Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Vit i keq për diktatorët - por as vit i mirë për demokracinë

| E hene, 09.01.2012, 08:00 PM |


VIT I KEQ PËR DIKTATORËT - POR AS VIT I MIRË PËR DEMOKRACINË

 

Nga Frank Shkreli

 

Në përgjithësi mendohet se viti që kaloi nuk ishte një vit shumë i mirë për diktatorët dhe tiranët anë e mbanë botës - në të vërtetë, për ta, ishte një vit shumë i keq, kur të merret parasyshë  fakti se gjatë vitit që posa lamë pas, një numër i konsiderueshëm diktatorësh u rrëxuan nga pushteti, u vranë ose u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre.  Në këtë mes përfshihet Moamar Gadafi i Libisë, i cili u vra nga kundërshtarët e regjimit të tij; presidenti Hosni Mubarak i Egjiptit, që u rrëxua nga fuqia dhe i cili përballet me dënimin me vdekje; dhe kohët e fundit vdiq udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Ill Jong, që kryesonte një prej regjimeve më të ashpëra e anti-njerëzor që ka njohur bota.  E ashtuquajtura ''pranverë arabe'' filloi në Tunizi dhe protestat popullore detyruan presidentin e atij vendi Ben Ali, të largohej nga vendi e të kërkonte strehim në mërgim.  Hugo Çavez i Venezuelës, siç njoftohet nga media të ndryshme, mund të jetë duke vdekur nga sëmundja e kancerit; dhe udhëheqësi i Sirisë, Bashar al-Assad përballet me një revolucion, ndërkohë që forcat e regjimit të tij, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, mund të kenë vrarë me mijëra nga bashkatdhetarët e tij protestuesë dhe kundërshtarë të regjimit të tij.

 

Prandaj, diktatorët botërorë që qëndrojnë ende në fuqi, pas shumë dekadash, dhe kundër vullnetit të popullit që ata sundojnë, si Assadi i Sirisë, Mugabe i Zimbabvesë, vëllëzërit Kastro të Kubës, Ahmadinezhad i Iranit, e të tjerë si këta anë e mbanë botës - kurë shikojnë fatin që pësuan një numër diktatorësh vitin që kaloi në duartë e popujve të tyre të zemëruar, kanë shumë arsye të jenë të shqetësuar për fatin e vet këtë vit dhe në vitet e ardhëshëm.  Këta dhe diktatorë të tjerë si ata sillen si megallomanë, të dehur me fantazitë e veta dhe të bindur se ata janë të gjithëpushtetshëm dhe të pazëvëndsueshëm dhe si të tillë nuk do të largohen kurrë   nga pushteti, vullnetarisht.  Për diktatorët që u rrëxuan, u vranë, vdiqën ose u dëbuan nga fuqia vitin që kaloi, por dhe për diktatorët që janë ende në fuqi anë e mbanë botës, viti 2011 ishte një vit ndryshimesh të mëdha dhe të jashtzakonshme me pasoja të cilat ende nuk mund të parashikohen, jo vetëm për popujt e vendet e afektuara, por as edhe për botën.

 

Por nëqoftëse viti që kaloi ishte një vit i vështirë për diktatorët dhe tiranët anë e mbanë botës, atëherë a mund të thuhet se ai ishte një vit i mirë për demokracinë?  Deri tashti, shumë veta janë të zhgënjyer nga frutat që ka sjellur ose jo e ashtuquajtura ''pranverë arabe''.  Në shumë qarqe ekzistojnë shqetësime se shumë prej grupeve dhe lëvizjeve në Lindjen e Mesme, sidomos në Egjipt dhe Libi, mund të jenë infiltruar nga elementë ekstremë që nuk kanë aspak të bëjnë me qëllimet dhe objektivat fillestare të  ''pranverës arabe'', e cila lindi dhe u frymëzua nga dëshira e miliona arabëve për të rrëxuar diktatorët dhe për të siguruar lirinë, demokracinë dhe dinjitet më të madh njerëzor për veten dhe familjet e tyre, mohuar atyre me shekuj.

 

Megjithë zhgënjimet e deritanishme të ''pranverës arabe'', viti 2011 mund të konsiderohet  deri diku si një vit suksesesh kundër diktaturave, dhe një vit përparimesh të dukshme në fushën e të drejtave të njeriut, pasi bota nuk do të shqetësohet më nga çmendurinat e Gadafit ose Kim Ill Jong-ut -ndonëse nuk është ende e qartë se si do të sillen pasardhësit e tyre.  Por megjith këto përparime në fushën e të drejtave të njeriut, të njohura ndërkombtarisht, bota fillon Vitin e Ri 2012, me dyzina diktatorë dhe udhëheqës autoritarë e gjysëm autoritarë - lista e tyre është tepër e gjatë për tu përmendur këtu - regjimet e të cilëve vazhdojnë të sundojnë gjithnjë afër dy miliardë njerëz anë e mbanë botës, popuj që jetojnë nën nivele të ndryshme sistemesh tiranie e diktaturash civile e ushtarake.

 

Mbrenda disa ditësh pritet që organizata amerikane ''Freedom House'' të botojë raportin e saj vjetor për vitin 2011, mbi lirinë dhe demokracinë në çdo vend të botës.  Analiza dhe përfundimet e atij raporti besoj se nuk do të habisin asnjë person që rregullisht ndjekë zhvillimet ndërkombëtare.  Pa ditur se cilat do të jenë përfundimet e raportit në fjalë mbi lirinë dhe demokracinë në botë, mjafton t'i sjellim në mend lexuesit se udhëheqësi rus Putin, megjithëse përballet me protesta të mëdha popullore kundër regjimit të tij do të ri-zgjidhet për të disatën herë; udhëheqësi i Bjellorusisë Lukashenko vazhdon të shtypë opozitën mbrenda vendit dhe të zemërojë fqinjët e tij evropianë për politikën e tij shtypëse ndaj kundërshtarëve të tijë; antarët e byrosë politike të Kinës nuk e kanl në mend të tremben apo të shqetsohen nga ndonjë protestë e vogël aty këtu të cilat ata i shtypin me forcë të pamëshirshme, përfshirë ato në Tibet dhe njëkohësisht, imponojnë kufizime të rënda ndajë lirisë së shtypit dhe internetit; regjimi teokrat i mullahëve të Teheranit nuk pushon së shtypuri kundërshtarët e tij megjithë protestat ndërkombëtare, ndërkohë që përballet me shtimin e sanksioneve ekonomike për arsye të programit iranian për prodhimin e armëve bërthamore dhe ushtron kufizime të egëra ndaj përhapjse së informatave, përfshirë internetin.

 

Këjo pasqyrë nuk është aspak shpresëdhënse për ata që janë duke luftuar për demokraci mbrenda këtyre dhe vendeve të tjera shtypëse, as për ata që besojnë dhe dëshirojnë në përhapjen e demoktacisë anë e mbanë botës. Këjo gjëndje e keqe e të drejtave të njeriut në botë nuk është shpresëdhënse as për ata që besojnë dhe luftojnë, që njëherë e mirë, t'i jepet fund dhunës së sanksionuar nga shteti në këto dhe shoqëritë e sotëme moderne të shekullit XXI.

 

Viti që kaloi ishte pra një vit i keq për diktatorët e tiranët por në të njëjtën kohë ishte një vit i vështirë edhe për zhvillimin e demokracisë.  Pasi demokracia nuk vendoset vetëm me largimin e një diktatori nga fuqia, por mbi të gjitha nga aftësia e një populli për të mësuar të zgjedhi një system politik për të zëvendsuar një regjim me një qeveri nepërmjet zgjedhjeve të lira, me pjesmarrjen aktive të të gjithë qytetarëve, një qeveri e cila të mbrojë të drejtat e njeriut për secilin qytetar, bazuar në ligjet që në mënyrë të drejtë zbatohen për të gjithë qytetarët pa dallim.