E marte, 23.04.2024, 12:17 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Kandidaturën e Kadaresë për Çmimin Nobel e mbështet tërë kombi shqiptar

E enjte, 12.01.2012, 09:03 PM


KANDIDATURËN E KADARESË PËR ÇMIMIN NOBEL E MBËSHTET TËRË KOMBI SHQIPTAR

 

Nga Xhelal Zejneli

 

I nderuar z. Kadare,

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në dhjetor të vitit 2011 propozoi që Ju të jeni kandidat për ta marrë Çmimin Nobel për letërsi, në vitin 2012. Kjo e gëzoi tërë kombin shqiptar në Ballkan dhe në diasporë.

 

Laurimi Juaj me çmimin më prestigjioz për letërsi, do të ishte një nder i madh për letërsinë shqiptare, për gjuhën shqipe, për kulturën shqiptare, për artin shqiptar, për kombin shqiptar në Ballkan, për diasporën shqiptare dhepër shtetet shqiptare – Shqipërinë dhe Kosovën.

 

Çdo shqiptar në gadishull dhe kudo që ndodhet në rruzullin tokësor, është më se i vetëdijshëm se ndaj Jush dhe ndaj letërsisë shqiptare është bërë një padrejtësi e madhe. Kështu sepse Çmimi Nobel për letërsi i është dhënë një numri të caktuar shkrimtarësh, vlera letrare dhe artistike e veprave të të cilëve, në asnjë mënyrë nuk mund të matet as të krahasohet me artin Tuaj kafkian.

 

Kritikë eminentë të Perëndimit, Ju kanë krahasuar me krijuesit letrarë më të mëdhenj të historisë së letërsisë botërore.

 

Në veprën Tuaj letrare grandioze, shumë kritikë të Evropës Perëndimore dhe të SHBA-së, kanë parë Homerin, tragjedianët antikë, Danten,Servantestin, babain e tragjedisë moderne – Shekspirin.

 

Kritika perëndimore Ju ka krahasuar me kryeidhullin e modernizmit –Kafkën, me Xhorxh Oruellin, me Gabriel Garsia Markezin, me Horhe Luis Borgesin dhe me brazilianin Paolo Kuelho, krijues artistikë që shënojnë epoka.

 

Ka edhe kritikë që shohin te Ju Xhojsin dhe Beketin e Godosë legjendare.

 

Thelbi i kritikës perëndimore lidhur me krijimtarinë Tuaj letrare është:

 

- Vepra Juaj letrare ka vlera universale;

 

- Mesazhi i veprës Suaj është kryekëput humanist;

 

- Vepra Juaj letrare është një goditje e rëndë ndaj ideologjive totalitariste, ndaj pushteteve tiranike, despotike, autoritare dhe diktatoriale;

 

- Stili Juaj është i një niveli artistik të jashtëzakonshëm;

 

- Gjuha Juaj letrare është poetike dhe figurative.

 

Krijimtaria Juaj është përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës. Veprat Tua janë botuar gati në të gjitha vendet e rruzullit tokësor.

 

Ju lexojnë në të pesë kontinentet e planetit. Romanet Tua kanë zënë vend në të gjitha bibliotekat më prestigjioze të të gjitha metropoleve të botës. Romanet Tua janë ndër më të kërkuarat nëpër bibliotekat dhe libraritë e botës.

 

Nëpër panairet më të mëdha të Evropës, Ju jeni njëri ndër autorët më të afirmuar.

 

Disa nga veprat Tua, janë lektyrë shkollore e domosdoshme për gjimnazistët e Francës dhe të disa vendeve të tjera të Perëndimit.

 

Vepra Juaj do të jetojë sa edhe epet homerike. Ato janë thesar artistik i mbarë njerëzimit.

 

Në vitin 2005 në Edinburg, në një konkurrencë të ashpër me finalistët si G. G. Markez, Gynter Gras, Soul Bellou, Xhon Apdajk, Milan Kundera, Doris Lesing etj. juria ua dha çmimin prestigjioz për letërsi The Man Booker International Prize. Disa prej shkrimtarëve që e aspironin këtë çmim janë edhe laureatë të Çmimit Nobel dhe emra të njohur të artit botëror.

 

Ndërkaq, më 24 qershor të vitit 2009, e morët në Madrid çmimin letrar po aq prestigjioz Premios Príncipe de Asturias. Fjalimi që e mbajtët Ju para një auditori të zgjedhur, në mesin e të cilëve ishte Mbretëresha Sofia e Spanjës,Princi Felipe me bashkëshorten Leticia, si dhe shumë shkrimtarë, kritikë letrarë, filozofë, piktorë dhe shkencëtarë më eminentë nga Spanja dhe nga gjithë bota - ishte brilant, mahnitës dhe mbresëlënës. Këtë çmim të lartë e kanë marrë shumë emra të mëdhenj të botës së artit. Midis tyre edhe nobelisti izraelit Amos Oz.

 

Ju jeni nderi, lavdia dhe krenaria e kombit. Ndaj, i tërë kombi shqiptar uron që në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë të lauroheni me Çmimin Nobel.

 

Vepra Juaj nuk mund të vlerësohet me kritere jashtëletrare.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora