| E diele, 08.01.2012, 08:56 PM |
KURRË MOS THONI KURRË ZOTI TADIÇ!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Presidenti i Serbisë i festoi këtë fundjavë Krishtlindjet ortodokse në manastirin serb të Deçanit, një monument kulture i periudhës së mesjetës, që mbrohet nga Unesco. Vizita e Tadiçit shihet si provokim nga ana e shqiptarëve të Kosovës, të cilët posa kanë dalë nga pushtimi i egër serbomadh që kulmoi me regjimin e kryekasapit Milosheviç.
Veriu i Mitrovicës edhe 12 vjet nga përfundimi i konfliktit, mbahet peng i barrikadave të ngritura nga segmentet paralele ultranacionaliste të ekstremizmit serb, ndërkohë që posa është përmbyllur një raund negociatash midis dy shteteve nën kujdesin e BE dhe SHBA, dhe prej 26 dhjetorit ka filluar zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Por presidenti i Serbisë nuk e pati fort të lehtë të lëvizë, duke zgjedhur rrugë dytësore, sepse Vetëvendosja kishte organizuar protesta,duke e konsideruar këtë vizitë si provokim të hapur që i bëhej popullit të Kosovës.
Tadiçi e vizitoi Kosovës pasi ishte marrë leje në institucionet e Kosovës, duke e justifikuar si një vizitë thjeshtë liturgjike.
Për shqiptarët, të cilët si komb janë tri besimesh, duke reflektuar një harmoni të përkryer fetare midis myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, vizita e Tadiçit në Manastirin e Graçanicës apo Manastirin e Deçanit, atje ku prehet Car Dushani, do të ishte shumë normale, nëse nuk do të përdorej politikisht nga
Sepse, nëse Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, që garantojnë liritë e njeriut, ku përfshihet edhe liria e besimit, por nuk lejojnë me kushtetutë ndërhyrjen e fesë në punët e shtetit, Serbia është një vend ku kisha ortodokse ka një ndikim shumë të fortë tek shteti, të cilit i jep karakter të fortë teokratik, aq më tepër kur Serbia posa është ndarë nga një e kaluar shumë e afërt, ku regjimi i Milosheviçit kreu spastrim etnik dhe fetar në Kosovë, ku dihet se shumica e shqiptarëve të Kosovës është e besimit mysliman.
Dhe kjo deklaratë e Tadiçit në fakt është në dëm të paqes dhe besimit të ndërsjelltë midis dy vendeve. Kosova ia shtrin dorën, Tadiçi e kafshon, në vend që ta shtrëngojë. Sepse në rastin konkret, kur gazeteri e pyeti, Tadiçi do të duhej të përgjigjej, „Zotëri, unë jam këtu për të marrë pjesë në ditën e Krishtlindjeve dhe ju ftoj që ta festojmë këtë ditë me dinjitet, për politikë kemi plot ditë të tjera!"
Këtë do të prisnin shqiptarët nga manastiri i Deçanit që të shqiptonte presidenti i Serbisë, këtë fillim janari të vitit 2012, por assesi atë që tha Tadiçi se „kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës". Sepse Kosova është e pavarur dhe një realitet i padiskutueshëm dhe i patjetërsueshëm, e njohur si shtet nga vendet që përbëjnë bërthamën e Perëndimit, duke nisur me SHBA.
Nuk mund t‘iu thotë Tadiç nga Kosova dy milionë shqiptarëve të Kosovës, që cilët kanë luftuar e votuar për pavarësinë e vendit të tyre se „kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës" dhe pastaj të pretendojë se erdhi në Kosovë për të kremtuar Krishtlindjet ortodokse e për të përhapur nga Manastiri i Deçanit mesazhe „paqeje".
Kurrë mos thoni kurrë zoti Tadiç. Ku i dihet, koha rrjedh dhe askush prej nesh nuk e ndal dot, e nesër vjen në Serbi një president i ri, i cili do ta kthejë faqen e historisë për së mbari për një bashkekzistencë normale mes fqinjëve, sepse, siç dihet, fqinjët nuk i zgjedhim vetë, por na i ka vendosur Zoti, dhe ky president e njeh Kosovën e pavarur! Ku i dihet! Dhe nuk do të kishte asgjë të keqe, përkundrazi!