E enjte, 25.04.2024, 12:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Petrit Ruka: “Ç’më mori kënga me vehte", album magjik

E diele, 08.01.2012, 06:04 PM


Flet poeti dhe skenaristi Petrit Ruka: Ç’më mori  kënga  me  vehte", album magjik

 

NAZIF ÇELA dhe kënga labe janë thesare që lartojnë kombin…

 

Nga Albert ZHOLI

 

Le të themi së pari dy fjalë nderimi për këngën vendce, (siç quhet, kënga labe) sot në promovimin e albumit të Nazif Çelës Ç’më mori  kënga  me  vehte",  .

Janë të shumtë studjuesit, akademikët, muzikologët, poetët që janë përpjekur ta thonë me fjalë se çfarë është kënga labe, kjo magji e pashembullt e tokës shqiptare dhe e mbarë kulturës botërorë, të cilën prej kaq vitesh UNESKO e mori në mbrojtje, siç merren të gjitha monumentet unik të këtij planeti. Përpjekja ka qënë gjithmonë e mundimshme dhe pothuajse  një mision i pamundur. Misteri dhe magjia e saj mbeten të pakapshme. Eshtë njësoj si të kapësh e të mbash një ylber në duartë e tua.

Zëri i njeriut, vegla e parë dhe e paarritshme e të gjitha kohrave, vepër e Zotit dhe jo e fabrikave, arrin të bashkohet në këngën labe pa asnjë ndërhyrje teknike, përveçse me frymë, në një harmoni qiellore.

Asnjë partiturë, asnjë marrëveshje para këngës, asnjë kod tjetër, përveç kodit instiktiv të gjakut, të "frymës" e të zemrës. E habitshme, mistike dhe e paspjegueshme si të gjitha magjitë e shpirtit. E aftë të barazohet me mediumet dhe  tempujt e pakuptueshëm mitik, "drogë" e ajërt me një ndikim të parezistushëm mbi trurin njërëzor.  Le të kujtojmë, se në luftra me të janë bërë operacione në mishin dhe kockën e njeriut për së gjalli. Noton në ison e anonimatit, në murmurimën kolektive, një solucion më i rëndësishëm së vetë fjala dhe përmbajtja e saj kuptimore, udhërrëfyese edhe përcaktuese e fjalës. Isua duhet të jetë dicka që duhet të ketë lindur prej imitimit të bubullimave dhe erës, të kapura  në kurth prej grykave, zgavrave të shpellave, të pemëve dhe të veshëve të njeriut.

E vjetër sa jeta në malet tona, prej shekujsh ilaçi magjik i zemrës së njeriut, festë, trumpet lufte, dëshmi, dritë dasme, histori, gazetë, vajtim, lajm, rrefim, ekstazë, teatër, film, gjithçka. Ajo i ka të gjitha brenda. Vjen duke u përsosur nga brezi në brez. Këngëtarë të mëdhenj e ngrenë gjithmonë e më lart e ajo nuk ka të ndaluar në përsosmërinë e saj.

Kështu ndodhi edhe në vitin 1983, kur një grusht djemsh nga Lapardhaja, nën drejtimin e poetit Feti Brahimi u ngjitën në podiumin e Festivalit të madh të Gjirokastrës dhe kënduan:

“Janinës ç’i panë sytë, Janin-o

Ish e premte atë ditë… Janin-o

 

Një zëri të  ëmbël e të butë si prej mëndafshi farfuritës që dridhej në erë iu bashkuan violinat e tjera pranë. Shqipëria mbajti frymën duke dëgjuar këtë këngë të rrallë. Të gjithë pyesnin njeri – tjetrit; kush ishin këta djem? Si e kishin emrin? Nga vinin? E brenda pak ditëve mësuam se ky bilbil i ri Labërie e kish emrin Nazif Çela dhe grupi ish i djemve të Lapardhasë.

Ai sot është thinjur. Po zëri i tij edhe pas 400 e ca këngëve nuk është thinjur, përkundrazi është bërë akoma më i bukur prej këngës.

 

Përse e more përsipër rolin e moderatorit në promovimin e albumit të Nazif Çelës?

 

Nuk jam një njeri i skenës, por e pranova dëshirën e Nazif Çelës për të bërë sot në këtë dasmën e tij, rolin e dollibashit si në odat e famshme të Labërisë. Në fund të fundit, nuk do të bëj ndonjë gjë të madhe, do të mbaj vetëm radhën e këngës.

E pra, pata nderin, që në një natë të tillë të paharrueshme, të prezantoj sot përpara jush një ngjarje të re e të bukur për këngën labe. Këngëtari i mrekullueshëm i shumënjohuri Nazif Çela, në bashkëpunim me shokët e grupit të tij, na mblodhi në TOB për të na dhënë një lajm të gëzuar. Ai ka vendosur t’i shtoj këtij thesari, thesarit të madh të polifonisë shqiptare, një album të ri me 10 këngë të reja, që ne e kemi në duar, sapo mbaroi ky koncert promovimi. Titulli i këtij albumi është “Ç’më mori kënga me vehte." Sot ne patëm fatin të zbulojmë një pjesë të perlave që përmban kjo dhuratë e re e këtij këngëtari. Për nder të bilbilit të Labërisë, kishim fatin të kishim midis nesh disa nga yjet e tjerë të këngës labe nga Dukati e Vranishti nga  Tragjasi, Vëzhdanishti e Lapardhaja të bashkuar në Ansamblin Çipini të Vlorës. Kishim këtu fjalën e forinjtë të Lefter Çipës e të Feti Brahimit.

 

Kënga e parë e albumit mund të na e përcillni..

Kënga e parë.  “Këngët shqipëtare.”

 

Këngët shqipëtare, janë këngët e mia,

Perëndeshë e madhe është Polifonia.

 

Labëria ime, mal e gur i çmuar,

Të kam në gëzime, xhevair në duar

 

Këto janë këngët, këto janë vallet,

I nisin thëllëzat, i presin sorkadhet…

 

“Këngët shqiptare.” Kjo ishte kënga e parë e këtij koncerti, një këngë që i ngre kultin e nderimit Polifonisë sonë.

 

-Kush  e organizoi këtë aktivitet?

 

I gjithë ky aktivitet erdhi nën kujdesin e Zotit Andon Pango, një  djali  me profesionin inxhinier nga Zagoria, të dashuruar pas këngës labe dhe që  ka ngritur në Tiranë grupin “Antea” për ta mbajtur të gjallë flakën e këngëve labe edhe këtu në kryeqytetin shqiptar, këtu ku rreh zemra e kulturës sonë kombëtare. Atë e shtyn drejt këtij akti fisnik pasioni, malli dhe dashuria për vendlindjen dhe bujaria. Për fat të keq, njerëz të tillë janë bërë ca të rrallë, po derisa ka djem të tillë, do të  ketë edhe dasma të tilla.

 

-Kënga 2, “Hanko, mos shko nëpër varre”…

 

“Hanko, mos shko nëpër varre.”

Hanko, mos shko nëpër varre,

Se te vdekurit i ngjalle,

Të gjallët i vdiqe fare...

 

Kjo ishte kënga e dytë e albumit të këngëtarit Nazif Çela. Është një nga këngët e rralla për fuqinë e saj tronditëse artistike. Një krijim drithërues i folklorit të trevave tona, aty ku femra dhe bukuria e saj kapin ballin e këngëve labe. Gjetja është madhështore. Nuk kemi asnjë përshkrim të saj se si ish, si e kishte shtatin, supet, qafën, flokët apo sytë. Të gjitha këto mungojnë. Por dimë që ajo u ndërronte vendin e caktuar nga zoti të gjallëve dhe të vdekurëve. Të vdekurit i bënte të hapnin kapakët e varreve për t’i parë një çast bukurinë duke i riprurë në jetë. E sa për të gjallët, kjo dihet, i vdiste fare, u merrte frymën, u pushonte zemrën. Më shkurt se sa kaq, me pesë a gjashtë vargje, nuk mund ta bëj dot askush tjetër këtë magji, veç këngës labe. Por për ta shijuar këtë duhet një zë prej magjistari si i Nazif Çelës, një kthyes i rrallë si i Mehmet Vishës dhe një hedhës i papërsëritshëm si Hyso Xhaferi. Të tre duhet të notojnë në ison e mpiksur si mjaltë bletësh të Neil Ruçit, Andrea Doçi Pano Allko. Për të prurë atmosferën e atyre viseve të ëmbla jugore, fyejtë, barin, gazin e barinjve mes trëndelinës së maleve patëm midis nesh sot një artist të madh të valles shqiptare, Rexhep Çelikun, me partneren e tij Brikena Jaupaj në një valle të mrekullueshme që quhet “Dueti i çobanit.”

 

Në mos gabohem në këtë promovim ishte dhe grupi  i Tragjasit?

 

Si për ta bërë më të bukur këtë festë të Nazifit dhe të shokëve të tij, nuk mund të mungonte sot këtu ky karakoll tjetër i kështjellës së këngëve labe, kënga e Tragjasit që erdhi sot për ne  nga këngëtari  i mrekullueshëm Memush Xhuveli  me këngën “ Tek gorrica në kalldrëm.”

 

-Kënga e  tretë,  “Të shikoj, moj mbrapa malit” me autor Lefter Çipën...

 

Të shikoj, moj mbrapa malit,

Të shikoj, që më shikon

Çe bëre fjalën e llafit,

Mbaje fort brenda gufarit,

Zgjidhja litarin hallit,

Jo të dytit, po të parit,

Tretu në duart e djalit,

Mos ia ler tretjen varrit.

 

E kush mund të bëjë hatara të tilla me fjalën shqipe, përveç një poeti brilant si Lefter Çipa? Se si e shikon ky djalë i dashuruar vajzën që do mbrapa malit, këtë e di vetëm poeti. Dhe jo vetëm që  e shikon, por është i sigurtë që edhe ajo ajo po e sheh atë duke u zhuritur. Nuk ka ndonjë mjet për ta realizuar këtë,  por ka radarin e zemrës dhe poeti e di këtë për mrekulli. Çdo koment këtu bëhet i tepërt, por nuk mund të rrimë dot pa thënë se Lefter Çipa vazhdon të kryesojë si një Princ i rrallë prej dyzet e ca vjetësh ballin e krijimtarisë për shumë nga perlat e këngëve më të njohura labe. Me emrin e tij lidhen disa nga këngët më të bujshme që përbëjnë kurorën e polifonisë sonë.

Lefteri është një Mal këngësh  më vete pranë Malit të Çipës. Një poet tepelenas e ka dhënë madhështinë e tij me një varg të mrekullueshëm si ky: “Çipa mund të tretet, po këngët s’i treten!”

Por që fjalë të tilla të arta si tek kjo këngë, që të shkojnë drejt e në zemër, duhen dëgjuar nga këngëtarë të mëdhenj si këta që kemi përpara.

 

Në këtë ditë erdhën dhe të rinjtë e Lapardhasë

 

Nuk mund të harrojmë dot sot në këtë ditë atë grup të famshëm të këngës “Janinës çi panë sytë”, që bëri bujë këtu e 30 vite më parë dhe që u quajt grupi i të rinjve të Lapardhasë, shokët me të cilët Nazif Çela zuri udhën e madhe të këngës.  Nuk janë më të rinj, sepse në kokën e tyre kanë dalë thinjat, po nuk thinjet kurrë nderimi ynë për ta si bilbila të këngës labe.

Ata janë: Golik Likaj, Meleq Çelaj, Selim Likaj, Ylli Merkaj, Remzi Likaj, Fatardha Brahimi, Manush Brahimi, Valter Hodaj, Toto Brahimi dhe meritojnë sot si një falenderim zemre duartrokitjet tona.Sot, pas 3 dekadash, kënga në Lapardhanë e Vlorës është po aq e gjallë sa ato vite. Për ata që mund të jenë dyshues, ne ftuam në skenë grupin e të rinjve të sotëm të këtij fshati, për të dëshmuar se në Lapardha e në ato anë, ka bilbila të tjerë të këngës, po aq të hijshëm e të mrekullueshëm si këta që kanë ardhur sot këtu për nder të  idhullit të tyre. Një zë tjetër i kulluar si i Nazifit, një nip i tij, Genti Çela me shokët e tij erdhi për të na provuar këtrë traditë të mrekullueshme.

 

Dy fjalë për poetin popullor Feti Brahimi që ka punuar dhe ka ideuar grupin e Nazif Çelës?

 

Grupi i Lapardhasë, fama e tij dhe e Nazif Çelës nuk mund të kuptohet dot pa emrin e poetit të mrekullueshëm Feti Bahimi, këtij kapedani të madh të fjalës së ëmbël  që e udhehoqi e i dha shpirt nga shpirti i vet këtyre bilbilave. Autor i teksteve të shumë këngëve të rralla, zbuluesi dhe frymëzuesi i këtyre zërave dhe këtyre shpirtrave që e stolisën thesarin e këngëve labe me perla të reja. Me këmbënguljen, pasionin dhe talentin e vet të madh, Feti Brahimi nuk pushoj kurrë së kërkuari shtigje të tjera për fjalët, stilin dhe melodi të reja të kënduari për djemtë e tij të Lapardhasë.

 

Dy fjalë për këngën famoze  “Mbeçë, more shokë, mbeçë”?

 

Mbeçë, more shokë, mbeçë,

Përtej Urës së Qabesë,

Të fala m’i bëj nënesë,

Kaun e zi të ma shes,

T’ia bëj nigjah të resë.

Në pyet nënja për mua,

I thoni që u martua,

Në pyet se ç’nuse mori,

Tre plumba prej karaharori.

Në pyet se ç’krushq i vanë,

Sorrat e korbat e hanë.

Në pyet se në ç’kalë hipi,

Në dy tre dhoga meiti.

 

E lexova të gjithë këtë këngë për të përjetuar një çast të rrallë dhe për t’u ndjerë krenar që kemi një fat të tillë të krijuar në gjuhën tonë shqipe, e cila, derisa është në gjëndje të krijojë një univers të tillë poetik, është padyshim hyjnore. Kënga, “Mbeçë, more shokë, mbeçë.” është padyshim, një nga tre - katër krijimet më të bukura të folklorit shqiptar. Një kryevepër e denjë që mund të rreshtohet me baladat më madhështore të gjithë letërsisë botërore. Një këngë si kjo është një kuje shpirti. Një himn për dhembjen më të madhe të njeriut, atë të ndarjes nga jeta dhe njerëzit më të dashur në botë…

E dëgjuar nga mjeshtra të tillë dhe nga një këngëtar si Nazifi, ajo padyshim që të trondit deri në fund të zemrës. Vjen për herë të parë në repertorin e tij të gjerë dhe është një fat për ne që do ta kemi këtej e tutje në veshët tanë.

 

Por nuk duhet harruar këngëtari tjetër  Fatosh Likaj, Dukat.

 

Qyqe që këndon behar,

Pse s’erdhe një ditë në mal,

Të shikosh fukaranë,

Si jam tretur dhe jam tharë,

Tridhjetë vjet në hapsanë,

Shokët dhe miqtë më lanë.

 

Një këngë tjetër e rrallë, që na vjen nga Dukati. …Dukati, një karakoll tjetër  i bujshëm në thesarin e këngëve tona. Fshati i zërave gjëmues si kumbime bubullimash nëpër gryka malesh, buçitës si rropama e shkëmbinjve që bien prej honeve në një përrua.  Ajo vjen sot prej një zëri të tillë brilant si ai i një këngëtari të madh me emrin e nderuar, Fatosh Likaj. Ishte një rast fatlumë ta dëgjonim drejpërsëdrejti një këngëtar të tillë të mrekullueshëm.

 

Vijmë tek përshëndetja me këngë e Tomorr Lelit?

 

Tomorr Leli është bërë proverbial tashmë për fuqine e tij krijuese të drejpërdrejtë në të gjitha ngjarjet e mëdha të këngës labe. Nje bard i vërtetë, që të kujton aftësinë e  mrekullueshme iprovizuse të traditës së artë të burrave të Labërisë, të atyre këngëtarëve të mëdhenj, që pa laps e letër krijonin në odat fshatare këngë që mbetën të pavdekshme. Ai nuk mund të mungonte sot për shokun e tij të këngëve. Ai nuk mund të rrinte pa na dhënë një emocion të veçantë, që ne mezi po e prisnim…

 

Dhe kënga “Bubulina” që e  Shoqëroi Vendim Kapaj, me fyell.

 

Ju pampora që kaloni,

Nëpër limane qëndroni,

Bubulinës të m’i thoni,

Haj medet, moj Bubulinë,

Ta vranë Qafzezinë,

Sikur të mos ishte vrarë,

Burrë do ta kisha marrë,

Të bëja me të një djalë.

 

Kënga e vjetër me vargje kaq të bukura, i kushtohet një gruaje të rrallë me gjak safi shqiptar, Bubulinës, kapedanes së madhe arvanite të Revolucionit grek, një heroinë që çuditi mbarë botën me trimëritë e saj të rralla në betejat e deteve dhe të tokës. Akoma më e bukur dhe më vezulluese ngjan kjo grua e pavdekshme në këngën që do të dëgjojmë. Akoma më dritheruese e bën shoqërimi me fyell i Vendim Kapaj, një mjeshtër i rrallë i kësaj vegle magjike që mbetet përherë kaq mahnitëse

 

Po aq e magjishme kënga për Papa Kristo Negovanin

 

Ike nga Amerika për në Shqipëri,

At Negovani, prift nga Mbrezhdani,

Dyzet e dy ditë në detin e zi,

Me libra në duar, me havër në gji,

Vajte në Përmet, në Mitropoli,

Mbajte një fjalim, me shumë rëndësi,

 

Vargjet, që të mbushin me kaq krenari, i kushtohen një patrioti të madh të Shqipërisë, dëshmorit të madh të gjuhës sonë shqipe Papa Kristo Negovani.

Ka kaluar  një shekull e duken sikur janë shkruar dje, për ata që duan e guxojnë të luajnë me gjërat e shenjta të Shqipërisë. Për ata që kohëve të fundit, në lojrat e tyre të ulta politike luajnë me dinjitetin e kombit dhe të rracës shqiptare, kënga labe bën roje. Ajo ngre nga varri  Papa Kriston dhe me gojen e tij të shenjtë prej dëshmori u kujton :

 

The kush është grek, të vejë në Greqi,

Kush është festekuq, të shkoj në Turqi,

E kërkove shqipen t’i vije kufi,

Selanik e poshtë dhe Maqedoni.

 

Më mirë se sa me një këngë të tillë kaq trime, prekëse dhe krenare nuk mund të mbyllej sot një koncert si ky.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora