E enjte, 25.04.2024, 10:48 AM (GMT+1)

Mendime

Gani Demiri: Unë, kosovari që u arrestova nga dora e Mehmet Shehut

E marte, 10.01.2012, 08:01 PM


Nga 

  

 

Historia e kosovarit që arriti të prekte me çdo çmim Shqipërinë e ëndërruar që në djep. Nata e parë pas arratisjes sfilitëse mes maleve me dëborë, ku i hynë në dhomën e hotelit provokatorët e Sigurimit të Shtetit me origjinë jugosllave. Takimi me babanë pas 21 vjetësh, kur ai vizitoi Tiranën, dhe si i doli parandjenja e tij e çuditshme se i biri do t’i përfundonte në birucë

 

HYRJE

 

Gani Ratkoceri, i arratisur nga Kosova në tetorin e vitit 1951, u dorëzua në organet e Punëve të Brendshme të Kukësit, të cilat kryen formalitetet e zakonshme si për çdo person që kërkonte atdhesim në Shqipëri. Në organet zyrtare të shtetit u paraqitën njerëz që dolën garant për familjen dhe qëndrimin e të afërmve të tij në Kosovë. Kjo bëri që Ratkoceri të kalonte disa peripeci në kohë të përshpejtuar. Tashmë ai mendonte se i ishte realizuar ëndrra e vjetër, që të bëhej qytetar i Shqipërisë, gjë nuk ishte aq e thjeshtë sa e kishte menduar. Peripecitë për të filluan që ditën e parë kur e caktuan në qytetin e Beratit, ku ai do të punonte si mësues. Procedurat e shtetit komunist nuk kishin të përfunduar me një apo dy verifikime. Mekanizmat e tij ishin të ngatërruara për Ratkocerin, aq sa do të bënin që jeta e tij normale herë pas here të kalonte mes stresesh dhe peripecish, të cilat nuk do të kalonin pa pasoja. Megjithatë, ai gjen forca dhe vullnet të renditet në radhët e intelektualëve me perspektivë, ku veç bekgraundit të tij arsimor, kompletohet dhe me një rreth shoqëror të admirueshëm. Në këtë kohë ai kërkon dhe gjen forma e kurajë për të luftuar për të drejtat e kosovarëve. Në shumë raste, në këtë luftë të ndërmarrë arrin edhe suksese, të cilat do të ndikonin shumë në vërtetësinë e historisë kombëtare dhe në të drejtat e vëllezërve të tij që jetonin në Shqipëri. Megjithatë, ai, si shumë kosovarë të tjerë, nuk do të mund të dilte i paprekur nga vala e arrestimeve që bëheshin herë pas here. “Armik i partisë dhe i pushtetit popullor” ishte motivacioni, i cili e “plasi” në burgjet e sigurisë së lartë të shtetit komunist, në të cilin kishte ardhur si emigrant për t’u strehuar, por që u dënua me 9 vjet burg. Këto dhe shumë hollësi të tjera përshkruhen pikërisht në intervistën e mëposhtme të zotit Ratkoceri, të dhënë për lexuesit e gazetës “standard”.

 

Zoti Gani, thatë se që mëngjesin e parë në hotelin e Beratit, kur shkuat me urdhër të degës së Punëve të Brendshme të Kukësit, u ndeshët me provokimet e para, kur tre persona me origjinë malazeze trokitën në dhomën tuaj.

Është e vërtetë. Pa u ngritur nga krevati, dëgjova derën që trokiti dhe brenda hynë tre persona. Me sa kuptova, ishin me origjinë malazeze. Unë vija nga dega e Punëve të Brendshme dhe as që më shkonte në mend se ata vinin me porosi të Sigurimit të Shtetit. Arsyeja e vizitës së tyre ishte për të më bërë të rrëfehesha, por nga situata kuptova më shumë nga ç’po ndodhte.

 

I mbani mend emrat e tyre?

Ata quheshin Zhivko Dashoviç, Boshko Ivanoviç dhe Stefan Peroviç. Të tre të gjatë dhe me prezencë. Hynë brenda në dhomë dhe filluan të bisedonin, duke u shtirur si vëllezër të një vendi dhe se ishin nisur për të mbërritur në Shqipëri. Në fillim më thanë se do t’i kisha pranë për çdo problem që do të kisha. Pastaj më treguan për misionin me të cilin ishin ngarkuar.

 

Çfarë ju thanë konkretisht?

I pari që filloi të fliste, ishte Stefani, i cili më tha: “Ju, shoku Gani, jeni i ri ashtu si unë. Natyrisht duke qenë se jemi të rinj edhe gabojmë, se nuk e njohim Shqipërinë dhe kjo është arsyeja për të cilën kemi ardhur, t’ju ndihmojmë, sidomos shoku Boshko me shokun Zhivko. Në radhë të parë duhet të dini se këtu në Shqipëri, me urdhër të Komitetit Qendror, është krijuar organizata e emigracionit jugosllav me kryetar shokun e nderuar e revolucionarin e madh, Jolo Markoviç. Kjo organizatë ka anëtarët e këshillit kudo ku ka emigrantë jugosllavë. Për rrethin e Beratit janë këta shokët këtu. Këshilli i organizatës ka nxjerrë edhe një gazetë në gjuhën serbo-kroate, ku trajton ngjarjet në Jugosllavi dhe në kampin komunist, me në krye Bashkimin Sovjetik të udhëhequr nga shoku Stalin. Ky këshill bashkëpunon me Komitetin Qendror, me Sigurimin e qeverinë dhe ka kompetenca të plota tek ata. Prandaj, edhe ti na fol hapur për jetën tënde, për punën dhe mbi të gjitha na trego kush të ka dërguar, se ndoshta nga frika s’ke guxuar t’ia thuash Sigurimit. Ndaj, na i thuaj ne, t’ia themi Sigurimit dhe ty s’do të të ndodhë gjë. Mos e merr për ofendim, se kështu më ka ndodhur dhe mua. Isha i dërguar nga UDB-ja dhe pata frikë t’ia thosha Sigurimit të Shtetit”.

 

Cili ishte qëllimi i tyre?

Qëllimi i tyre ishte i qartë. Kërkonin që të thosha se më kishte dërguar me mision UDB-ja.

 

Reaguat?

Detyrimisht që reagova, pasi rrufeshëm mendova peripecitë që kisha kaluar për të ardhur në Shqipëri, të cilën ne kosovarët e quanim atdheun tonë, kur pa u sistemuar akoma befasisht më kërkohej që të pranoja se kisha ardhur me shërbim të djallëzuar. Kjo do të thoshte se nuk më besonte askush, që kisha arritur këtu për të jetuar si në tokën time dhe jo të kryeja misione sekrete. Gjithsesi, nuk e mendoja në atë moment se ata ishin dërguar posaçërisht nga Sigurimi i Shtetit, të cilit i shërbenin. Mbaj mend se u revoltova shumë, jam çuar në këmbë me sy të errësuar nga inati dhe e kam goditur Stefanin me një pëllëmbë në fytyrë aq fort sa ai u plas përdhe. Pas kësaj dola menjëherë dhe mora drejtimin për në degën e Punëve të Brendshme të Beratit, ku më kishte rekomanduar dega e Kukësit. E bëra rrugën duke u menduar, se si kishte mundësi që pa u sistemuar mirë në Shqipëri të fillonin provokacionet! Me këto mendime arrita në degën e Punëve të Brendshme, ku, sipas porosisë, që kisha marrë nga Kukësi takova vet kryetarin. Mbaj mend se emrin e kishte Zylfi Saliu dhe ishte me origjinë nga fshatrat e Kukësit. Pasi i shpjegova gjithë historinë time, i tregova edhe për atë që më kishte ndodhur në mëngjes me mysafirët e parë në dhomën e hotelit ku kisha fjetur.

 

Si ju priti kryetari i degës?

Ai më priti shumë mirë dhe jo vetëm e dënoi veprimin e ndodhur në dhomën time, por më tha që do kisha bërë mirë ta kisha goditur në kokë provokatorin.

 

Ç’përshtypje ju la kryetari i Degës së Brendshme?

Çuditërisht, i lashë përshtypje të mirë. Ai jo vetëm që më priti mirë, por, sipas porosisë që kishte marrë nga Vilson Pecani, i cili ishte ngarkuar nga Byroja Politike për emigracionin kosovar në Shqipëri, më ndihmoi të emërohesha mësues në Berat.

 

Zoti Gani, tashmë është i njohur fakti që ju keni bërë përpjekje konkrete për të mbrojtur interesat e kosovarëve. Për këtë keni guxuar t’i shkruanit edhe Mehmet Shehut, gjë që mund të ishte me pasoja të rënda për ju. Si qëndron e vërteta?

Është e vërtetë një gjë e tillë. Kosovarët që vinin në Shqipëri, persekutoheshin dhe shikoheshin gjithnjë me sy të dyshimtë. Nuk kishin mundësi të vazhdonin shkollat e larta apo specializime se ishte ambasada jugosllave në mes. Aty nga viti 1960, kur filluan të prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, në Shqipëri u zbut lufta e klasave. Pikërisht, në këto momente unë mendova t’i shkruaja një letër Mehmet Shehut.

 

Nuk patët frikë se kjo mund t’ju kushtonte shumë?

E mendova, por i mora parasysh pasojat. Njeriu është një qenie e çuditshme, që sado frikë të ketë, vjen një moment ku nuk do t’ia dijë për asgjë. Kjo ndodh kur inati dhe revolta shpërthejnë në të gjithë qenien e tij. Kështu ndodhi edhe me mua.

 

Biseduat me njeri për t’u konsultuar për atë plan?

U konsultova me një mikun im, i cili quhet Ajet Haxhiu. I thashë që ta shkruanim të dy lerën, ku të ngrinim të gjitha problemet dhe persekutimet e kosovarëve dhe t’ia dërgonim Byrosë Politike. Ajeti jo vetëm që nuk pranoi, por më këshilloi të mos merresha me veprime të tilla, se do të më kushtonin shumë, pasi po kalonim situata të turbullta politike.

 

Dhe ju vazhduat planin tuaj?

Unë e kisha vendosur, por gjithsesi nga ndërhyrja e Ajetit e ndryshova disi planin. I shkrova një letër Mehmet Shehut, ku i kërkoja takim për shumë probleme që lidheshin me kosovarët. Për çudi Mehmet Shehu më ktheu përgjigje. Konkretisht, ai më shkruante: “Shoku Gani, letrën tuaj e mora, por jam shumë i zënë me punë. Më shkruaj se do të përgjigjem”.

Kryeministri më shkroi në mënyrë shumë inkurajuese dhe vendosa që të flisja. S’komunikova me askënd, madje as me njerëzit e mi më të afërt dhe shkrova një faqe formati. Në atë letër ngrita persekutimin që u bëhej kosovarëve në institucionet e shtetit dhe kryesisht në organet e Punëve të Brendshme, të cilat ngrenë hipoteza të tilla që vendosin dyshimin mbi ta si agjentë të UDB-së. Pastaj fola për të drejtat e arsimimit, të cilat as që janë diskutuar për kontigjentin e fëmijëve të ardhur nga Kosova. Dhe së fundmi ngrita problemin e Institutit të Historisë në lidhje me figura patriotike me origjinë nga Kosova, ku përmenda disa prej tyre. I tregoja se për ta jo vetëm që nuk ishte thënë e vërteta, por mbështetur në burime serbo-ruse, historianët kishin marrë kurajë edhe të gënjenin, aq sa i bënin përgjegjës për dështime në situata të ndryshme të historisë. Pastaj me forcë kam ngritur çështjen e Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët duhej t’i referoheshin edhe çështjes së Kosovës, e cila duhet të ishte në programet ditore jo vetëm të krijuesve, por edhe të botimeve të përditshme të Radio Tiranës dhe të shtypit e probleme të kësaj natyre. Këtë letër e nisa me postë pa i thënë askujt.

 

Ju ktheu përgjigje Kryeministri, sipas premtimit që ju kishte dhënë?

Nuk kaluan as dy javë dhe më thirri në zyrën e tij ish-ministri i Arsimit, Manush Myftiu, i cili ishte ndërkohë edhe zëvendëskryeministër. Me atë kemi diskutuar të gjitha problemet që kisha ngritur te Kryeministri aq sa më dha kompetenca për të shkuar me autorizimin e tij në të gjitha kampet e kosovarëve dhe të diskutoja me ta të gjitha problemet që kishin, kryesisht që të regjistroheshin të gjithë kosovarët që kishin dëshirë të vazhdonin studimet. Ndërmjet shumë shqyrtimesh dhe përplasjesh që pata me Manush Myftiun. Për hir të së vërtetës, dua të them se ai kishte interesim pozitiv edhe për shkak të rekomandimeve që kishte marrë nga Mehmet Shehu, diskutova për të hapur edhe gazetën “Kosova”, në të cilën të përmblidheshin lajmet e Kosovës. Manush Myftiu nuk e miratoi këtë, duke u shprehur se ishte një çështje delikate të trajtohej Kosova në këtë sens.

 

Më pas, ju u arrestuat me motivacionin e bujshëm të asaj kohe “Për ideologji e propagandë ndaj pushtetit popullor”. Ka ndikuar protesta që bëtë pranë organeve më të larta të shtetit komunist për çështjen e kosovarëve?

Nuk mund të flas më tepër, se nuk jam shumë i informuar për një veprim të tillë, por nga mënyra se si funksiononte shteti atëherë nuk jam i bindur se nuk do të jetë hapur diku, në ndonjë “errësirë” dosja ime për t’u plotësuar dalëngadalë, siç ndodhte në shumë raste. Këtë e kuptoj, se shikoja që gjatë rrugës sime si profesor herë pas here hasja pengesa në drejtim të stimulimeve morale. Me këtë dua të them se megjithëse kam pasur gjithnjë përkrahje nga kolektivi dhe jam konsideruar nga drejtorit e shkollave të Tiranës ku kam punuar si mësues i përkushtuar, asnjëherë nuk jam dekoruar, megjithëse jam propozuar disa herë. Gjithsesi, mund të them se jam mbajtur herë pas here nën provokimin e organeve të degës së Brendshme, të cilat deri në momentin e arrestimit kanë bërë që unë herë pas here të mbetesha pa gjumë.

 

Kur nisi arrestimi juaj?

Arrestimi im ka nisur në vitin 1969, ku si shumë miq të mitë kuptova se isha nën mbikëqyrje. Ishte një situatë që më paralajmëronte se po shkoja drejt prangave. Nuk e dija se sa persona ishin vënë për të më mbikëqyrur, por më pas kam mësuar se kanë qenë plot 11, të cilët ishin me urdhër personal të Kadri Hazbiut dhe të Feçorr Shehut. Megjithëse e dija se përgjohesha në çdo drejtim që shkoja dhe në çdo hap që hidhja, nuk kisha mundësi që të mbrohesha pasi ata... atë që kishin planifikuar do ta bënin me patjetër pasi dihej që thërrisnin dëshmitarë të rremë, të cilët nuk e kishin për gjë të dëshmonin ato që kërkonte akuza. I vetmi veprim që bëra për t’i shpëtuar përndjekjes dhe arrestimit ishte se shkova vullnetar në zonat e veriut, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së partisë për të punuar aty, ku kishte nevojë atdheu, por edhe ky veprim nuk solli gjë, se pikërisht aty m’i vunë prangat. Në këtë iniciativë fillova të punoja si mësues në fshatin Shebe të Mirditës, i cili është plot 35 kilometra larg qytetit.

 

Edhe aty patët provokime?

Jo vetëm provokime, por edhe incidente të herëpashershme. Aty çuditërisht unë nuk u trajtova si person që i isha përgjigjur thirrjes së partisë, por si i internuar. Kështu, në atë situatë, duke pasur familjen vetëm në Tiranë, ndenja jo pak por plot dy vjet e gjysmë, deri në 10 shkurt të vitit 1978 kur më arrestuan.

 

Si ju arrestuan?

Është një komedi më vete, që unë nuk dua ta kujtoj asnjëherë. Unë punoja me mish e me shpirt dhe ata më arrestuan si kriminel dhe si njeri që i kisha bërë gjithë të zezat Shqipërisë. Komedia fillon kur më thirrën në zyrën e operativit, ku gjeta jo pak, por 10 veta. Shefi i atij grupi, që unë e kuptova menjëherë se kishte ardhur për arrestimin tim, ishte vetë shefi i hetuesisë së degës së Brendshme të Rrëshenit, Sokol Shazi. Ata më pritën mirë dhe më dhanë edhe cigare para se të më arrestonin. Pastaj më thanë nëse e dija përse kishin ardhur. “E di, - u thashë, - për të më arrestuar”. Kështu, më vunë prangat dhe më kaluan publikisht në fshat. Ata do të zbatonin urdhrat që kishin marrë, nuk kishin faj. Kështu vijuan procedurat e gjyqit dhe të burgut.

 

Sa vjet burg bëtë?

Pavarësisht se u dënova me 9 vjet burg, kam bërë rreth 5 vjet, pasi bëra shumë letra dhe kam kërkuar të drejtën time për dënimin që nuk e kishin bazuar në asnjë fakt. Në këtë mënyrë kërkova pafajësinë dhe e fitova. Kjo ndodhi pikërisht pas dënimit të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut, të cilët kishin urdhëruar persekutimin tim. Nga burgu dola në fillim të majit të vitit 1983.?

 

Gani Ratkoceri (Demiri) Jeta nga burgu te “Mësues i Popullit”

Gani Ratkoceri, i njohur me mbiemrin Demiri, u lind në qershor të vitit 1930, në fshatin Llukaxhi të komunës së Lypjanës në Kosovë. Arsimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në Prizren e Pejë.

Para vitit 1948 ishte mësues i thjeshtë në zonat e thella të Kosovës dhe mendonte se ndonjë ditë mund të prisheshin marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë. Me parandjenjën se mund të arratisej nga vendlindja e tij e uzurpuar nga ndikimi serb, ai kishte kohë që mësonte rrugët për të mundësuar mbërritjen në Shqipëri. Vite më pas, ashtu siç e kishte menduar, situata e jetës së tij erdhi e tillë, kur me të vërtetë do t’i duhej të largohej në mënyrën më urgjente. Ishte pikërisht viti 1951, kur tentoi të kryente një atentat të bujshëm, pikërisht ndaj liderëve qeverisës me kombësi të huaj në zonën e Lypjanës. Rasti e solli që jo vetëm atentatin nuk mundi ta kryente, por u detyrua të përballej me drejtësinë me akuzën “Armëmbajtje pa leje”. Gjendja e tij ishte kritike, pasi nga çasti në çast mund t’i dekonspirohej edhe plani sekret për atentatin e ndërmarrë, prandaj u detyrua të marrë vendimin e prerë që, në atë kohë që ishte vetëm 21 vjeç, të braktiste përfundimisht familjen e tij për të kaluar kufirin me Shqipërinë dhe të mbërrinte në Kukës. Ashtu siç e kishte menduar dhe planifikuar shumë vite më parë itinerarin që do të lëvizte, ai filloi “shtegtimin” misterioz drejt Shqipërisë. Kjo është pak a shumë zanafilla e historisë misterioze dhe shumë e çuditshme e Gani Ratkocerit (Demirit), i cili për t’i shpëtuar përndjekjes së Beogradit në vitet ‘50, u detyrua të arratisej në Shqipëri. Peripecitë të cilat ai mendonte se do t’i kalonte në tokën e atdheut të tij, befasisht me arritjen në Tiranë, jo vetëm që nuk i kapërceu, por iu shtuan. Pas kësaj ai do të detyrohej të jepte llogari para Sigurimit komunist se ishte dërguar nga agjentura jugosllave për të bërë lojën e zbuluesit.

Punoi një vit në rrethin e Beratit dhe pastaj përfundoi maturën e lënë përgjysmë në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Në vitet 1953-1957, ai kryente studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë. Pas kësaj, për vite të tëra vazhdoi të jepte mësim në shkollat e mesme të kryeqytetit. Në vitin 1978, pikërisht kur ishte në kulmin e punës së tij edukative, Gani Ratkoceri arrestohet nga Sigurimi i Shtetit si “Irredentist” dhe dënohet me 9 vjet burg “Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. E veçantë për figurën e tij, siç tregojnë bashkëvuajtësit, është se qëndrimi i tij në burg ka qenë jashtëzakonisht burrëror, ku vazhdimisht binte në sy kuraja e madhe për të kundërshtuar dhe denoncuar padrejtësitë. Gjatë jetës së tij shumë aktive, përveç mësuesisë, ai është shquar për studimet e veçanta në fushën e historisë së Kosovës. Përmes botimeve të ndryshme monografike, ai ka rehabilituar dhe ndriçuar shumë figura kombëtare, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Bajram Curri, Skënderbeu, Hilë Mosi, Shote Galica etj. Ka shkruar artikuj për kryengritjet e viteve 1912, “Idriz Seferi dhe Lëvizja Kombëtare në Kosovën Juglindore”, “Kujtime, ballafaqim me jetën”, “Adem Selimi”, etj. Gani Demir Ratkoceri është dekoruar nga Presidenti i Republikës në vitin 1995 me titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

 

Në Shqipërinë komuniste kosovarët konsideroheshin agjentë

“Kur arrita në Shqipërinë që kisha ëndërruar, - tregon Gani Demiri (Ratkoceri), - gjeta një realitet krejt tjetër nga ai që kisha menduar. Pavarësisht se ecja ime fillestare në drejtim të arsimimit dhe integrimit ishte e kënaqshme, sërish e shikoja qartë se kosovarët shikoheshin me syrin e të dyshimtit. Ata si unë, që përfundonin nga Kosova në Shqipëri, vendoseshin në mbikëqyrje të rreptë të organeve të Sigurimit të Shtetit dhe i servirej opinionit një sinjalizim i tillë që ata konsideroheshin si të dërguar të agjenturës jugosllave. Kjo bënte që në mos shpejt, në një kohë më të largët të gjithë vendoseshin në pranga. I çuditshëm është fakti se për kosovarët që dilnin para gjyqit, silleshin për t’i akuzuar më shumë se dy-tre dëshmitarë, ndryshe nga vendasit, që dënoheshin me një dëshmitar. Kjo bëhej me qëllim që kosovarët të paraqiteshin para popullit si armiq të rrezikshëm.

 

Ratkoceri: Babai kishte parashikuar arrestimin tim

Gani Ratkoceri, në lidhje me arrestimin e tij tregon një rast tepër interesant, i cili ka të bëjë me vizitën që i ati i ka bërë në shtëpinë e tij në Tiranë, pas 21 vjetësh, pasi ishte arratisur nga Kosova. “Kur erdhi im atë, - tregon ai, - ka qenë viti 1972. Atëherë isha i martuar. Gruan e kisha inxhiniere dhe kisha dy vajza të vogla. Kisha ndërkohë një shtëpi të mirë në qendër të Tiranës. Deri atëherë kisha krijuar emrin tim të nderuar në radhët e kolegëve të mi arsimtarë të rrethit të Tiranës dhe në institucionet e larta të shtetit. Madje, kisha shokë dhe miq deri në organet e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Në atë kohë kishte filluar të aplikohej disi leja për shumë kosovarë që të bënin vizita në Shqipëri. Pas shumë përpjekjesh të tij andej dhe të miat këtej, arriti edhe im atë të siguronte një leje tremujore. Këtë lajm e pritëm me një disfraksion të veçantë. Ai u surprizua nga gjendja e kënaqshme ku më gjeti. Më e veçanta ishte se në shtëpinë tonë, gjatë tre muajve që ai ndenji, nuk kanë pushuar vizitat. Për tre muaj me radhë kanë ardhur për të uruar dhjetëra shokë, miq dhe kolegë. Ishte një situatë e paparë për tim atë, i cili rrinte i menduar. Natën e fundit që do të rrinte në shtëpi e pyeta: Hë babë, përse po mendon? “Dëgjo, or bir, - më tha, - ne në Kosovë kemi fis të gjerë dhe shok e miq të shumtë. Por e shumta vizitat e tyre mund të zgjasin vetëm dy javë, por kjo derë nuk pushoi asnjëherë për tre muaj me radhë. Shikoj që ke punuar mirë dhe ke shokë shumë dhe të mirë, se këtu ne nuk kemi njeri as nga Kosova dhe as nga fisi. Por ky popullaritet edhe më gëzon edhe më hidhëron”. “Mirë gëzimin, - i thashë, - se e kuptoj, por hidhërimin perse e ke?” “Sepse, në të vërtetë, kemi qeverinë tonë dhe partinë tonë, por gjithë ky popullaritet që ke krijuar do të zgjojë nervat e njerëzve të këqij që nuk na duan dhe do të bëjnë çmos që të të bëjnë të keqen, prandaj po të them që të ruhesh, biro”. E vërteta është se ashtu ndodhi. Ato fjalë të tim eti i kam kujtuar natën e parë që hyra në qeli, pasi isha dënuar me 9 vjet burg.

 

Personalisht, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu kanë urdhëruar arrestimin e Ratkocerit

Pasi bëri 5 vjet burg, për Gani Ratkocerin u kërkua pafajësi, e cila u fitua prej tij. Për këtë nga redaksia e gazetës “standard” është siguruar një dokument arkivor i Gjykatës së Lartë, i cili është nënshkruar nga Aranit Çela. Ajo shkresë është pikërisht kërkesa që Gjykata e Lartë i bën plenumit të saj për të shqyrtuar çështjen e Gani Ratkocerit, për të cilin duhej të rrëzohej vendimi i gjykatës së rrethit të Mirditës, që e kishte dënuar me 9 vjet burg. Në të konstatohet se ndaj Gani Ratkocerit janë vënë plot 11 agjentë për ta mbikëqyrur në çdo hap të tij. Të gjithë ata janë vënë me urdhrat personalë të Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut. Konkretisht, ndërmjet të tjerash shkruhet: “...nga viti 1969 deri në vitin 1975, Gani Ratkoceri është mbajtur nën kontroll të rreptë me urdhër të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Feçorr Shehut, jo vetëm si spiun i UDB-së, por edhe për agjitacion e propagandë...

...Dosja është bërë me urdhër të Feçorr Shehut, i cili ndër të tjera ka dhënë porosi: a) të shikohet veprimtaria e këtij elementi, i cili kërkon të krijojë përçarje; b) armiqtë t’i godasim; c) elementët e këqij t’i riatdhesojmë...”

 

Për ribotim- Kadri Mani

(etnike@gamail.com)

 



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora