Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Nuk ka film!

| E hene, 09.01.2012, 07:59 PM |


Nuk ka film!

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Filmi është  një përjetim i thellë subjektiv, një fotografi lëvizëse, me një protagonist negativ apo pozitiv. Sot, me të drejtë, kultura është ndër problemet më të rëndësishme shoqërore, por asnjërit nuk po i shkon në mëndje se midis shumë shkencave të artit mungon dukshëm estetika kinematografike. Nëpër shumë universitete tona ekzistojnë fakultete për letërsinë dhe artet tjera,  ekziston  edhe një katedër mbi artin e ri kinematografik. Kur them  ekziston me këtë nënkuptojmë, krijimin e vlerave të mirëfillta dhe prodhimin e gjeneratave të shëndosha, të cilët me talentin e tij do na shpojnë me këtë art kinematografik. Qysh nga shkollat e mesme, flitej pothuajse për çdo art, për kinematografinë jo. Miliona njerëz studiojnë estetikën e letërsisë e të pikturës pa perspektivën se do t’i zbatojnë ndonjëherë njohuritë e marra apo të lexojnë një libër ose të sodisin ndonjë kuadër. Të gjithë këta shikojnë çdo natë kinema. Me paditurinë e tyre gëlltisin gjithçka që u servilet. Duhet të stërviten, si të shikojnë film, si ta pranojnë tematikën, ritmin, fotografinë, lojën e aktorëve, kulturën krijuese, planet etj. Regjisorët janë mësuar, të shkruajnë vet, të udhëheqin në tërësi këtë art vet, ngase janë të obliguar, sepse konceptet e tyre krijuese, janë të padukshme për regjisorët profesionist. Tekst shkruesi, është i obliguar të futet në malin e regjisë, edhe pse mund të hasë në një mal të rrezikshëm, ai fare nuk frikohet nga kjo, sëpata e tij nuk është shumë e mprehtë. Andaj, nëpër ekranet e kinemave tona, filmat vendorë pak kanë fuqi të futen mbi shpirtin e masave të pranuesve të mesazheve. Filmin nuk duhet vetëm ta shohin, por edhe ta kuptojmë. Por, që ta kuptojmë duhet të pajisemi me disa njohuri të veçanta të cilat do të na japin një farë orientimi edhe një njësi matjeje, në mënyrë që të mos jemi të detyruar t’i dorëzohemi pa kushte. Regjisorët, dhe ne si publik, duhet t’i njohim ligjet dhe mundësitë e artit kinematografik për të qenë në gjendje të kontrollojmë e të disiplinojmë ndikimin shpirtëror që ushtron ky lloj arti pa pararendës në historinë e qytetërimit njerëzor. Skenaristët, duhet të frymëzohen nga temat reale, problematikat e thella shqetësuese, e jo ta kërkojnë absurdin, pa përformuar në realen. Tek ne shumë filma të dështuar janë prodhuar pas luftës, asnjëri nuk ka pasur magji t’i shpojë veshët dhe sytë e shikuesve, ose t’i mashtrojë ata me një temë të imagjinuar, ose reale. Në fakt, temat ishin të trilluara, të imagjinuara pa fare shije, dhe të vakëta për shpirtin dhe syrin e spektatorit. Sytë tanë (spektatorit) janë në aparatin marrës, shkrihen me sytë e personazheve. Personazhet shohin me sytë tanë. Ky është një proces psikologjik i integruar brenda dy kufijve, shpërndarëse dhe pranuese, dhe duhet të ringjallet në mënyrë sa më të shëndoshë, të depërtojë dhe të reflektoj reciprokisht, koncepti , realizmi dhe qëllimi regjisorial, bashkë me spektatorin si gjykatës më të sinqertë. Publiku është i sinqertë, por ofruesi ose shpërndarësi i fotografisë lëvizëse, koordinuesi nuk arriti të depërtoj asnjëherë brenda një periudhe dhjetë vjeçare, të ndërtoj një film ose të metrazhit të shkurtë ose të gjatë, pa marr parasysh, të jetë bile një film. Për fat të keq kjo nuk ndodhi. Buxheti u harxhua, arti estetik i filmit, doli në dritë, me një mori kritikash që ishin me vend, dhe kjo si duket nuk depërtoj tek regjisorët ngase ata vazhduan dhe vazhdojnë, të “Thithin” buxhetin pa asnjë mëshirë, dhe prapë të shfaqin diçka jo pranuese. Ata nuk janë në dijeni se arti kinematografik ngërthen rregulla të një vrapimi më të shpejt se artet e tjera, dhe derisa Evropa si zanafilla e filmit, dhe përpunuesi dhe zhvilluesi i këtij arti SHBA-ja, vrapojnë me rregulla tejet të shpejta Kosova, ende ka stagnuar në gjumin e rëndë dimëror të këtij lloj arti. Shumë filma cilësor botëror janë bërë edhe me pak para, derisa ideja dhe koncepti mbretërorin dhe kafshonin frontin. Nëse filmi i metrazhit të gjatë, është një arenë tejet e rrezikshme, atëherë, është mese e nevojshme të krijohet një film i shkurtër, me një temë reale, me ngjyra artistike, me estetikë të qëndrueshme, dhe me një montazh profesional t’i tregoj Evropës se ka ekzistuar diçka dhe ende ekziston në Kosovë, dhe se nuk jemi ajo grimca e fundit mëshirë kërkuese për të gjithë!