Etja e pafund për pushtet -dhe pushtet absolut- vrapimi mbas pasunimit të shpejtë, e në shumicën e rasteve me mjete të paligjeshme, korrupsioni qeveritar

dhe qytetar që grijnë administratën e vendit dhe vetë shoqeninë shqiptare, shkelja e paturpshme e ligjit e mosdenimi i krimit, nuk premtojnë nji të ardhme të mirë. Kjo situatë ka krijue nji imazh shumë negativ për Shqipërine në botën e

jashteme.

Nji ish kryeminister i akzuem për abuzime zyrtare kërkon të zgjidhet president i republikës në qershorin që vjen. Nji ish president kërkon të mbetet kryeministër për tridhjetë vjet, sikur Shqipëria të ishte “çifliku i babajt”.

Parlamenti shëmbellen ma shum nji “pazar oriental” me keqtingëllimin e tij.

Deputetët janë “të caktuem nga Partitë” nuk janë kandidatë të zgjedhun lirisht nga populli. Pjesëmarrja e tyne në Kuvend ashtë “fakultative”, e varet nga çapkenlleku i “maestro-s” që drejton orkestrën. Institucioni i Presidencës,

simboli i sovranitettit dhe dinjitetit të kombit tonë, merret nëpërkambë me papërgjegjësinë ma të madhe. Drejtësia, pushteti i tretë, ashtë politizue aq shumë sa ka humbë asnjanësinë. Humbja e respektit për autoritatin qeveritar ashtë me të vërtetë shqetësuese.

Kjo dukuri politike negative u mundësue nga mungesa e nji shoqënie civile shqiptare, e ndërgjegjshme për detyrat e saj qytetare. Të lodhun nga nji shtypje gjysëm shekullore nën tiraninë komuniste dhe nga vorfënia e madhe që mundoi nji popull të tanë, “të lire” por jo “të çliruem” nga mentaliteti i sistemit komunist, populli shqiptar që u gjet para alternativave të paprituna, i pa pergatitun, dhe në nji ambient pa rregulla e rregullore, u versul në fushën e spekulimit, vjedhjes, korrupsionit e krimit me dëshirën e pandaleshme për pasunim të menjihershëm. Padrejtesia mbizotëroi me aktin barbar të shfrytëzimit të pakufi e pa ndërgjegje. Ish anëtarët e nomenklaturës së kuqe dhe femijët e tyne

zhveshën “shtetin” e ndërtuem me djersë- e me gjak të pafajshem- dhe krijuen pasuri të shpejta e marramendëse. Të tjerë ndoqën shembullin e tyne të mbrapshtë. Shqipëria hyri në rrugën e plutokracisë që rritet çdo ditë!

Si rrjedhim, u monopolizue sektori ekonomik i vendit. Shteti u transformue, në logjikën e tyne të sëmurë, në nji “lopë qumështi“, ku ata që shërbejnë, ose i qëndrojnë pranë, janë “mjelësit” ma të mirë. Katastrofa ekonomike ishte e

paevitueshme me të gjitha efektet e saja, sidomos në formimin e karaktereve të reja pa vlera morale. “Konsumerizmi” i shfrenuem i nji kapitalizmi të egër e të pashpirt, u ngrit në piedestalin e vlerës kryesore. Çdo gja tjetër u nënshtrue

para nji sulmi të këtillë.

Liria e fitueme përfundoi në nji gjendje fiktive, dhe percepsioni zëvendsoi realitetin e përditëshëm. Çdo njeri thërriste “liri!” dhe asnjëri nuk mendonte për “pergjegjsi”. Në Shqipëri nuk u kuptue se “liria” e “përgjegjësia” janë dy anët e të së njajtës monedhë. Liria pa përgjegjësi ashtë “anarki“, dhe përgjegjsia pa liri ashtë “tirani”. Shqiptarët nuk kanë nevojë as për të parën as për të dytën.

Si rrjedhim, kemi sot nji boshllëk të madh shpirtënor e moral që duhet mbushë dhe sa ma shpejt me vlera morale të

trashëgueme si nderi, besa, burrenia, mikpritja, solidariteti kolektiv i fshatit dhe qytetit, e natyrisht dashunia për

nji liri të vërtetë, jo të egër e primitive, por frymëdhanëse. Gjatë shekujve, Shqiperia ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetëm në nji popull që kultivon këto vlera.

Përcaktimi i arsyeve që sollën kaaosin moral e politik të vendit tonë janë të shumëta, dhe subjekti i studimeve antropologjike dhe sociologjike: njeriu shqiptar, dhe shoqënia që ai krijon. Hapi i parë ashtë “ndërgjegjësimi” i

pranisë se dukurive negative, sado i dhimbshëm që mund të jetë nji proces i këtillë. Ashtë i domosdoshëm! Mbas “ndërgjegjësimit” vjen analizimi i origjinës dhe i zhvillimit të këtyne dukurive, dhe, ma në fund, nevoja për “rindertimin moral” të qytetarisë së gënjyeme. Propaganda pa substancë, dhe aksionet spontane të “leadership”-it nuk kanë vlerë.

Nganjiherë ngjet që para rrezikut të përbashkët, ngjallet nji guxim i përbashkët, për nji aksion të përbashkët që ofron nji energji të ekzaltueme.

Atëherë, zakonisht, lindë shpresa për nji jetë që nuk njeh skllaveri. Sëbashku, të gjithë ngrihen nalt, fitojnë moralisht, dhe guximi i përbashkët kthehet në nji mit modern: shpresë për nji jetë të lirë e me dinjitet. Pikepamje

të këtilla shembëllejnë konturat e nji revolucioni paqësor që nuk ashtë terminologji ofenduese; ne të kundertën, ai ashtë çlirim pa tragjedi personale e kolektive.

*

Të larguem nga Shqipëria për vite të gjata, “emigracioni” shqiptar -ose mëragata- e ndien shumë mungesën e “atdheut të lindjes”.Shfaqjet e vazhdueshme të atdhedashunisë janë dëshmia ma e plotë: ruejtja e gjuhës amtare, shkollimi

shqip i fëmijëve, shfaqjet kulturore e artistike me frymë shqiptare, shtypi shqip, lobimi për Shqiperinë e Kosovën në atdheun e adoptuem, e tjera. Ky ashtë sentimentalizmi i tyne ndaj “çeshtjes shqiptare”. Në mbrendinë e botës tyne

sentimentale dhe të kufizueme, Shqipëria dhe shqiptarët akoma idealizohen, nji gjendje shpirtënore që nuk pranon realitetin e padëshirueshem, dhe që sjell si rrjedhim zhgënjimin e thellë sa herë që mërgimtarët, përballojnë atë.. Nga këto premisa, nënvizoj tre aspekte të mendimit politik të “mërgatës” për çeshtjet shqiptare: E para, urrejtja dhe hakmarrja janë nji kancer që shkatërron te ata që ushqejnë. Urrejtja dhe hakmarrja duhen zëvendësue me parimin e “faljes së fajit” dhe idealin e “pajtimit” të përgjithshëm. Ky qëndrim ashtë shumë i vështirë -unë jam dëshmitar!- por ashtë shumë fisnik, dhe siguron nji kapital moral te pallogaritshëm, bazë e fortë në ndërtimin e nji shoqënie civile solidare.

E dyta, Në Shqipëri, dhe në hapësinat e banueme nga shqiptarët nuk ka “anmiq”. Anmiqët janë përjashta kësaj zone. Në Shqipëri ka “kundërshtarë”, dhe kundërshtari nuk ashtë anmik. Parimisht, kundërshtari ashtë nji element pozitiv

i historisë, sepse nuk pranon “uniformitetin” që na shqiptarët njohim shumë mirë. Ky mospranim lindë nevojën e “diversitetit”, ndryshim-mendime që synojnë nji objektiv: zgjidhjen e problemeve në frymën e lirë, debatin e lirë, dhe

marrjen lirisht të vendimeve me shumicë. “Diversiteti” nuk lejon formimin e konformizmit që djeg çdo mundësi të zhvillimit demokratik.

Nganjiherë, njeriu ka mbresën se diskutimet e hapuna e të zgjatuna nuk nxjerrin gja në dritë. Kjo tezë nuk ashtë logjike. Ajo që afron qytetarët e lirë të nji vendi të lirë -si Shqipëria që ne andrrojmë- nuk  ashtë konformizmi

por “solidariteti” në mes nesh që lind nga dashunia e jonë e përbashkët me shërbye “Nanën Shqipëri”, dhe nga bindja e çiltër e secilit për nevojën e krijimit të nji shoqënie shqiptare të qytetnueme, të ndërgjegjshme për rolin e saj në histori, dhe në kuadër të botës së qytetnueme.

E treta, Shqipëria duhet të “modernizohet”, të hyjë në shoqëninë e qytetnueme bashkëkohore të Botës së Lirë, që shpesh cilësohet si “qytetnimi euro-atlantik”.Gjatë historisë bashkëkohore,- që nga idealizmi Wilsonian i drejtesisë dhe i transparencës (“Open covenants, openly arrived at”,1919), Pakti Kellogg-Briand (1928), Karta e Atlantikut (1941), Karta e O.K.B.-s (1945)

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948) Akti Final i Helsinki-t (1975) Konventa e Kopenhagën dhe Karta e Parisit (1990)- bota e qytenueme ka deklarue solemnisht angazhimin e shteteve për ruejtjen e paqes, respektimin

reciprok në mes tyne, dhe sidomos ka adoptue nji seri statutesh për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Parime të vjetrueme, të trashëgueme nga Traktati i Westphalia-s (1648) ose Kongresi i Vjenës (1814) sidomos ai i “sovranitetit

absolut” që lejon qeveritë e nji vendi me shtypë popullsitë vendëse, kanë humbë peshën e tyne në kodin ndërkombëtar (Kosova ashtë nji shembull i ndritun) e janë zevendësue me përparësinë e te drejtave te njeriut mbi autoritetin qeveritar dhe konceptin e “sovranitetit absolut”. Sot, kemi konceptin e ri të “sovranitetit të kufizuem” të shtetit , dhe sovranitetit të paprekshëm të qytetarit. Sot “liria e individit” ashtë ideali suprem, nji orientim historik që zhvillohet me konceptet

e lirisë dhe të drejtave të njeriut, “feja e shekullit 21”.

Sot, këto fjalë të shenjta “liri” dhe “të drejta” nënkuptojnë “liri nga frika” (kryesisht nga autoriteti qeveritar) dhe “liri nga uria” (kryesisht nga papunësia dhe vorfënia)

 

*

Thirrja e studentëve të Dhetorit 1990, “Liri, Demokraci! Edhe ne si gjithë Europa” mbetet thirrja ma e randesishme dhe substanciale në historinë bashkëkohore shqiptare. Ajo ashtë e skalitun në shkamb dhe për të gjitha kohët.

Kjo trashëgimi fisnike e rinisë studentore shqiptare, nuk duhet harrue, nuk duhet anashkalue.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora