| E premte, 13.01.2012, 08:55 PM |
TRIPTIK GJEOGRAFIK
Nga Vangjush Ziko
ULLINJTË E KRRABËS
Dredhon rruga
a dredhon jeta.
Ullinjt' e Krrabës
përshëndetin.
Edhe të vdekurit
dhe të gjallët,
dasmorët
bashkë me qyqarët.
Shekuj pas shekujsh
gjithnjë të heshtur.
Përherë
pranverë në blerim.
Në gjethet-veshë
ullinjt' e zinj,
vëthët e miteve
të vendit tim.
SAHARA
Klesidër,
mbyllur mes dy qelqesh,
mes oqeanesh
edhe detesh.
Rëra jote
rrjedh mes dy konesh
Kohë moderne
dhe faraonësh.
Dy piramida
një kulm të vetëm
Një kon mat vdekjen,
tjetri jetën.
Oazet,
lotët e tu të brengës.
TUNDRA
Qiell i ngrirë
mbahet mbi brirë
drerësh.
Kaçubet,
brirë drerësh
varrosur moçalesh të ngrirë.
Era,
e tyrja ulërimë,
Kërkon të zgjojë
pranverën hirushe
tulatur
nën akujt
me myshqet.
Nata polare mospërfillëse
si perënditë,
gjysmë ditë,
gjysmë natë,
Ndrit me syt' e jeshiltë
të bufit pendëbardhë.