E enjte, 25.04.2024, 10:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Rrruga për në Baba Tomor

E enjte, 12.01.2012, 08:59 PM


RRUGA PËR NË BABA TOMOR

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

E hë, e hëë, e hëëë… Mbërrina në Qytetin e flamujve. Sot me siguri është ditë feste. Rrugët kanë vënë faqe të kuqe. Shtyllat me duar ngrejnë lart flamujt nga qielli. Parullat ngrejnë zërin rrugëve, shitoreve, shtëpive…

Rroftë Qyteti i flamujve!

- Tungjatjeta, zoti Piktor!

- Ooo, tungjatjeta! Tungjatjeta, o burrë! Hyn, pusho pak nën hije! Iki vapës!

- Është vapë me shpuzë, zoti Piktor. Të djeg si saç…

- Plak, ç’është ajo shami e kuqe që e ke lidhur në majë të shkopit?

- Flamur! Me këtë dhashë shenjë se vij unë plaku. Se, ky nuk është për këtu, në atelje. Ky është për në male…

- Mirë e ke plak! Flamuri gjithmonë më parë ka valuar maleve, krah për krahu me dyfekun. Në shi… Breshër… Dëborë… Flakë… Zjarr… Në duart e trimave për liri. E më vonë edhe nëpër qytete.

- E po zoti Piktor, plaku nuk di kur do të vdesë, mirëpo se si dhe nga zbriti flamuri e di edhe në gjumë.

- E di unë, e di se çfarë trimi e kemi plakun. Vetëm desha të shoh a i punon ende gishti.

- Gishti? Gishtin plaku e ka grerëzë. E vret shenjën deri ku i sheh syri.

- Plak, e besoj që je i pushkës. Po, e di çka, bisedova me një mik? Të kemi gjetur punë.

- Çka?!

- Punë të kemi gjetur, plak. Punë.

- Zoti Piktor, plaku përveç se i mauzerrit, është edhe i punës.

- E di unë plak. E di. Nesër kthe këtu te unë, në atelje!

- Po, ç’punë është ajo, zoti Piktor?

- Punë bujku, plak.

- Ihahaaa!... Qenka punë që e du me gjithë zemër dhe e njoh mirë nëpër gishta. E kam trashëgim nga babai.

- E di unë çka i fle në zemër plakut. E di…

- Zoti Piktor, do të dal pak nëpër Qytet. T’i kullos sytë… Konservave t’u bie me shkop… Pemëve t’ua shkundi frutat… Xhepat t’i mbushi me fletët e grisura të librave… Vjershat nuk mundem t’i lë në mëshirën e rrugëve… Erës… Qenve… Tregimet… Faqet e romaneve… Bushtrën ta shoh si i shkojnë prapa qentë... Natën… Ditën… Lehjet… Ulurimat… Kacafytjet… Si e tërheqin njëri-tjetrin për veshi… Për bishti… Rrugëve të Qytetit… Lëmsh… Shkurt, t’i vras rrugët me këmbë. Nesër do të kthej të bisedojmë në lidhje me punën. Ditën e mirë!

- Përpara, plak! Vetëm përpara!...

Plaku me abetare kur doli në Qytet, dielli gjysmën e faqes e kishte fshehur pas Kalasë. Kali i trimit qëndronte me dy këmbët e prapme, ndërsa të parat i kishte ngritur nga qielli. Shpata namëmadhe në atë dorë të fuqishme nga rrezet e diellit t’i merrte sytë. Kalorësi shikimin e kishte ngulitur diku thellë në male… Plaku me abetare kërkoi me sy mos ka aty afër ndonjë njeri, ta ngrejë në duar hopa lartë, ta puthë bustin, po njerëzit sikur i kishte lëshuar toka. Eci rrugës i gëzuar me hapa të rëndë. Vetja iu duk djalë i ri. Përpak desh ia tha këngës me sa zë që kishte midis pazarit. Nuk e di se si i erdhi përbrenda një zjarr… Por, e përmbajti veten. Gojën e kapi me dorë. Zemrën e qetësoi me fjalë. Përpara një vitrine u ndal gjatë, dhe ia nguli sytë një xhamadani me sumbulla. Tirqit me dymbëdhjetë gajtana rrinin vetë më këmbë. Këmisha me jaka, të punuara me net e ditë të tëra, me lloj-lloj shkrolash – hata. Brezi… Çorapët me një shtizë… Kësula e bardhë… Tesha të mira, plak. Ë? Të mira, po ti s’ke asnjë metalik në xhep. Sot nuk kam, por nesër do të kem edhe para edhe kuletë. Do të punojë plaku. Shitësit do t’ia numrojë tink, tink, të gjitha në dorë. Plaku do të jetojë me djersën e vet, do të ndërtojë dhe shtëpi. Vështirë i vjen plakut të jetojë në shpinën e tjetrëkujt. Po pleqëria, burrecat… Këta nuk e lënë plakun të ngrejë krye… Plaku edhe një herë para tyre do t’i tregojë grushtat. T’u tregojë se do të ecë me këmbë të veta. Po… Shkurt. T’ua them se, plaku pas të keqes e pret të mirën. E pas të mirës, të keqen. Burra, radhët te plaku e ka e mira… Kjo nuk e lë të vdesë. Ia ha mendja se diku larg, më këmbë vjen e mira. Pas natës vjen dita. Lind dielli. Pas dimrit vjen pranvera… Gjelbërimi… Këngët e zogjve… Lulet…

Plaku me abetare s’di më çka të mendojë para këtij bërlloku. S’ka fuqi t’i mëshojë me këmbë kësaj konserve që ia ndytë ajrin. Nuk mund të pijë ujë në pusin që e dhijnë e përmirin qentë. S’e lejon veten më ta tërheqë për hundësh Xuxhmaxhuxhi. Mendimet i shteren në pusin pa ujë.

Plaku do!...

Plaku do t’i përmirë mu në gojë atij Rrufjani! T’i ndihmojë Allahut t’ia ngrejë këmbët Hoxhë Efendiut nga minarja…

Macja e zezë ma preu udhën… Nata ma qiti këmbën që të më hudhë në përrua… Rrufjani m’i njeh hapat… Hoxhë Efendiu do të më bëjë injeksion në kokë… Zogu erdhi me një këngë… Unë dua ta rrasë barkun me bukë!

- Ooo plak-o! Ku je nisur me atë gjysmë buke?

- Të rrasë barkun, zoti Shkrimtar.

- Po, pse nuk hy në këtë Kuzhinë popullore?

- Se më nxorën jashtë si qen dhe ma mbyllën derën.

- Mos bre?!

- Po, zoti Shkrimtar. Vetëm edhe unë nuk ua lash për nesër. U thashë: plaku nuk do pa para. Paguan plaku.

- Shiko, shiko! Po, ai shitet para njerëzve si i mirë, o plak!

- He, or burrë! Ç’të bën i miri, i keqi nuk mundet kurrë.

- Qenkam mashtruar, plak. E kam marrë për njeri të mirë.

- I mirë para parave, por ta shet lirë pas shpine. E ka vulën në ballë.

- Plak, edhe sot do të hamë bukë në kuzhinën e … Më kurrë nuk do t’i shkelim në derë.

- Zoti Shkrimtar, tani le t’ua shesë burravecave, kulltukorrencave, hoxharrencave…

- Plak, ne më nuk do t’ia sheklim pragun kurrë! E ai pot ë dojë le t’ia kthejë palarenë edhe gomarlinjve, kuajxhinjve, mushkaxhinjve, derraxhinjve…

- O, bujrum! Bujrum!

- Kamarier, dy dreka të mira që nga sallata e deri te vera e kuqe!

- Menjëherë, zotëri!

- Plak, a e sheh si i përdredh përmes tavolinave? Për para ky të jep edhe…

- Eh, zoti Shkrimtar. Njerëzve të tillë ç’u vlen pasuria? Unë vërtetë nuk kam, por unë edhe nuk lë të tërhiqem për hunde. Më mirë i varfër e i ndershëm, se sa i pasur e bukëshkelë…

- Plak, ku ka pasuri, vështirë ka besë.

- U bëftë mirë! E vuri mbi tavolinë drekën pronari i kuzhinës.

- Ore, ne do të na bëjë mirë që e fitojmë me djersë, po ti që e fiton me rrena…

Plakut me abetare iu kujtuan fjalët me të cilat e priti pronari i kuzhinës kur ishte vetëm dhe këto tashti kur erdhi me Shkrimtarin. Sa të largëta ishin, sa të thella!... Sa të padurueshme para njerëzve! Sa të dëshiruara para kafshëve! Ruajna Zot nga të këqijat! Ke bërë mrekullira e çudira. Ke bërë njerëz që nuk lakohen kurrë. Nuk bëhen urë. Ke bërë të atillë që mund t’u hipësh në shpinë… Lirisht t’ua vësh kërpeshin në kokë për brirësh dhe t’i lidhësh në grazhd. Po, mua? Mua, a mund të më lidhë brekzgjidhuri bashkë me kafshët? Jo. Jo, se unë ia fus bririn në bark…

Eh, or plak! Mu pse ia fut bririn në bark, nuk ec me katër këmbë, s’e harron Shtëpinë, nuk je thupër shelgu, do të të marrin në përgjegjësi natën e varrit. Mu për këtë ti je i marrë. Mu për këtë t’i mbushin edhe xhepat me bajga. Dhe, ç’të them tjetër, kur ti nuk u bindesh urdhërave të njerëzve të sëmurë. E ke futur në bri të dhisë atë farë Rrufjani. S’di në cilën arë ta çojsh ujin. Kujt do t’ia japësh fyellin. Me cilët t’i bënë Nusja me pashterkë të kuqe këta kopila? Në cilin livadh do të të gjejë në gjumë dielli. Kush do t’i varë në qafë hebet?...

Vërtetë, koka jote mund të përfundojë si kjo sallatë. Mund të fryjë ndonjë bark të unët si kjo drekë me mish. Ose, do t’ia nxejë trurin ndonjërit si kjo verë e kuqe.

- Gëzuar, zoti Shkrimtar!

- Gëzuar, o burrë!

- Me kësi uji e lagin fytin burrat.

- Kamarier, o kamarier! Edhe dy shtamba me verë të kuqe! Sot me plakun do ta shterim pusin. Nuk do t’i lëmë pikë uji, që në të të mbytet Rrufjani. Ai “burrë” kërkon me këmbëngulje të na e marrë Lulezjarrin nga Baba Tomori. Mu për këtë nuk duam që ai të përfundojë në pus, po në hu…

- Zoti Shkrimtar, ajo që fitohet me gjak, nuk mund të mirret ndryshe përveç se me gjak.

- Plako, nuk i mirret zemra trupit. Po ia more, vdes… Kamarier, o kamarier! Verë të kuqe! Gëzuar, plak! Gëzuar!

- Gëzuar, zoti Shkrimtar!

Nuk lejojmë aq lehtë që Rrufjani të na e marrë zemrën. Të gjithë ne, besimtarët e Urtësisë të shkojmë me radhë dhe ta pështyjmë në fytyrë. Ai është hale. Duhet të hyj në varr pa imam. E ka sulmuar me fjalë të shpifura Lulezjarrin. I ka dalur i pabesë birit të Natyrës, Darvinit. E ka sharë Natyrën… Zotin… Mos e mëshiro, o Zot!

-Kamarier, o kamarier! Verë të kuqe!

E shoh Rrufjanin në fund të hales. Prof. Dr. Shpirt Ligun në majën e shkopit të Plakut me abetare. Hoxhë Efendiun duke i bërë vetes hajmali, mos t’i hyjë Plaku me abetare në xhami.

- Plak, të shoh në mesin e Xhehnetit. Shkopin e ke në dorë…

- Mos më kanë vënë roje?

- Nuk e di. Shkopin e ken ë dorë…

- Zoti Shkrimtar, dije se ata që kanë bërë mëkate, nuk do t’i lë të hyjnë në Xhehnet. Edhe Rrufjanin që ka bërë me gisht në Lulezjarrin, para kundërshtarëve të Natyrës. Edhe prof. Dr. Shpirt Ligun me shokë…

- Plak, lum ai që i ka duart e pastërta!

- Zoti Shkrimtar, a e kam edhe abetaren në Xhehnet?

- Plak, abetaren e ke Kur’an. Kur’an i shqiptarve.

- Zoti Shkrimtar, në Xhehnet do të hyjmë pas Ditës së Kiamtetit. Me vete do t’i marrim edhe të vdekurit. Nisemi! Urraaa… Një shishe verë të kuqe shtije në xhep! Do të na duhet rrugës…



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora