Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Gjurmë të lashta të xehetarisë në rajonin e Artanës

| E hene, 09.01.2012, 07:59 PM |


Gjurmë të lashta të xehetarisë në rajonin e Artanës

Nga Qazim Namani

Kur është fjala për xeheroret e Kosovës atëherë në vend të parë vihet territori xehetar i Artanës, si një zonë xehetare shumë e rëndësishme për kohën.[1]

Në lagjen e sotme të Plaviqve të fshatit Bostan në komunën e Artanës në malin e vogël dhe të madh, nën kodrën e Vajdenices në rrethinën e para-lagjes së këtij fshati edhe sot vërehen zgafellet e galerive me rreth 10 m thellësi. Gjatë gërmimeve në afërsi të zgafelleve në thellësi rreth 8m janë vërejtur përforcues sigurie të drurit. Në mes të Ravnishtes dhe Grozniqecit në vendin e quajtur te Birat, kodra ka gropa të thella.[2]

Përveç gjurmëve të shumta të zgjyrës në përroin e thartë pranë fshatit Boston dhe rreth lumit të këtij fshati, në vendin e quajtur Birat, prej ku shtrihet varoshi i Artanës, në rrethinën e Grozniqevcit gjurmë të shumta të zgjyrës hasim edhe në shumë lokalitete të kësaj ane. Në Tërniqevc, në lumin e fshatit Krilevë, Bolec, nën fshatin Leshtar ka zgjyrë metalesh ndërsa në fshatin Rahovicë mendohet se ka qenë punëtoria kryesore. Në fshatin Leshtar gjinden themelet e kullës që janë ruajtur në gjatësi prej 8 m dhe gjerësi 6.5 m në të cilën mendohet se qëndronte roja e xeheve. Kulla të tilla kishte edhe në disa vende tjera në rrethinën e Artanës, dy prej tyre janë në fshatin Krilevë.

Faktet e pamohueshme tregojnë se në rajonin e Artanës janë ruajtur shumë toponime të kohës iliro-shqiptare, që janë trashëguar me shekuj si: Kodra e kishës, Lugu i camit, Gropat binake, Bullaj etj. Nga burimet e mëvonëshme mesjetare është vertëtuar se pjesa dërmuese e punëtorëve që punuan në miniera të Artanës kishin emëra shqiptar si: Gjon, Progon, Tanush, Gjin, Lekë etj. Llukë Bogdani ishte një poet  i dalë  nga shkolla shqipe e Janjevës dhe Trepçës i cili qe vrarë nga osmanët në vitin 1687. Të gjitha këto flasin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje.[3]

Edhe toponimet shkrijim dhe Vapnicë në rrethinën e Janjevës, si dhe toponimi Birat pranë Artanës janë dëshmi që argumentojnë se minatorë Iliro-shqipëtar punuan në këtoi miniera edhe gjatë mesjetës.

Përveç Llukë Bogdanit të cekur më lartë, nga Artana shquheshin Martin Segoni, Valerian Novobërdasi dhe Gjon Vaji.[4]

Në bazë të burimeve të mbledhura nga terreni del se ana veriore dhe lindore e Artanës nuk ka qenë mbrapa për nga zhvillimi i xehetarisë krahasuar me anën perëndimore dhe jug-lindore, ku mund ti cekim gjurmët xehetare në fshatrat Grashticë, Keqekollë, Koliq, Ballaban, Bervenik, Brainë, Herticë, Prapashticë, Dabishec, Hajkobillë, Grexhenikë, Rahavicë, Krilevë, Marec, Kremenatë, Strezoc, Meshinë, Bolec, Leshtar, etj.

Në fshatin Krilevë janë evidentuar pesë lokalitete me zgjyrë metalesh. Në mes të fshatit një arë është quajtur ara e Samakovës, banorët lokalë dëshmojnë se në këtë arë kishte sasi të madhe të zgjyrës. Zgjyra nga kjo arë deri në kohët e vonshme është përdorur si çakëll për shtruarjen e rrugës Krilevë-Strezoc. Në lokalitetin e quajtur Rapuha, dhe te mulliri i Maliqit në Krilevë ka mbetje zgjyre. Në hyrje të Rapuhës nga ana lindore në largësi rrethë 2km, afër rrafshëlartës së Barës gjendet zgjyrë e lokalitetit xehetarë, kurse në hyrje të Rapuhës nga ky drejtim edhe sot nga banorët e fshatit Krilevë ruhet mikrotoponimi te vorret e Ilirëve, ndërsa në Rapuhë është vertetuar se ka themele të objekteve të banimit dhe keramikë.

Në anën perëndimore të Rapuhës gjendet një vend shkrirje xehesh në vendin e quajtur Bulaj në fshatin Marec, rrethë 3 km largësi prej Rapuhe.

Në anën veriore në pikën kufitare të fshatërave Prapashticë-Marec-Gllogovicë dhe Krilevë po ashtu gjendet zgjyrë në vendin e quajtur Roga e verdhë në distancë prej Rapuhe afër 2 km, kurse në rrugën Rapuhë-Roga e verdhë për gjatë rrjedhës së ujit janë ruajtur mikrotoponimet, stanet e rimit dhe varret e gjytetit.

Nga Roga e verdhë, kodra që ngritet në anën lindore quhet gjyteti i Gllogovicës, kurse në anën perëndimore gjyteti i Marecit. Nga Roga e verdhë në anën veriore ngritet Quka ose Kodra e madhe, nën këtë kodër në anën lindore gjenden themele te vjetra të objekteve dhe të një kishe të lokalitetit të quajtur Selishtë. Në gjytetin e Gllogovicës jane gjetur monedha, themele dhe një statujë e mermerit e papërpunuar. Në këtë lokalitet mbi kishën dhe burimin e quajtur Vrella, në vendin e quajtur Asoi ekziston një galeri e minierës që popullata e fshatit e quanë Bira e Asoit. Kjo zgafellë e galerisë deri vonë kishte qenë e thellë disa metra.

Zgjyra e gjetur ne Rapuhë është vertetuar se në përmbajtje të saj ka përqindje të arit dhe argjendit.

Minir Dushi shkruan se burime tjera me përmbajtje të arit gjenden në rajonin e Artanës, në sendimentet aluviale të lumit të Marecit, afër Prekocit, te përroi i Bostanit etj.[5]

Ukshin Zajmi shkruan se në oborrin e Hysni Haxhollit në lagjen Bullaj të Marecit ka themele të vjetra. Hysniu gjatë ndërtimit të shtepisë së re ka hasë në një vrimë të thellë. Në livadhet e kësaj lagjeje ka mbetje të grumbulluara nga shkritoret e moçme që popullata lokale lokalitetin e quan Samakova.[6] Si pas banorëve lokal është bartur brez pas brezi thinja se xehet janë nxjerr tek Arat Hazirit në Lugun e Kanjushës dhe tek Lugu i Kumpulsë në largësi prej 200 m nga zgjyra e grumbulluar. Zgjyrë metalesh në lagjen e Bullajve ka edhe mbi shkollën e fshatit pran toponimit kisha që popullata e quan Samakova e Muratit. Nga ky lokalitet në largësi vi ajrore 1000 m në anën veri-lindore shtrihet Gjyteti i Marecitsi dhe Kulina e Krileves.[7]

Dihet se pas shkatërrimit të Ulpianës nga dyndjet e barbarëve rëndësia e xehetarisë gjatë mesjetës kaloi në Artanë dhe qytetet përreth Artane.

Duke i pasur parasyshë gjurmët e xehetarisë në përrojet e Marecit dhe fshatrave tjera përreth si dhe gërmadhat e vendbanimeve dhe gjytetet në anën veriore të Artanës mendoj se edhe Prizrencin qytet mesjetar duhet kërkuar në Gjytetin e Marecit.

Nga lagjja e Bullajve, rrjedha e ujit në të djathtë pikërisht te Përroi i madh nën Gradishtë dhe nën Qukën e Qelnasit ka zgjyrë metalesh. Zgjyrë ka edhe në lagjen e Haxhajve, Metajve, dhe Hajdarajve. Në fund të Përroit të madh nën Gradishtë ka themele që dëshmojnë për një vendbanim shumë të vjetër. Mendohet se fillet e qytetërimit në rrethinën e Artanës janë pikërisht në këtë hapësirë. Zgjyrë të metaleve në këtë fshatë ka pothuaj në të gjitha lagjet dhe përrockat; ajo vërehet në sipërfaqe përgjatë gjithë rrjedhës së lumit që nga lagjja e Kllokoqëve e deri ne Krilevë, pastaj në lagjen e Pacollëve, Makollëve, te Përroi i Zi dhe lokalitete tjera.

Në Kodrinën e Bërskovicës që gjendet në lagjen e Balajve të Prapashticës në kufi të fshatit Marec, që shtrihet në mes të lokaliteteve të shumta xehetare dhe në distancë prej rreth 5 km nga gjyteti i Marecit, Keqekollës dhe 3 km prej kodrës së Gomurit, mendojë se ndodhej Bërskova mesjetare. Kjo e dhënë vërtetohet edhe nga burimet raguzane ku Jahja Drançolli shkruan se kontaktet e para raguzane me Prishtinën i gjejmë të shënuara në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë ilire Gregorius Marini de Petrana emërohet konzull në Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë, Gregorius kalon mes vendesh tjera edhe nëpër Prishtinë.[8] Bërskova ishte një vendbanim i shpërndarë pranë minierave të pasura me argjend ku për herë të parë u vendosën raguzanët si minatorë të njohur të kohës në këto anë.

Nga Roga e verdhë në anën veriore, mali në fshatin Prapashticë sot quhet mali i Strakës, në fund të këtij mali ka zgjyrë metalesh dhe themele te vjetra.

Gjurmë të eksploatimit te xeheve vërehen edhe në kodrën e quajtur Gomuri në fshatin Prapashticë. Në këtë kodër vërehet se ka pasur galeri xehesh. Në anën jugore nën këtë kodër ka gjurmë banimi të një lokaliteti të vjetër të quajtur Nekshur ku vërehen copa zgjyre, tjegulla dhe keramikë. Prej Nekshuri për gjatë rrjedhës së lumit në fshatrat Dabishec, Hajkobillë, Rahovicë, Gregjenik, Rahavicë, Kremenat, Meshinë, Krilevë, Strezoc e vende tjera ka zgjyrë metalesh.

Nga hulumtimet e vonëshme gjeologjike është vërtetuar se rezervat e mineraleve Strezoc-Guri i keq në fshatin Hajkobillë dhe shkëmbinjtë kuarcor-silicor te vendbanimi “te Guri i keq” i kanë të gjitha karakteristikat e një vendbanimi metamoforo sedimentar të përmasave të mëdha dhe me cilësi të njëtrajtshme. Këto veçori kanë ndikuar që ky vendbanim të renditet në grupin e parë, në pajtim me rregulloren për klasifikimin dhe kategorizimin e rezervave të shkëmbinjve silicit të ish Jugosllavisë. Sipas analizave kimike kuarcitet e vendbanimit “Guri i Keq” shquhen për nga cilësia e lartë.[9]

Edhe në rrjedhën e lumit të fshatit remenatë ka sasi të mbetjeve nga shkrirja e metaleve, zgjyrë metalesh hasen edhe në Meshinë dhe Tugjec.

Lokalitetet me gjurmë të xehetarisë vazhdojnë edhe në fshatrat tjera që lidhen me rajonin e Bujanocit si: Desivojcë në lagjen e Bunjakëve te rrafshi i lumit të dhive ka galeri, ndërsa te mulliri i Rrahman Bunjakut ekziston toponimi Samakova (zgjyra), pastaj në Zhujë, Poliqkë, Lisockë, Kranidell, Qarr, Sedllarë, Rogocicë etj.

Zgjyrë të metaleve në këto anë ka edhe andej kufirit të sotëm të Kosovës në rrjedhën e lumit Jabllanica si: Petrilë, Vrapcë, Tullarë, Gërbac lokaliteti Samakova dhe stanet, në Siarinë lokaliteti Gradina dhe Bunari i Rimit, Sfircë e fshatra tjera ne drejtim te Vranjës.



[1] Prof.dr Skender Rizaj “Kosova gjatë shekujve” XV-XVI-XVII fq.114 Prishtinë 1982

[2] Vojisllav Jovanoviq, Sima Cirkjoviq, Emina Zeqeviq, Vujadin Ivanisheviq, Vesna Radio, “Novo Brdo”,

   Beograd, 2004, fq.18

[3] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Skara 1, Prishtinë, 1999, fq.85

[4] Dr. Jahja Drançolli  fejton “Kontributi shqiptar në humanizmin e Rilindjes Europiane” Revista javore

   KOHA 06.Korrik 1994.

[5] Minir Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e Kosovës”, vëllimi i II, Prishtinë, 2009, fq.66

[6] Ukshin Zajmi, http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?p=2132129

[7] Ukshin Zajmi, http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?p=2132129

[8] Jahja Drancolli, Raguzanët në Prishtinë gjatë shekujve XIV-XV, Vjetari nr.XVIII_XIX, Arkivi i

   Kosovës, Prishtinë, 1984, fq.10

[9] Minir Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e Kosovës”, vëllimi i II, Prishtinë, 2009, fq.141,142