E merkure, 24.04.2024, 02:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Gjon Neçaj

E enjte, 12.01.2012, 08:51 PM


GJON NEÇAJ

 

Poet, shkrimtar dhe publicist. U lind më 17 qershor 1951, në fshatin Peraj të krahinës së Nikaj-Merturit, Tropojë. Ka mbaruar studimet për financa në Tiranë. Me krijimtari letrare është marrë që herët, duke botuar në shtypin letrar të kohës, poezi, prozë e publicistikë. Ka fituar disa çmime letrare. Bashkëpunon me disa të përditshme në Tiranë, duke botuar herë pas here shkrime kulturore. Bashkëpunon  edhe me shtypin kosovar. Është përkthyer në disa gjuhë te huaja dhe krijimtaria e tij poetike është e përfshire në disa antologji. Gjithashtu është fitues i shumë çmimeve letrare brenda dhe jashtë vendit, si dhe redaktor dhe recensues i shumë veprave në  poezi, prozë e publicistikë. Deri tani ka botuar: Në hijen e mrizave - poezi, Tiranë, 1994, Në folezë të këngës - poezi për fëmijë, Tiranë, 2003, Hijet e shpirtit - novelë, Tiranë, 2005, Ju që më shihni çdo ditë - poezi, Tiranë, 2006, Pezull-haiku, shqip-anglisht, Elbasan, 2007, Tropoja - vendlindja ime - tekst mësimor, Tiranë, 2008, Hëna pikon mbi Alpet e mia - poezi, Tiranë, 2008, Haiku i bjeshkëve, shqip-anglisht, Elbasan, 2009, Sinus, poezi, shqip, anlisht, italisht ,greqisht, Tiranë, 2011. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve, dega Tropojë dhe i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtar i Haik-Klubit Shqiptar, anëtar dhe sekretar për degën e “Pegasit” në Tropojë, si dhe anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë të Globit (W.P.S.). Jeton dhe punon në Bajram Curri, Tropojë.

 

 

MESHA E PARË

 

Pastori grumbulloi pasthirrmat jetësore

Qetësia mbizotëroi katërciperisht Kishën e Zojës

Jezu Krishti në kryq

Pagëzoi bejtexhinjtë nikajmërturas

Në përvjetorin e shugurimit të mëshës së parë

Të lumturuar prej priftit At Zef Pllumit

Në Nikaj…

 

Mbi Dri ushton maja e Çllumit.

 

 

TORNADO

 

Në mizanskenat perëndimore

E në kalldrëmet shekullore të miteve

Rrin varur ku jetojnë bijtë e fisit tim

Një lahute e vjetër me dru arre….

 

Qimet e saj hingëllijnë

Sa herë  kuajt e mbretëreshës Elizabete

Bëjnë roje me ushtarët në kështjellë.

 

Tornadot  nuk bien në Tropojë

Në Uells mbase po…

 

 

METROPOLEVE TË ASKUNDIT

 

Nëpër udhëkryqet moderne

Të metropoleve europiane

Iku rinia pa bujë, rrodhi gjaku i Arbërit

Mbeti skalaktikave kulmore të një jete varfanjake.

 

Gjaku i shpirishur i Arbërit

Kuqlon metropoleve të askundit

Mjediseve të salloneve në pritje nomade…

 

 

BRIGJEVE TË KOTËSISË

 

Kot, kot, kot

Lindja, rinia, jeta…

 

Vetëm pleqëria dhe vdekja

Ujisin livadhin e jetës

Brigjeve të kotit.

 

Sivjet nuk i dihet,

Mbase duhet t’i ruhemi motit…

 

 

ÇBURRËRIM I VONË

 

Termopile në jetën me standarte absurde,

Miklojmë vitet e sotme moderne;

Ne,bijtë e Jezusit të murosur në kryq

Tash  dymijë vjet.

 

Edhe sa mijëvjeçarë

Na duhen për t’u çburrëruar.

 

 

EKUINOKS

 

Në pesë të premtet

në pesë të shtunat

e në pesë të dielat

kapërceva ylberin në majë të Shkëlzenit...

 

Asnjë çik nuk ndryshova

veç u bëra më lazdran

teksa fëmijërinë time mendoja

mbajtur në fijen e penit te Vorret e Shalës

me Dervish Luzhën e Rexhep Belin...

 

 

MORFOLOGJIA E FJALËS…

 

Ngarendje përditë n’vitrinat ndjesore,

Prej antikitetit deri në palcën e gurit;

Gjymtyrët kockorë të endjeve rrugëtare,

vallëzojnë trishtueshëm në token e nemun…

Ndërsa morfologjia e fjalës mat kutin galaktik,

Në rrugët e fjetura të vendlindjes sime…

 

Mbaruan fjalët,

e tashmë flasin vetëm egërsirat…

 

 

SINUS

 

Nuk është ndonjë formulë shkencore,

As prirje për të vazhduar studimet im bir;

Me sinuse ka rrjedhur shekujve galaktika e jetës,

Derisa një ditë u zhduk shkrimi hënor…

 

 

POTPURI DHE LËMSHI I MACEVE

 

Dikur motit macet ishin zonjat e shtëpisë,

Plakat tallaziteshin n’prushin e zjarrit vjeshtor;

Duke rikujtuar se prekja me lëmsh e kokës së maceve,

qetësojnë  mendjen e tyre të trazuar,

Për t’u larguar nga punët e shumta në kullat çatibrejtur.

 

Vetën kur ndihej potpuria e minjve në trarët e moçëm,

Macet kërkonin lëmshin e plakave…

 

Sot ndodh fenomeni i dyzimit.

 

 

CURRAJ E EPËR

 

Nën peshën prehistorike të shekujve,

U ngrit trimërisht për t’u rrënuar një ditë;

E qyqet s’pushuan kukamën asnjëherë,

majave trishtuese lartësuar  n’rrokaqiell…

 

Ikën mëngjeset e agut me zëra fëmijësh,

Ikën netët e gjata të bubulakut dimër me pleqtë mendimtarë

ballë oxhakut…

 

Ikën nuset  dhe çikat e reja në mjegullnajën e kohës;

Tashmë nuk lajnë teshat breglumit,

Kur qysh larg  dritësonin në çdo stinë vetëm diell…

 

Sot…

Sot kullat e shkretuara mbajnë peshën e viteve,

E shembjen   trishtuese  të mureve  rrënuese,

Nën rrfanat e jetës të plakave motit  netëve dimërore.

Ajkuna qan përmallshën për ikjen e banorëve,

E bjeshkët veç lotojnë  e ngushëllojnë…

Curraj e Epër!

Fillimi dhe fundi i një  epoke.

 

Sado të mallohemi, veç shkruajmë fjalë lojcake,

Se zëri ka mbetur varur bjeshkëve të fëmijërisë

Prapa një rudine, prapa një kodre…

 

Delir i  trazuar vargu im,

E ndjej dhimbje mikluese për këto rreshta,

Përzier me britma, imazhe dhe kujtime të rinisë.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora