E merkure, 24.04.2024, 01:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Dy mesazhe që nuk duan koment...

E hene, 09.01.2012, 08:55 PM


DY MESAZHE, QË NUK DUAN KOMENT...

 

Nga: Murat Gecaj, Tiranë

 

1.

“I dashur mik e koleg, sivëlla Skënder Zogaj!

Përmes këtij mesazhi, të dërgoj përshëndetjet dhe urimet më te mira të zemrës,

me rastin e 62-vjetorit të lindjes!

U njohëm bashkë në vitet e vështira të Kosovës, kur ajo lëngonte nën thundrën e egër serbe dhe ti,

bashkë me kolegë të tjerë, kishe gjetur mikpritje dhe strehë të sigurtë ne Atdheun-nënë, pra në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Në atë periudhë, ju vazhdonit të kryenit një mision të shenjtë atdhetar e qytetar, si dhe publicistik-botimin këtu te gazetes së dashur "Rilindja". Kujtoj këtu se, ateherë, kur sherbeja në Gazeten javore "Mësuesi", organ i Ministrië së Arsimit e Shkencës, kam patur kenaqësinë ë jem bashkëpunëtor i rregullt i asaj gazete. Kështu, aty kam publikuar sa e sa shkrime, sidomos, kushtuar figurave të shquara atdhetare, çështjeve të arsimit, kulturës, letëresisë e tjerë. Ka ndodhur kështu, sepse aty unë gjeta ngrohtësi e frymë vëllazërore të disa kolegëve, ndër të cilët më i afërti dhe më i dashuri për mua, ishte pikërisht Skender Zogaj, poet e publicist i talentuar. Disa botime të librave të tij ai m'i dhuroi, atëherë, me shënime dashamirëse dhe unë bëra komente modeste për to, në faqet e shtypit të asaj kohe.

Por edhe kur ky mik e koleg, sivëllai im Skënder Zogaj u rikthye me banim e punë në vendlindjen e tij, Fushë-Kosovë ose në Prishtinë, ne përsëri i mbajtëm të pashkëputura lidhjet e mëparshme. Pa e zgjatur, shënoj këtu se dhe në fundvitin 2011 e për Vitin e Ri 2012, ne kemi shkëmbyer mesazhe vëllazërore, duke e informuar njëri-tjetrin për veprimtaritë e punët që bëjmë, për jetën familjare e tjerë.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i uroj nga zemra Skënder Zogajt: Të ketë shëndet të plotë, gjitnjë arritje në punë e krijimtari dhe lumturi në familjen e tij të nderuar!

Përqafime me mall nga larg:

Murat Gecaj

Tiranë, 4 janar 2012”.

 

***

 

Nga: Skënder Zogaj,

Fushë-Kosovë

 

“Shumë i respektuari dhe gjithmonë fort i dashuri Bac, Murat!

Nga zemra të falënderoj për urimin, me fjalë aq të zgjedhura dhe mbi-lavdëruese, të cilat mund t’i ndiej dhe t’i shpreh vetëm një zemër vëllau, si Juaja, që shkrihet e tëra në dashurinë e pakufishme për miqë e shokë. Sinqerisht, u gëzova shumë për urimin Tuaj, sepse më ktheu në Tiranën e ditëve të para të pas-diktaturës, duke m’i ringjallur kujtimet e shumta të asaj kohe tepër të veçantë, me rrethana e zhvillime dramatike, sidomos për kosovarët, që nga dhuna e egër serbe, ishin të detyruar ta braktisnin Kosovën dhe, shumë prej tyre, “kep të shpresës së mire” e kishin Tiranën. Shqipërise se shkallmuar nga periudha e diktaturës së kuqe, edhe pse vuante për gjërat më elementare jetësore, nuk i mungoi vullneti për mirëpritjen vëllazërore të kosovarëve, që në Shqipëri gjetën strehën e sigurtë të qëndrimit, por edhe të veprimit, për vazhdimin e qendreses kundër thundrës serbe, që po e ndrydhte Kosovën.

Elita intelektuale shqiptare, tepër e shqetësuar për zhvillimet tragjike në Kosovë, edhe në ato kushte tepër të kufizuara, dha ndihmesën e saj të madhe, në mirëpritjen e veprimtarëve kosovarë dhe integrimin e tyre në jetën institucionale të vendit, duke realizuar ndërlidhjen bashkëpunuse të shtetit shqiptar, me shtetin alternativ të shqiptarëve të Kosovës, që e kishte krijuar dhe po e udhëhiqte dr. Ibrahim Rugova. Kjo ndërlidhje ishte tepër e rëndësishme, sepse mundësoi funksionimin institucional të shtetit të Kosovës, që në Tiranë hapi Zyrën diplomatike të Përfaqësisë së Republikës së Kosovës, themeloi bankën e parë të Qeverisë së Kosovës, vazhdoi botimin në Tiranë të gazetës “Rilindja”, që regjimi serb e kishte ndaluar në Kosovë, mundësoi funksionimin e redaksisë së Radiotelevizionit të Kosovës në kuadër të RTSH-së, dhe themeloi një varg institucionesh e asociacionesh të tjera, puna e të cilave ishte vendimtare për qendresën dhe organizmin e suksesshëm të saj, deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Shumë i respektuari z. Murat Gecaj, evokova këtë periudhë kohe të mirënjohur për Ju, sepse, keni qenë protagonist dhe pjesëmarrjës i drejtpërdrejtë i shumicës së veprimtarive dhe ngjarjeve pro-kosovare, të zhvilluara në Kryeqytetin shqiptar. Jam dëshmitar i angazhimeve Tuaja të shumta dhe të palodhshme për ta përkrahur dhe ndihmuar Kosovën. Puna Juaj e frytshme prej studiuesi dhe publicisti, ishte një zëdhënie e fuqishme denoncuese e tragjedisë së pamerituar, që po ndodhte në Kosovë e njëkohësisht edhe kushtrimtar për sensibilizimin e opinionit të gjerë, me idealet e vërteta liridashëse të Kosovës. Përjetësisht të ngulitura në kujtesë, i kam çastet e përlotjeve, kur nga Kosova na vinin lajme të hidhura, që me pasion të zjarrtë atdhedashurie i trajtoje në shkrimet e shumta, kushtuar figurave të shquara atdhetare, ngjarjeve historike dhe çështjeve të arsimit, problemeve të kulturës, të artit, të letërsisë etj.., që i botoje te gazeta “Mësuesi” e te “Rilindja”, por dhe nëpër gazetat e revistat e tjera.

Kjo është ajo, që nuk harrohet kurrë, nuk guxon te harrohet! Besoj fort, se Kosova do t’u kujtojë me shumë mburrje, sepse, falë angazhimit vetëmohuës të vëllezërve tanë anëmbanë trojeve shqiptare, që me mish e shpirt dhe mendje i kanë shërbyer çështjes kombëtare, sot e përgjithmonë shteti i pavarur i Kosovës do ta kurorëzojë ëndrrën shkullore me Frymën e Shenjtë të Shpirtit të Arbërit!

Kjo është e vërteta kryesore, që i meriton konsideratat më të larta!

Bac Murat, këtu mund të hyjnë edhe vlerësime Tuaja plot dashamirësi për ndihmesën e kosovarëve, që në ato vite jetonin dhe vepronin në Tiranë. Është e vërtetë se djemtë e Kosovës nuk kanë qendruar duarkryq. Mirëpo, ky ka qenë obligimi i tyre i domosdoshëm, kushti elementar ekzistencial, verdikti shpirtëror, i – “të jesh a të mos jesh” dhe akti më i simbolik moral për mbrojtjen e vetëvetes, familjes, popullit dhe tokës stërgjyshore.

Sikurse të gjithë kosovarët, që kanë jetuar dhe punuar për shumë vite në Tiranë, me bindje të plot dhe me krenari e them se kam qenë i privilegjuar, që më është dhënë rasti të takohem, të njihem, të bisedoj e të bashkëpunoj me shumë personalite të shquara atdhetare, korifej të fjalës e të lapsit, të mendjes e të pushkës, nga të cilët me shumë etje jam përpjekur të mësoj si duhet punuar dhe jetuar, një shërbestar i zakonshëm për atdheun e tij.

Si-vëlla Murat, nga Ju kam mësuar shumë. Prandaj, gjithmonë u jam mirënjohës për gjithçka, që keni bërë dhe, të jeni i bindur, gjithmonë do të rrezatoni dritëplotë në kujtimet e mia më të mira.

Duke ju falënderuar edhe një herë për urimin aq të përzemërt, (që ditën e 62-vjetorit ma “përmbysi” dhe më bëri të ndjehem si 26 vjeç), më lejoni që këto radhë të shkrimit t’i përfundoj me dëshirat më të sinqerta për mirëqenien Tuaj, vetjake e familjare dhe me lutjen: I lumi Zot, bekoji burrat e mëdhenj, si Murat Gecaj!

 

Sinqerisht, i juaji:

Skënder Zogaj

Fushë-Kosovë, më 7 janar 2012”.

 

***

 

…I dashur lexues! Ja, kjo është përmbajtja e dy mesazheve tona, pa asnjë ndryshim ose “redaktim”, siç ishte praktikë e atyre viteve të sistemit monist, që ne të dy publicistët i përjetuam me dhimbje e veshtirësi, si të gjithë intelektualët shqiptarë, në Shqipëri e në Kosovë.

Faleminderit, që ju e ndatë kohën tuaj të çmuar me ne, duke i lexuar radhët e mësipërme!

Me dashuri e respekt për secin nga ju:

Murat Gecaj, Tiranë

Skënder Zogaj, Fushë-Kosovë:

  8  janar 2012



(Vota: 8 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora