Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Disa numra të Shqiptarit me krijues të mirëfilltë

| E diele, 08.01.2012, 08:56 PM |


Disa numra të Shqiptarit me krijues të mirëfilltë

 

Për të mos e zgjatur më shumë, sepse botuesi i mirë ka nevojë të shkruash pak e për merak, në vend të urimeve të Vitit të Ri, në këtë kontekst i prezantojmë edhe disa ballina të revistës respektive kushtuar krijuesve tanë, në trojet tona dhe diasporë.

 

Nga Baki Ymeri

 

Krijuesi është ai që e mban ekuilibrin e botës përmes bukurisë, ndërsa bukuria i përket edhe natyrës poetike. E ka dhënë Zoti të jetojmë në qytetin që mban emrin më të bukur të të folurit shqip, për kultivimin e bukurisë, gjë që është esenca e krijimit dhe ekzistimit të botës. Pas disa numrave të revistës “Shqiptari”, botuar me një aspekt të bukur, kushtuar Xhelku Maksutit, Miradije Ramiqit, Sadik Krasniqit, Neki Lulajt, Adelina Dokjes, Xhafer Lecit, Xhevat Muqakut, Sabile Bashës, Pal Sokolit, Ylli M. Dilos, Bajame Hoxhës, Jeton Kelmendit, Remzi Bashës, Liman Zogajt, Eduard M. Dilos, Radije Hoxhës, Fehmi Kelmendit, Asllan Dibranit dhe disa krijuesve tjerë, këto ditë e panë dritën e botimit edhe disa numra të ri të Revistës Shqiptari, kushtuar tre krijuesve të mirëfilltë nga Kosova (Nexhat Rexha, Ali D. Jasiqi, dhe Halil Haxhosaj), dhe një tjetër kushtuar gazetarit Ramiz Dërmaku nga Gjermania. Revista respektive del në një vëllim tipografik prej 30-50 faqesh në kolor (format libri), dhe botohet me kontribute vullnetare. Vlen të potencojmë faktin se disa numra të kësaj reviste u kushtohen edhe shkrimtarëve rumunë që i kemi rikënduar në gjuhën shqipe,  apo disa tjerë që shkruajnë me admirim për vlerat shqiptare, ndërsa në numrin më të ri të Shqiptarit me Ramiz Dërmakun, botohet intervista e Asllan Dibranit me zotërinë e tij, një intervistë e R. Dërmakut me Miradije Gashin, dhe një numër i konsideruar fotografishë me konotacione letrare, miqësore dhe atdhetare.

 

Dhembja kosovare e gëshetuar me shpresë dhe qëndresë

 

          Në kuadrin e Shqiptarit kushtuar Nexhat Rexhës, emër i njohur në spektrin e krijuesve tanë, jepet bibliografia e tij në gjuhën shqipe, reçensioni i kritikut Marius Chelaru (Dhembja kosovare e gëshetuar me shpresë dhe qëndresë), faksimile revistash rumune me artikuj mbi vlerat e Nexhat Rexhës, Besa Salihut, Ibrahim Kadriut dhe Ramadan Mehmetit, reçensioni “Liria në këgën e zogjve” kushtuar Ali D. Jasiqit dhe poezive të tij, disa vlerësime kritike tëi N. Rexhës kushtuar botës poetike të Ioana Greceanut, një shkrim mbi romanin “Lekë Bukurani. Dashi”, të Adrian Mazhurut, bibliografi e N. Rexhës në gjuhën rumune, poezi bilingve, reçensioni (shqip-rumanisht) i poeteshës Monica Mureshan “Stolia e artë e pozisë shqipe” (kushtuar N. Rexhës), faksimile me prezantimin e N. Rexhës në disa revista rumune, si dhe te Zemra Shqiptare, Kosovarimedia etj., një shkrim tjetër i N. Rexhës (Vokabulari jetik në varësi koherente) kushtuar poetit grek Dimitris M. Kraniotis, reçensioni i N. Rexhës (Poezi me përmbajtje e shije estetike) dedikuar librit të Sabit Rrustemit “Nën qerpikun tënd”, një vështrim kritik i të njëjtit autor (N. Rexha) kushtuar poetit rumun Mihai Pascaru (Konfiguracioni racional në vargje), ballina librash, fotografi të ndryshme etj.

          Pason revista Shqiptari kushtuar poetit dhe eseistit Halil Haxhosaj, profesor dhe qytetar i respektuar i Gjakovës me një varg heronjsh dhe krijuesish të pavdekshëm në fushë të artit e kulturës, vendlindja e një shqiptari që jep kontribut të pashoq për ndërlidhjen e Kosovës me Poloninë (Mazllum Saneja), Halil Haxhosaj duke qenë autori i parë i Kosovës që pat fat të prezantohet në gjuhën rumune me vëllimin e tij “Hija e ëndrrave” (Bukuresht 2004). Në 38 faqet e revistës botohet një portret i Gjon Neçajt me titull “Një meteor në letërsinë e sotme shqiptare” (huazuar nga revista e famshme Zemra Shqiptare), shënime biobibliografike për H. H. në gjuhën shqipe, artikulli ynë “Halil haxhosaj në gjuhën rumune” (me subjekte “Si afirmohet Kosova letrare në veri të Danubit” dhe “Poeti na ofron një lëndë gjuhësore të ngjeshur”), reçensioni i Dr. Luan Topçiut “Hija e ëndrrave dhe plagët e një poeti shqiptar”, një shkrim tjetër me titullin “Fjalët dhe plagët e një poeti shqiptar”, kronika e Ali D. Jasiqit (Në fillim ishte fjala), kushtuar botës poetike të Halil Haxhosajt, disa vështrime kritike të H. H. kushtuar krijuesve tanë, një reçension i poetit të ndjerë Ilie Olaru Delavulpesht, huazuar nga e përjavshmja “Dimineata” e Bukureshtit, sipas të cilit “Halil Haxhosaj karakterizohet përmes një teknike, nganjëherë shqetsuese, e përplasjes dhe pritjes së zbulimit në varg, dhe e një vetëdije më shumë se sa  sugjestive, në esencializimin e momentit lirik, mesazhi i të cilit  mund të zbulohet në nëntekst, vetëm nga ata që janë të aftë të implikohen në aktin e përjetimit ndërmjet reales dhe ireales”. Revista respektive përmbyllet me një serë faksimilesh, ballina librash dhe fotografishë.

          Ali D. Jasiqi si poet nuk është më i famshëm se Ali Podrimja, ky i fundit duke qenë flamurtar i lirikës së sotme në Kosovë, dhe as Ali Podrimja nuk është më i famshëm se Sali Bashota, kur vjen fjala për vlera universale, por Ali D. Jasiqi pas një përvoje 40 vjeçare me një bibliografi të bujshme letrare, paraqet një interes real si ishkryeredaktor i Jetës së Re, eseist, redaktor, prozator dhe kohëve të fundit, edhe si poet. Revista Shqiptari kushtuar Ali D. Jasiqit boton reçensionin e Nexhat Rexhës “Liria në këngën e zogjve” (shqip/rumanisht), një cikël poemash bilingve, kronikën e Halil Haxhosajt “Poezi me tone jete dhe dashurie rurale”, një vështrim kritik të Jonuz Fetahajt (Pikturë e bërë me fjalë), një prezantim  i shkurtë i përmbledhjes me tregime “Sytë e fushës” ku defilon Kosova e persekutimeve serbe në kohën e Rankoviqit, si dhe disa faqe me ballina librash e fotografishë, të gjitha kushtuar Ali D. Jasiqit në vigjilje të 75 vjetorit të lindjes së tij. Për të mos e zgjatur më shumë, sepse botuesi i mirë ka nevojë të shkruash pak e për merak, në vend të urimeve të Vitit të Ri, në këtë kontekst i botojmë nja dy faqe të Shqiptarit me Neki Lulajn dhe Nexhat Rexhën, si dhe disa ballina të revistës respektive kushtuar krijuesve tanë, në trojet tona dhe diasporë.