E premte, 29.03.2024, 05:10 AM (GMT)

Kulturë

Driton Gashi: ''S’do t’i kallim më fitilat e llamës''

E hene, 09.01.2012, 07:56 PM


''S’do t’i kallim më fitilat e llamës''

 

Nga Driton Gashi

 

Me një zë të lartë deri në kupë të qiellit tingëllon kënga „shqipe“ në lokalin „shqiptar“ në një qytet europian, sa një bisedë normale me mikun tim nuk është e mundur fare. Duhet të mirremi vesh me duar ose duke i bërtitur njëri-tjetrit në vesh. Pasi edhe kjo metodë na dështon, vetëm shikojmë me habi njëri-tjetrin dhe bashkatdhetarët tanë përreth. Na duket se të gjithë janë duke u argëtuar shumë, përveç ne të dyve, që kemi ngelur si dy huta dhe me siguri se faktin që nuk e ndjejmë vehten mirë në këtë ambient të çuditshëm e rrezatojmë edhe në fytyrat tona. Ç’na mbetet tjetër, vetëm të dëgjojmë tekste famoze, si „na mbyti ky gyrbet, do e kallim krejt“, apo „pina viski me koka-kolla, veshim Armani, Diesel-a“, „kqyrni çika çka ka rritun nana, e ka belin për dy kollana“, si dhe „hajde hajde rrushi i Shkupit e i Shkodrës“! Përveç kësaj: vallja! E prapë vallja! Që nuk ka të ndalur! Aq monotone bëhet, pa u ndërruar ritmi për dy-tre orë, e çfarë ritmi se: qyqek, më oriental dhe më jevg nuk ka më ku shkon!

Për një kohë relativisht të shkurtër lodhemi aq shumë, sa e lëshojmë lokalin “shqiptar“ dhe ikim me vrap. Na mbetet një ndjenjë e keqe dhe në makinë komentoj me mikun tim ato që pamë: Prej nga na erdhi kjo kulturë e çuditshme festimi dhe kush janë ata që e propagojne atë si shqiptare? Gjenerata të tëra janë infektuar më me këto lloj zhurmash, që nuk kanë dëgjuar asnjëherë këngë autoktone shqipe, që pothuajse kurrë nuk këndohen në lokalet që skicova më lart.

 

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, në kohën e eksodit politik dhe ekonomik nga Kosova dhe Shqipëria, në vendet perëndimore organizoheshin koncerte me muzikë të mirë shqiptare, me këngëtarë të ndërgjegjshëm, duke përcjellur te ne mërgimtarët një emocion të veçantë. Shumica prej nesh, nga pamundësia të vizitojmë vendlindjen me vite e me decenie, këto koncerte i pritnim „hasret“ dhe çmalleshim me këngën e bukur shqiptare. Nga paslufta e këndej këto koncerte u ndërprenë dhe në modë hynë „diskotekat“, të cilat më shumë u ngjajnë „mejhaneve“ të dikurshme. Më duket se secili mund të blejë një synthisizer, të instalon disa ritme orientale dhe t’a quan vehten muzicient. Edhe atë me një zë aq të lartë, që të shurdhon veshët! Pa kurrfarë sensi për vijë melodike dhe akorde adekuate, pa kurrfarë sensi për harmoni muzikore, e lëre më për tekst të mirëfilltë! E kam dëgjuar nga një mik imi një përshkrim që më ka pëlyqer shumë: Kjo lloj muzike është ndotje e ambientit!

 

Këngëtarët e shkretë vijnë, këndojnë ato këngët që i përmenda më lart nga 3-4 herë në versione të ndryshme, marrin lekët (disa edhe shumë lekë) dhe ikin. Në Kosovë dhe Shqipëri është përhapur mendimi se ne mërgimtarët nuk jemi të shkolluar, nuk jemi në dijeni se çfarë ndodh dhe nuk meritojmë muzikë më të mirë. Kënaqemi me kaq! Të mos harrojmë se e gjithë kjo rrymë muzikore nga Ballkani ka depërtuar deri këtu, më mirë do ishte që ne të gjithë të veprojmë së bashku kundër këtij fenomeni, e jo t’a fajësojme njëri-tjetrin. Edhe në Kosovë e në Shqipëri dëgjohen gjithandej „këngët“ e furgonave, të cilat më shumë të bëjnë me nerva se të emocionojnë.

 

Driton Gashi

Gjermani,

shtator 2011



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora